Ndodhi

Nuk e bëjnë institucionet, të rinjtë të orientojnë me një murale për te Kalaja e Bashtovës

26 tetor 2021/Griseld Hoxha/Porta Vendore/ Kavajë

Një murale plotë ngjyra, e realizuar nga dy të rinj, nën një mbikalim në aksin rrugor Tiranë-Lushnje, orienton vizitorët drejt kalasë së Bashtovës, monument kulture, e cila vizitohet kryesisht nga të huajt.

Ferrat e shumta në anë të autostradës dhe temperaturat mjaft të larta të kësaj vere, ishin vështirësitë me të cilat u përballën Arjan Sfua dhe Fatjon Biba, të cilët në fund të muajit korrik i dhanë jetë murales kushtuar Kalasë së Bashtovës, në mbikalimin e fshatit Gosë. “Përveçse ishte shumë vapë, në anë të rrugës kishte dhe shumë ferra. Na u desh që fillimisht pastronim territorin dhe më pas të fillonim nga puna për realizimin e murales”, thotë Arjan Sfua.

I riu nga Kavaja, ish student dizajni, realizimin e muraleve e ka kthyer në profesion pasi jeton me të ardhurat e kësaj pune, por realizimin e murales së Kalasë së Bashtovës, e ka pasur ëndërr të vjetër. “Në zonë janë të shumtë bizneset turistike që realizojnë murale dhe unë kam krijuar shumë të tilla ndër vite, ndaj mendova përse jo mos të kishte dhe Kalaja e Bashtovës një të tillë”, thotë ai.

Murale, e realizuar nga dy djemtë, tashmë shihet në afërsi të kthesës që të çon në zonën e Vilë Bashtovës, ku ndodhet dhe kalaja që rrethohet nga një lumë, pylli dhe deti, çfarë e bënë unike për nga vendndodhja. Pikërisht këto elementë janë pasqyruar në murale, e cila tashmë fton vizitorët, duke shërbyer si guidë e munguar. “Ajo ç’ka na shtyu ishte dëshira për të promovuar zonën, e cila është ndër më të veçantat në vend, por nuk kishte të vendosur asnjë tabelë minimaliste orientuese për ti drejtuar turistët, ndaj ne vendosëm që me të ardhurat tona të realizonim muralen”, thotë Fatjon Biba.

Muret e kalasë. Foto: G. Hoxha

Muralia “Bashtova Castle”, tregon kalanë me kilometra dhe shigjeta, por dhe me një kompozim të thjeshtë, të fton për larmishmërinë që mund të gjesh në zonën ku ndodhet. Nën mbikalimin e fshatit Gosë, muralja mund të vihet re edhe nëse udhëton nga Tirana në drejtim të Lushnjës dhe anasjelltas, ndërkohë që edhe vizitorët nuk kanë kaluar pa e vënë re.

Polina dhe Laurina, një çift i ri nga Austria së bashku me djalin e tyre Thomasin, për herë të tretë këtë vit pushojnë në Shqipëri, me makinën e tyre familjare të përshtatur në rulo. Një ndër shumë ndalesat e tyre, është dhe fshati Vilë Bashtovë, ku ata qëndrojnë pasi vizitojnë kalanë dhe kampin e vogël që ndodhet jashtë saj. Këtë vit janë surprizuar kur kanë parë muralen, të cilët e kanë fotografuar menjëherë për ta ndarë me miqtë. “Ne nuk preferojmë të përdorim informacione nga interneti kur udhëtojmë. Thjesht zbulojmë, sepse na pëlqejnë surprizat. Kështu zbuluam dhe Kalanë e Bashtovës, kur erdhëm për herë të parë tre vite më parë dhe u mrekulluam nga ajo që pamë dhe e shijuam këtu. Por, këtë vit surprizë ishte që në mbikalimin e rrugës kryesore pamë një murale për kalanë dhe kjo do të bëjë që më shumë vizitorë të vijnë këtu”, thotë Polina nga Austria.

Vizitorë në Kalanë e Bashtovës. Foto: G.Hoxha

Kështjella që ndodhet në veri të grykëderdhjes së lumit Shkumbin, çdo mbrëmje vizitohet kryesisht nga të huajt dhe pse nuk të ofrohet asnjë guidë apo informacion përveçse një tabele të vendosur në hyrje të saj. “Vitet e fundit kalaja, fshati Vilë Bashtovë, zona në tërësi po tërheqin vëmendjen e vizitorëve ndaj që në muajin prill bashkë me Arjanin projektuam grafitin, siguruam bojërat, pastruam zonën dhe realizuam muralen me shpresën se do të shërbejë si një nxitje për vendosjen e tabelave orientuese në zonat turistike”, thotë Biba aktivist i sapodiplomuar.

Të dy nga kjo zonë, të rinjtë pjesë aktive e shoqërisë civile nuk e fshehin dëshirën që kjo murale mos të mbetet e vetmja e realizuar në mbështetje të turizmit. “Kemi marrë shumë vlerësime qytetare për muralen e kalasë. Kjo do të thotë se e kanë vlerësuar nismën tonë modeste. Pse jo mendojmë që në të ardhmen të mund të realizojmë të tjera vepra që shërbejnë dhe shkojnë në mbështetje të një turizmi të qëndrueshëm”, shton Arjan Sfua.  Ndërkohë kujtojmë se Vilë Bashtova është përzgjedhur nga qeveria në kuadër të 100 fshatrave turistikë, që do t’i sillnin një pamje të re zonës dhe ekonomisë, por e vërteta është krejt e kundërta siç ka raportuar edhe Porta Vendore më 15 gusht të këtij viti nëpërmjet një artikulli kushtuar fshatrave turistikë të Kavajës.