Vëzhgim/Analizë

Mësuesit ndihmës e psikologët, larg nevojave të shkollave e ambicies së qeverisë

22 tetor  2021/Besarta Basha/Porta Vendore

Përfshirja dhe Integrimi i fëmijëve me aftësi të veçanta në sistemin arsimor publik, pjesë e çdo platforme elektorale e strategjish, mbetet ende shumë larg nevojave që kanë ata, e madje edhe vetë premtimeve të qeverisë. “Kemi ambicie që të kemi mësues ndihmës për çdo fëmijë me nevoja të veçanta”, deklaroi kreu i qeverisë në prezantimin e buxhetit për arsimin në vitin 2019. Ndërsa sot, statistikat flasin ndryshe. Janë mijëra fëmijë në moshë shkollore që as janë përfshirë në sistem, ndërsa nga shifra e atyre që figuron se po arsimohet, gati 50% e tyre nuk figurojnë në listat e qeverisë. Porta Vendore ka siguruar informacion në rrugë zyrtare nga autoritetet dhe grupet që mbulojnë interesat e këtyre fëmijëve,  për të bërë një ballafaqim të dhënash, dhe identifikimin e problematikave me qëllim nxitjen e zgjidhjes.

Mungojnë të dhënat e sakta, shifrat kontradiktore

Shërbimi Social shtetëror, ka në databazën e tij 15,487 fëmijë me aftësi të kufizuar që trajtohen me pagesën e aftësisë së kufizuar. Por nga ky kontingjent, vetëm 8 257 frekuentojnë shkollën. Në tabelën e siguruar nga Porta Vendore, afro dy mijë prej tyre ndjekin parashkollorin, 4831 janë të regjistruar në arsimin 9-vjeçar, ndërsa 1515 ndjekin arsimin e mesëm.

 

Burimi: Shërbimi Social shtetëror 2021

Nga ana tjetër, grupet që luftojnë dhe u japin zë interesave të fëmijëve me aftësi të kufizuara numërojnë 4900 fëmijë që kanë nevojë për t’u asistuar në shkolla.

Ndërsa Ministria e Arsimit ka një shifër edhe më të reduktuar. Vetëm 4100 fëmijë me aftësi ndryshe, të cilët asistohen, përveçse nga mësuesit e klasës edhe me mësues ndihmës ose mbështetës. “Për vitin shkollor 2020–2021 në sistemin arsimor parauniversitar, kanë ndjekur procesin mësimor rreth 4100 fëmijë me aftësi ndryshe, të cilët janë mbështetur jo vetëm nga mësuesit e klasës/lëndës por edhe nga rreth 1300 mësues ndihmës (mësues të arsimit special), të cilët lehtësojnë mësimdhënien në klasat ku janë të regjistruar këta nxënës dhe ndjekin në mënyrë të veçantë zbatimin e planeve individuale. Pra jemi angazhuar për të ruajtur raportin 1 mësues për 2 deri në 3 nxënës”, deklaron drejtori i burimeve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të arsimit parauniversitar, Fiqiri Çifligu në intervistën për Portën Vendore. Duke u ndalur tek raporti mësues ndihmës për nxënës, edhe nëse marrim shifrën më të rrudhur, që përmend drejtori i DPAP, një mësues për 3.1 nxënës, sërish është pak. Në skenarin më të keq, raporti shkon 1 mësues për 6.3 nxënës. Kjo, për vitin shkollor që sapo u mbyll. Për të riun, ende s’ka përfunduar vlerësimi i nxënësve me aftësi të kufizuar. Kështu, qeverisë jo vetëm që nuk i kanë mjaftuar dy vite për të përmbushur detyrën që i ka vënë vetes, por shifra që përmend është larg realitetit.

Tjetër shifër deklarohet në strategjinë kombëtare të arsimit 2021-2026, të hartuar nga ekspertët e ministrisë së arsimit dhe UNICEF. Ndonëse i referohet të dhënave të një viti më parë, totali ka pësuar rënie të ndjeshme me afro 500 nxënës, që siç shikohet në grafik, është i pari vit që ndodh.

 

Referuar tabelës më sipër, raporti është 1 mësues me 4.2 nxënës, por shqetësimi vërehet në terren, ku ka mësues që asistojnë qoftë edhe për vetëm një nxënës me aftësi ndryshe e deri tek ata që asistojnë deri në gjashtë apo shtatë nxënës, çka ul eficiencën e të nxënit për këta fëmijë. Për të mos folur pastaj për shkolla ku ky mësues është inekzistent. “Ndër vite jemi përballur dhe me mungesën e mësuesve ndihmës ku shpesh si organizatë zhvillimi kemi qenë para dilemës që a duhet të luajmë rolin e shtetit apo të vijojmë të advokojmë për këtë çështje dhe duke konsideruar interesin më të lartë të fëmijës jemi detyruar ti bëjmë të dyja kur nevoja ka qenë emergjente. Rreth 3-4 vite më parë për më se një vit kemi paguar pagesa për mësues ndihmës në Kamzë, Durrës e Dibër por që falë partneritetit me institucionet vendore e qendrore arsimore, më pas në ato shkolla janë vendosur mësues ndihmës. Por ky nuk është gjithmonë rasti, ka akoma shumë shkolla që akoma nuk kanë mësues ndihmës”, tregon për Portën vendore, Brisida Jahaj, këshilltare për edukimin “World Vision”, organizatë që punon në terren me më shumë se 39 komunitete. Sipas Jahajt, shifrat, qoftë ato zyrtare dhe ato të gjeneruara nga organizatat e ndryshme janë tregues të nevojës së madhe për shërbime të specializuara. Mungesa e këtyre shërbimeve në radhë të parë ndikon direkt në aspektet zhvillimore të këtyre fëmijëve, vështirësitë që sjell në familje për të siguruar shërbime të tilla në qendra private që mund të tejkalojnë pagesat prej 30.000 lekësh në muaj. Shpesh herë dhe në të tilla raste ka vështirësi pasi qendra të tilla jo gjithmonë ofrojnë një shërbim të koordinuar mirëfilli me institucionin arsimor (kopsht, shkollë) që fëmija mund të ndjekë, dhe në këtë mënyrë edhe shërbimi nuk ofrohet i plotë. Pasoja të tjera që ndjekin fëmijën më pas, përveç aspekteve të zhvillimit, sjellin stigmën/ diskriminimin që vijon të jetë i lartë, izolimin, thellimin e vështirësive ekonomike e sociale me të cilat përballet familja në tërësi.

Përtej statistikave, problematika e madhe që derivon të tjera është mospёrputhja e shifrave midis institucioneve shtetërore. Pa ditur numrin real të nxënësve me aftësi ndryshe që kanë nevojë për t’u asistuar, nuk mund të kalkulohet numri i mësuesve që duhen për ta. Në strategjinë kombëtare të mbrojtjes sociale 2020-2023 flitet për integrimin e fëmijëve me aftësi ndryshe, në një kohë që atyre iu mungon e para, arsimimi.

 

Raporti mësues/nxënës me aftësi ndryshe në rrudhje, por i pamjaftueshëm

Kur flitet për numrin e mësuesve që mbulojnë formimin e nxënësve me aftësi ndryshe, me mburrje qeveria shprehet“Statistikat flasin vetë, në vitin 2013 në sistemin arsimor nuk kishte asnjë mësues ndihmës për kategorinë e nxënësve më aftësi ndryshe. Vit pas viti, ky numër është rritur dhe organizimi i këtij shërbimi është shtrirë në gjithë territorin. Nëse i referohemi vitit 2019 krahasuar me vitin 2021, numri i mësuesve ndihmës është rritur me rreth 400 mësues”, thotë drejtori i burimeve njerëzore në arsimin parauniversitar, teksa shpjegon procedurën e rekrutimit të mësuesve për këta fëmijë si dhe ambicien afatshkurtër të ministrisë në këtë drejtim. “Pas përfundimit të regjistrimeve të nxënësve në klasën e parë dhe të dhjetë, evidentohen nxënësit me aftësi ndryshe dhe së bashku me nxënësit e tjerë që janë evidentuar në vitet e kaluara, vlerësohen nga Komisioni Multidisiplinar (KMD) pranë ZVAP–eve dhe mbështetur në aftësitë apo nevojat e fëmijës, caktohet mësuesi ndihmës dhe orët javore për secilin prej tyre. Po punohet për të arritur të kemi 1 mësues për 2 fëmijë me aftësi ndryshe”, shprehet ai.

Ndërsa mësuesit nga ana tjetër, me dëshirën për të mbetur anonim pasi rrezikojnë vendin e punës, thonë se në klasa zbatimi i këtyre politikave është ende i largët. “Në zonat urbane ku llogaria është më e madhe, funksionon disi, por ama në zona periferike të qyteteve kryesore shqiptare dhe aq më shumë në ato të thella, kjo është një problematikë shumë e madhe e cila shoqëron prej vitesh sistemin arsimor, dhe ku na fakt premtimet nuk janë përkthyer deri në implementim, duke e dënuar 3 hërë një nxënës që është më aftësi të kufizuar, jeton në periferi dhe nuk ka një mësues ndihmës”, thotë një mësuese e klasës së 5-të, e cila tregon se këtë vit është transferuar nga një shkollë e pozicionuar në fshat drejt qytetit, dhe ku situata nuk ndryshon shumë.

“Në shkollën ku isha për gati 15 vite, ka pasur breza nxënësish me aftësi ndryshe, mësues ndihmës nuk ka patur . Përpiqeshim ne mësuesit që t’ia dilnim, por është e vështirë me një klasë me 22-25 persona, ti kushtosh vëmendjen e duhur një nxënësi me nevoja të veçanta”, u shpreh ajo për Portën Vendore.

Pavarësisht njëfarë progresi në këtë drejtim, cilësia e arsimit të fëmijëve me aftësi ndryshe është e ulët, pasi pritshmëritë e prindërve dhe mësuesve janë të ulëta, çka kufizon mundësitë e nxënësve.

Prindërit nga ana tjetër tregojnë peripecitë që i duhet të bëjnë për të regjistruar në shkollë një fëmijë me sindromën down ose autik, pasi të gjithë i shmangen përgjegjësive për të pasur në shkollë  një fëmije të tillë, i cili do pak kujdes e durim më shumë se me të tjerët.

“Vajzën mezi e kam regjistruar në shkollë. Mendoj se si do t’ia bëja po të jetoja në periferi ose jo në kryeqytet ku presupozohet se stigma është më e vogël e aq më shumë nga shkolla. Vajza tani hidhet në klasë të tretë, dhe unë si prind kam lënë çdo gjë që ti dedikohem vetëm asaj, pasi vijojmë të bëjmë edhe terapi logopedie, kurse pianoje etj. Dua që fëmija im të ndjehet i barabartë me të tjerët dhe jo i diskriminuar, por ama mësuese ndihmëse ende nuk kam parë në horizont megjithëse është në një nga shkollat kryesore e me traditë të Tiranës”, tha prindi.

 

Mësimi plotësues, përjashtues për fëmijët me aftësi ndryshe

Pavarësisht retorikave e premtimeve për uljen e raportit mësues ndihmës për nxënës, ka një tjetër tregues që dëshmon se kjo kategori fëmijësh jo vetëm që nuk merr vëmendjen e duhur, por është e diskriminuar. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre, për të cilët dyert u hapën që në 1 shtator për të mbushur boshllëqet e një viti pandemik, fëmijët me aftësi ndryshe u përjashtuan. Shkak për këtë, për të disatin vit radhazi është mungesa e një kontrate pune për mësuesit mbështetës. Kjo zvarrit në kohë procesin dhe lë pas dore kategorinë e fëmijëve që me gjasë, kanë më shumë nevojë se të gjithë të prekin bankat e shkollës. “Emërimi i mësuesve mbështetës nuk është realizuar. Ata janë tërë kohën me kontratë sezonale. Përveç një pakice shumë të vogël që kanë emërim të përhershëm, definitiv. Që në gusht, ata duhet të emërohen me qëllim që të jenë aty ditën e parë të shkollës. Tani që flasim, ende nuk kemi një përgjigje se kur do të bëhet emërimi i këtyre mësuesve, ndërkohë që procedura duhet të kishte mbaruar”, shprehet Eglantina Bajrami, drejtoreshë ekzekutive e Klubit të Prindërve të Fëmijëve me çrregullime të spektrit autik, e prirë për t’i dhënë edhe meritat që i takojnë ministrisë për një hap përpara në këtë drejtim, por pa fshehur asnjë nga problematikat që shqetëson klubin që drejton. “Ka njëfarë përparimi, në raport me ç’ka qenë por mbetet sërish problematik. Fillimisht vlerësimi i këtyre fëmijëve bëhej pasi niste viti shkollor. Me kërkesën e prindërve dhe tonën u mundësua që vlerësimi i fëmijëve të bëhej menjëherë sapo mbaron shkollën me qëllim që në shtator, mësuesi mbështetës të ishte aty në ditën e parë të shkollës. T’i bëjë këta fëmijë të gëzonin në ditën e parë të shkollës njëlloj si të tjerët. Pra, të barabartë midis të barabartëve. Pjesa e parë është realizuar, vlerësimi bëhet në fillim të shkollës, nga komisioni multidisiplinar brenda ZVA-ve. Ai komision vlerëson se sa ka nevojë çdo fëmijë me aftësi të kufizuar për mësues mbështetës, pasi në bazë të këtyre orëve bëhet rekrutimi i mësuesve. Në vitet më përpara mësuesi mbështetës vinte pas janarit, pasi futej në buxhetin e vitit pasardhës. Në maj mbaronte shkolla dhe ata vinin vetëm për katër muaj”, tha ajo për Portën Vendore.

Në përgjigjen zyrtare të ministrisë së arsimit thuhet se në shkollat ku janë stacionuar mësues ndihmës pa afat, numri i të cilave nuk bëhet i ditur, mësimi ka vijuar që nga 1 shtatori. Në të tjerat, është në proces. Ndonëse prindërit e këtyre fëmijëve nuk pranojnë, MAS insiston se ata duhet të kishin shkuar në shkollë si të tjerët, pasi asistojnë mësues të lëndëve të tjera. “Në asnjë rast në shkolla nuk përjashton asnjë kategori nga mësimi plotësues dhe nuk mungon shërbimi për nxënësit me aftësi ndryshe, mjafton që prindërit të përfitojnë nga mundësia për të plotësuar boshllëqet e krijuara gjatë vitit 2020-2021 në këto ditë të mësimit plotësues duke i dërguar fëmijët e tyre në klasë. Sqarojmë gjithashtu se në të gjithë institucionet arsimore janë në dispozicion më shumë se një mësues që ka për detyrë të lehtësoj punën e mësuesve që zhvillojnë orë plotësuese. Në shkolla zhvillohen orë plotësuese për disa lëndë, konkretisht për arsimin bazë, për lëndët e Gjuhës Shqipe, Matematikës dhe Gjuhën e Huaj dhe në arsimin e mesëm edhe për lëndët Fizikë, Kimi dhe Biologji. Në këtë kuptim të gjithë mësuesit e lëndëve të tjera janë në funksion të lehtësimit të procesit dhe sigurisht të mbështetjes maksimale edhe për nxënësit me aftësi ndryshe”, sqaron ky institucion në përgjigjen zyrtare.

Pavarësisht kësaj problematike që është kthyer në “pataten e nxehtë” pasi asnjë institucion nuk e mban përgjegjësinë, drejtoresha e klubit të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik është një tjetër zë që dëshmon se numri i mësuesve është i pamjaftueshëm për këta fëmijë, por edhe të tjerë që nuk deklarohen si të tillë nga prindërit, por që kërkojnë të njëjtin kujdes, duke zbuluar kështu handikapin që ndodh në shkollat tona. Mungesa e koordinimit dhe bashkëpunimi midis grupeve të interesit është një tjetër shqetësim që nuk çon “ujë në burim” duke bërë që kjo kategori fëmijësh të ndjehen të pa përfaqësuar si duhet e për rrjedhojë, pa shërbim.

Punësimi i mësuesve të arsimit special, në ngërç

Në periudhën 2019-2020 nisi zhvillimi profesional i mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuar me synim ngritjen e një sistemi mbështetjeje të aftësive profesionale të tyre. Profesioni i mësuesit të profilit të pedagogjisë speciale është futur në listën e profesioneve të rregulluara me ligj, por që atëherë ende nuk është bërë asnjë hap për t’u dhënë përparësi mësuesve të licencuar në këtë profil si mësues ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuara. Veç të tjerash, grupet e interesit kanë paraqitur në tryezën e ministrisë së arsimit edhe një alternativë. Kandidatët për mësues që futen në praktikën e detyrueshme profesionale 1 vjeçare, të punësohen pranë shkollave ku ka më tepër nevojë për mësues mbështetës duke “vrarë me një gur dy zogj”. Atashimin e tyre pranë shkollave dhe përmbushjen e nevojave për fëmijët me aftësi ndryshe. Interesi kryesor i sindikatës, si përfaqësues të mësuesve në raport me ministrinë, është që asnjë prej atyre që janë sot në sistem të mos humbasë vendin e punës. “Ne kemi kërkuar që në fund të vitit të kaluar mësimor që të gjithë mësuesit në sistem të mbulohen me normë mësimore për shkak të rënies së numrit të nxënësve. I drejtuam ministrisë disa pika ku kërkonim që të merreshin disa masa, ndër to dhe rritjen e mësuesve ndihmës, por ende jemi në pritje.”, thotë Nevruz Kaptelli, president i Sindikatës së Pavarur të Arsimit.

Ndërsa Marsi Simo, psikologe shpjegon nevojën e mësuesit ndihmës në shkolla, pasi sipas saj ai i jep më shumë siguri fëmijës që është më aftësi ndryshe.

“Sipas udhëzimit që nga viti 2014 çdo shkolle emëron një numër të caktuar mësuesish ndihmës sipas numrit të fëmijëve më nevoja të veçanta. Faktikisht deri tani është vënë re që shumë shkolla janë në mungesë të mësuesve të tillë. Nëse mësuesi ndihmës mungon do të thotë më shumë vështirësi për mësuesin e lëndës si dhe për fëmijën me nevoja të veçanta. Si pasojë hendeku midis fëmijës me nevoja të veçanta dhe fëmijëve të tjerë të klasës do ishte me i madh. Paragjykimet dhe veçimi mund të ishin më prezente në këtë rast”, përfundon psikologia për Portën Vendore.

Ndërkohë që së fundmi, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka rekomanduar sërish për të disatën herë çështjen e shtimit të mësuesve ndihmës në shkolla dhe për një efektivitet sa më të madh, me qëllim plotësimin e nevojave të nxënësve me aftësi ndryshe, si dhe shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar e ofruar asistencën e saj.

Për një vit të pritshëm shkollor brenda standardeve të pranuara të mos diskriminimit sigurisht nevojitet një planifikim mbi numrin, shkollat ku janë regjistruar dhe specifikën e aftësisë ndryshe që kanë nxënësit në shkollat, për të ofruar një shërbim arsimor në kohë”, është shprehur ndër të tjera ky institucion.