22 tetor 2021/ Porta Vendore/ Tiranë
Pas raportit të KE-së, ku fliste ndër të tjera edhe për situatën e menaxhimit të mbetjeve në vendin tonë, Kryeministri Rama mblodhi në një mbledhje të jashtëzakonshme, kryebashkiak e prefektë për të dhënë disa porosi të fundit mbi menaxhimin dhe pastrimin e territorit nga mbetjeve urbane. Ai parashtroi sanksione ndaj të pabindurve, deri në marrjen e bashkive ose çuarjen përpara prokurorisë të kryebashkiakëve, nëse këta të fundit nuk marrin parasysh buxhet për pastrim.
Në fillim të kësaj jave, Këshillit Europës bëri publik progres raportin për vendet e Ballkanit perëndimor, ku theksin ndër të tjera në vendin tonë e vuri edhe çështja e mbetjeve dhe landfilleve të ngritura kuturu nëpër territor.
Raporti sheh si shqetësim në rritje inceneratorët, që nuk përputhen me strategjinë e BE-së në këtë sektor.
“Ndërtimi i një inceneratori të ri, përveç dy ekzistuesve në Elbasan dhe Fier përbën një shqetësim në rritje në termat e përputhshmërisë me ligjet e standardet e BE-së për trajtimin e mbetjeve, përfshirë këtu edhe parimet e hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve dhe objektivave të riciklimit”, thotë raporti.
Në raportin e këtij viti, vihet re se rekomandimet e vitit të shkuar nuk janë zbatuar. Kjo duket se ka ndikuar që ditën e sotme kryeministri Edi Rama të kishte një takim me kryetarët e bashkive të Shqipërisë dhe prefektët e çdo qarku, lidhur me situatën alarmante të menaxhimit dhe depozitimit të mbetjeve në vendin tonë. Kryeministri paralajmëron sanksione ndaj kryebashkiakëve që nuk adoptojnë qasjen e përshtatshme për të menaxhuar mbetjet.
Ai tha se keqmenaxhimi i bashkive në drejtim të mbetjeve urbane mund të çojë deri në prokurori vetë kryebashkiakun. “Ky do të jetë fundi i marrëdhënies sonë, në rast se nuk gjejmë bashkëpunëtorë që e bëjnë ditën natë për të pastruar Shqipërisë”, tha Rama.
Porta Vendore ka sjell gjatë të gjithë kohës në vëmendje problemin me vendet e grumbullimit, djegien e tyre pa kriter, kostot e larta të procesit etj.
Në mbledhjen me kryetarët e bashkive të gjithë Shqipërisë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro pasqyroi situatën përmes fotografive të shkrepura nga raportimet në media, sa i takon çështjen më të nxehtë në mjedis, menaxhimit të mbetjeve urbane që në shumë bashki lë për të dëshiruar.
Fokusi ishte Dhërmiu, Himara, Durrësi, Kavaja dhe Orikumi e Vlora, ku sipas Ministres së Mjedisit Mirela Kumbaros puna për pastrimin duhet të nisë që tani për t`u bërë vendi gati për sezonin turistik.
“Nuk mund të kemi sezon të suksesshëm turistik pa pastruar mbetjet. Që nga dita që kam marrë detyrën, unë dhe skuadra ime jemi në terren. Neve, na zë tartakuti, siç thotë Gjirokastra, që kur arrijmë një rezultat, mezi presim të arrijmë në hapin tjetër”, tha ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro.
Ndërsa kryeministri Rama duke shigjetuar një sërë kryebashkiakësh, si atë të Himarës, Jorgo Goro, ndërsa nuk kurseu edhe lëvdatat për Pjerin Ndreun lidhur me menaxhimin e mbetjeve të Lezhës.
“Jam një nga shqiptarët që shkoj në Himarë në kohën e pushimeve. Po sikur Jorgoja, apo Gjergji të zgjohej vetë që në mëngjes me qese e t`i mblidhte mbeturinat, do pastroheshin. Po zgjohem unë para Jorgos dhe e zgjoj nga gjumi. Edhe sjell pastaj një dumdum dhe bën sikur mbledh plehrat. Do thoni ju pse s`e çon Jorgon në Lezhë? Po puna është të kemi dy si Pjerini, jo dy si Jorgoja”, tha ai.
Kryeministri tha se duhet që çdo bashki të planifikoj buxhet për pastrimin, një deklaratë që në fakt e kishte bërë ish Ministri i Mjedisit Blendi Klosi në fund të 2020, por mesa duket nuk ishte marrë seriozisht nga pushteti vendor.
“Qeveria nuk do të rrijë më në këtë pozicion, por do të ndërhyjë drejtpërdrejt. Ndërhyrja e parë që do të bëjmë është kjo, asnjë buxhet nuk do kalojë në rast se nuk do jetë parashikuar sipas konstatimit për të cilin qeveria do punojë për ju, pastrimi. Ministrja do jetë vetë në mbledhjet e Këshillave Bashkiakë. Do ishte mirë që krerët e bashkive as të mos e çojnë fare një buxhet në Këshill në rast se nuk është parashikuar pastrimi. Asnjë bashki nuk ka asnjë problem që të mbulojë pjesën e menaxhimit të përditshëm të mbetjeve nga pikëpamja financiare”, tha Rama.
Rama dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro u shprehën se do të jenë vetë në terren për situatën me menaxhimin e mbetjeve.
Situata e menaxhimit të mbetjeve mbetet problem në disa bashki për shkak edhe të fondeve të pakta që ato vetë kanë në dispozicion për këtë çështje, ku mesa duket harta e bashkive që kanë probleme me këtë shërbim që përkthehet në ndotje mjedisore nëse nuk realizohet ashtu siç duhet, ka njohur vetëm zgjerim.