17 tetor 2021/Aldo Mustafa/Porta Vendore/Durrës
Goditja fatale e tërmetit të 26 nëntorit 2019 në qytetin e Durrësit dukej se do të kishte faturë të lartë ekonomike, jo vetëm për procesin e rindërtimit, por për ndikimin negativ në turizëm. Për të mos mjaftuar këtë kosto, pandemia bëri që biznesi dhe turizmi i brishtë në Durrës, të provonte edhe një herë veten, pasi mbyllja e kufijve me vende të ndryshme për shkak të Covid-19, do të kishte një kosto edhe më të lartë.
Shifrat zyrtare të bizneseve të falimentuara një vit më parë ishin alarmante dhe për këtë, thirrjet e para erdhën nga kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në qytetin e Durrësit, Z. Alban Isteri. “Nga të dhënat e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, por edhe nga Qendra Kombëtare e Biznesit, në korrikun e vitit 2020 rreth 1000 biznese pezulluan aktivitetin e tyre përgjatë asaj periudhe duke ndikuar menjëherë në numrin e të papunëve, i cili u rrit me 25.000 qytetarë, për Qarkun e Durrësit, shifra këto të cilat treguan se tashmë 10% e bizneseve të Durrësit ishin pezulluar”, shprehet Isteri në intervistë për Portën Vendore.
Ndërsa pagat e luftës, Z. Isteri, në 2020 i kishte cilësuar, si politikë sociale që nuk ishte aspak zgjidhje për situatën e krijuar prej pandemisë, pasi jo vetëm gjatë asaj periudhe, por edhe gjatë verës, xhiroja ditore ishte ulur ndjeshëm. “Kapaciteti me të cilin bizneset mbijetuan verën e vitit të shkuar, duke përfshirë këtu dhe operatorët turistik, ishin të një shifre mesatare prej 20% të kapacitetit total të tyre, ndërkohë që stafet u reduktuan me 40-50 %, që përkthyer ndryshe, fitimet kanë qenë në marzhet më të ulëta se ndonjëherë dhe bizneset janë përpjekur që të mos falimentojnë”, shpjegon Isteri. Më herët, edhe Banka e Shqipërisë deklaroi se pandemia e Covid-19 rriti me 11% papunësinë në vend dhe shkaktoi pezullimin e 17.000 bizneseve, ndërkohë që 1.000 prej tyre ishin vetëm në Durrës.
Por viti 2021, që në tremujorin e parë, do të shënonte një pikë kthese përsa i përket turizmit dhe hotelerisë. Krahasuar me nisjen e grupeve të turistëve të parë në vitin 2020, të cilët erdhën vetëm gjatë fundit të muajit qershor, sivjet grupet e para janë shënuar që në periudhën mars-prill, çfarë bën që situata të jetë e ngjashme me atë të periudhës së pranverës së vitit 2019, përpara tërmetit.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës deklaron se sivjet situata paraqitet më pozitive dhe konfirmon një rikthim të aktiviteteve të pezulluara, dhe tentativat e tyre duket se janë pikërisht gjatë sezonit turistik, pasi është e vetmja periudhë e cila mund të ndihmojë rimëkëmbjen e biznesit.
“Durrësi këtë vit fatmirësisht ka një sezon të suksesshëm, deri tani ka një tendencë në rritje dhe synimi është të arrihen prurjet e 2019, por krahasuar me vitin 2020 ka një prurje goxha të madhe, sidomos të turistëve nga vendet e lindjes, por edhe Serbia e cila është një risi këtë vit, ka pasur prurje. Edhe bizneset që kanë qenë të mbyllura, kanë tendencë të ringrihen dhe kanë rifilluar aktivitetin e tyre. Bëhet fjalë për biznese sezonale të cilat po ri-tentojnë dhe këtë periudhë kanë më të përshtatshme. Është e rëndësishme dhe pjesa e aktiviteteve kulturore dhe ka problematikë përsa i përket jetës së natës për shkak të muzikës e cila lejohet deri në orën 23:00. Ndërsa përsa i përket turizmit, duke qenë se Shqipëria është një vend free-covid, kjo ka qenë dhe arsyeja pse ka patur turist të shumtë. Vaksinimi në masë, sidomos i sektorëve hotelier, ndikoi pozitivisht në sigurinë dhe perceptimin e turistëve, duke e cilësuar si një vend të sigurt, prandaj kjo ka ndikuar në shtimin e numrit të turistëve”, tha ai për Portën Vendore.
Porta Vendore vizitoi gjithashtu edhe vijën bregdetare për të zbuluar më shumë nga vetë operatorët turistikë, ku sipas të dhënave të tyre, duket se situata paraqitet mjaft optimiste për turizmin dhe ekonominë në qytetin e Durrësit. Një ndër operatorët turistikë në vijën e plazhit të lagjes numër 13, drejtuesi i strukturës se Hotelit Royal-G, Z. Blerim Norja, u shpreh se ky sezon turistik rezulton i suksesshëm, duke marrë parasysh çdo situatë që ka kaluar qyteti i Durrësit, i cili ka qenë më i prekuri nga fatkeqësitë natyrore.
“Ky vit ka filluar mbarë që në pranverë, ka pasur një fluks të vendeve të rajonit dhe një frekuentim masiv, fluks i cili ka vazhduar gjatë verës me turistët polak, ukrainas, çek dhe serb të cilët janë shtuar këtë vit, duke i dhënë fluks zonës së Durrësit dhe hoteleve. Unë mendoj që gushti dhe shtatori do të jenë muaj shumë të mirë dhe që sezoni do të zgjasë deri në muajin tetor. Rezervimet dhe kërkesat janë të shumta sa nuk kemi kapacitet për të përballuar akomodimin e të gjithëve. Viti 2019 mbahet si një ndër vitet më të mira përsa i përket turizmit, pasi të gjithë hotelet kanë qenë të mbushura, ndërsa viti 2020 për shkak të pandemisë ka qenë një krizë. Ky vit është i ngjashëm më vitin 2019 i cili është ndër vitet më të mira të turizmit në Shqipëri”, u shpreh Blerim Norja për Portën Vendore.
Po ashtu, operatorët turistikë deklarojnë se kanë rezervime të shumta deri në fundin e muajit shtator, çfarë do të thotë se sipas pritshmërive të tyre, do të ketë ende fluks turistësh dhe se sezoni turistik i këtij viti do të zgjasë më shumë nga çfarë ishte menduar, duke sjellë kështu dhe më shumë të ardhura për to.
Madje, me qëllim për t’i dhënë një dorë biznesit, duket se edhe Bashkia Durrës ka kontribuar në këtë drejtim. Z. Luan Dajko, me funksion Drejtor i Departamentit të Taksave dhe Tatimeve Vendore pranë Bashkisë së Durrësit, deklaron se Bashkia Durrës ka marrë masa për t’i krijuar mundësi biznesit që të marrë frymë. “Ne e kemi parë biznesin si partner duke mos i penalizuar dhe duke i krijuar mundësi nëpërmjet taksave dhe tarifave më të ulëta në numër dhe në vlerë. Jemi munduar që edhe këtë vit të mos e rrisnim tarifën e rërës, për t’i krijuar favor biznesit. Kemi vite qe nuk kemi ndryshim të taksave”, shprehet Luan Dajko.

Por, ajo që është më pozitivja është fakti i kthimit të turistëve në këtë qytet, ku pavarësisht situatave problematike të shumta në të cilat u gjend qyteti i Durrësit duke përfshirë hotelerinë, turizmin dhe si pasojë dhe ekonominë, duket se pandemia dhe tërmeti, tani i përkasin një të shkuare, të cilën të gjithë kanë zgjedhur ta harrojnë dhe të vazhdojnë të investojnë më tej.