Ngjarje/Personazhe

Drishti e Zogaj i Shkodrës në vend numëro, presin investime në kuadër të 100 fshatrave turistik

10 tetor 2021/Françeska Ndoja/Porta Vendore/Shkodër

Edhe pse në listën e 100 fshatrave turistikë, të përcaktuar nga qeveria shqiptare, fshatrat veriorë të Shqipërisë vuajnë mungesën e vëmendjes nga institucionet, qofshin ato qendrore apo vendore. Porta Vendore, këtë radhë udhëtoi drejt fshatrave Drisht dhe Zogaj në zonën e Shkodrës, për të vëzhguar nga afër nëse premtimet janë kryer dhe a ka nisur projekti për këto dy zona historike e turistike.

Fillimisht ndaluam në Kalanë e Drishtit, ku është ndër të paktat kala në Shqipëri, në të cilën ende banohet, vetëm 15 km larg nga qyteti i Shkodrës, pjesë e njësisë administrative Postribë. Kalaja gjendet në një kodër 800 metra të lartë, por asnjëherë nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga institucionet. Kalaja e Drishtit është monument kulture i Kategorisë I. Gjithashtu monument kulture i kategorisë së parë është edhe Kisha Trikonëshe në Kalanë e Drishtit, shpallur me Vendim Nr. 786/1, në po të njëjtën ditë, datë 05.11.1994 nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.

Aktualisht aty jetojnë 9 familje, kurse pjesa tjetër e banorëve janë shpërngulur drejt qytetit të Shkodrës apo ndonjë qyteti tjetër për një jetesë më të mirë. Bukuritë natyrore që ka zona janë të shumta, po aq e madhe është edhe harresa nga shteti. Banorët ndjehen të harruar dhe i vjen keq për këtë fakt, por pamjet flasin vetë.

Monda, banore e kësaj zone, tregon vështirësitë me të cilat haset çdo ditë. 35-vjeçarja nga Laçi është e martuar në Drisht, ndërsa burri prej vitesh punon në Gjermani për shkak se fshati nuk ofron punë. “Jetoj me prindërit e bashkëshortit dhe 3 fëmijët e mi. Bashkëshorti është në Gjermani prej vitesh dhe punon atje. Jetesa në Drisht është shumë e vështirë, ne jemi të harruar nga çdo institucion. Unë merrem vetëm me punët e shtëpisë dhe të kopshtit para, pasi nuk kam çfarë punoj këtu. Fëmijët bëjnë 30 minuta rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë dhe klasat janë të përbashkëta, për shkak se nuk ka më shumë se 15 fëmijë që frekuentojnë shkollën e Drishtit. I vetmi investim në këtë fshat ka qenë rruga dhe fasadat e banesave”, rrëfen Monda për Portën Vendore.

I vetmi investim i bërë në këtë fshat turistik nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit është ai i segmentit rrugor nga Postriba deri në Drisht, ndërsa pjesa tjetër e investimeve është akoma në sirtarët e qeverisë.

Kalaja e Drishtit, monument kulture është lënë në “mëshirë të fatit” edhe nga drejtoria rajonale e kulturës në Shkodër, pa një person i cili mund të kujdeset dhe të mund ta mirëmbajë atë. E njëjta situatë paraqitet edhe në muzeun historik, ku çelësat e këtij muzeu i mban në mënyrë vullnetare familja Buhaj, dhe herë pas here hap dyert e muzeut për ata pak vizitorë që janë të interesuar.

Sadete Buhaj tregon për Portën Vendore se i vetmi investim në këtë muze ka qenë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit vite më parë dhe më pas nuk është ndërhyrë më. Fondi Shqiptar i Zhvillimit 7 vite më parë ka ndërtuar përkatësisht Muzeun e Kalasë me një shifër prej 380 milionë lekësh. Godina është trekatëshe dhe e përbërë totalisht prej guri. Janë 6 dhoma, të cilat priten të pasurohen me materiale e sende me vlerë, por ky muze është lënë në neglizhencë totale pas investimit të kryer, pa mundur më të vejë dikush dorë. “Çelësat e muzeut i mbaj unë dhe hera-herës e hap dhe kujdesem për të. Çdo ditë e më shumë e shoh se degradon dhe nuk interesohet as pushteti vendor dhe as qendror për këtë monument kulture. Turistët këtë vit kanë qenë të paktë për shkak edhe të kufizimeve të pandemisë. Shpesh herë vijnë zyrtarë nga qeveria, por kot sa bëjnë matje e shkruajnë letra, pasi nuk është bërë asgjë. Ka vite që nuk vë kush dorë. Ky mund të ishte një atraksion turistik dhe një mundësi punësimi për banorët e kësaj zone për shkak se banorët këtu janë të varfër. Familja jonë mundohet të kujdeset, por çdokush që vjen dhe sheh këtë vend habitet për shkak të shkatërrimit dhe rrënimit që ka. Nuk besoj se qeveria do bëjë diçka edhe pse është në listën e 100 fshatrave turistikë. Është thjeshtë projekt në letër”, rrëfen zonja Buhaj, tejet e zhgënjyer me gjithçka që s’ka ndodhur.

Një tjetër banor është Arben Dyli, i cili vijon të jetojë brenda mureve të kalasë së Drishtit, teksa tregon se këtu turistët nuk kanë as bujtina, as vende për të kaluar natën. Ai shprehet se Ministria e Kulturës duhet t’i kushtojë një vëmendje të veçantë kësaj kalaje dhe këtij fshati.

Porta Vendore pyeti edhe drejtoreshën e DRTK Shkodër, Majlinda Lacaj sa i takon projekteve dhe investimeve në Drisht. “Muzeun e ka në administrim Bashkia Shkodër, ndërsa sa i takon mirëmbajtjes e kemi kryer me buxhetet që kemi pasur në dispozicion. Përpara dy vitesh kemi investuar në Kalanë e Drishtit në murin rrethues, në portën e kësaj kalaje”, tha z. Lacaj për Portën Vendore. Ndërsa shton se për këtë monument kulture, është hartuar një projekt i plotë restaurimi nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës (IKTK sot) miratuar në KKR (KKTKM sot) me Vendim Nr. 227, date 26.07.2017. “Nga ana e DRTK Shkodër në vitin 2018 në Kalanë e Drishtit është zbatuar një projekt restaurimi dhe konservimi, miratuar ne KKR (KKTKM sot) me Vendim nr. 349, datë 27.07.2018”, tha ajo. Por mesa duket i pamjaftueshëm, për vetë amortizimin që ka pësuar objekti.

Kalaja e Drishtit në Shkodër. Foto: F. Ndoja

Kalaja e Drishtit është një nga monumentet më të rëndësishme të Shkodrës, e cila pret premtimet e qeverisë që prej vitesh kanë ngelur vetëm në letër, megjithëse ka pasur një sërë tentativash aty këtu, por jo të mirë strukturuara.

Zogaj pret me endje mbërritjen e investimeve

Ndërsa 12 km larg kryeqendrës së veriut ndodhet fshati turistik Zogaj. Ky fshat filloi të frekuentohej pas viteve ’90 më së shumti, pasi më parë duke qenë në kufi me Krajën e Malit të Zi, hyrja bëhej vetëm me leje të posaçme. Me gishtat e dorës numërohen rreth 50 apo 60 familje, të cilat kanë preferuar të rrinë aty e mos të largohen.

Kur përmend fshatin Zogaj të shkon mendja menjëherë tek peshkimi, për shkak të afërsisë që ka me liqenin, por jo pak edhe tek tradita e hershme e tezgjahut, që zonjat e këtij fshati kanë arritur të ruajnë me fanatizëm.

Nebije Qotaj është një nga këto gra, që ka ruajtur këtë traditë të hershme dhe e ka kthyer në një biznes të mirëfilltë në Zogaj. Kjo punë, e cila u harrua me vite e vite të tëra, tashmë po lulëzon në disa punishte të ngritura në banesat karakteristike të kësaj zone.

Këtu gratë merren me artizanat dhe burrat me peshkim. Jam 58 vjeçe dhe prej 30 vitesh punoj si artizane. Fillimisht, bleva një shtëpi të vogël në Zogaj dhe punësova vetëm një shoqe timen, tani kam arritur të punësoj 10 gra në këtë punishte të vogël dhe modeste. Në fillim kur dolën tapetat, i iku rëndësia dhe interesi qilimave dhe nuk u preferonin nga askush, ndërsa tani ka një interes të shtuar karshi qilimave dhe punës me dorë. Pandemia ndikoi negativisht në biznese edhe në biznesin tonë ndikoi, por tani po ndryshon situata”, shprehet Nebije Qotaj në rrëfimin e saj për Portën Vendore.

Punimet e Nebije Qotaj artizanes së Zogajt. Foto: F. Ndoja

Sa i takon vendimit të qeverisë për 100 fshatrat turistikë, ku edhe Zogaj është pjesë e këtij premtimi, Qotaj shpjegon se askush nuk ka vënë dorë apo ka ardhur të interesohet për të zhvilluar këtë fshat, i cili vuan mungesën e vëmendjes së pushtetit lokal dhe qendror. “Vetëm për fushatë elektorale kanë shtruar rrugën Zogaj-Shirokë. Vetëm kaq! Premtimet e tjera janë akoma në letër. Kemi bërë disa herë kërkesë për zgjerimin e rrugës, por asgjë s’ka ndryshuar. Po të kishte zhvillim si zonë do të ndikonte pozitivisht edhe tek puna jonë, do merrte hov. Ne jemi të angazhuar familjarisht në këtë punë, pasi këtë punë e kam trashëguar edhe fëmijëve të mi”, shprehet ajo.

Ndërkohë, një problematikë mjaft e madhe në këtë zonë është edhe aksi rrugor Shirokë-Zogaj, ku prej vitesh është premtuar zgjerimi i tij, por ky premtim nuk ka gjetur zbatim në terren. Kjo rrugë është vetëm me një korsi dhe pa sinjalistikë rrugore, e shpesh herë ka qenë rrezik për banorët, por edhe burim aksidentesh. Ngushtësia e këtij aksi përveçse është një problem për automjetet, ka penguar edhe zhvillimin e turizmit në Zogaj. Ky aks rrugor afron edhe më shumë Malin e Zi me Shqipërinë, duke i hapur rrugë turizmit, por edhe fushave të tjera mes këtyre dy shteteve.

Esad Çobaj, banor i fshatit Zogaj tregon se ky fshat është një nga denstinacionet kryesore të qytetarëve shkodran, por mungesa e sinjalistikës dhe ngushtësia në këtë rrugë bëjnë të vështirë lëvizjen e automjeteve.

“Mungesa e një rruge normale, ka bërë që banorët e fshatit Zogaj të ndihen të harruar nga qeveria. Është premtuar disa herë zgjerimi i saj , por deri më tani duket se është projekt në letër. Gjithashtu, edhe deputetët e të dyja palëve politike na kanë premtuar zgjerimin e aksit rrugor por prapë asgjë. Ngushtësia e saj shpesh është kthyer në burim aksidentesh“, tha Esadi për Portën Vendore.

Në kuadër të 100 fshatrave turistikë, Zogaj nuk ka parë dritë investimesh edhe pse deri në fund të 2020, investimet e fshatrave të përzgjedhur duhet të kishin kryer.

Nga vëzhgimi dhe intervistimet në terren të kryera nga Porta Vendore, bizneset, e kryesisht baret e restorantet kërkojnë ndërhyrjen sa më shpejt në këtë zonë për shkak të zhvillimit të turizmit, por edhe përmirësimit të jetesës së banorëve, të cilët jetojnë në këtë fshat.

Bashkia Shkodër tha se projekti për 100 fshatrat turistikë është një program i qeverisë shqiptare i vitit 2018, ku ka si qëllim përmirësimin e ekonomisë, por edhe turizmit në zonat e caktuara por deri tani ka ecur me ritme shumë të ulëta.

“Pasi u prezantuam me projektin, bashkë me grupet e interesit caktuam tre fshatra për të aplikuar në projekt, konkretisht Thethin, Drishtin dhe Zogajn. Duke marrë parasysh nevojat në infrastrukturë, shërbime, por edhe përmirësim të aseteve monumentale e kulturore, që përbëjnë elementët karakteristik të këtyre fshatrave, Bashkia Shkodër iu përgjigj kësaj thirrjeje duke qenë gjithashtu ambicioze në përmirësimin e kushteve të këtyre zonave. Por megjithëse këto fshatra u futën në listën e 100 fshatrave turistik, ecuria e investimeve të realizuara nga qeveria në kuadër të këtij programi ka qenë shumë e ulët, për të mos thënë inekzistente”, thotë në përgjigjen zyrtare institucioni vendor ndërsa shton se: “ Afati për realizimin ose minimalisht fillimin e projektimit të këtyre ndërhyrjeve ka qenë 2 vite, ndërkohë që në terren përveç investimit nga FSHZH në rrugën Drisht-Kalaja e Drishtit nuk ka pasur ndërhyrje të tjera të cilat do të plotësonin kërkesat e paraqitura nga Bashkia Shkodër për rikualifikimin dhe zhvillimin e 3 fshatrave në kuadër të këtij programi, i cili po përmbyllet, dhe për Bashkinë Shkodër mbeti vetëm në stadin e deklarimeve”, bëri me dije ky institucion në përgjigjen zyrtare referuar Portës Vendore.

Bashkia ka bërë një listë të gjatë me nevojat që ka secili fshat, referuar tabelave si më poshtë:

Lista e projekt-propozimeve të Fshatit Drisht . Bashkia Shkodër

Nr.

Emërtimi i projekteve

Vlera në lekë

1

Rehabilitimi i segmentit të rrugës Ura e Mesit – Kalaja e Drishtit

205.000.000

2

Rehabilitimi i kalasë së Drishtit, përmes ndërhyrjeve të vogla në muuret rrethuese të kalasë dhe rehabilitimit të fasadave të shtëpive në kala

15.000.000

 

3

Restaurimi dhe rikualifikimi urban i terrenit në qendrën e fshatit dhe kalanë e Drishtit

38.000.000

 

4

Vënia në funksion e muzeut në kalanë e Drishtit

6.000.000

5

Riikualifikimi i shkollës 9 vjeçare Drisht

6.500.000

6

Rehabilitimi i qendrës Shëndetësore Drisht

2.500.000

7

Ndërtimi i Nyjes Bujqësore në Drisht

25.000.000

Lista e projekt-propozimeve të Fshatit Zogaj . Bashkia Shkodër

Nr.

Emërtimi i projekteve

Vlera në lekë

1

Rehabilitimi I aksit rrugor Shirokë -Zogaj-kufi

550.000.000

2

Rehabilitimi I shesheve urbane të fshatit Zogaj dhe sistemimi i rrugëve dhe shkallareve karakteristikë të fshatit, gjelbërim i peizazhit urban të zonës dhe ruajtjen e arkitekturës tradicionale

21.700.000

3

Rikualifikimi i plazheve dhe infrastrukturës për zhvillimin e sporteve ujore

25.000.000

4

Rikualifikim i ballinave ujore Shiroke Zogaj

10.000.000

5

Rehabilitimi dhe ripyllëzimi i sipërfaqeve të degraduara dhe të djegura të fshatit Zogaj

22.500.000

6

Rehabilitimi i Shkollës Zogaj

10.000.000

7

Rehabilitimi i qendrës shëndetësore Zogaj

5.600.000

8

Rritje dhe fuqizimi o sektorit të peshkimit në fshatin Zogaj

31.620.000

9

Ngritja e një qendre për punimet artizanale të zonës

10.000.000

10

Krijimi i iniciativave për diversifikimin e aktiviteteve ekonomike të zonës, si peshkimi, bimët medicinale, blegtoria, punimet artizanale dhe sektori I turizmit

10.000.000

11

Trajtime me të rinjtë dhe gratë sipërmarrëse që operojnë në fushën e biznesit

1.000.000

 

Totali

698.120.000

Kurse Fondi Shqiptar i Zhvillimit, deri më tani ka realizuar në fshatin Zogaj vetëm një investim, që është rikonstruksionu i rrugës Ura e Mesit Drisht- Kala e Drishtit, ndërsa në total në fshatin Zogaj pritet të kryhen katër investime të tjera, që janë në fazë prokurimi, sipas FSHZH.

 -Rindërtimi dhe përmirësimi i rrugës Shiroka – Zogaj – Kufi Mali i Zi

– Ndërtimi e përmirësimi i sistemit të UK dhe mbetjeve në Shiroka – Zogaj, në Shkodër (Faza I)

– Përmirësimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatrat Zogaj dhe Shirokë

– Përmirësimi i potencialit turistik të siteve natyrore në rajonin e Shkodrës duke përmirësuar peisazhin dhe infrastrukturën ndërlidhëse mes qytetit dhe bregut perëndimor të liqenit Shkodra (Hyrja në Shiroka nga Ura e Bunës dhe rikualifikimi i fshatit Zogaj)

Po ashtu, Fondi Shqiptar i Zhvillimit tha se investime janë planifikuar dhe në zonën e Thethit, ku aktualisht janë në zbatim dy projekte. “Konkretisht po kryhet rikonstruksioni i rrugës ‘Qafë Thore–Theth’ dhe ‘Ndërhyrje e integruar në Theth’”, deklaroi shkurtimisht FSHZH-ja, ndërsa në faqen e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit nuk gjen asnjë informacion lidhur me këtë projekt, dhe gjithashtu as në rrjetet sociale të AKPT_Shqipëria 2030, përveç publikimit të disa kartolinave për këto fshatra.