6 tetor 2021/Porta Vendore/Tiranë
Mijëra qytetarë janë ngritur në protestë përpara kryeministrisë për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe energjisë elektrike.
Me pankarta në duar, aktivistë, artistë dhe qytetarë kanë protestuar për më shumë se një orë para godinës së qeverisë.
Prej disa kohësh çmimet kanë njohur rritje në vendin tonë, duke ndikuar drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve. Ndër produktet kryesore të cilat kanë pësuar rritje janë ato të përditshmërisë, si buka, bulmeti, kafeja, por edhe energjia elektrike e gazi. Kjo e fundit u lajmërua disa ditë më parë nga kryeministri i vendit Edi Rama.
“Kimetja e ka fajin dhe Rama. Nuk kemi lekë për bukë, nuk i përballojmë dot çmimet e larta. Ai do që t’i shkojmë brenda, me u fut me 10 persona. Unë jam Vera Camaj, mbesa e shkrimtarit Martin Camaj. Fëmijët po na vdesin për bukë, ku të shkoj, më thoni ju. Cfarë të ha?” tha Vera Camaj, mbesa e shkrimtarit të madh Martin Camaj.
Aktori i humorit, Florian Binaj me pankartë në duar, tha se po jetojmë të gjithë në këtë pabarazi.
“Jemi të gjithë në këtë pabarazi. Kjo nuk është e drejtë për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që nuk kanë mundësi të rrisin një fëmijë. Dhe më shumë duhet të jeni, ja t’ju tregoj këtë. Nuk hamë të gjithë te Nusreti”, është shprehur Binaj, duke treguar pankartën që mbante në dorë, ndërsa më herët kishte apeluar për politikën shqiptare që t’i mbante “duart” larg protestës qytetare.

Qytetarë kërkuan konkretisht uljen e TVSH për energjinë elektrike për familjarët dhe bizneseve të vogla, heqje te taksës së qarkullimit, të cilën e paguajmë 2 herë, edhe heqjen e akcizës së gazit.
“Unë nuk organizova asnjë protestë, unë dola kundër rritjes së çmimeve, por s’kam organizuar asgjë. Unë me qytetarët e tjerë u ndodhëm në të njëjtin vend. Unë mendoj se qeverisë t’i lihet kohë deri ditën e hënë për të dalë me një paketë masash dhe për të reflektuar. Ditën e hënë unë do jem përsëri këtu për të ushtruar të drejtën time kushtetuese. Mendoj se s’ka vend për rritjen e çmimit të bukës. Jemi i vetmi vend në rajon që e taksojmë bukën 20%. Italia e taton vetëm 4%, Greqia 13%. Ky është një mekanizëm që mund të ndërhyhet dhe çmimi të mos bjerë mbi qytetarët”, tha Avokati Adriatik Lapaj.
Qytetarët i dhanë afat qeverisë të reflektojë mbi uljen e çmimeve, ndërkohë që qeveria ka deklaruar se do të nxjerrë një plan masash ditën e shtunë.