Vëzhgim/Analizë

Bushkashi, fshati me potencial turistik i lënë në harresë

6 tetor 2021/Xhesian Shazimani/Porta Vendore/Burrel

Bushkashi është një ndër 5 fshatrat e përzgjedhura në qarkun Dibër për të përfituar investime nga projekti “100 fshatrat turistikë”, por deri më tani investimet akoma nuk kanë mbërritur. Porta Vendore pa nga afër këtë fshat, ku banorët përballeshin me mungesën e investimeve minimale dhe jetike.

Fshati Bushkash në njësinë administrative Ulëz, të bashkisë së Matit, ndodhet17 kilometra nga qyteti i Burrelit dhe në krah të rrugës nacionale Tiranë – Peshkopi. Qeveria shqiptare e përzgjodhi në vitin 2018 si një nga 5 fshatrat turistikë në qarkun e Dibrës, në kuadër të projektit “100 fshatrat turistikë”.Në fshat banojnë 169 familje me rreth 525 banorë.Bushkashi shtrihet në zonën e mbrojtur të parkutrajonal të Ulzës. Fshati ka 656 ha sipërfaqe pyjore me lis, pishë, dushk, etj. dhe 15 ha frutikulturë si vreshtari, kumbulla, gështenja, etj.

Fshati ka fakte të trashëgimisë kulturore Ilire. Zhvillimi i fshatit ka gjenezën në 5 kulla të hershme, ndërsa aktualisht karakterizohet nga banesa të tipit kullë, por edhe ndërtesa dykatëshe stil Elbasani. Kisha katolike Shën-Bumi në qendër të fshatit është ndërtuar mbi rrënojat e kishës së vjetër.

Hapësira gjeografike e fshatit Bushkash në formën e një gadishulliështë atraktive dhe ofron mundësi për ture të ndryshme.

Edhe pse kanë kaluar tre vite që nga periudha e përzgjedhjes, Bushkashi ende sot nuk gëzon asnjë investim. Këtë e vëmë re që në hyrje të fshatit, ku mungon guida e fshatit për të shpjeguar atraksionet që duhen vizituar dhe i vetmi udhëzim është një tabelë e thjeshtë që të drejton për në Bushkash, e cila është e mbuluar nga ferrat anës rrugës nacionale dhe shumë pak e dallueshme.

Rruga kryesore që të çon drejt qendrës së fshatit nuk është e asfaltuar. Ajo ështëme gropa si dhe i mungon sinjalistika rrugore. Kjo gjendje ishte pothuajse në të gjitha lagjet e fshatit sipas vëzhgimit të kryer nga Porta Vendore. E vetmja rrugë e asfaltuar ishte e lagjes “Ricaj” ku sipas banorëve është shtruar 15 vite më parë,porështë e amortizuar tanimë.

Panorama e parë që të ofron qendra e fshatit është shkolla 9-vjeçare, e cila është në kushte skandaloze, e shkatërruar ndër vite, me mure të prishura, dritare të thyera dhe oborrin e mbushur me shkurre të ndryshme. Në këtë shkollë bënin mësim vetëm 3 nxënës, pasi gjendja e saj ka detyruar banorët që t’i transferojnë fëmijët në shkollën e fshatit Bazë, fshati tjetër më i afërt që ndodhet 5 kilometra larg Bushkashit.

Shkolla e fshatit Bushkash. Foto: Xh. Shazimani

Në krah të shkollës ndodhet dhe qendra shëndetësore e fshatit, e cila edhe ajo është në kushte jo të mira. Edhe pse ishim në ditë jave dhe orar pune, qendrën shëndetësore e gjetëm të mbyllur, pasi është funksionale vetëm ditën e mërkurë dhe të enjte, ditë kur ishte prezent mjeku i familjes dhe që shërbente 2 deri 3 orë në këto ditë, ndërsa ditët e tjera qëndronte e mbyllur.

Qendra shëndetësore e fshatit Bushkash në Burrel. Foto: Xh. Shazimani

Përballë qendrës shëndetësore ndodhet edhe kisha e fshatit, e cila duket e restauruar dhe mirëmbahej nga vetë banorë dhe kleri i krishterë.

Kisha e fshatit. Foto: Xh. Shazimani

Duke ecur në lagjet e fshatit nëpër rrugët e hapura me zhavorr, sheh kabinat elektrike të amortizuara dhe shtëpi të prishura nga braktisja e banorëve. Pas disa minutave rrugë takojmë banorin Nikoll Skeja, të cilin pasi e pyesim nëse janë bërë investime nëkëtë fshat turistik, ai thotë se nuk është bërë asnjë investim i tillë. Duke përfituar nga takimi i rastësishëm, ai gjithashtu na ngriti si problem kryesor shkollën e fshatit që nuk plotëson asnjë kusht për të zhvilluar mësim, edhe pse aty vazhdojnë të bëjnë mësim tre nipërit e tij.

“Këtu nuk ka investime nga shteti për mjedise që janë të domosdoshme, jo më për turizëm. Ja shkolla e fshatit ka dalë plotësisht jashtë funksionit. Kam 3 fëmijët e djalit që mësojnëaty, se nuk kam makinë t’i largoj që aty dhe t’i çoj përditë tek shkolla në Bazë, siç kanë bërë të gjithë banorët e tjerë” , u shpreh Nikoll Skeja.

Nikoll Skeja duke folur për Portën Vendore. Foto: Xh. Shazimani

Më tutje takojmë banorin Xhevahir Rica, i cili është edhe pronari i të vetmit dyqan që ndodhet në fshatin Bushkash. Ai thotë se këtu shteti nuk ka vënë dorë dhe kjo ka bërë që shumë banorë të largohen, ndërsa të rinjtë ikin në emigracion dhe nuk kthehen më.

“Këtu nuk ka vënë dorë shteti prej shumë vitesh, as në rrugë, as në turizëm. Kjo është dhe arsyeja pse largohen banorët, të rinjtë ikin në emigracion dhe nuk kthehen më. Unë kam këtë dyqanin këtu, largimi i njerëzve më ka çuar xhiron ditore në minimum”, tha Rica.

Fusha në të cilën shtrihet fshati Bushkash, në tre anë të saj është rrethuar nga liqeni i Ulzës dhe me gjelbërimin që e mbulon, ofron pamje piktoreske. Kullat mirëmbahen nga vet pronarët e hershëm të tyre për të ruajtur traditën familjare, dhe pse nuk janë funksionale për turistë.

Geg Minga, i cili ishte kthyer në fshatin Bushkash për të kaluar muajt e verës në shtëpinë-kullë të tij, na tregon se ndërtesa është mbi 100-vjeçare dhe këtë e tregonte fasada e jashtme e saj. Ai tha se e ka pasur dëshirë ta kthejë në pikë turistike të fshatit, por mungesa e një mbështetjeje nga institucionet shtetërore e ka bërë të pamundur restaurimin e saj për ta kthyer në bujtinë, pasi sipas tij turistët edhe pse në numër të vogël vijnë aty për të kaluar dy deri në tre net.

Kulla 100 vjeçare. Foto: Xh. Shazimani

“Kjo kullë është mbi 100 vjeçare, ka jetuar, stërgjyshi, gjyshi, baba im, unë. Kam dashur ta përshtat për turistë, por nuk kam mundësi ekonomike. Ndonjë ndihmë nga shteti nuk kam marrë. Madje para 3 vitesh mëështë djegur dhe e kam restauruar me lekët e mia. Se këtu vijnë turistë nga Çekia, Franca, Gjermania, rrinë dyderi në tre net dhe ikin. Rrinë afër kullës, bëjnë piknik, pa paguar gjë se unë nuk e kam rregulluar që të pres turistë”, u shpreh Geg Minga.

Geg Minga duke folur Portën Vendore. Foto: Xh. Shazimani

Pak më tutje ndodhej kulla e Geg Zef Kalthit. I biri i tij, Vasil Kalthi, njëkohësisht dhe kryeplak i emëruar në fshatin Bushkash, po e restauronte kullën për ta bërë bujtinë për turistë me shpenzime personale.

“Investim në fshat nuk ka pasur. Vetëm uji i pijshëm qëështë investuar para 5-6 vitesh nga një kompani gjermane dhe vetëm kaq. Rrugët e lagjeve janë të pashtruara. Bujtinat mungojnë. Fshati Bushkash ka 5 kulla që me pak ndihmë mund të kthehen në bujtina. Unë jam munduar me aq sa kam mundësi ekonomikeqë të bëj një investim të vogël, ta përshtat kullën time si bujtinë për ata turistë që vijnë këtu” , tha Vasil Kalthi.

Kulla e Geg Zef Kalthi. Foto: Xh. Shazimani

Ai gjithashtu thotë se ata pak turistë që vizitojnë fshatin, preferojnë të bëjnëpiknik buzë liqenit të Ulzës, poshtë fshatit. Për t’ua lehtësuar rrugën dhe qëndrimin turistëve, kryeplaku Kalthi thotë se pas disa kërkesave që kishte bërë në Njësinë Administrative të Ulzës për rregullimin e rrugës që të çonte buzë liqenit dhe vendit ku ata kalojnë netët, bashkia ishte përgjigjur vetëm me disa makina zhavorr, që i kishte hedhur rrugës, por lëvizja ishte përsëri e vështirë.

Mbeturinat ishin një problem tjetër në fshatin Bushkash. Tre kosha mbeturinash që ishin vënë nga bashkia në hyrje të fshatit nuk shërbenin për asgjë, pasi përveçse ndodheshin larg banesave, nuk vinte as makina për t’i pastruar.

Vendi ku turistët bëjnë piknik buzë liqenit Ulëz, duke lënë aty edhe mbeturinat. Foto: Xh. Shazimani

Kanalet e ujërave të zeza dhe kanalet e ujërave kullues ishin problemet e tjera që po i mbart fshati Bushkash, të cilit potenciali për të qenë fshatit turistik nuk i mungon, por mungesa e investimeve e pamundëson këtë gjë.

Për të kuptuar se kush ka qenë arsyeja e mosardhjes së investimeve, Porta Vendore kontaktoi dhe me administratorin e njësisë administrative Ulëz, Eldorin Shpani. “Po presim të vijnë investimet në rrugë, në kanale vaditëse. Bashkia ka në plan të investojë, arsyen e vonesës s’e di, pasi kam pak kohë që jam administrator dhe nuk e di pse nuk është investuar”, tha Eldorin Shpani.

Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë Mat për të kuptuar arsyen e vonesës së investimeve në fshatin Bushkash. Në përgjigje të kërkesës, bashkia thotë se ka hartuar një projekt për investimin në rrugët e fshatit Bushkash, por nuk ka fonde për realizimin e tyre.

“Në kuadër të projektit 100 fshatrat turistikë, Bashkia Mat ka të hartuar projektin me titull: ‘Zhvillimi Rural Fshati Bushkash’. Ky projekt konsiston në sistemimin e rrugës që e përshkon mes për mes fshatin. Ndërhyrja konsiston në rrugë, trotuare dhe ndriçim. Bashkia Mat për arsye të mungesës së fondeve ka kryer aplikime dhe kërkesa të vazhdueshme pranë institucioneve financiare për investim të projekteve të fshatit Bushkash, të cilat nuk janë miratuar akoma”, thuhet në përgjigjen e bashkisë Mat.

Në Bushkash ke shumё pёr tё vizituar, natyrën mahnitëse, liqenin e Ulzës,kishën në qendër të fshati , 5 kulla të hershme, Tumat ilire etj, por që të shkosh atje duhet të përballesh pikërisht me këto vështirësi që vijnë nga mungesa e investimeve.