4 tetor 2021/ Aurora Sulce/ Porta Vendore/ Tiranë
Tirana është qarku i vetëm në Shqipëri, ku shpenzimet mesatare për konsum janë më të larta se mesatarja e vendit prej 83.475 lekë. Të gjitha qarqet e tjera janë poshtë këtij kufiri. Instituti I Statistikave ka publikuar këtë të hënë Anketën e Buxhetit të Familjeve për vitin 2020, ku jepet edhe panorama e qartë e shpenzimeve që bëjnë familjet shqiptare sipas zërave të konsumit.
Nga të dhënat e Anketës rezulton se familjet në qarkun e Tiranës shpenzojnë për konsum mesatarisht 98.737 lekë në muaj. Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Korça me 83.160 lekë dhe Fieri me 79.839 lekë në muaj për familje. Ndërsa qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Kukësit me 70.252 lekë dhe i Dibrës me 71.135 lekë në muaj për familje. Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Elbasanit me 7.0 %, ndjekur nga qarku i Dibrës me 4.9 %.
Instituti i Statistikave vlerëson se një familje në Shqipëri ka mesatarisht 3.6 anëtarë. Qarku me numrin më të madh të anëtarëve të një familje është Kukësi me 4.2 anëtarë, ndërsa Gjirokastra është qarku me numrin më të vogël të anëtarëve në përbërjen e një familje, me vetëm 2.9 anëtarë.
Struktura e shpenzimeve, ku i përdorën paratë familjet?
Vitin e kaluar, një familje shqiptare me 3.6 anëtarë ka shpenzuar mesatarisht 83.475 lekë në muaj për të jetuar. Anketa e Buxhetit të familjeve ka evideNtuar se shpenzimet mujore të familjeve janë rritur në këtë periudhë me 1.5% kundrejt vitit 2019. Pandemia e COVID 19 ka sjellë ndryshime të forta në mënyrën sesi familjet shqiptare i kanë shpenzuar të ardhurat e tyre. Sipas Institutit të Statistikave, janë rritur ndjeshëm shpenzimet për shëndetin, duke dëshmuar faktin se shumë njerëz u detyruan që ta përballonin emergjencën shëndetësore me të ardhurat e tyre personale. Kështu, pesha e shpenzimeve për shëndetin u rrit në 5.4% në vitin 2020, nga 4.3% që ishte një vit më parë. Në vlerë, shpenzimet për shëndetin u rritën me 28%, duke arritur në rreth 4.500 lekë në muaj. “Shpenzimet e bëra në grupin “Shëndet” në vitin 2020 kanë pësuar rritjen më të lartë prej 28,0 %, krahasuar me vitin e kaluar, si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupin “vitamina”, vlerësohet në Anketën e INSTAT.
Edhe për ushqime ka një rritje të lehtë kundrejt totalit të shpenzimeve, duke arritur në 41.6% nga 41.3% që ishte vitin e mëparshëm. Karantina ka ulur ndërkohë shpenzimet për kulturë dhe argëtim, pesha e të cilave ka zbritur në 2.8%, nga 3.8% një vit më parë.
Ndonëse baret e restorantet ishin të mbylluara për disa muaj, INSTAT raporton një rritje te peshës së shpenzimeve për to, në 5.6%, nga 4.8% vitin e mëparshëm. Sipas INSTAT, shpenzimet e bëra në grupin “Restorante dhe hotele” kanë shënuar rritje prej 17.1 %, krahasuar me vitin 2019, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupet: “qëndrime dhe shërbime për një natë në hotele, komplekse hotelesh, fshatra turistike, kampingje brenda vendit” si dhe shpenzime për “ushqim të shpejtë përfshirë edhe shërbimet taxi të ofruesve të ushqimit”.