2 tetor 2021/Besarta Basha/Porta Vendore
Në vitin 2018, qeveria u zotua të reduktojë gradualisht klasat kolektive deri në eliminimin e tyre. Që atëherë, kanë kaluar tre vite dhe reforma, jo vetëm që nuk ka bërë përpara, por autoritetet zbatuese e vënë ende në diskutim nëse duhet të mbyllen klasat kolektive apo jo. Kjo “luhatje” ka bërë që nga klasat e veçanta, ku mëson nxënësi i klasës së parë me një tjetër në të tretë e të tetë, të dalin analfabetë funksionalë. Një raport që mati dijet e këtyre nxënësve është bërë që vitin e kaluar, por “fle” në zyrat e Ministrisë së Arsimit.
Në shtator 2018, Ministria e Arsimit ndërmori një aksion masiv për mbylljen e një pjese të klasave kolektive në disa zona të vendit, të cilat paraqiteshin problematike për sa i përket procesit të mësimdhënies dhe mësim-nxënies. Këto shkolla e klasa u mbyllën pasi nxënësit në të gjithë vendin iu nënshtruan një minitesti mature, për sa i përket njohurive të fituara, ku rezultatet ishin shumë të dobëta në Berat, Mat, Kukës dhe Gramsh, ndaj dhe aksioni u prit me entuziazëm nga mësuesit, por jo nga prindërit e nxënësit, të cilët u detyruan të udhëtojnë nga një zonë në tjetrën vetëm për të ndjekur procesin mësimor. Ministria e linjës u zotua në atë kohë që në shtator 2019 do të mbylleshin edhe pjesa tjetër e klasave kolektive, që kryesisht sollën deformim në arsim.
Çfarë po ndodh sot pas 3 vitesh, dhe pse nuk shkoi kjo reformë deri në fund sikurse ishte premtuar?
Banorët e këtyre zonave të sipërpermendura po përballen me vështirësi të shumta në transportin e fëmijëve për në këto shkolla të përcaktuara si shkolla qendër, ku kryhet mësimi. Pagesa e transportit për fëmijët që do të penalizoheshin nga mbyllja e shkollave do të paguhej nga Zyra Arsimore në bashkëpunim me bashkitë, pro kjo gjë nuk ndodhi, duke i vendosur prindërit në vështirësi financiare edhe më të mëdha, dhe duke menduar realisht që të braktisin shkollën e fëmijëve në këto kushte.
Rënia e numrit të nxënësve bëri që klasat të ndryshme të mblidhen në një, duke bërë mësim së bashku. Kjo dukuri është e pranishme në zonat periferike, dhe nëse në vitin 2018 prekte 33 mijë nxënës të arsimit fillor dhe 9-vjeçar, sot shifra është reduktuar me rreth 14 mijë të tillë, duke e çuar totalin në 21,494 nxënës.
Pavarësisht se procesi për mbylljen e klasave kolektive nisi me kundërshti jo vetëm nga opozita, por edhe nga prindërit, mësuesit e pushteti vendor rasti pas rasti, në shtator 2018, rreth 348 klasa kolektive u mbyllën në të gjithë Shqipërinë dhe mbi 10 % e nxënësve u transferuan drejt shkollave të qendrës.
Më tetor 2018, Ministrja e Arsimit e asaj kohe Lindita Nikolla tha se ky institucion ka kryer një testim te nxënësit e klasave kolektive, duke theksuar se për të siguruar një mësimdhënie të mirë janë trajnuar mbi 1300 mësues.
“Përsa i përket testimit që prapë Ministria e Arsimit e ka realizuar në muajin tetor vitin e shkuar, ne kemi bërë një test për gjuhën dhe leximin për 33 mijë nxënës që studionin në klasa kolektive, ka rezultuar jo siç e thoni ju, por në një masë deri në 6-7 mijë, jo të gjithë analfabetë, por me vështirësi të caktuara duke u ndarë në fasha. Kemi realizuar një program ekstra vetëm me këta nxënës, duke trajnuar më parë 1300 mësues që punonin me ta për t’i nxjerrë nga prapambetja dhe shumë shpejt do të kemi matjen e dytë për t’ia bërë publike opinionit”, përfundoi Nikolla.
Më 21 nëntor 2018, Kryeministri Edi Rama teksa ishte i pranishëm në prezantimin e buxhetit për arsimin për vitin 2019 ka thënë se në vitin 2019 do të ketë thellim të reformave të qeverisë. Kryeministri tha se do të vazhdojnë që të mbyllen klasa kolektive, dhe do të bëhet i mundur sigurimi i transportit për këta nxënës. “Do vazhdojmë të mbyllim klasat kolektive. Ata që i lanë le të vënë kujën e të thonë që mbyllëm shkolla. Jo, ne po mbyllim klasa përqëndrimi si kampe përqëndrimi për fëmijët e vegjël. Ata që dalin nga klasat kolektive e kanë të mbyllur derën e të ardhmes që meritojnë. Ne me buxhetin e vitit 2019 iu garantojmë fëmijëve transportin për të gjithë fëmijët që iu janë mbyllur klasat kolektive”, artikuloi kryeministri Rama asaj kohe.
Edhe Ministrja e Arsimit Besa Shahini, në fillim të hapjes së shkolllës, përkatësisht në shtator 2019, tha se sfida e mbylljes së klasave kolektive do të vijojë. “Për klasat kolektive janë reduktuar rreth 300 klasa të tilla dhe po punohet për të reduktuar akoma më shumë”, tha ajo.
Por edhe dy vite më pas, pra në 2021 thuajse 10% e nxënësve në rang vend, kryesisht në zonat e thella, mësojnë ende të grupuar me mosha të ndryshme, në ato që quhen klasa kolektive. Këto shifra raportohen nga institucionet arsimore në vend. Nisma e ministrisë së arsimit për t’i reduktuar nga viti në vit deri në shkrirjen e tyre ka ngelur në vendnumëro. Lëkundjet e tërmetit të 2019-ës, e më pas situata e vështirë pandemike kanë lënë pas dore nxënësit e zonave periferike e malore të disa qarqeve, ata, të cilët duhet të bëjnë kilometra të tërë në terren të vështirë e në kohë shpesh të papërshtatshme, për në shkollën më të afërt për të marrë dije nga i njëjti mësues, si ai i klasës së parë, të pestë e deri në të nëntën për përmbylljen e ciklit të detyrueshëm arsimor. Duke qenë i tillë, prindërit janë të parët që sakrifikojnë, ndërsa zyrat vendore arsimore përpiqen të përshtatin urdhrat që iu vijnë nga lart, me realitetin. Sipas burimeve zyrtare që Porta Vendore disponon janë një listë zonash problematike që mësohet t’i kenë shigjetuar për mbyllje : Kukësi, Berati, Gramshi, Lezha, Hasi, Malësia e Madhe, Librazhdi, Çorovoda, Mirdita, zona malore me shtrirje të madhe gjeografike ku janë përqendruar klasat kolektive.
Mësuesit, prindërit dhe nxënësit rrëfejnë vështirësitë e klasave kolektive
Mësuese Majlinda punon me klasat kolektive në zonën e Bradasheshit. E zgjedhur nga Portali Mësues për Shqipërinë, megjithëse nuk kishte punuar asnjëherë me klasa kolektive asaj nuk iu desh shumë kohë për tu përshtatur. “Javën e parë e pata shumë të vështirë me nxënësit, me orët e mësimit, por pyeta disa kolege të miat që punojnë me klasa kolektive si bëhet procesi mësimor, ditari etj. U ambientova shumë shpejt me prindërit e nxënësit”, thotë ajo duke theksuar se i gjithë ky proces në fakt ka një ngarkesë të shtuar për mësuesit në punën përgatitore, pasi për çdo ditë i duhet të bëjë 4 ditarë specifikë për secilën klasë, sepse me kurrikulën e re ditarët nuk bëhen më të bashkuar, por edhe për nxënësit gjithashtu, sepse jo gjithmonë janë vigjilentë teksa shpjegohet për klasën e tyre.
Të punosh me klasa kolektive do shumë durim nga ana e mësuesve, dhe shumë përqendrim nga ana e nxënësve, pasi siç tregojnë edhe ata vetë nuk mungojnë shembujt kur përgjigjen për pyetjet që mësuesja i bën klasës tjetër, ose mungesa e theksuar e vëmendjes.
“Po unë kështu kam qenë, e kemi pas klasën kolektive gjithmonë. Unë mundohem ndonjëherë kur shkruaj më pëlqejnë gjërat e klasave të tjera. 2-3 herë jam përgjigjur për klasën e 4-të”, tregon Jona e cila është në klasën e II-të.
Përballë këtij fakti, prindërit janë dyfish në dilemë, të pranojnë klasat kolektive duke rrezikuar njohuritë reale që merr fëmija, e sidomos pas mësimit online dhe jo fleksibël për shkak të të gjithë problematikës që u shkaktua nga pandemia e Covid 19, apo të pranojnë që të zhvendosin të ardhmen e fëmijës së tyre në një shkollë tjetër ku mësimi bëhet normal, por që duke menduar për të ardhmen duhet që dikush nga të dy prindërit të heqi dorë nga e tashmja, duke i përcjellё çdo ditë shtëpi-shkollë e anasjelltas. “Dy vajzat e mia këtu mësojnë mirë, afër i kam, atje kush do i presë. Po siç duhet bëhet mësimi, jam shumë e kënaqur, unë nuk e pranoj të zhvendoset, do ta mbajë shkollën këtu. Është shkolla, po të mos ishte shkolla po”, thotë D. Sh prind i dy vajzave që ndjekin klasa kolektive në Bradashesh.
Zyrat arsimore: Nuk i mbyllim dot, s’ka kushte
Zyra vendore arsimore Gramsh e nis këtë vit arsimor me tre shkolla më pak, dy prej tyre të raportuara të mbyllura që në qershor, e një tjetër që pritet të komunikohet këto ditë pas largimit të fëmijëve nga ajo zonë. Drejtuesi i kësaj zyre, Eduart Bezati pranon për Portën Vendore se ka ende shkolla me tre, pesë apo vetëm gjashtë fëmijë. Nuk është përpjekja e kësaj zyre për t’i rrudhur këto shkolla, por largimi i popullsisë që, në një farë mënyre e ka ndihmuar reformën. “Në objektivat e ministrisë ka qenë për t’u eliminuar klasat kolektive, por ka rënë shumë numri i fëmijëve në zona të thella dhe detyrimisht janë mbyllur vetë. Por dhe ne kemi mbyllur disa shkolla, aty ku nuk ka pasur vijueshmëri dhe perspektivë për të ardhmen. Por jo në mënyrë të menjëhershme, sepse ka një infrastrukturë shumë të vështirë. Së dyti, është gjendja ekonomike e prindërve, të cilët nuk kanë mundësi t’i shoqërojnë fëmijët në shkolla të tjera. Dhe së treti, mësuesit”, u shpreh ai. Reforma e shkrirjes së klasave kolektive, për kreun e ZVA Gramsh, konsiston në gjetjen e një balance që mundëson përfundimin e arsimit të detyruar për nxënësit e klasave kolektive, por pa “flakur në rrugë” mësuesit. Me rënien demografike, gradualisht, klasat kolektive janë eliminuar, por nga ana tjetër ka ende prindër që luten për të mbajtur hapur shkolla, pasi nuk kanë alternativë tjetër shkollimi “Në ato shkolla ku ka vetëm një apo dy fëmijë, i kemi mbyllur. Por duhet pasur parasysh se mbyllja e një shkolle ka impakt të madh tek familjet. Më vijnë prindërit më luten të mos e mbyll sa të mbarojë fëmija klasën e pestë ose të nëntë”, rrëfen drejtuesi arsimor i Gramshit për Portën Vendore.
Drejtoresha e zyrës arsimore të Beratit ka një qasje më të përparuar. Majlinda Xhama i mëshon gjetjes së formave alternative të mësimit në klasa kolektive e jo mbylljes së tyre. “Unë jam që filozofia e klasave kolektive është avangardë, pavarësisht se e shikojnë si problem. Ka 100 metodologji për të punuar me fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Kuptohet që ata duhet të kenë kushte që ne na mungojnë. Unë se kam parë ndonjëherë si problem, por si integrim. Fëmijët mësojnë nga njëri-tjetri”, shprehet ajo . Ndërsa problemet që has Xhama kur shqyrton mbylljen e një klase kolektive janë të njëjtat me ato kudo në vend. “Problemi i parë janë prindërit. Nuk pranojnë të shkojnë në një shkollë të largët. Infrastruktura dhe rrugët janë jo të rregullta. Fëmijët nga 6-10 vjeç nuk mund t’i lënë pa shoqërues. Dhe prindërit nuk dalin vullnetarë”, nënvizon drejtoresha e pyetur nga Porta Vendore teksa flet për shkolla ku mësojnë nxënësi i klasës së parë me atë të së pestës e të tetës bashkë.
Ndryshe nga klasat normale të arsimit parauniversitar, duhet thënë që pandemia nuk ndikoi fare procesin e mësimdhënies në klasat kolektive, ku respektimi i distancës minimale ishte krejt i panevojshëm të kërkohej. Nga ana tjetër, kjo situatë, është bërë pengesë ekstra për reduktimin e klasave kolektive. “Kemi mbyllur disa klasa që nga viti 2018 e në vazhdim, por reforma u ndal vitin e kaluar, pasi u përballëm me problemet që solli pandemia”, thotë drejtoresha e zyrës vendore në Malësinë e madhe, Hana Smakaj duke shtuar se klasat kolektive janë një praktikë e përhapur dhe realitet i pashmangshëm në zonat e thella. “Po të marrim statistikat, 30% e nxënësve sot në arsimin fillor në botë e zhvillojnë mësimin të tillë. Mësimi në klasa kolektive sigurisht që cenon cilësinë e këtij procesi, por në zonat rurale është një praktikë e pashmangshme”, artikulon ajo. Tre vite pas nisjes së reformës, edhe pse me më pak nxënës në total, numri i klasave kolektive në Malësinë e Madhe është i njëjtë. Janë 523 nxënës të klasave të ndryshme që mësojnë në 83 ambiente të përbashkëta.
Të tre drejtuesit e pyetur nga Porta Vendore, pranojnë se mësimi kolektiv përballet me pengesa dhe nuk mund të jetë asnjëherë si mësimi i dedikuar në klasa të veçanta. Treguesit janë të pakënaqshëm edhe në testimin që ministria e arsimit u bëri këtyre klasave dhe që nuk e bëri publik asnjëherë. “Edhe në testim u pa dukshëm që kishte probleme. Mësimi në klasa kolektive asnjëherë s’ka rezultuar efikas në raport me atë në klasa të veçuara”, pranon drejtuesi i ZVA Gramsh.
Plakja e popullsisë, rënia e lindshmërisë, e konfirmuar nga projeksionet e OKB-së dhe INSTAT ka ndryshuar strukturën demografike. Për pasojë, shkollat u zbrazën duke bërë që të shtohen klasat kolektive vazhdimisht, deri në 2018, kur qeveria u zotua t’i reduktojë ato deri në zerim.
Mbyllja e shkollave kolektive, rrezik për shpopullimin e zonës
Klasat kolektive, për sindikatën e arsimit të pavarur në Shqipëri (SPASH) janë domosdoshmëri. “Shkollat kolektive nuk mund të mbyllen. Mjafton të kujtojmë që shkolla e parë që u çel në Shqipëri ka qenë kolektive”, argumenton nënkryetari i SPASH, Isa Halilaj për Porta Vendore, teksa shton se ato duhet të funksionojnë me patjetër, por të mirë dirigjuara. “Klasat kolektive nuk janë dështim. Ato funksionojnë se është e pamundur të mbulohet mësimi ndryshe. Vetë terreni shqiptar nuk lejon që klasat kolektive të mbyllen”, tha ai. Nga 2018-a, kur u ndërmor iniciativa për t’i eliminuar ato e deri më tani, faktet tregojnë se reforma ka ngecur dhe klasat me grupmosha të ndryshme funksionuan njëjtë. “Edhe ministria e ka kuptuar që është e pamundur. Me kalimin e kohës do ta shohin mundësinë edhe të formimit të mësuesve në disa profile. Për shembull, Histori-Gjeografi dhe Fizkulturë me qëllim që mësuesi të plotësojë normën mësimore. Këta mundohen të kopjojnë gjërat shabllonë nga jashtë, por nuk e përshtatin me kontekstin shqiptar”, shton nr.2 i sindikatës së arsimit.
Nisma e ministrisë, që kur është artikuluar në krye të herës ka hasur në kundërshtinë e komunitetit të prindërve, të cilët refuzojnë t’ia besojnë shkollës transportin e fëmijës, nga më i vogli 7 vjeç . Ndërsa më të rriturit, sipas sindikalistëve të arsimit detyrohen ta braktisin shkollën pasi refuzojnë të udhëtojnë çdo ditë me furgonë për të frekuentuar qoftë edhe klasën e fundit me detyrim, të nëntën. Pakkush e ka mundësinë t’i shoqërojë fëmijët çdo ditë. Ndaj, mbyllja e klasave kolektive i vë prindërit përballë dilemës së migrimit apo braktisjes së shkollës. “Nëse mbyllet një shkollë në Valbonë, prindi ose do migrojë, ose do lërë fëmijën pa shkollë. Pra, nëse mbyll shkollat kolektive, praktikisht e ke shpopulluar atë zonë. Prindërit nuk kanë mundësi t’i transportojnë fëmijët nga Valbona, Vermoshi, Lëpusha në periudha të dimrit”, thotë Halilaj.
Cila është zgjidhja?! Sipas nënkryetarit Halilaj, klasat kolektive duhet të ekzistojnë dhe mësuesit duhet të brumosen që në universitet me metodologjinë e mësimdhënies në to. “Nevojitet me patjetër një lëndë në kurrikulën universitare mbi klasat kolektive me qëllim që në të nesërmen, nëse një mësues përballet me këtë fenomen, i pashmangshëm për shkak të terrenit gjeografik shqiptar, të dijë se si ta menaxhojë”.
Por është edhe një tjetër alternativë. Mësimi online, me të cilin mijëra mësues e nxënës, pa përjashtim, nga jugu në veri u përpoqën të adaptoheshin në kohë rekord, vetëm pasi lindi nevoja. “Problematika kryesore është buxheti i arsimit, i cili është shumë i ulët, 3%. Ndërkohë që vendet e Evropës e kanë mbi 5, ndërsa vendet skandinave mbi 7.5% të GDP-së. Dhe kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë, pasi nëse janë kushtet në shkollat vartëse mund të aplikohet edhe mësimi online. Në zona të caktuara mund të jenë edhe dy fëmijë, qoftë edhe në periudha të caktuara”, shton Halilaj.
Me shkrirjen e klasave kolektive në masë, vetëm vitin e parë të reformës, shumë fëmijë udhëtuan me mjetet e transportit publik drejt shkollës së caktuar nga zyrtarët arsimorë. Problemi kryesor që identifikojnë përfaqësuesit e mësuesve është mungesa e strategjisë. E më pas, rënia demografike që po i çon shkollat drejt mbylljes. Sidoqoftë, arsimimi i detyruar 9-vjeçar duhet të realizohet në çdo rast, e madje nxënësve duhet t’u krijohen kushtet, e jo t’u vështirësohet ky proces. “Aty ku s’ka nxënës shkolla është e detyrueshme për t’u mbyllur. Por në shkolla që ka, qoftë edhe dy nxënës, duhet të rrinë hapur. Është detyrim kushtetues që ç’do nxënësi t’ia çosh mësuesin dhe jo anasjelltas” përfundoi për Portën Vendore nënkryetari i Sindikatës për Arsimtarët Shqiptarё, Isa Halilaj.
Tërheqja e Ministrisë së Arsimit nga reforma
Në pamundësi për t’i eliminuar klasat kolektive, ministria e arsimit është përpjekur të vendosë në shina mësimin në to. Një tjetër shenjë kjo e dështimit të reformës së nisur që në vitin 2018.
Duke folur në gjuhën e shifrave, drejtori i burimeve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, Fiqiri Çifligu pranon se mbyllja e klasave kolektive ka qenë mision i pamundur në këto vite, ndonëse, sipas tij numri i atyre që mësojnë në grupe është përqendruar shumë në dy vitet e fundit. “Vit pas viti, duke mbajtur në konsideratë ndërhyrjet në infrastrukturën shkollore kemi pasur një ulje të numrit të shkollave, klasave dhe nxënësve që mësojnë në klasa kolektive. Sigurisht puna jonë nuk do të ndalet këtu. Ky proces ndiqet me prioritet nga institucionet dhe në çdo hapësirë që krijohet, ne ndërhyjmë. Numri i nxënësve në këto klasa vjen në ulje, por ka qenë e pamundur të eliminohen plotësisht. Por dua të theksoj se në këtë proces ka shumë faktorë që ndikojnë”, u shpreh ai për Portën Vendore.
Sipas ekspertit të arsimit Ndriçim Mehmeti klasat kolektive nuk janë të shëndetshme, madje ai i quan si ‘kancer’ të arsimit shqiptar, ashtu sikurse në fakt edhe Kryeministri Edi Rama i është referuar ndër vite.
“ Ato janë kancer i arsimit shqiptar që duhet të ishte shkulur me kohë. Tani metastazat janë hapur aq shumë, saqë do të duhet një kohë e gjatë për të ndërhyrë me sukses. Në klasat kolektive humbet tërësisht qëllimi që ka arsimi, pale më të zbatohen ‘reformat e mëdha’. Ato thjesht janë aty për të thënë se kemi shkollë.”, shprehet ai për Portën Vendore, duke shtuar gjithashtu se e gjithë kjo nismë nuk mund të bëhej pa një buxhet.
“Ish-Ministrja Nikolla, premtoi politikisht, pa një plan të hartuar e detajuar mirë dhe pa një strategji të mirëmenduar. Edhe sikur të gjitha këto të ishin bërë, pa buxhet, nuk mund të ndryshonte asgjë. Qeveria shqiptare ka shifrën më të ulët të përqindjes së GDP, që përfiton arsimi në tërësi dhe ai parauniversitar në veçanti, në 20 vitet e fundit e ndoshta edhe më shumë. Paaftësia, mungesa e vizionit dhe humbja e dëshirës për një arsim cilësor, janë faktorë shtesë që i bashkëngjiten, atyre që parashtrova, në dështimin e plotë dhe me sukses të nismës për mbylljen e klasave kolektive”, thotë Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit.
Mjafton të hedhim një vështrim nga të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për të bërë një ballafaqim shifrash. Për vitin shkollor 2019-2020, nga klasa e parë në të XII-ën janë ulur në banka 482.270 nxënës në total. Në vitin pandemik 2020-2021 figurojnë të regjistruar 465.807 nxënës, thuajse 16 mijë e 500 më pak se vitin që shkoi. Natyrshëm, ulja e numrit të nxënësve në klasa të grupuara me nxënës të moshave të ndryshme ka ardhur edhe si pasojë e rënies demografike të popullsisë që e tregojnë të dhënat e INSTAT, braktisjes së zonave të thella malore e madje, edhe fenomenit të pashmangshëm të braktisjes së shkollës.
Sipas ekspertit të arsimit Ndriçim Mehmeti pandemia shtoi edhe më shumë kostot e mësimnxënies, duke rritur përtej klasave kolektive, një brez me mësime të cunguara të marra online.
“Mësimi online dështim plotësisht në të gjithë përbërësit e tij, të rinjtë shohin si rrugën më të mirë emigrimin, ndërkaq që shkollimi i tyre është mjaft i cunguar. Studime të pavarura (si UNESCO, BB, etj) tregojnë se pandemia thelloi në dy vite diferencën nё shkollimin mes nxënësve në shkollat urbane dhe ato rurale. Ne ishim dhe jemi i vetmi vend në Ballkan me shtrirjen më të ulët të internetit, pajisjen me tableta të nxënësve dhe me lap-top të mësuesve, mungesë e mbështetjes financiare për paketat e internetit për nxënës e mësues. Kështu edhe rezultati doemos do të jetë thjesht vite të humbura kot dhe një brez me mangësi të thella në dije”, shprehet ai.
Në 28 korrik 2021, ministrja e arsimit, Evis Kushi ka firmosur udhëzimin nr.14 që rregullon numrin e nxënësve për klasë dhe ngarkesën mësimore për mësuesit, midis të cilave përmenden edhe klasat kolektive. Me bindjen se ata nuk kanë thithur sa duhet në vite, për të maksimizuar dijet e nxënësve të klasave të ndryshme që mësojnë në të njëjtin ambient, është vendosur që këtë vit, lëndët të cilat jepen si provime të detyruara në fund të minimaturës a maturës, “Gjuhë e huaj”, “Gjuhë shqipe dhe Letërsi” dhe “Matematikë” të mësohen më vete. Por, edhe këtu ka një kleçkë. Që lënda të zhvillohet e plotë dhe pa u përzier me nxënësit e klasave të tjera duhet që në klasë të jenë minimalisht dhjetë nxënës. Sidoqoftë, ky është një sinjal i hapur që qeveria i pranon klasat kolektive dhe se nuk ka ndërmend ta çojë deri në fund reformën e nisur që në 2018-ën për shkrirjen e tyre.
Sidoqoftë, zyrtari i MAS i qëndron zotimit për t’i mbyllur 1165 shkollat dhe 2350 klasat kolektive në shkollat që hapёn dyert në 27 shtator, por pa afat dhe me një kusht, nënvizon Çifligu. “Për aq kohë sa e lejojnë kushtet infrastrukturore dhe garancia për t’i siguruar arsim falas çdo fëmije, kudo qoftë”.
Sa i takon monitorimit të ecurisë së mësimit në këto shkolla, zyrtari i MAS thotë për Portën Vendore se agjencia e sigurimit të cilësisë në arsimin parauniversitar ka realizuar analiza dhe vlerësime për nivelin e arritjeve të këtyre nxënësve, asnjëra prej të cilëve s’është bërë publike në faqen zyrtare.
Lidhur me mungesën e transparencës dhe mosbërjes publike të këtyre testeve, eksperti i arsimit tha për Portën Vendore se në këtë formë po fshihet e vërteta.
“Sepse MASR, ka gënjyer për masën e nxënësve që janë analfabetë. Tek ne sipas shifrave jozyrtare por të hetuara në terren, analfabetizmi shkon nga 9-11%. Ky fenomen është i shtrirë në zonat rurale dhe ato periferike të qytetit dhe më së shumti tek femrat. MASR publikon shifra shumë larg së vërtetës (vetëm 0.98%), çka tregon fare qartë, se po fshehin realitetin në mungesë të një zgjidhje si dhe i druhen faktit se mund të sulmohen politikisht dhe me të drejtë, pasi përgjegjësi është tërësisht e Ministrisë së Arsimit dhe vjen si rezultat i drejtimit të paaftë dhe mungesës së strukturave me njerëz kompetentë, të cilët dinë të ngrenë problemet dhe të gjejnë zgjidhjet e duhura.”, shprehet Mehmeti.
Fenomeni i klasave kolektive në Shqipëri lulëzoi më së shumti gjatë viteve të tranzicionit, dhe njohu një bum të madh viteve të fundit, kjo për shkak të lëvizjeve demografike të popullsisë, emigracionit dhe lindshmërisë gjithnjë në ulje.