2 tetor 2021/ Xhemil Beharaj/Porta Vendore/Fier
Fshatrat e qarkut Fier duket se janë harruar nga pushteti vendor, ku problemet janë pothuajse të njëjta. Diku mbizotëron çështja e mungesës së rrugës, diku tjetër mungesa e shërbimeve, por dhe e politikave apo zbatimi i tyre nga ana e pushtetit vendor, ndërkohë që mungon edhe kërkesa e llogarisë nga ministritë përkatëse që miratojnë projekte e japin fonde, por nuk kërkojnë zbatimin rigoroz të tyre. E këto probleme që të adresojnë pranë pushtetit vendor, po çojnë drejt shpopullimit tё këtyre fshatrave.
Porta Vendore vizitoi 5 prej këtyre fshatrave, përkatësisht Lalarin, Levanin, Gjorgozin, Suk 1 dhe Drenovën, ku vihet re se për shkak të mungesës së investimeve, shumë banorë i kanë braktisur, duke kërkuar një zgjidhje për jetën e tyre.
Lalari i Fierit
Një prej këtyre fshatrave është Lalari, ku 70% e familjeve të këtij fshati në njësinë administrative Portëz të Bashkisë Fier marrin ushqimet me listë, ndërsa shlyerjen e detyrimeve e bëjnë fëmijët emigrantë kur kthehen në verë për pushime. “Ata që kanë mbetur me ato pensione bujqësore që marrin nuk u del për ilaçe e jo më për të jetuar. I vetmi shpëtim ka mbetur ushqimet me listë që në një muaj shkojnë nga 100 deri në 200 mije lekë të vjetra dhe likuidimin e listave e kryejnë fëmijët e tyre kur vijnë në verë nga emigracioni për pushime”, shprehet Shazia, një banore e fshatit, që e takuam teksa kishte bërë pazar e po kthehej në familjen e saj. Të njëjtën gjë shpreh edhe shitësja në dyqanit, i cili ndodhet në qendër të fshatit. Ajo na tregon fletoren me listën e gjatë të emrave, teksa pohon se: “Në 3-4 dyqanet e fshatit banorët marrin me lista dhe likuidimet i bëjnë fëmijët kur vijnë nga emigracioni në verë”. P
or sikur të mos mjaftonte varfëria, banorët vuajnë për një sërë shërbimesh bazike, ku kryesor mbetet uji i pijshëm. “Ujë ka por vetëm për të larë, fatura vjen e kripur me taksa deri 18 mijë lekë të vjetra në muaj, më shumë taksa sesa harxhim uji”, thotë Feimi për Portën Vendore.
Pikërisht kjo gjendje po e shpopullon këtë zonë. Fshati Lalar, nga 800 banorë që ka pasur afërsisht në vitin 2010, tashmë kanë mbetur vetëm 200 prej tyre, dhe kryesisht janë të moshës së tretë. “Mungesa e investimeve, mungesa e ujit të pijshëm, papunësia ka bërë që të rinjtë dhe mosha e mesme të shkojnë të punojnë në Vlorë, Himarë, Sarandë në periudhën e verës dhe shumë të tjerë në emigracion drejt Greqisë, Italisë e Gjermanisë”, pohon Bajrami, banor i ardhur nga zonat e Cakranit në fshatin Lalar prej afro 15 vjetësh.
Lalari nuk është i vetmi fshat që po ndeshet me këtë fenomen të viteve të fundit, por edhe ky si shumë të tjerë i shtohet zinxhirit të fshatrave që po shpopullohen çdo ditë për shkak të mos investimeve dhe papunësisë në qarkun e Fierit.
Levani i Fierit, zhduket bujqësia
Edhe fshatrat e zonës së Levanit po shpopullohen, të rinjtë po ikin për të studiuar e nuk kthehen, ndërsa familjet me moshë mesatare e të mesme po ikin në emigracion. “Edhe moshat e treta shumica po ikin pas fëmijëve në emigracion dhe ato që mbeten nuk janë për pune krahu, teksa shteti me politikat e tij nuk u vjen në ndihmë. Këto janë disa nga arsyet që fshatra të tëra po shpopullohen dhe po braktisin kryesisht bujqësinë dhe blegtorinë në këtë zonë”, na thotë një mesoburrë, i cili na tregon se punon mësues, por nuk do që të japë emrin; duke shtuar me buzëqeshje: “Lëre se po na heqin nga puna”.
Bishan, Boçovë, Pishë Poro, Ferras janë disa nga fshatrat e zonës së Levanit ku çdo ditë që kalon, fermat e blegtorisë që kanë qenë baza e tyre e punësimit dhe e të ardhurave po tkurren edhe më shumë. “Qumështin po ua grumbullojnë me 400 lekë të vjetra litri, subvencione s’po njohin nga shteti, as në qumësht e as në naftën pa akcizë, ujë për vaditje s’kanë, të rinjtë po ikin të arsimohen e nuk kthehen të punojnë në vendlindje, të tjerët po martohen e po ikin ne Greqi, Gjermani, Angli, Itali, kanë mbetur pleqtë. Ata s’kanë moshë të ruajnë lopët. Kjo ka bërë që të bjerë numri i fermave për mbarështimin e bagëtive që dikur kanë qenë baza e ekonomisë së fshatrave të zonës”, shpjegon i shqetësuar, Rexhepi, i cili është pensionist.
Situata duket e njëjtë pothuajse në secilin fshat të Levanit, të cilat po braktisen çdo ditë. “Fshatrat dikur kanë qenë me nga 160 apo deri 300 shtëpi ndërsa tashmë çdo ditë që kalon në këto fshatra kanë mbetur 25 apo 30 familje, e në çdo shtëpi të mbetur janë 2 deri 3 veta dhe pleqtë”, thotë Amdiu, banor i Boçovës, fshat në këtë zonë.
Edhe pse pjesa më e madhe e tyre janë ankuar, askush nuk u ka dhënë zgjidhje. Duket se ankesat e kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët, duke i detyruar të largohen edhe ata vetë, nëse situata vijon e tillë. Eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli, i cili është dhe mjek veteriner, pohon faktin se është mëse e vërtetë që politikat e shtetit duke mos subvencionuar bujqësinë e blegtorinë kanë bërë që rinia të ikë në emigracion, mosha e brezit të dytë po merr edhe prindërit në emigracion, ndërsa mosha e tretë nuk ka mundësi të mbajë bagëtitë. “Kjo ka sjellë jo përgjysmim të fermerëve që merreshin me blegtorinë në këtë zonë, por duke shkuar në shifrat e 70% të abandonimit”, tha ai për Portën Vendore.
Gjorgozi pa rrugë
Një tjetër zonë rurale e njohur në Fier, është ajo e Cakranit, e cila përbëhet nga 12 fshatra. Ajo që vihet re në këtë zonë është mungesa e infrastrukturës. Ne ndaluam në fshatin Gjorgoz të Cakranit, i cili vuan nga 7 km rrugë e pa shtruar që lidh 300 familje me rrugën kryesore. Banorë të moshave të ndryshme shpeshherë e përshkojmë në këmbë për shkak se edhe mjetet që kalojnë në këtë aks rrugor janë shumë të pakta për shkak të rrugës së keqe.
Në rrugë gjatë vëzhgimit tonë takojmë një çift, i cili po shkon tek mjeku për të kontrolluar fëmijën dhe kanë ecur në këmbë deri në rrugën kryesore për të gjetur makinë. U duhet të shkojnë në urgjencë për të marrë ndihmë mjekësore. Nga ana tjetër, banorët si Fitimi, Qaniu, Selimi që janë të lagjes Muskaj pohojnë thuajse një zëri se ish drejtues e drejtuese të pushtetit vendor kanë premtuar shumë por ende nuk është mbajtur premtimi për shtrim rruge. “Kanë nisur nga ana tjetër e rrugës për ta shtruar me rërë bituminoze, por kismet kur të mbarojë”, thonë ata shpresë pak. “Kemi frikë se do na fillojnë shirat e do mbetemi dhe këtë dimër pa rrugë”, pohon Sherifi, një tjetër banor i fshatit.
Suk 1 i Roskovecit
Por mungesa e shërbimeve, duket se nuk është vetëm për fshatrat e Bashkisë Fier, por edhe të bashkive të tjera të këtij qarku. Fshati Suk1është fshat që bën pjesë në njësinë administrative Strum të Bashkisë së Roskovecit. Ka rreth 750 familje, por vetëm gjysma banojnë aty, dhe prej vitesh bashkëjetojnë me fekalet në sipërfaqe dhe rrugët e pashtruara në qendër të tij.Ajo çfarë na shohin sytë tregon qartë se ujërat e zeza në kanalet kryesore në qendër të fshatit, të mbushura dhe me mbeturina, qëndrojnë prej ditësh e javësh, ndërkohë që nuk ka asnjë ndërhyrje nga ana e bashkisë për t’i pastruar ato.
Banorët pohojnë se janë ankuar por askush nuk u ka dhënë zgjidhje. “Jemi lodhur duke folur, askush nuk vjen të vërë dorë për t’i sistemuar, jeni lagje demokratësh na thonë”, shprehet të irrituar ata.
Nga ana tjetër banorët e Suk 1, shpjegojnë se edhe rrugën nisin ta shtrojnë para zgjedhjeve, por asfalti elektoral, i cili ka ardhur deri në qendër të fshatit, nuk ka vijuar më tej për ta lidhur fshatin me rrugën kryesore. “Kanë sjellë dhe një tabelë, por e kanë lënë përtokë ku thuhet se rruga që do sistemohet është 200 metër rrugë me vlerë afro 20 milionë lekë të vjetra më TVSH”, tha një prej banorëve për Portën Vendore.
Gjithsesi banorët e fshatit pohojnë se asgjë nuk është bërë nga pushteti. “Banorët, sidomos rinia dhe mosha e mesme, po largohen. Shkojnë të arsimohen e nuk kthehen ose ikin në emigracion. E shikojnë të zymtë të ardhmen në fshatin e tyre”, pohojnë ata duke vijuar të numërojnë problemet me të cilat hasen çdo ditë. “Nuk ka investime, linjat elektrike me shiun e parë të vjeshtës ndërpriten , ujë të pijshëm në banesa nuk ka, edhe ai që na vjen kur i do qejfi nuk bën as për të larë e jo më për të gatuar apo për të pirë. Mbajmë radhën natën kur na vijnë autobotet”, thotë më i moshuari në këtë fshat.
Drenovë, Mallakastër
Kurse në fshatin Drenovë të Mallakastrës, një ndër pikat më të larta të kësaj bashkie, e cila njihet për bukuritë natyrore, 3 muajt e verës thahen për ujë, jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët. Një nga shkaqet që banorët po e braktisin fshatin çdo ditë e më tepër është dhe mungesa e ujit, e cila në 3 muajt e verës është bërë më se e domosdoshme. Ka 30 vjet që fshati është pa depo e rrjet ujësjellësi, ndonëse ndodhet vetëm pak kilometra larg qytetit të Ballshit. Mbi 400 familje në fshatin Drenovë të Mallakastrës me makina apo kafshë marrin rrugët nëpër lugina apo shkojnë në Ballsh për të mbushur bidonë me ujë. “Ujë mbushim, jo vetëm për të pirë e për të larë, por edhe për kafshët. Shkon gomari për t’i sjellë ujë lopës”, thotë Avdyli duke qeshur.
Pas viteve ’90, ka mbetur vetëm depoja e ujit që furnizon Ballshin, por për fshatin nuk ka ujë, pasi nuk ka as rrjet të brendshëm ujësjellësi. “Dhe ato pak familje që kanë shpuar puse në tre muajt e verës thahen, ndërsa të vetmit aktiv janë ata puse që janë mbi 100 metra thellësi dhe e kanë kthyer në biznes, 5 mijë lekë depozita e 5 mijë transporti”, pohon Selimeja, banore e fshatit të Drenovës.
Hamiti, banor i moshuar i këtij fshati shprehet se “Ka dhe nga ato pak puse të cilët për shkak të ngopjes së tokës me solar, (hollues nafte bruto pasi është zonë nxjerrje nafte), u përzihet me ujë nëpër puse”.
Edhe pse janë ankuar për mungesë uji, apo që në verë së paku të sjellin ujë me autobote, kjo gjë nuk ka ndodhur, ndërkohë që deputeti i zonës është parë vetëm gjatё muajit prill dhe me të dalë rezultati i zgjedhjeve u zhduk nga zona.
Burime nga Bashkia Mallakastër thonë se këtij problemi do t’i jepet zgjidhje vitin tjetër, duke vënë në dukje se janë edhe pesë fshatra të tjerë që kanë të njëjtin problem, pasi nuk kanë rrjet të brendshëm të ujësjellësit. Bashkia Mallakastër thotë se bashkë me AKUM kanë përgatitur projektin dhe pritet miratimi, pasi linja është 20 km e gjatë dhe uji do të merret nga fshati Poçem.
Megjithatë, ndonëse problemet ndryshojnë nga fshati në fshat, ato kanë një emërues të përbashkët, mungesën e investimeve për shërbimet bazë nga pushteti vendor, i cili i pranon problemet, por mungesa e fondeve sipas tyre, i step për zgjidhjen e tyre.