Ngjarje/Personazhe

Korça, mes investime në qendër dhe harresës në periferi

30 shtator 2021/Sidorela Xhomaqi/Porta Vendore/Korçë

Shumë e njohin Korçën falë traditës, historisë dhe kulturës. Përveç aseteve kulturoreelementët që bien lehtë në sytë e turistëve janë investimet në qendrën e saj. Pazari i Vjetër i rijetësuar, Pedonalja, Kulla Red, Sheshi pranë Katedrales, Parku etj, janë disa nga vendet më të vizitueshme në qytet ngaturistët vendas e të huaj. Vizitorët mrekullohen nga qyteti, të cilin ndryshe e kanë përkufizuar si “Parisi i Vogël “. Por megjithatë kontrastit që ekziston mes qendrës së Korçës me periferinë e saj është i madh.

Lagjet periferike të Korçës të populluara pas viteve 90′ ndihen të braktisura totalisht nga pushteti lokal, pasi paguajnë taksat dhe bashkia duket se asnjëherë nuk ka investuar në infrastrukturë, kanalizime, gjelbërim e pastrim. Në 2 skajet e kundërta të qytetit, këto familje kanë të njëjtin shqetësim , të njëjtin fat,”mungesë totale investimesh dhe vëmendje “.

Lagja 4, e populluar masivisht në vitet e demokracisë me banesa private dhe investime të konsiderueshme në vila e banesa shumëkatëshenga vetëqytetarët në emigrim, ndihet pothuajse e lënë pas dore. Pavarësisht se kanë kaluar 30 vite askush nuk ka vënë dorë në përmirësimin e rrugëve, kanalizimeve të ujërave, gjelbërim apo pastrim. Vetë banorët e kësaj lagjeje ndihen të vjedhur.

Rruga e pashtruar me asfalt në lagjen nr. 4. Foto: S. Xhomaqi

“Jam banor i kësaj lagjeje të qetë të pastër, lagje shumë e mirë, ndaj investova. Por më vjen keq që gjithë djersa ime ka shkuar dëm le të themi. U ktheva nga emigrimi t’i kënaqesha banesës që ndërtova gjithë jetën. Kam punuar një jetë të tërë në emigracion në shtetin grek dhe kam ndërtuar një vilë 3-katëshe. Gjithë djersa ime, e gruas dhe e 2 djemve janë hedhur në këtë banesë.Por ç’e do është puna?! Fëmijët nuk vijnë këtu, jetojnë jashtë. U vjen keq që investuam aq shumë! Rruga ka 30 vite në këtë gjendje. Ujërat e shirave, balta dhe pluhuri na shoqëron në çdo stinë. Zonja ime mbetet duke pastruar ujin në dimër që hyn në oborr. S’dalim dot kur ka shira nga balta, uji ikën si të jetë lumë në rrugë. Në verë pluhuri hyn brenda.Kam bërë kërkesa të vazhdueshme në bashki, kam paraqitur edhe një peticion me firmat e të gjithë banorëve të kësaj lagjeje, ia kam drejtuar edhe Avokatit të Popullit, por pa asnjë përgjigje. Erdhën hodhën pak çakull këtu, e bënë asfalt (duke qeshur me ironi) , – ja asfalti jonë. Tallen me ne!”, tregon Arqile Nica, banor i kësaj lagjeje.

Arqile Nica banor i lagjes numër 4 në Korçë. Foto: S. Xhomaqi

Arqileja shprehet i indinjuar me gjithëçfarë ka ndodhur nëlagjen e tij, ku pavarësisht premtimeve për investime, banorët e kësaj lagjeje nuk kanë arritur t’i gëzohen ende këtyre projekteve, që mesa duket kanë qenë në kuadër të programeve elektorale.

“Thonë që ka një projekt, por nuk bëhet asgjë. Edhe deputeti kështu tha, ka mbetur kjo rrugë e kësaj lagjeje e do e bëjmë, por jemi pesimistë. Premtimet nuk mungojnë, por punët mungojnë! Premtimet janë të zakonshme. Nuk besojmë asgjë! Kemi dërguar 4 shkresa në bashki, nuk e çanë kokën fare! Rregullojnë vetëm qendrën dhe ne këtej jemi më keq se një fshat. Nëse kishim mbledhur taksat e gjithë viteve në këtë lagje e kishim asfaltuar vetë. Paguajmë çdo taksë, çdo detyrim. Jemi të nënvlerësuar askush nuk na e var teneqenë!”, përfundon ai për Portën Vendore.

Një tjetër banore e kësaj lagjeje është edhe Lirika Tili, e cila na rrëfen se në 30 vite demokraci lagja e tyre nuk ka mundur të përthithë asnjë fond.

“Ka 30 vite që kur hyri demokracia që nuk ka asnjë investim. Bënë disa rrugë më poshtë dhe tek ne asgjë nuk kanë bërë. Hodhën çakull, dimrit këtu kur është lagështirë e bie dëborë bëhet batak. Shumë keq! Nga një rrugë të kishin bërë gjithë këto vite do i kishin përfunduar të gjitha! Gjithë kjo lagje kaq e bukur këtu, në këtë gjendje! Fëmijët janë jashtë shtetit, janë larguar se këtu s’kanë punë, s’ka të ardhme, s’ka as rrugë, asgjë! Vajza ime e ka shtëpinë këtu dhe paguan përsëri të gjitha taksat bashkisë. Bleva drutë e dimrit, dhe gjithë baltë mu bënë, mjafton të bjerë një vesë shi e baltë bëhet. Na mungojnë të gjitha, kanalet kulluese se uji shkon rrëke kur bie shi. Unë jam e moshuar këtu e s’ka asnjë lulishte, as stola! Në qendër është ndryshe, i kanë të gjitha konditat! Ne kërkojmë rrugën njëherë, pastaj të tjerat! Premtime bëjnë vetëm kur vijnë votimet. Pse kështu bëhet? Ankesa të vazhdueshme kemi bërë si lagje, kemi firmosur edhe që kërkesa jonë të merret parasysh, por unë s’kam shkuar në bashki se jam e moshuar. Por ne jemi të papërfillshëm”, thotë Lirika për Portën Vendore.

Mungesa e kapakëve të pusetave. Foto: S. Xhomaqi.

Edhe Ali Bazelli është banor i kësaj lagjeje prej 18 vitesh. Teksa e pyesim për investimet e munguara në lagjen nr. 4 ai na drejtohet po me pyetje.

“Ne paguajmë taksa për pastrimin. A pastrohet kjo rruga? Jo! Gjelbërimin? Jo!Kanalizimin? Jo!”, thotë ai. Ndërsa vë theksin te taksat që banorët paguajnë, ai shprehet se të gjitha këto para ndër vite nuk i janë kthyer mbrapsht nëpërmjet investimeve. “Hodhën ca çakull aty më tej se kishte baltë e doli dheu në sipërfaqe. I hodhën para votimeve. Sa herë bëhen votimet nisin nga një rrugë 150 metro. Pastaj pas 4 vitesh nisin rrugën tjetër! Pas 4 vitesh tjetrën! Edhe ato nuk i kanë përfunduar! Është shqetësuese jo vetëm rruga, por kemi dhe nipër mbesa, s’kanë ku luajnë, lulishte jo, ndonjë kënd lojërash jo! Ku të luajnë në këto rrugë? Shtëpitë janë të bukura, të rregulluara, unë kam vilë e më vjen keq që kam hedhur miliona e miliona lek atje. Jo vetëm unë, por të gjithë në këtë lagje këtë mendojnë! Janë penduar shumë! Të gjitha shtëpitë janë të bukura, por rruga…?”, pyet me të drejtë ai.

Ali Bazelli na rrëfen se ka investuar herë pas here për ta shtruar rrugën me çakull, bashkë me komshinj të tjerë.“Unë kam investuar vetë disa mijëra lekë që i kam hedhur çakull, edhe komshinjtë po ashtu.

AliBazelli
Ali Bazelli duke folur për Portën Vendore. Foto: S. Xhomaqi

Kam blerë çakull e çdo 3 vite e hedh para shtëpisë, çdo gjë privatisht. Bashkia asgjë nuk ka bërë!Kjo lagje është me urbanistikë, me rrugë të drejta, se kuptoj pse kjo mospërfillje? Qendra le të jetë më e bukur, më e mirë, por ama të ketë investim edhe në lagjet e tjera se kur vjen puna njëlloj i paguajmë detyrimet karshi bashkisë e qeverisë. Pse na i marrin taksat? Duhet të hedhim bashkinë në gjyq t’u marrësh paratë! Janë qindra shtëpi. Kryetari i bashkisë del vetëm kur vijnë votimet. Doli njëherë para 4 vitesh dhe tha se do e bënte rrugën, pas 4 vitesh prapë e njëjta këngë! Asnjë gjë nuk kanë bërë. S’kemi shpresë as me këtë qeveri as me këtë bashki!”, përfundon ai.

Lagjja 17 ka po të njëjtin fat përsa i përket problematikave. Prej më shumë se 20 vitesh nuk ka parë dritën e investimeve.

Kanalet kulluese të papastruara edhe në këtë lagje. Foto: S. Xhomaqi

Rreth 35 familje në këtë lagje dhe dhjetëra biznese jetojnë dhe punojnë mes baltës në dimër dhe pluhurit në verë. Janë vetë banorët të cilët me shpenzimet e tyre janë munduar të rehabilitojnë rrugët duke hedhur çakull, edhe pse është detyrë e pushtetit vendor pasi mbledh taksat e tyre.

Foto nga infrastruktura e amortizuar e kësaj lagjeje. Foto: S. Xhomaqi

Një shqetësim tjetër i cili rrezikon edhe jetën e banorëve dhe fëmijëve në këtë lagje janë derdhja e ujëravetë zeza në një kanal shumë pranë banesave, kjo në mungesë të kanalizimeve.“Kam 20 vite që kam ardhur në këtë lagje, asnjë investim nuk kanë bërë! E kam blerë tokën e kam ndërtuar banesën. Kjo ka qenë tokë bujqësore e më pas u vendos në vijën e verdhë. Nuk e di sa makina me inerte kemi hedhur vetë në këtë rrugë. Rruga nasjell shumë vështirësi. Ne kemi shkuar dhe në bashki, e kemi firmosur të gjitha familjet peticion e na ka thënë do bëhet. Premtime ka pasur thonë do vijmë, thonë do e bëjmë. Keq të besosh, keq të mos besosh! Do ta bëjmë, do ta bëjmë! Këtë na kanë thënë e gjë hiç! Tani sikur kanë filluar nga investimet për kanalizimet njëherë se ato janë më shqetësuese se derdhen në një kanal që është afër banesave. Kemi hallin e shëndetit tonë e të fëmijëve! Bie erë të keqe shumë, sidomos në verë ku mblidhen edhe mushkonjat e insektet e tjera. Dritaret nuk i hapim dot. Na premtuan sivjet se do e bëjnë me asfalt. Para fushatës këtë na thanë!“, shprehet Myslim Potka, banor i kësaj lagje për Portën Vendore.

Myslym Potka duke folur për Portën Vendore. Foto: S. Xhomaqi

Edhe Lulieta Lika, e cila ka 21 vite në këtë lagje kërkon vetëm rrugën si investimin themelor për përmirësimin e jetës së këtyre banorëve. “Duam që të na shtrohen rrugët!Të jenë me asfalt! Duam të na bëhen edhe kanalizimet! Kemi frikë për shëndetin e fëmijëve, ujërat e zeza janë në sipërfaqe. Edhe rruga është kryesorja. Në dimër s’dalim dot me fëmijët. Taksat i paguajmë e jemi në rregull me të gjitha ! Filluan punimet,por shpresojmë t’i përmbyllin!Shpresojmë nga bashkia e qeveria të bëhen të gjitha e mos lihen përgjysmë më”, shprehet ajo.

Lulieta Lika, banore e lagjes nr. 17 në qytetin e Korçës. Foto: S. Xhomaqi

Rreth 60 familje në lagjen 18 në qytetin e Korçës, e njohur ndryshe si “Lagjja e Lavdarakëve” vuajnë prej më shumë se 25 vitesh mungesën e investimeve gjithashtu.Kanali i derdhjes së ujërave të përdorura është më shqetësuesi për banorët e kësaj lagjeje, të cilët jetojnë mes ajrit të rëndë dhe frikës së sëmundjeve. Prindërit nuk mund t’i lënë fëmijët të luajnë para banesave, pasi ka pasur edhe incidente ku fëmijët e vegjël kanë rënë në kanal dukekanë rrezikuar jetën. Infrastruktura lë gjithashtu për të dëshiruar e ndërkohë në kohë fushate hidhen inerte dhe çakull, si zgjidhje të përkohshme, por që nuk sjellin më ndjesie shprese për banorët. Banorët kanë apeluar dhe kanë ngriturshpesh herë zërin në Bashkinë e Korçës por ende nuk është dhënë një zgjidhje.

Kanalizimet e papastruara në lagjen 18 në Korçë. Foto: S. Xhomaqi

Sonila Xhafa na rrëfen se ka 25 vite në këtë lagje, dhe gjatë kësaj kohe nuk është bërë asnjë investim. “Kam bërë një kërkesë para 5 muajsh dhe e kam çuar tek bashkia në emër të të gjithë lagjes. Atje më sollën vërdallë e asgjë nuk më sqaruan, jo e ka kjo drejtori, jo po ajo drejtori. Ata vijnë na hedhin ca çakull në rrugë. Ne nuk po pretendojmë as gjelbërime asgjë, as asfaltimin nuk e duam para këtij problemi të këtij kanali. Erdhën për votat thanë do e shohim këtë si shqetësim. Sa kohë duhet të presim? Ta dinim që do ishim në këtë gjendje, nuk e ndërtonim shtëpinë këtu, por do blinim shtëpi diku tjetër.Ndihemi të diskriminuar, pasi nuk jemi shumë larg nga qendra dhe ndihemi të lënë pas dore. Ne nuk po kërkojmë asfaltim edhe pse e kemi këtë të drejtë se jemi lagje qyteti. Nuk po kërkojmë lulishte për fëmijët dhe të moshuarit, edhe pse na takon! Kërkojmë vetëm të na mbulohet ky kanal”, tha ajo. Sonila na tregon se djali i saj rrezikoi seriozisht jetën disa kohë më parë, pasi ra në kanalin e hapur të ujërave të zeza, por për fat njëfqinj e pa dhe e shpëtoi në kohë. “Ndihemi të rrezikuar pasi përveç rrezikut potencial për sëmundje në këtë kanal para disa vitesh kam hequr një stres. E di gjithë lagjja, djali më ra në kanal, ka thellësi dhe një grua e pa dhe arriti ta shpëtonte tim bir. Dyert e kësaj lagjeje mbyllen kush ka fëmijë të vegjël se nëse fëmija del të luajë duhet patjetër ta kesh kujdes se nuk dihet ça bëhet! “, shprehet Sonila, banore e lagjes 18 në qytetin e Korçës.

Sonila Xhafa duke folur për Portën Vendore. Foto: S. Xhomaqi

Bardhul Lika ka 20 vite që jetonnë këtë lagje, teksa na rrëfen se pagesat e taksave i kryen një më një, por investime përsëri s’ka. “Çfarë lulishteje kemi ne në këtë lagje? Këtë kanal? Nuk e bën shteti këtë, por taksat tona! Të mblidhen taksat gjithë këto vite sa lekë bëjnë? Duhet ta kishin bërë! Ne na thonë ruhuni nga pandemia, kurse ne e kemi pandeminë para derës për 20 vite. Ka më keq se kjo pandemia këtu? Vijnë për vota dhe thonë do e bëjmë e asgjënuk bëjnë, sa marrin votat e ikin”, thotë Bardhul Lika, i indinjuar.

Bardhul Lika, banor i lagjes 18 në Korçë. Foto: S. Xhomaqi

Edhe Minir Qelemeni na rrëfen se ka 20 vite që ka ardhur nga fshati për një jetë më të mirë, por mes pendesës dhe shpresës për investime ai shtyn ditët në këtë lagje, ku ndërtoi shtëpinë.“Qeveria në pushtet, sa herë vijnë votimet, do bëhet thonë. Asgjë nuk kanë bërë! Bëjnë në qendër vetëm, prishin trotuaret dhe i bëjnë nga e para kurse këtu nuk hidhet asnjë centimetër asfalt. Problemin më të madh kemi mbulimin e kanalit. Ky kanal ka qenë kanal kullues i tokave bujqësore. Tani nuk ka asnjë funksion. Përveç erës së keqe kemi frikën e fëmijëve se tani në verë mblidhen gjarpërinj në këtë kanal dhe mund të kafshojë ndonjë fëmijë. Gjithmonë trokasim në bashki, do dërgojmë komisione na thonë! Vijnë shikojnë e asgjë nuk bëhet! Dërgojnë njerëz që nuk janë kompetentë. Pra e bëjnë si dhelpra që fton në darkë lejlekun e i servis ushqimin në pjatë. Zëri jonë bie në vesh të shurdhët. Bashkia na ka gënjyer. Jemi shumë të zhgënjyer nga bashkia”, sqaron Miniri për Portën Vendore.

Minir Qelemeni duke folur për Portën Vendore. Foto: S. Xhomaqi

Vetë banorët e kësaj lagjeje kanë apeluar për zgjidhje të këtyre problemeve, por si gjithmonë fjalët e tyre kanë përfunduar në vesh të shurdhët. Madje edhe ankesat e depozituara pranë bashkisë, nuk janë marrë në konsideratë siç rrëfejnë edhe vetë banorët.

Ndërkohë drejtoria e urbanistikës në Bashkinë Korçë e pyetur nga Porta Vendore për 3 lagjet e vëzhguara shprehet se: “Në lagjen 4 vijojnë rehabilitimet e brendshme të rrugëve të brendshme, ku disa rrugë janë asfaltuar dhe do të vijojë puna. Në Lagjen 17 kanë filluar punimet në kanalizimet e ujërave të zeza dhe më pas do vijojnë rehabilitimet e rrugëve të brendshme”, thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni. Ndërkohë për lagjen 18, Drejtoria e Urbanistikës shprehet se ende kjo lagje nuk ka përfituar legalizimin e banesave që më pas të urbanizohet dhe të ketë investime.

Por nga ajo që vihet re në terren, ndryshe nga sa deklaron Bashkia e Korçës, disa investime ende nuk kanë nisur të zbatohen në terren, ndërsa disa të tjera po ecin me ritme të ngadalta, ose janë ndërprerë përkohësisht, duke shtyrë kështu kohën e realizimit të tyre.