15 shtator 2021/ Albina Hoxha/ Porta Vendore/ Kamëz/ Tiranë
Rritja e rasteve të divorcit dhe të grave të dhunuara gjatë viteve të fundi ka shfaqur një emergjencë të programeve të strehimit për gratё dhe vajzat në vendin tonë. Porta Vendore mori në konsideratë dy bashki në qarkun e Tiranës, përkatësisht Bashkinë Kamëz dhe Tiranë për të kuptuar më shumë mbi mbështetjen që vetë pushteti vendor i jep këtyre rasteve, teksa institucionet shtetërore të specializuara rrëfejnë se kanë një kapacitet shumë të vogël.
Bashkia Kamzë: Shqetësues rritja e numrit të divorceve
Bashkia e Kamzës është përballur me rritje të rasteve të divorcit. Porta Vendore iu drejtua Bashkisë Kamëz për të pyetur nëse ky institucion ka kapacitete për të strehuar gratë në nevojë të cilat i drejtohen pushtetit vendor duke kërkuar ndihmë. Në përgjigjen zyrtare që Bashkia e Kamzës thekson se strehimi i grave në nevojë është në fokus të ndihmës që ofron bashkia qoftë për strehim, qoftë në formën e përkrahjes sociale në vlerë monetare. “Në sistemin e pikëzimit, i cili miratohet çdo vit nga Këshilli Bashkiak, ato janë kategoria më e favorizuar. Shqetësues për ne po bëhet trendi gjithmonë e në rritje i numrit të grave të divorcuara. Problemet me pronat bëjnë që këto gratë të dalin të pastreha, pasi vendimet e gjykatave pothuajse nuk e përmendin fare ndarjen e pasurisë dhe pjesën që do duhej t’i takonte gruas dhe fëmijëve. Shumica e bashkëshortëve dhunues, pronat i kanë të regjistruara në emër të baballarëve të tyre duke e bërë të pamundur dhe pretendimin për një pjesë të vogël banese”, thotë në përgjigjen zyrtare ky institucion.
Sipas bashkisë, një nga programet që aplikon është “Subvencionimi i qirasë në tregun e lirë” dhe sipas përcaktimit të nenit 34 te Ligjit 22/2018 “Për Strehimin Social”, nga 70 familje përfituese, në 10 prej tyre janë gratë e divorcuara, 3 familje të tjera janë vajza nëna dhe 26 familje janë gra të veja, gra me aftësi tё kufizuara fizike, gra pensioniste me të ardhura të pamjaftueshme, gra me urdhër mbrojtje etj. “Në vitin 2020 bashkia jonë aplikoi në programin ‘Subvencionimi i interesave të kredisë’ ose kredi e butë siç njihet ndryshe. Nga 25 kuota të përcaktuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, 33% e përfituesve qenë gra kryefamiljare”, vijon më tej në përgjigjen zyrtare ky institucion.
Nga ana tjetër, Bashkia e Kamzës nuk e ka hartuar planin 5 vjeçar siç e parashikon ligji për “Strehim Social” në nenin 68 të tij i cili do të bënte më të qartë se sa familje në nevojë për strehim ka, por ka hartuar listën me të dhëna të familjeve që aplikojnë në programet e strehimit. “Jemi në fazën e hartimit të planit 5-vjeçar të strehimit për bashkinë tonë ku sigurisht fokusin më të rëndësishëm e kanë gratë kryefamiljare, (të divorcuara, të veja, vajza nëna, gra viktima të dhunës në familje etj). Bashkia disponon një database të familjeve që aplikojnë në një nga programet e strehimit. Duke qenë se bashkia jonë nuk ka në dispozicion banesa sociale që të strehojë familje të pa streha, aplikojmë prej vitesh bonusin e qirasë. Në draft programin e planit 5-vjeçar të strehimit kemi parashikuar ndërtimin e banesave me kosto të ulët duke shfrytëzuar trojet e lira që bashkia ka në dispozicion. Një projekt tjetër i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që bashkia jonë konkurron për të tretin vit radhazi ,me 40% pjesëmarrje me fondet e veta, është ‘Rehabilitimi i banesave për komunitete të varfra dhe të pafavorizuara’ program në të cilin përparësi sërish kanë pasur gratë kryefamiljare pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme”, sqaron zyrtarisht Bashkia e Kamzës.
Porta Vendore kontaktoi me një grua rreth të 50-tave, e cila ishte në proces divorci me bashkëshortin e saj. Ajo rrëfen se megjithëse e martuar prej 30 vitesh dhe ka 3 fëmijë, nuk ka të drejtën e një shtëpie dhe as mundësinë që të dalë nga banesa e ish bashkëshortit, por jetonin në njё çati me dyer të ndara. “Më dhemb e gjitha kjo, pasi kam punuar një jetë për këtë shtëpi, e të vij tjetra të ma marrë. Jo nuk mund ta toleroj. Bashkëshorti nuk e di ça pati, erdhi një ditë të bukur dhe më tha ne të dy do të ndahemi se unë kam një tjetër më të re. Turp i madh, turp që s’ka ku të shkojë, të ndahesh në këtë moshë, por ja ça të bëka burri. Mezi i kam rritur fëmijët, herë me bukë e herë pa bukë e jam ku jam. Unë jetoj në një dhomë, ai në tjetrën, por që po të dojë më nxjerr jashtë nga dita në ditë, po jetoj me frikë se ai e ka shtëpinë. Shteti për mua është inekzistent fare, as nuk më ka dhënë asnjë zgjidhje”, thotë 50-vjeçarja, e cila jeton në Babrru. Si rasti i saj ka me mijëra histori në vendin tonë, ku dy ish bashkëshortë jetojnë së bashku, megjithëse të divorcuar ose kur më keq akoma, dhunuesi jeton përsëri me të dhunuarën, pasi kushtet e këqija financiare nuk lënë vend për shumë opsione në këtë raste.
Këtë e konfirmon edhe avokatja Margarita Kola, e cila merret gjerësisht me çështjet civile.“Në mbi 60% të rasteve gratë që divorcohen, nuk kanë tjetër strehë përveç strehës së përbashkët bashkëshortore, ku sipas vendimit të gjykatës pas divorcit do të ndahet nga të dy ish bashkëshortët dhe fëmijët e tyre, ose i lihet në përdorim zakonisht bashkëshortes, e cila në shumicën e rasteve mban kujdestarinë e fëmijëve”,sqaron juristja duke u ndalur gjithashtu edhe te rastet e dhunës. “Në rastet kur kemi të përfshirë urdhrat e mbrojtjes atëherë bashkëshorti dhunues urdhërohet të largohet nga banesa e përbashkët. Pas përfundimit të gjykimit për zgjidhjen e martesës, ish bashkëshortët i drejtohen gjykatës për ndarjen e pasurisë bashkëshortore dhe gjykata sipas rastit vendos ndarjen e kësaj pasurie. Me ndarjen e pasurisë bashkëshortore përvijohet dhe fakti se ku do te jetoj në kuptim afatgjatë gruaja e cila është divorcuar”, shprehet juristja Kola për Portën Vendore.
Sipas të dhënave të INSTAT, shifrat e divorcit po njohin veçse rritje në vendin tonë. Emigracioni, pavarësia ekonomike e grave, mosmarrëveshjet financiare kryesojnë listën si arsyet kryesore pse po divorcohen shqiptarët. Teksa shifrat e 2019-s tregojnë nivelin më të lartë të tyre, 26.1 divorce për 100 martesa.
Burimi: INSTAT
Teksa divorci shoqërohet me një sërë problematikash të tjera, ndër më parësoret strehimi. Avokatja Kola shprehet se qëndrimi i ish bashkëshortëve nën një çati në shumë raste krijon konflikt të vazhdueshëm. “Në rastet kur të dy ish bashkëshortët jetojnë nën të njëjtën çati natyrisht që kjo bëhet burim konflikti i vazhdueshëm deri sa i jepet një zgjidhje me ndarjen e pasurisë bashkëshortore, ku mund të bëjë pjesë edhe banesa e përbashkët. Problemi shtrohet pas mbarimit të urdhrit të mbrojtjes, kur ish dhunuesi nuk ka më pengesë ligjore të rikthehet në banesë dhe kur gjykata nuk është shprehur për të drejtën e përdorimit të banesës nga ana e palëve”, thotë ajo duke shtuar se shteti duhet të ofrojë më shumë mbështetje nëpërmjet programeve sociale. “Një zgjidhje mund të jenë strehëzat për gratë e dhunuara, të cilat duhet të rrisin kapacitetet e veta, por edhe përdorimi i banesave sociale siç e aplikojnë shtetet e zhvilluara. Pra gratë pa të ardhura të mjaftueshme për të përballuar pagesën e një qiraje për një shtëpi tjetër dhe të cilat nuk mund të përdorin banesën e përbashkët bashkëshortore sepse mund të mos jetë pronë e regjimit pasuror bashkëshortor, të jetojnë në këto banesa sociale në vend që të vazhdojnë të jetojnë nën të njëjtën strehë me ish bashkëshortin. Mund të ketë edhe modele të tjera të mbështetjes sociale por këto duhet të jenë pjesë e një strategjie kombëtare për mbështetjen e kësaj kategorie grash”, përfundon avokatja Margarita Kola lidhur me këtë çështje.
Tirana/Sfida e strehimi social për gratë e dhunuara
Strehimi social i grave të dhunuara gjithashtu mbetet një sfidë në vendin tonë. Ndonëse sipas ligjit të gjitha rastet që kanë denoncuar dhunën në polici përfitojnë mbrojtje dhe mbështetje, në realitet kjo është e vështirë të zbatohet. Kapacitetet e institucioneve shtetërore janë më të ulëta sesa nevoja e grave për strehim. Porta Vendore e ka trajtuar edhe më parë këtë çështje, ndërsa situata duket se edhe pas pandemisë mbetet e njëjtë.
Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, vetëm për 4 mujorin e parë të vitit 2021 në të gjithë vendin janë regjistruar 483 denoncime. Tirana, Vlora dhe Durrësi janë tre qarqet, të cilat kanë numrin më të madh të grave që kanë denoncuar dhunën.
Burimi: Policia e Shtetit
Sipas Ligjit “Për Strehimin Social” të pastrehët mund të përfitojnë nga 6 lloje programesh sociale. Programi i Subvencionimit të Qirasë është programi që asiston më shumë gratë kryefamiljare dhe viktima të dhunës në familje për dy arsye: a) mbulon deri në 100% pagesën e qirasë dhe b) është programi që garanton zgjidhje më të shpejta në kohë në krahasim me programet e tjera.
Programi i Subvencionimit të interesave të kredive është një nga programet ku gratë kryefamiljare me të ardhura të mesme aplikojnë, shpallen fituese nga Këshilli Bashkiak i Bashkisë Tiranë, por vendimmarrja përfundimtare është e institucioneve financiare, dhe një numër i lartë i fitueseve të këtij programi nuk përfitojnë kredinë nga banka ose tërhiqen gjatë procesit në bankë. Programi i Banesave Sociale me Qira, që është programi që ka më shumë gjasa për tu aksesuar nga gratë kryefamiljare me të ardhura të ulëta, nuk është aktiv, sepse nuk ka në fondin e vet asnjë banesë tashmë prej vitesh.
Nga të gjitha programet e sipërpërmendura duke cituar ligjin, në Bashkinë e Tiranës janë aktive vetëm 2: Subvencionimi i qirasë dhe programi i subvencionimit të interesave të kredisë.
Aktivistja dhe pedagogia Marinela Sota, ka realizuar një studim për Bashkinë e Tiranës mbi efektivitetin e programit të strehimit social për gratë kryefamiljare dhe viktima të dhunës. Ndonëse të dhënat e Policisë së Shtetit tregojnë se numrin më të lartë të viktimave të dhunës e zë Bashkia Tiranës, rezulton se ky institucion nuk e ka hartuar ende planin 5 vjeçar të strehimit, por sikurse kemi raportuar edhe më herët në një artikull të Portës Vendore është në proces. Strukturat përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore hartojnë programe 5-vjeçare strehimi për popullsinë nën juridiksionin e tyre, duke u mbështetur në analizën e nevojave për strehim dhe në përputhje me strategjinë e strehimit social.
Megjithatë Sota konstaton se Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Tiranës ka miratuar Udhëzuesin e Programit të Subvencionimit të Qirasë, gjë që vlerësohet si një hap i rëndësishëm në menaxhimin e programeve të strehimit në nivel vendor. “Raporti midis aplikuesve dhe përfituesve të programeve të strehimit social në Bashkinë e Tiranës është shumë i ulët, që do të thotë aksesi i individëve të klasifikuar si të pastrehë në këto programe është shumë i ulët. Numri i aplikuesve në programet sociale të strehimit, sidomos nga gratë kryefamiljare, viktima të dhunës në familje apo viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, është i ulët”, thotë ajo për Portën Vendore.
Më tej, ajo shton se Drejtoria e Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës është forcuar në aspektin organizativ dhe atë të kapaciteteve me miratimin e organi-gramës së re të Bashkisë Tiranë, që tregon se Bashkia Tiranë do të ketë në fokus të veçantë strehimin social në të ardhmen, duke parë dhe nevojat në rritje. Por, Bashkia e Tiranës ka dështuar në hartimin e politikës kryesore për strehimin social, që është Plani 5-vjeçar i Strehimit dhe që do të shërbente si një projeksion edhe për këtë raport për të kuptuar se cilat do ishin veprimet e Bashkisë për grupet në fokusin e raportit.
“Bashkia e Tiranës nuk ka krijuar bazën e të dhënave të digjitalizuar për aplikuesit si të pastrehë në programet e strehimit social, që është një detyrim i ligjit për njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe që do ti mundësonte së pari vetë bashkisë për të bërë vlerësime për efektivitetin e programeve të ndryshme, profilet e aplikuesve në programe të veçanta, ndjekjen e rasteve që nga aplikimi deri te përfitimi nga programet, etj. Mungesa e Listës së Pronarëve Socialë në Bashkinë e Tiranës, është një nga vështirësitë më të rëndësishme në aksesin e programeve sociale të strehimit. Pavarësisht se Bashkia e Tiranës ka bërë përpjekje për sensibilizimin e aktorëve lokalë për sigurimin e kapaciteteve për strehim social, rezultatet janë deri tani negative. Bashkia e Tiranës nuk aplikon asnjë politikë favorizuese financiare për nxitjen e përfshirjes së aktorëve lokalë në sigurimin e strehimit social, kryesisht të pronarëve socialë”, sqaron Sota.
Sipas Sotës, të dhënat tregojnë se Bashkia e Tiranës plotëson afërsisht 10% të kërkesave për strehim social, përfshirë të gjitha kategoritë por nuk ka një shifër konkrete për gratë. Edhe në rastet e arritjes së strehimit të një gruaje në nevojë, kjo është e përkohshme, pasi të tilla janë këto programe. Studimi i realizuar nga Sota fakton se shkaku kryesor që gratë detyrohen të tërheqin denoncimet dhe të kthehen te dhunuesi është mungesa e strehimit.
Por sa e vështirë është të lësh pas një histori me dhimbje dhe të ndërtosh jetën në një qytet tjetër? Sota thotë se gratë që largohen nga qytetet e tyre përballen me shumë vështirësi pasi nuk përfitojnë nga programet e strehimit. “Që të mund të regjistrohesh si banore në një qytet tjetër të duhet një kontratë qiraje, gjë që gratë nuk e marrin dot. Njëkohësisht, që të përfitosh nga programet e strehimit social duhet të jesh banore e asaj njësie vendore. Për gratë me urdhër mbrojtje, duhet të lehtësohet mundësia e marrjes së subvencionimit të qirasë edhe për ato gra që nuk i përkasin njësisë vendore”, argumenton Sota.
Institucionet shtetërore në përgjithësi referojnë rastet në shoqata të ndryshme që operojnë në vend, për këtë Sota thotë se në ligjin “Për Strehimin Social” janë përcaktuar qartë të gjitha detyrimet e qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor për strehimin social, prandaj pushteti vendor duhet të buxhetojë me fonde programet e strehimit social. “E ka detyrim. Strehimi social po kthehet në një çështje për pushtetin vendor dhe po ngrihen drejtoritë për këtë, psh. Bashkia e Kamzës, etj. Por buxhetimi i programeve sociale dhe menaxhimi i tyre më pas është një problem. Bashkia e Tiranës ka rritur fondin e parashikuar për strehimin social në buxhetin afatmesëm 2021-2023, por nuk ka asnjë ndarje të buxhetit të parashikuar për programe specifike”, konstaton ajo për Portën Vendore.
Shërbimi Social Shtetëror në përgjigjen referuar Portës Vendore tha se kapaciteti për strehimin e grave të dhunuara është 32 shtretër. “Qendra Kombëtare e Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje QKTDHF ka kapacitet prej 32 shtretërish dhe nuk mund të përballojë më tepër se kaq, duke mos mjaftuar për të gjitha gratë në nevojë”, shprehet në përgjigjen zyrtare Shërbimi Social Shtetëror. Ndërkohë që aktivistja Marinela Sota, e pyetur për këtë thotë se ky lloj kapaciteti nuk mjafton dhe për më shumë modeli i vetëm një qendre kombëtare për gjithë Shqipërinë në Laprakë është i gabuar. “Gratë kanë nevojë për streha të përkohshme në qytetet e tyre, ose sa më afër, me apartamente të vogla dhe të përshtatshme për familje. Një nga programet e strehimit social në ligj i referohet pikërisht këtyre strehave. Sa jam ne dijeni, asnjë bashki nuk ka investuar në këtë program. Pra, është inaktiv”, artikulon Sota për Portën Vendore.
Strehimi, sfidë e viktimave të dhunës
Marsela Allmuça, drejtuese e qendrës “Strehëza për Gra dhe Vajza” e cila ofron shërbime në vend prej 22 vitesh dhe garanton strehim të sigurt, programe psiko-sociale dhe ri-integrimin e grave thotë se strehimi është sfida më e madhe e viktimave të dhunës. “Shumica e grave të dhunës në familje të cilat marrin një vendim apo një urdhër mbrojtje në gjykatë dhe qëndrojnë për një kohë të gjatë në shërbime sociale, janë raste të cilat shkojnë drejt divorcit. Strehimi është një nga veçoritë apo një nga sfidat më të mëdha të cilat hasim në shërbimet që ofrojmë për viktimat e dhunës. Strehimi është i përkohshëm që shkon deri në 6 muaj, në varësi të rastit por që të integrosh një rast dhe të ulesh shanset që të kthehet të dhunuesi, sigurisht që nevojat janë për strehim janë kryesore. Ende në shumë bashki nuk ka programe të strehimit social, edhe në Bashkinë e Tiranës hasim sfida për të fituar bonusin social, viktima dhune me vendbanim në zona të tjera nuk përfitojnë nga programet strehimit, e njëjta gjë ndodh në bashkitë e tjera. Edhe në ato bashki ku janë këto programe strehimi janë të limituara, ka shumë burokraci sa i takon dokumentacionet, ka trauma, shpesh herë ka nevojë për asistencë të vazhdueshme”, shprehet Allmuça.
Sipas saj, strehimi i sigurt është një komponent i rëndësishëm sepse është një rast i integruar. “Kur ka strehim dhe punësim, humb mundësia që rasti të kthehet më te dhunuesi. Në rast të kundërt dhuna vazhdon nëse nuk menaxhohet përsëritet. Bashkëpunojmë me 3 bashki si qendër dhe shohim se ka dëshirë për të bërë maksimumin por mungesa e buxhetit për strehim social mbetet një sfidë”, sqaron ajo për Portën Vendore.
Allmuça thotë se vitin e kaluar pati një ulje të vëmendjes ndaj kësaj problematike dhe e vetmja mbështetje ishin paketat ushqimore.
Nga ana tjetër edhe për shoqatat ka qenë e vështirë të sigurojnë fonde nga donatorët për të ofruar strehim, pasi këta të fundit mendojnë se strehimi është detyrë e shtetit shqiptar.
“Organizatat kanë ofruar strehim të sigurt për integrim të sigurt për rastet e dhunës, por kjo ka ardhur duke u reduktuar, donatorët nuk japin më para për të siguruar strehimin, pasi mendojnë se kjo është një pikë që duhet të garantohet nga shteti”, thotë Allmuça.