8 shtator 2021/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore/ Tiranë
Tirana vazhdon të jetë një kantier ndërtimi, ku ditë pas dite po ndërtohen pallate të reja, të cilat vijnë edhe me më shumë kate, duke fshirë identitetin e vjetër të shtëpive karakteristike dhe duke krijuar modelin e një qyteti modern me qiellgërvishtës. Në çdo cep të Tiranës janë dhënë leje për ndërtime pallatesh të reja nga 9 deri në 30 kate, ndërkohë që ekspertët vënë alarmin për humbjen e identitetit, ndërsa shtojnë se shumë prej këtyre ndërtimeve janë për ndjekje penale.
Bale Shaba është 76 vjeçe. Më shumë 50 vite të jetës i ka jetuar në zonën e Ali Demit në Tiranë. “Kam qenë ndër banorët e parë të pallateve përballë fushës së Ali Demit. Këto pallate janë ndërtuar me shërbim vullnetar siç bëheshin atëherë. Burri im i ndjerë ka punuar vetë këtu dhe qeveria na dha apartamentin”, tregon zonja e cila pa frikë thotë se deri dje e njihte lagjen në pëllëmbë të dorës. Por tani zor se e njeh më. “Ka ndryshuar shumë. Sidomos vitet e fundit. Fushën e kanë bërë të bukur, shyqyr që e kemi, dalim pasdite, por e gjithë lagja është mbushur me pallate. Nuk njihet më. Sidomos vitet e fundit mbin përditë nga një pallat i ri”, tregon ajo. Të njëjtën gjë tregon edhe Ismaili, i cili banon në Shkozë, por për shkak të punës e bën çdo ditë me urban rrugën. “Numërova një ditë nga urbani të paktën 10 pallate që ndërtohen nga Ali Demi deri në Shkozë. Nuk po flas për rrugicat që edhe aty po ndërtohen. Janë prishur vilat e vjetra dhe janë hapur themele të mëdha pallatesh. Por vetëm përgjatë rrugës kryesore vetëm ndërtohen pallate”, thotë ai për Portën Vendore.
Por, bum ndërtimesh nuk ka vetëm në zonën e Ali Demit, por në të gjithë Tiranën. Kryeqyteti vijon të mbetet i favorizuari duke marrë më shumë leje ndërtimi se qarqet e tjera në vend. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë e Tiranës, numri i lejeve të ndërtimit të dhëna për vitin 2020, është 198. “ Bashkia Tiranë, shqyrton të gjitha kërkesat për pajisje me leje, që vijnë nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, dhe shqyrtimi i tyre bëhet sipas afateve të përcaktuara ligjore. Nr. i lejeve të ndërtimit të dhëna për vitin 2020, që përfshijnë gjithë territorin e Bashkisë Tirane, është 198 leje ndërtimi. Lejet e ndërtimit jepen në emër të zhvilluesit dhe ato mund të jenë ose subjekte ose individë, në varësi të kërkesave”, thotë në përgjigjen zyrtare ky institucion. “Lejet e Bashkisë Tiranë janë në përputhje me gjithë Legjislacionin në fuqi të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Bashkia Tiranë vepron mbi të gjitha kërkesat që vijnë nga qytetaret konform ligjit. Aplikimi bëhet në sistemin elektronik të lejeve, nga kushdo qytetar që ka nevojë të pajiset me leje për punime”, bën të ditur për Portën Vendore, Enkelejda Murtaj nga Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.
Për sa i përket llojit të ndërtimeve, peshën kryesore e mbajnë banesat individuale, por nuk mbeten pas edhe ndërtesat industriale apo qendrat tregtare dhe hotelet.
Bazuar në të dhënat e Albanian Construction Portal, në Tiranë po ndërtohet kudo, në çdo zonë të saj. Nëse vëren hartën me të dhënat satelitore shikon pikat e kuqe që tregojnë projektet në punim e sipër, teksa duket qartë se po ndërtohet veçanërisht shumë në qendër të kryeqytetit, në zonë përreth sheshit Skënderbej, ku në çdo cep të tij po ngrihet një kullë e re.
Në krah të 15 katëshit të famshëm, simbol i Tiranës së viteve të komunizmit, po ndërtohet “Tirana’s Rocks” me 25 kate mbi tokë dhe 5 kate parkim nëntokësor, me zhvillues kompaninë Ana shpk. Godina me sipërfaqe 1,930 m2 do shërbejë për banim dhe për zyra, shërbime etj. Ndërsa pas 15 katëshit, do ndërtohet një tjetër kullë dy herë më e madhe prej 30 katesh. Aty ku dikur ndodhej një nënstacion elektrik tashmë janë hedhur themelet dhe ka nisur ndërtimi i godinës së re e cila është konceptuar si shumëfunksional, por kryesisht hotel. Në katet e para të saj do të ketë dyqane luksi, zyra biznesi dhe në katet e sipërme dhoma, suita hoteli dhe salla të mëdha konferencash.

Projekti “Book Building Tirana” ka shkaktuar jo pak debate me idenë e ndryshimit rrënjësor të identitetit të kryeqytetit, kjo për faktin se godina në fjalë po ndërtohet fill pas Kullës historike të Sahatit, një simbol i Tiranës. Ky ndërtim është parashikuar të jetë një godinë polifunksionale me 21 kate në total, me 3 kate nëntokë dhe me subjekt zhvillues Techno-Alb shpk.
Në mes të sheshit Skënderbej po ndërtohet edhe “Eyes of Tirana”, një godinë e projektuar me 26 kate e lartë në 55.444 m². Godina do të shërbejë si hotel nga firma e njohur ndërkombëtare e hotelerisë, ndërsa ndërtuesi i saj është Edil Al.

Një pallat 9 katësh po ndërtohet në rrugën e Kavajës me qëllime banimi e shërbimesh, me ndërtues “Domus Group”.
Shumë pranë sheshit Skënderbej, në rrugën “Bardhok Biba”, po ndërtohet një tjetër pallat me 9 kate me qëllime banimi dhe shërbimi me zhvillues Ed-Konstruktion shpk.
Godinë polifunksionale “WEST Residence” është parashikuar të ketë 9 kate dhe po ndërtohet në rrugën “Ibrahim Rugova”, fill pas Presidencës, nga shoqëria ndërtuese “TDT&PARTNERS shpk” me investitor “INVEST SOCIETY” shpk , një projekt i realizuar nga italiani Stefano Boeri.
Në krah të Hotel Dajtit, pikërisht në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ka hedhur shtat ndërtimi i godinës së re multifunksionale “Met Tirana Building”. Godina është parashikuar të ketë 12 nivele mbi tokë dhe 4 nëntokë, për një lartësi totale prej 48.70 metrash. Projekti ndodhet në një zonë strategjike dhe qendrore të qytetit të Tiranës. Është parashikuar të ketë 228 poste vendparkimi, ndërsa kati i parë do të jetë multifunksional me hapësirat e rezervuara për aktivitetet tregtare, hapësirat që garantojnë aksesin në godinë në katet e sipërme të zyrave dhe të banimit, si dhe një rampë e cila lidhet me katet e parkingut nëntokësor.
Një tjetër ndërtim i rëndësishëm që ka hedhur shtat në rrugën e Kavajës, shumë pranë sheshit Skënderbej në Tiranë, është edhe “Galeria Roma”, e projektuar si godinë banimi dhe shërbimesh me 9 kate mbi tokë dhe 3 kate parkim me zhvillues kompaninë “TEXAS DEVELOPMENT, DATON shpk”.
Shumë pranë qendrës në Tiranë, në rrugën “Reshit Çollaku”, po ndërtohet rezidenca “Scanderbeg”, me ndërtues Kaso shpk. Objekti do të ketë 12 kate, prej të cilave 4 nëntokë, ndërsa qëllimi është për banim dhe për shërbime.
Në mes të zonës më të lakmuar të Tiranës dhe ndër më të shtrenjtat, në ish-Bllok, fill pas godinës së partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, është në proces ndërtimi një pallat 9 katësh, me 2 kate parkim nën tokë, që do të shërbejë për banim dhe shërbime më subjekt zhvillues ‘Metro Design”.
Kjo kompani po ndërton edhe projektin ‘Stairway to the Sky”, edhe kjo në zonën e ish Bllokut në rrugën Brigada e 8. Projekti në fjalë parashikon ndërtimin e një pallati 13 katësh, me 3 kate parkimi nëntokë dhe me qëllime banimi dhe shërbimesh.
Në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, edhe kjo një ndër zonat më të shtrenjta të kryeqytetit, po ndërtohet “Domus Residence”, një godinë banimi dhe shërbimesh që do të ketë 9 kate, me 3 kate parkim nëntokë, me zhvillues kompaninë “EDONIL Konstruksion” shpk.
Projekti i “Kulla Ekspozita” do ndërtohet pikërisht në zonën e ish-ekspozitës ‘Shqipëria Sot”. Kulla Ekspozita do të jetë e lartë 93 metra dhe parashikon ambiente publike, rezidenciale dhe tregtare. Arkitektura e godinës synon të krijojë një oaz jeshil në qendër të kryeqytetit. Kulla Ekspozita është projektuar nga “Mario Cucinella Architects” dhe do të ketë 24 kate, hapësira parkimi dhe argëtimi, kompleks shëndetësor, ambiente tregtare , zyra dhe hapësira edukimi, ndërsa nivelet e larta do të jenë për banim.
Në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, shumë pranë 21 Dhjetorit, po ndërtohet një pallat 9 katësh me 1 kat parkim nëntokësor. Godina do shërbejë për banim por edhe për shërbime, ndërsa kompania ndërtuese është “2B & Construction Group”.
“Lion Residence” po ndërtohet pranë Parkut te Liqenit Artificial nga “Lion Construction shpk”. Godina do të ketë 14 kate me 3 kate nëntokë, ndërsa do të jetë polifuksionale, por edhe për banim edhe për zyra e shërbime të tjera.
Pra siç shihet qartë vetëm në zonën e qendrës së Tiranës janë dhjetëra pallate të reja e kulla të larta që ndërtohen çdo ditë, ndërsa bashkia thekson se të gjitha lejet e ndërtimit janë dhënë në përputhje me legjislacionin në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Në vitin 2015 kryebashkiaku Veliaj përdori si kalë beteje idenë e moratoriumit sa i takon lejeve të ndërtimit.
“S’kam ndërmend të hyj në histori si një njeri që dha pallate. Kjo është ambicia ime që ta kthejë qytetin në normalitet, bashke me ekipin tim. Dua të mbahem mend si një njeri që ka ndërtuar më shumë parqe se sa pallate. Kjo është ambicia ime. E kam bërë shumë të qartë dhe skam aspak ambicie që në një kohë që tregu na ka dhënë sinjale që nuk po shiten më apartamente, kjo s’ka sens”, tha ai në një intervistë televizive.
Por ajo që mbetet shqetësuese, përveç hapësirave me banesa private, pronarët e të cilave kanë zgjedhur që ta shesin tokën e shtëpisë së tyre të vjetër për t’i hapur rrugë ndërtimit të një pallati, janë hapësirat e godinave dhe vilave historike në kryeqytet që po prishen duke humbur identitetin e tyre.
Më 23 qershor nisi prishja e ansamblit të vilave në rrugën Kont Urani. Sipas Planit të Detajuar Vendor, miratuar nga Bashkia e Tiranës, godinat e ngritura rreth 1920 do të zëvendësohen me pallate 11 katëshe me sipërfaqe ndërtimi mbi 17 mijë metra katror.
Apollon Baçe: Tirana ka humbur identitetin
Ish drejtuesi i Institutit të Monumenteve dhe arkeologu i njohur Apollon Baçe shprehet i shqetësuar për gjithë çfarë po ndodh me ndërtimet pa kriter në kryeqytet. “ Tirana ka humbur identitetin me gjithë këto ndërtime. Italianëve në kryeqytet iu deshën 3-4 vite që të bënin planin rregullues. Ka ndërtime që janë fenomenale. Banka e Shqipërisë, Korpusi universitar, Hotel Dajti etj. Ato mbartin elementë të ndërtimit të frymëzuar nga Pirro i Epirit. Bankën psh e kanë futur në një pyll me ferra që nuk lexohet më ndërtimi.”, thotë Z. Baçe për Portën Vendore.
Apollon Baçe rrëfen një pasazh gjatë kohës që ka qenë si drejtues i Institutit të Monumenteve. “Kryeministri Rama në atë kohë ka qenë Ministër i Kulturës, dhe ai bëri zonë të mbrojtur të gjithë pjesën që nga Universitetit deri tek Skënderbeu, ku përfshihej kështu edhe Hotel Dajti. Ndërsa kjo e sotmja u bë si historia e ‘Plakut dhe Deti’, që ai në fund nxorri nga deti vetëm skeletin se ja kishin ngrënë peshkaqenët pjesën tjetër. Kështu edhe këta, i lënë rrugë të lirë ndërtimeve. Pasojat e të gjithë kësaj do t’i vuajmë më pas, hajde ta heqësh një ndërtesë shumëkatëshe në një qytet pas ca vitesh, se s’ke as plan urbanistikë asgjë”, thotë ai.
Zef Preçi: Mungojnë masterplanet afatgjata; shumë ndërtime janë të ndëshkueshme penalisht
Eksperti i ekonomisë Zef Preçi, ndonëse vë në dukje se sektori i ndërtimit ishte ndër të vetmit që i rezistoi fort krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia covid-19, rendit disa argumente përmes të cilave sqaron pse është kritik ndaj bumit të ndërtimeve në Shqipëri, por kryesisht në Tiranë. Ai thotë se nga pikëpamja ekonomike një pjesë e madhe e ndërtimeve nuk justifikohen ndryshe, përveç faktit se realizohen me paratë e botës së krimit. “Bumi i ndërtimeve në Tiranë pasqyron disa aspekte të jetës ekonomike të vendit. Në radhë të parë, pasqyron akumulimin e madh financiar në pak duar. Së dyti, pasqyron flukset e mëdha monetare që dalin nga sasitë e mëdha të drogës; pra do të thotë që është shtuar pjesa e kontributeve të ekonomisë kriminale në ekonominë shqiptare. Së treti, pasqyron njëlloj nxitje të qarqeve të biznesit të paligjshëm për të gjetur terren ku të zbardhin paratë e tyre. Pra është gjetur një sektor si mënyrë për të investuar dhe për të zbardhur kapitalet, paratë e grumbulluar në mënyrë të paligjshme.”, argumenton eksperti Preçi për Portën Vendore
Bazuar në raportet e ndërkombëtareve, eksperti thekson se pikërisht ndërtimi është sektor risku për t’u përfshirë në aktivitetet kriminale. “Raportet e huaja kanë një emërues të përbashkët që për shkak të dobësive institucionale që ka vendi, mungesës së mekanizmave që mundësojnë zbatimin e ligjit, vështirësive që has biznesi duke përfshirë bankat, shkallës së gjerë të korrupsionit në vendimmarrje, ndërtimi mbetet një sektor risku për t’u përfshirë në aktivitet kriminale”, thekson zoti Preçi.
I pyetur nëse tregu në Shqipëri ka ose jo nevojë për ndërtime të reja, eksperti i ekonomisë, thotë se ndryshe nga vendet e zhvilluara të botës ku ecet me masterplane afatgjata, në vendin tonë kjo nuk funksionon. “Kur gjykohet për nevojat e tregut mendja të shkon tek masterplanet e zhvillimit. Për fat të keq këto nuk ndodhin në vendin tonë dhe ka një flluskë që duhet konsideruar edhe sektori i ndërtimi ku dhënia pa kriter e lejeve e motivuar ndoshta nga nevoja për të krijuar të ardhura, por edhe nën presionin e interesave korruptive dhe origjinës së dyshimtë të një pjese jo të vogël të këtyre parave, dhe për këtë duhen vlerësuar raportet, siç është raporti i vitit të kaluar i organizatës që monitoron krimin e organizuar dhe korrupsionin, ku thuhet se 60% të lejeve të ndërtimit në Tiranë u janë dhënë kompanive që nuk kanë background në ndërtim, pra nuk kanë historik të ndërtimit. Dhënia pa kriter e lejeve të ndërtimit pa lidhje me masterplanet e zhvillimit urban, pa lidhje me nevojat reale që ka tregu, çon, nga njëra anë në zhvlerësimin e ndërtimeve ekzistuese, pra ndikon negativisht në vetë sektorin e ndërtimit, dhe nga ana tjetër mundëson shuma të mëdha parash në një sektor jo rentabël. Në këto kushte ka voluntarizëm, pra vendimmarrje të pambështetura në programe zhvillimi. Për fat të keq Tirana po kthehet në fjetore gjigante, në një konvikt gjigant, që bëhet për herë e më shumë më pak e jetueshme”, thekson zoti Preçi.
Duke iu referuar ndërtimeve të shumta që po realizohen në qendër të Tiranës, zoti Preçi thotë se disa prej tyre janë të ndëshkueshme edhe penalisht pasi pengojnë jetesën normale të banorëve të zonës. “Unë kam parë në rrugën Mine Peza, ose në anën tjetër të rrugës, ndërtime pallatesh në mes të pallateve, aty ku duhej të kishte sheshe për fëmijë. Këto janë veprimtari që në botë janë të ndëshkueshme penalisht. Nuk janë më çështje morali, sepse po të shkosh të pyesësh nuk gjen dot një qytetar që është dakord dhe ka firmos që t’i zihet fryma, t’i zihet drita e dielli. Domethënë janë vendimmarrje që dëshmojnë për ndikim të fuqishëm të lobeve të biznesit, të oligarkëve të klientëve politikë. Po përjetojmë një situatë rrënimi në këtë sektor”, argumenton eksperti për Portën Vendore.
Ai madje propozon të ndiqet një politikë e tillë fiskale që ndërtuesit të kishin një detyrim fiskal për të paguar çdo vit për çdo objekt që ndërtojnë.
“Natyrisht që me krijimin e kësaj situate ndikon edhe politika fiskale. E përfytyroni sikur ato qindra mijë metra katror sipërfaqe ndërtimi për të cilat është dhënë leja e ndërtimi, të kishin sot një detyrim fiskal sado modest për të paguar në vit, a do t’i mbanin ndërtuesit? Sepse kur paratë vijnë nga origjinë kriminale janë investime të pamenduara, kuptohet që nuk shqetësohen shumë investitorët për to”, sqaron zoti Preçi.
Megjithatë, shifrat e INSTAT tregojnë se jo vetëm Tirana, por ndërtimet janë shtuar ndjeshëm në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të INSTAT përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2020 janë miratuar gjithsej 306 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 202 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2019, duke shënuar një rritje prej 51,5 %. Në total përgjatë vitit që lamë pas, janë miratuar gjithsej 961 leje ndërtimi për ndërtesa të reja. Ndërsa në tremujorin e parë 2021 janë miratuar gjithsej 251 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 184 leje të miratuara në tremujorin e parë 2020, duke shënuar një rritje prej 36,4%.
Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2021, është 599.446 m2, nga 333.645 m2 miratuar në tremujorin e parë 2020, duke shënuar një rritje prej 79,7 %. Në tremujorin e parë të vitit 2021, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 26,6 miliardë lekë, nga 13,4 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2020, duke shënuar një rritje prej 98,9 %.