5 shtator 2021/ Albina Hoxhaj/ Porta Vendore/ Lezhë
Plazhi i Shëngjinit është një ndër plazhet me të frekuentuara, jo vetëm në stinën e verës, por edhe gjatë stinëve të tjera. Ndonëse e shoqërojnë mitet e legjendat që nga historia se si lindi emri i tij, e deri tek pastërtia e shkëlqyer e ujit të detit, i favorizuar nga natyra për pozicionin gjeografik ku ndodhet, duket sikur gjithçka në këtë zonë është perfekte, por në fakt nuk ndodh kështu. Qytetarët dhe turistët përballen me problematika të ndryshme, që nga mungesa e rojeve në plazh, rëra e papastër, ambulancat që nuk ofrojnë shërbimin në kohë, deri tek parkimi i makinave qё mbetet sfidё pёr pushuesit çdo ditë.
Shëngjini, plazhi që ka ende probleme
Plazhi i Shëngjinit shtrihet në perëndim të qytetit të Lezhës, nga Velipoja në veri dhe deri në anën e djathtë të grykëderdhjes së Drinit të Lezhës, në jug të ishullit Kune. Plazhi ka një gjatësi prej 9 km dhe gjerësi deri 30-70 m. Pjesa më rekreative e Plazhit të Shëngjinit është zona e ishullit Kune, ku janë ngritur një varg restorantesh dhe objektesh të tjera hotelerie. Zona përreth Plazhit të Shëngjinit është e populluar dendur, me 200 banorë për kilometër katror. Në veri të plazhit të Shëngjinit, në një largësi prej 2.5 km, rrëzë kodrave të Rrencit, gjendet i mbrojtur nga erërat plazhi i “Ranës së Hedhun”.
Vetëm 55 km larg Tiranës, ky është një destinacion i bukur për të kaluar tre stinët më të buta të vitit. Me pamje piktoreske, natyrë të pasur nënujore përreth qytetit, Lezha njihet për disa plazhe që kapërcejnë interesin lokal. Plazhi më nostalgjik i kësaj zone, është plazh dhe port, me lagunën si dekorin e duhur për një qytet marinar. Emri i Shëngjinit sipas autoriteteve lokale lidhet me pyllin e Zanave që gjendet mes Shëngjinit dhe Velipojës. Më pas u quajt Medea, sipas emrit të princeshës Medea të Argonautëve. Deri në ditët tona kanë mundur të mbijetojnë bashkë edhe porti i vogël edhe plazhi, i cili njihet gjerësisht. Plazhi rrethohet nga pylli me pisha dhe në kurriz mbrohet nga kodrinat e larta. Ai ndodhet shumë pranë rrugëve kombëtare dhe është i arritshëm për këdo, duke siguruar akomodim të mirë dhe ekonomik në çmime. Në Shëngjin gjen disa nga restorantet më të frekuentuara të zonës, lokale të mobiluara bukur dhe klube që u japin dinamikë netëve rinore në verë.
Por krahas bukurisë së natyrës, apo investimeve private, pushuesit dhe pronarët e bizneseve që operojnë në këtë zonë shprehen të pakënaqur me shërbimet e marra nga pushteti vendor. “Nuk ka asnjë vend për të vendosur çadrën si plazh publik , ndërsa bota këtë gjë e ka zgjidhur me kohë, pasi jo të gjithë e kanë mundësinë që të paguajnë një tarifë të caktuar kundrejt detyrimit që të qëndrojnë në plazh” shprehet Ilir Kola, një pushues nga Markatomaj.
Në plazhin e Shëngjinit pushojnë edhe shumë shqiptarë të Kosovës. Ata bëjnë krahasimin ndër vite se si ka qenë deti dhe rëra dhe se si nga keqmenaxhimi, kjo perlë e turizmit shqiptar po i largon turistët e shumtë. “Kam 10 vite që vij këtu se më pëlqen shumë Shëngjini, por sivjet si duket edhe nga pandemia ka ndryshuar diçka, më shtrenjtë po më duket, si në shërbime, çadra, hotele dhe ushqim. Nga ana tjetër institucionet duhet të bëjnë më shumë për pastërtinë e rërës dhe menaxhimin e mbetjeve, se s’ka lezet kështu. Kemi qenë 4 familje që vinim, por ata kanë zgjedh jugun tani për shkak të këtyre problemeve që janë në Shëngjin. Institucionet duhet të bëjnë më shumë”, tha Fejzullahu nga Gjilani, i cili na rrëfeu gjithashtu se pushon nga njё muaj çdo vit këtu.
Edhe bizneset nga ana tjetër kanë pakënaqësinë e tyre. Teksa rrëfejnë se taksat dhe detyrimet vazhdojnë t’i paguajnë një më një, ata shprehen se do të donin më shumë ndihmë nga bashkia në këto ditë tejet të vështira për turizmin shqiptar. “Vjet nën sloganin Pusho Shqip, patëm një kërkesë të mirë nga vendasit, por për pak ditë. Ndërsa sivjet shumë nga klientët që kemi pasur ndër vite janë rikthyer në strukturën tonë, qofshin këto edhe nga rajoni, por ama në zbatim të protokollit anticovid, por edhe të krizës financiare që ka shkaktuar tanimë pandemia, nuk po punojmë dot me kapacitete të plota. Nuk kemi arritur ende te 50% e kapacitetit të hotelerisë që kemi dhe kjo është humbje e madhe për ne. Stafin e kemi ende të reduktuar, por nga ana tjetër pavarësisht se puna nuk është ashtu siç ka qenë dhe rrjedhimisht edhe fitimet, taksat vazhdojnë njësoj dhe t’i paguajmë me përpikmëri. Shteti duhet të na kishte ndihmuar në këtë situatë të vështirë që ndodhemi. Pasi është viti i dytë që po mbijetojmë në sektorin e turizmit”, tha menaxheri i një prej resorteve në plazhin e Shëngjinit për Portën Vendore, duke rrëfyer se turistët nuk shpenzojnë më si dikur.
E pyetur nga Porta Vendore për menaxhimin e pastrimit dhe monitorimin e plazheve, Bashkia Lezhë tha se janë ngritur inspektime për mbarëvajtjen e turizmit në këto dy aspekte.
“Menaxhimi i sezonit të plazhit ka nisur me pastrimin dhe monitorimin e plazheve nga ana e institucionit, duke instaluar Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Turizmit dhe Kulturës si dhe Policinë Bashkiake. Këta sektorë menaxhojnë pastërtinë, sigurinë, promovimin dhe jetën kulturore të turizmit. Janë ngritur Komisione për ndarjen e parqeve të konfirmuara duke e menaxhuar ndarjen e stacioneve të plazhit pa asnjë konflikt. Është vendosur provizorisht një specialist i turizmit tek zyrat e One Stop Shop për informimin e bizneseve mbi stacionet e plazheve”, u shpreh në përgjigjen zyrtare ky institucion.
Ndërsa sfidës së pajisjes së vijës bregdetare me rojë që të mund të ndihmojnë qytetarët në rast mbytjesh bashkia i përgjigjet: “Është konstatuar nga Policia Bashkiake dhe Drejtoria e Turizmit se çdo biznes ka vendosur roje bregdetare që të asistojnë turistët në raste emergjencash dhe deri tani nuk ka pasur gjoba apo penalitete ndaj tyre” , shprehet institucioni vendor.
Ndërkohë, pё pastërtinё e ujit të plazhit nuk ka tё dhena pas vitit 2019. Sipas raportit tё publikuar vjet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, plazhi i Shëngjinit ka një cilësi uji mjaft të mirë, por të dhënat i referohen vitit 2019, teksa të dhënat e këtij viti ende nuk janë publikuar, megjithëse raporti mbi ndotjen e ujit, të ajrit etj, duhet të kishte dalë deri në periudhën prill-maj 2021, për të marrë edhe masat e nevojshme institucionet e subjektet private mbi sezonin e sivjetshëm turistik.

Edhe sipas ekspertit të mjedisit, Jak Gjini, ka një farë përmirësimi të lehtë në këtë drejtim, ndërsa tregon se për pastrimin e vijës bregdetare kanë ndihmuar nxënësit me aksione vullnetare pastrimi.
“Ujërat e zeza tërhiqen nga impianti, por emergjenca kryesore është e një natyre tjetër, që krijon gjithashtu papastërti të konsiderueshme të vijës bregdetare. Konkretisht firma e pastrimit jo gjithmonë është korrekte me menaxhimin e mbetjeve, duke bërë që ato të shpërndahen, dhe duke u ndihmuar edhe nga shirat të përfundojnë në zonat ujore. Kjo është emergjenca aktuale e Lezhës, të cilën bashkia nuk ka mundësi t’i zgjidhë”, tha ai për Portën Vendore.
Kurse Bashkia Lezhë thotë për pastrimin e vijës bregdetare se ka ndërmarrë nisma në bashkëpunim me disa organizata. “Bashkia Lezhë ka organizuar nisma pothuajse të përjavshme për pastrimin e rërës nëpër plazhe publike dhe private, duke bashkëpunuar edhe me disa organizata. Ndërsa për menaxhimin e mbetjeve kemi vendosur orare të ndryshme për banorët dhe bizneset për hedhjen e mbeturinave, duke caktuar vendet përkatëse. Janë bërë takime sensibilizuese me bizneset për hedhjet e mbetjeve në oraret e caktuara, është ngritur një grup i posaçëm për menaxhimin e sezonit turistik që monitoron në kohë mbetjet dhe i pastron në mënyrë të menjëhershme”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Lezhë.
Sipas bashkisë, janë marrë masa edhe për menaxhimin e ujërave të zeza gjatë sezonit turistik, por jo vetëm. “Nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve, Bashkia Lezhë është instaluar një grup monitorimi në mënyrë që të monitorohen kanalet dhe pusetat, duke evituar daljen e tyre me anë të makinave me motopompa”, thotë ky institucion.
Një tjetër problem që vihet re nga pushuesit, më së shumti ata që vijnë në rrugë tokësore nga Kosova, është parkimi i automjeteve. Shëngjini ka vuajtur prej vitesh për parkim, ndërsa Bashkia e Lezhës të vetmen zgjidhje ka gjetur parkimin me pagesë. “Parkimi është në shëtitoren ‘Wilson’ në Shëngjin përgjatë gjithë sezonit turistik dhe është bërë me pagesë”, shprehet Bashkia Lezhë.