Ngjarje/Personazhe

“Me mundësi të vakëta argëtimi”: Të rinjtë e 5 bashkive të Beratit, të zhgënjyer nga jeta artistike e kulturore

3 shtator 2021/ Griseld Hoxha/ Porta Vendore/ Berat

Me probleme që lidhen ende me furnizimin me ujë të pijshëm, kanalizime, menaxhime mbetjesh, bashkitë periferike ofrojnë pak mundësi argëtimi për qytetarët e tyre, veçanërisht për të rinjtë. Në mungesë të institucioneve që do të ofronin më shumë art dhe kulturë, si kinematë, teatrot, drejtuesit e bashkive nuk ia kanë dalë që të përmbushin premtimet e tyre për jetë kulturore dhe artistike të pasur, ndërkohë që dhe përmirësimi i situatës së COVID-19, shton pak shpresat për një verë argëtuese.  

Dimali, ish Ura-Vajgurore, bashkia e parë pritëse drejt qytetit të Beratit, ka ndryshuar vetëm emrin vitin e fundit. Sheshi i ri i qytetit, projekti i Rilindjes Urbane, është thuajse i zbrazët pas orës 13:00 të mesditës. Stolat e lulishtes janë krejt bosh. Në disa bare në qendër të qytetit ka pak lëvizje, ndërkohë që pas orarit zyrtar të punës të institucioneve vendore, qyteti duket dhe më i zbrazët. Pyetja që bëhet natyrshëm në këto raste është: Kështu është çdo ditë në qytetin ku jetojnë sipas censusit të vitit 2011,  27.295 banorë dhe ku zhvillimi i bujqësisë, bizneset e gurit, mundësitë për fuqizimin e turizmit, janë shtyllat kryesore, që synojnë të zhvillojnë qytetin?

Banorët e qytetit tregojnë se jeta në Dimal lidhet me punën dhe kalimi i kohës së lirë në kafe, dhe nё lulishten e qytetit, është e vetmja çfarë ofrohet.

Çdo verë që mbaroj shkollën, them nuk do të kthehem në shtëpi, por lodhja e një viti studimi, pune, mungesa e familjes, më bëjnë që të kthehem, asgjë tjetër, se ky qytet nuk ka asgjë. As bibliotekë, as kinema, as teatro, asgjë”, thotë Elona një studente që Porta Vendore bisedoi në Dimal.

Një fushë futbolli, pa stola në hyrje të qytetit, bën që djemtë ta konsiderojnë veten me fat në Dimal, ndërsa për vajzat nuk ofrohet asgjë. Disa nisma sporadike të Bashkisë së Dimalit, kanë ofruar gjatë verës përpara pandemisë së COVID-19, disa koncerte të hapura në shesh. Ndonjë aktivitet privat ka organizuar disa mbrëmje festive me këngëtarë vendas, në përpjekje për të prezantuar produktet dhe vetëm kaq.

Ky është qytet që nuk ka një dyqan libri. Mund të jetë i vetmi në të gjithë vendin, ose dhe më gjerë. Këtu fjala art dhe kulturë nuk lidhet me eventet as me institucionet, sepse nuk njihen”, thotë Arsea, një vajze e re në këtë qytet.

Godina e Qendrës së Kulturës, siç njihet nga të gjithë ndodhet shumë pranë institucionit të Bashkisë. Qendra e Kulturës shërben vetëm si KZAZ gjatë zgjedhjeve dhe mbledhjeve të hapura të Këshillit Bashkiak. Ajo është një godinë thuajse e lënë në harresë. Pa asnjë rikonstruksion gjatë viteve të fundit, ajo po dëmtohet nga viti në vit. Gjendja e saj lë shumë për të dëshiruar dhe për banorët ajo nuk konsiderohet më institucion arti.

Godina e ish-qendrës së kulturës në Bashkinë Dimal. Foto: G. Hoxha

Mungesën e institucioneve të kulturës i konfirmon dhe Bashkia e Dimalit, e cila synon që të ndërtojë një teatër, qendër kulture dhe brenda saj parashikohet që të jetë dhe një bibliotekë.

Aktualisht në qytetin e Dimalit nuk ka një bibliotekë. Bashkia ka përgatitur projekt zbatimin për ndërtimin e një teatri dhe qendre kulturore ku është parashikuar dhe krijimi i bibliotekës së munguar. Bashkia është në kërkim të fondeve për financimin e kësaj qendre të rëndësishme për kulturën në qytet”, tha në një përgjigje zyrtare për Porta Vendore Bashkia e Dimalit.

Të rinjtë nuk shohin asnjë shpresë se kjo verë në Dimal do të jetë argëtuese, ndaj dhe interneti merr thuajse gjithë kohën e tyre, ndërsa zgjidhjen e shohin vetëm tek largimi, së paku për fundjavat.

Shkoj në Tiranë, me atë çfarë ofron, jetën e larmishme gjatë ditës dhe argëtuese gjatë natës”, thotë Arsea.

Qendra e qytetit së Dimalit. Foto: G. Hoxha

Ndërkohë Kuçova, qyteti i naftës, ka qenë dikur një nga qendrat më të rëndësishme industriale në vend dhe banorët më të vjetër e kujtojnë qytetin ndër të tjera dhe për një jete kulturore shumë elitare për kohën.

Kuçova ka qenë qyteti ku jetonin numri më i madh i intelektualëve. Për lidhjet profesionale me naftën, aviacionin, intelektualët më në zë që kishin studiuar jashtë, jetuan deri në fillim të viteve ‘90 në Kuçovë, ndaj dhe jeta këtu ishte e larmishme, me festa gjithë verës dhe mbrëmje artistike çdo natë”, kujton me nota nostalgjike, Nito Lala sot pensionist.

Sot, Kuçova veç dëshmive të banorëve për të kaluarën ka dhe kullat dhe objektet industriale të braktisura si dëshmi të një të kohe të lavdishme. Qyteti është i heshtur totalisht pas mesditës dhe çdo nismë për të sjellë një gjë ndryshe, tërhiqet menjëherë nga ana e banorëve, gjë e cila tregon se kuçovarët e duan artin, të bukurën dhe janë njohës të mirë të saj.

Kuçova ka një qendër Kulturore të quajtur “Feniks”, institucion në varësi të bashkisë dhe që zhvillon aktivitete në bazë të një planin vjetor të miratuar nga Këshilli Bashkiak. Aktivitetet që zhvillohen janë 17 gjatë një viti kalendarik dhe pjesëmarrja e qytetarëve në to është e madhe, gjë e cila tregon nevojën për evente kulturore.

Po të gjitha aktivitetet banorët i ndjekin. Pa dallim moshe, mezi i presin se janë të etur për art dhe kulturë, thotë Lala ish drejtues i shumë veprimtarive muzikore, për Porta Vendore.

Rruga kryesore në qendër të qytetit të Kuçovës. Foto: G.Hoxha

Për muajt e verës qendra do të jetë partnere në dy aktivitete treditore, që do të zhvillohen në sheshin qendror të qytetit dhe më pas do të vazhdojë me aktivitetet e planifikuara e të miratuara, gjë e cila zgjon shpresat për një verë argëtuese.

Një nga krenaritë e kohës në këtë qytet ka qenë edhe biblioteka, e cila ka qenë shkencore dhe nga më të rëndësishmet e kohës, e cila humbi për shumë vite dhe që prej vitit 2004 po ringrihet. Nga fondi i mëparshëm shkencor i bibliotekës nuk u trashëgua asnjë ekzemplar, pasi në vitin 1997 institucioni u grabit dhe më pas gjithë godina u dogj.

Në vitin 2004 institucioni iu rikthye qytetit dhe banorët menjëherë rinisën frekuentimin e saj, ndërkohë që sfida kryesore ishte sigurimi i fondit.

Në kërkimin e ethshëm për të kërkuar ndihmë u rreshtuan shumë subjekte, që nga ambasadat, fondacione e shoqata të ndryshme e deri tek biznesmenë kuçovarë të larguar prej kohësh nga qyteti i tyre i lindjes. Një pjesë e fondit u dhurua nga Biblioteka Kombëtare, komuniteti dhe biznesi vendas, ish banorë që lidhjet i vazhdojnë me qytetin për çështje që kanë të bëjnë me kulturën dhe artin”, thotë Klodiana Misto, Drejtore e Qendrës Kulturore “Feniks” për Porta Vendore.

E ndërsa biblioteka po pasurohet nga viti në vit me fonde të reja, Kuçova si qytet që bën përjashtim nga bashkitë e tjera të qarkut, ka dhe një kinema. Unike për nga stili i ndërtimit kinemaja e Kuçovës duket se përballet me vështirësitë e tregut të filmave, ndaj mbetet një aset që banorët nuk i kanë mundësitë që ta shfrytëzojnë aq sa do të donin.

Berati, si bashkia më e madhe e qarkut, emrin e kinemasë e lidh si një kujtim të largët, ndërsa biblioteka e qytetit përballet me një problem mjaft të madh që lidhet me mungesën e fondeve për tituj të rinj.

Me një imazh krejtësisht të ri, falë përfshirjes në projektin e Rilindjes Urbane, biblioteka e këtij qyteti përballet çdo vit me mungesë titujsh të rinj librash. Me libra që vetëm dhurohen kjo bibliotekë nuk ia del që të përmbushë kërkesat e lexuesve për tituj të rinj. Pas gati dy vitesh mungesë të librave të rinj, vetëm katër muaj më parë biblioteka ka arritur që të marrë vetëm 40 tituj librash, të cilat menjëherë janë marrë nga lexuesit. 

 “Ajo çfarë kërkohet janë padyshim titujt e rinj që lexuesit i shohin të botohen, por ne nuk i ofrojmë dot, pasi nuk na pasurohet fondi rregullisht”, thotë një prej punonjësve pa dashur të identifikohet.

Pa kinema, me një bibliotekë që nuk përmbush kërkesat e lexuesve, Berati si qytet që duhet të ofrojë çdo ditë aktivitete të artit dhe kulturës për të mbajtur më gjatë vizitorët në këtë qytet, çdo vit ofron më pak ekspozita dhe në galerinë e qytetit, një nga më të mirat në vend.

Po galeria hapte ekspozita më parë, tani dhe ato janë harruar. Koha e lirë kalon ose në lokale ose në lulishte se gjë tjetër nuk të ofron më ky qytet”, thotë një banor i qytetit që freskohet në lulishte, për Porta Vendore.

Me Qendrën Kulturore, vijimësi e Pallateve të Kulturës, institucionet në varësi të bashkive kanë trashëguar mjedise që lënë shumë për të dëshiruar, kanë në dispozicion pak fonde ndaj dhe vendi ofron shumë pak argëtim.

Qendra e Kulturës “Margarita Tutulani” në Berat. Foto: G. Hoxha

Aktivitetet që Qendrat e Kulturës ofrojnë është në bazë të një kalendari thuajse të njëjtë, lidhen me festat, nuk kanë prurje të reja artistike dhe nuk tërheqin të rinjtë.

Zhvillimi i teknologjisë dhe i artit në tërësi nga ana tjetër, bën që aktivitetet e Qendrave të Kulturës të konsiderohen si jashtë kohe dhe pa risi, ndaj ndiqen dhe më pak, në rastet kur arrijnë të mbërrijnë tek publiku.

Po të shohësh aktivitetet e kulturës ato janë gati njësoj çdo vit. Nuk ka prurje të reja. Nuk ka aktivitete cilësore nga ana artistike, kështu dhe publiku, kryesisht të rinjtë nuk i mirëpresin, ndaj kemi qytete pa art, njerëz që kalojnë kohën në kafe”, thotë Elona një vajzë e re banore në këtë qytet.

Biblioteka e qytetit të Beratit. Foto: G. Hoxha

Ndërsa në përgjigjen e saj dhënë për Portën Vendore, ky institucion shprehet se ka pasur një axhendë të ngjeshur me aktivitete për grupmosha të ndryshme, nga qershori deri në gusht.

“Bashkia Berat gjatë sezonit turistik 2021, ka organizuar dhe vazhdon të organizojë një mori aktivitetesh, në funksion të turizmit dhe komunitetit. Me synimin për një zhvillim të ngjarjeve artistike e kulturore që nxisin promovimin e identitetit kombëtar e lokal si dhe mbështetjen e aktiviteteve sportive, çlodhëse e argëtuese për qytetarët”, thuhet në përgjigjen zyrtare të bashkisë duke mos dhënë detaje për vlerat e fondit që i janë dedikuar argëtimit dhe i ndarë në zëra por duke shtuar se: “Përveç aktiviteteve të sipërshkruara, Bashkia Berat do të jetë mbështetëse edhe për projektet që do të ofrohen në vijimësi përgjatë vitit 2021, pas konfirmimit në Bordin Artistik si një organizëm kolegjial vendimmarrës pranë institucionit të Bashkisë për artin dhe kulturën” përfundon bashkia në përgjigjen e saj referuar Portës Vendore.

E ndërsa, i largohesh qytetit të Beratit shpresat se mund të gjesh situatë më të mirë në dy bashkitë e tjera të Qarkut, në Poliçan dhe Skrapar, zbehen sapo mbërrin në to.

Poliçani vazhdon të ruajë traditën e tij të xhiros pasditeve në bulevardin e qytetit, ndërsa pjesa tjetër e ditës është thuajse bosh. Qyteti ku dikur prodhoheshin armë dhe municione dikur “ziente” nga jeta kulturore dhe artistike, ndërsa sot ditët rrjedhin thuajse njësojë për banorët.

Këtu çdo mbrëmje kishte festa. Kishte muzikë. Jepeshin shfaqje, koncerte, këtu “ziente” jeta, ndërsa sot aktivitetet mezi zhvillohen në ditët e festave dhe ato gati njësojë si çdo ditë”, kujton Agimi një pensionit që Porta Vendore kontaktoi.

Qyteti ka një qendër kulture, brenda të cilës ndodhet dhe biblioteka, pasi nuk ka një godinë të veçantë.

Biblioteka gjendet në një sallë brenda pallatit të kulturës dhe ka dy punonjëse. Salla është e ndërtuar e tillë me karrige, tavolina që përveç se mund të tërheqin libra mund t’i lexojnë edhe aty”, bëri me dije zyrtarisht në një përgjigje për Porta Vendore bashkia e këtij qyteti.

Por, dhe biblioteka e këtij qyteti nuk ofron tituj librash të rinj, ndaj dhe ata që e frekuentojnë më tepër janë pensionistët.

Më mirë të lexosh në internet një libër të ri, se te biblioteka nuk dihet nëse do të mbërrijnë ndonjëherë titujt e fundit”, thotë Eliza një e re nga ky qytet që ka hequr dorë nga frekuentimi i bibliotekës për shkak të mungesës së librave të rinj.

Në bashkinë e fundit të Qarkut të Beratit, në Skrapar, bashkia ka vite që ka “harruar” të bëjë diçka për artin dhe kulturën, ndaj dhe jeta konsiderohet bosh për banorët.

Skrapari, duket krejtësisht pa jetë pak pas orës 12:00, ndërkohë që banorët e qytetit nuk mbajnë mend se kur kanë ndjekur për herë të fundit një aktivitet kulture. Për kulturën ky qytet ka vetëm një punonjëse biblioteke, një fonist, një magazinier dhe dy sanitare.

Biblioteka e qytetit nuk ka pasur gjashtë 10 viteve të fundit asnjë fond për blerje librash. Dy mijë titujt e librave janë donacione të ndryshme, ndërkohë që 230 lexues janë në pritje të titujve të rinj”, thotë Xhuli Hoxha përgjegjëse e bibliotekës për Porta Vendore.

Iso polifonia është mjaft e njohur në këtë zonë, por grupi mblidhet vetëm për evente dhe merr pjesë në aktivitete, ku ftohet në të gjithë vendin.

Jeta kulturore dhe artistike është vetëm koncept në këtë qytet, pasi askush nuk flet për të dhe sytë e të gjithëve mbeten tek interneti dhe televizioni.

Pa ndonjë ndryshim të theksuar nga njëri-tjetri, në qytetet e vogla ofrohet pak mundësi argëtimi, ndaj dhe banorët kryesisht të rinjtë me zor e “vrasin” kohën aty ku jetojnë.

Balil Gjini, përkthyes dhe njeri i letrave në Berat, i pyetur nga Porta Vendore mbi kulturën në Berat dhe bashkitë përreth, është një zë kritik, pasi për të jeta kulturore në qytetet e vogla është një mjerim i madh.

Jeta kulturore në Berat dhe në bashkitë e tjera është mjerim i madh. Jo vetëm tani por edhe gjatë tranzicionit ka një vegjetim të llahtarshëm. Biblioteka jo vetëm në Berat por në të gjithë vendin, prej vitesh nuk kanë buxhet. Bibliotekat po mbahen me libra të vjetër, nuk ka riciklim të titujve dhe librave të rinj, ndaj unë i quaj këpucët e grisura të Hirushes. Shtëpitë e Kulturës, Teatrot po vegjetojnë gjithashtu, atyre punonjësve i paguhet rroga kot dhe rrinë. Në koncerte sjellin kur bëjnë, ca këngëtarë me ngjyra partiake, askush se di sa kushton ky event e sa u paguan këta këngëtarë, pra mungon transparenca”, thotë eksperti i kulturës, ndërsa kalimin e bibliotekës nën varësinë e pushtetit vendor e quan një gabim i madh. “Ishte një gabim trashanik. Kryebashkiakët kryesisht nuk e duan kulturën. E kanë kultivuar këtë pjesë si halë në sy”, shprehet Gjini për Portën Vendore.

Një tjetër shqetësim që ai ndan është roli i qytetarit në të gjithë këtë vorbull. Ai madje i vë gishtin edhe vetë qytetarëve duke i quajtur jo të interesuar për sektorin e kulturës, pasi nëse do të ishin vërtetë do të kishin gjetur një formë për të ushtruar presionin e duhur tek pushteti vendor për më shumë fonde e argëtim, për të gjitha grupmoshat në qytet.

“Edhe qytetarët se duan kulturën mendoj, dhe duket si një lidhje shkak pasojë. Qytetarët s’e duan dhe kryetari i bashkisë s’ua jep. Ka pasur më shumë mbështetje për kulturën dhe artin në qytetet tona në vitet 2000”, përfundon ai.