Ngjarje/Personazhe

Ndarja e stacioneve të plazhit, VKM-ja që solli përplasje në bregdet. Ekspertët: Duhet të ndryshojë

2 shtator 2021/ B.Gilaj/ Porta Vendore/

Ndarja e hapësirave të plazhit që shfrytëzohet nga privati krijuan në këtë sezon veror, si asnjëherë më parë, shumë përplasje mes bizneseve, ku ngjarja më tragjike ishte ajo e Velipojës në muajin qershor, e cila shënoi katër viktima. Por e gjitha kjo sipas ekspertëve duket se ndodhi pikërisht nga një VKM e vitit 2020, e cila u mori kompetencën e ndarjes së plazheve bashkive, duke e përqendruar marrjen e lejes nëpërmjet E-Albania. Kjo shkaktoi një kaos në ndarjen e hapësirave të bregdetit për bizneset, ndërsa ekspertët mendojnë se kjo detyrë i duhet lënë pushtetit vendor.

Deri në vitin 2019, këto hapësira në bregdet, ose siç njihen nga ligji “stacionet e plazhit”, administroheshin nga bashkitë dhe lejet lëshoheshin nga kryetari i bashkisë. Ndarja dhe mosmarrëveshjet mes atyre që përfitonin lejen zgjidheshin në terren nga inspektorët e bashkisë, të cilët vendosnin piketat kufitare për secilin stacion plazhi.

Në Mars 2019, qeveria miratoi një vendim, në të cilin përcaktoheshin rregullat për ndarjen e plazheve për subjektet private në vijën bregdetare shqiptare. Sipas këtij vendimi, ndarja e stacioneve të plazhit do të administrohej nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, (është institucion publik, i cili është i varur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit) e cila do të krijonte hartat dixhitale, në bashkëpunim me bashkitë, që kishin vijë bregdetare për ndarjen e stacioneve të plazhit në terren. Por në fund të sezonit turistik të vitit 2019, qeveria i akuzoi 11 bashkitë që kanë në administrim vijë bregdetare, për keqmenaxhim, kështu që administrimin e plazheve e kaloi në varësi të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, dhe aplikimin për të marrë leje e kaloi online nëpërmjet E-Albania.

Në Maj të vitit 2020, VKM e vitit 2019 u ndryshua në kushtet e pandemisë, duke u shtuar disa elementë, të cilët, sipas qeverisë, synonin të standartizonin plazhet, në kushtet e situatës me Covid-19.

Ndryshimet e vendimit u publikuan pikërisht më 27 maj 2020. Në bazë të këtyre përcaktimeve, lejet për përdorimin e plazhit do të jepeshin nga Bashkitë, pasi të kishin marrë më parë autorizim nga Grupi Teknik i Shqyrtimit të Aplikimeve (GSHTA). Kjo strukturë e re menaxhohet nga një grupim i gjerë, i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Që në vitin 2020, bizneset filluan të aplikojnë online, dhe me plotësimin e kushteve, u përcaktohej një hapësirë sipas hartës dixhitale, të cilët kanë të drejtë ta shfrytëzojnë kundrejt taksave të vendosura. Pra me këtë procedurë, gjithçka ndodh online dhe lejet jepen nga zyrat në Tiranë, pa u verifikuar pozicioni i hotelit, historiku i përdorimit të asaj hapësire në plazh dhe asnjë inspektim në terren, siç ndodhte në rastin e bashkive.

Në vitin 2020, këto leje ishin të pakta për shkak të pandemisë dhe nuk pati përplasje mes palëve, por në Dhjetor 2020, Vendimi i Këshillit të Ministrave ndryshoi sërish, për të tretën herë në më pak se dy vjet. Me ndryshimet e vendimit të datës 24 dhjetor 2020, kërkesat për leje që do të dorëzohen nëpërmjet E-Albania do të shqyrtohen dhe përgjigja do të jepet brenda dy ditësh nga GSHTA, duke shmangur bashkitë. Pikërisht ky vendim u vu në zbatim për sezonin turistik të vitit 2021. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave të dhjetorit 2020, aplikimet në e-Albania duhet të dorëzoheshin nga 17 maji deri 5 qershor 2021. Shumë prej operatorëve turistikë deklaruan në fillim të sezonit se i kanë dorëzuar aplikimet e tyre me qëllim që të nisin aktivitetin tregtar pas një situate shumë të vështirë me pandeminë gjatë vitit të kaluar. Por shumë prej operatorëve nuk morën përgjigje brenda kohës së caktuar.

Eksperti i pushtetit Vendor, Agron Haxhimali shprehet se disa nuk kishin arritur të marrin lejet as në muajin korrik, ndërkohë që afati ishte 5 qershor. “Për mua nuk ishte zgjidhje e mirë dhe këtë qëndrim e kam thënë që kur kryeministri njoftoi se do bënte një gjë të tillë. Koha tregoi se përqendrimi i lejeve në një dorë të vetme dhe shumë të largët nga grupet e interesit nuk qe efektiv. Kjo mënyrë solli burokraci dhe vuri në vështirësi të interesuarit për hapësira ranore në vijën bregdetare. Por unë këtë veprim e shikoj edhe si etje për centralizim nga ana qeverisë, ndërkohë që duhet të jetë e kundërta. Pra duhet t’ua linte bashkive. Lejet në E-Albania krijuan një mal me kërkesa, ndërkohë që përgjigjet konsumuan një mal me kohë të humbur, çka edhe në mesin e sezonit shumë hapësira ishin të papajisura me leje, edhe pse aplikimet ishin bërë me kohë”, shprehet Haxhimali.

Në këtë situatë ishin edhe bizneset, të cilët u përfshinë në përplasje me armë në Velipojë. Në mungesë të lejeve, pronarët e dy hoteleve “Fantazia” dhe “Gocaj” në bregdetin e Shkodrës, u munduan të zgjidhin vetë situatën, duke përfunduar në përdorimin e armëve dhe përfundimin tragjik.

Por kjo nuk ishte ngjarja e vetme. Një përplasje tjetër ndodhi në plazhin e Ksamilit. Biznesmeni Albert Sula deklaroi për Portën Vendore se atij nuk i ishte dhënë leja për hapësirën që kishte shfrytëzuar sipas rregullave për 16 vite me radhë. “Në hapësirën publike të plazhit prej 1187 metrash katrorë, që unë posedoj me kontratë të rregullt me Komunën Ksamil dhe më pas me Bashkinë e Sarandës për 16 vjet dhe që kam investuar shumë në të në shërbim të pushuesve, në mënyrë abuzive, ditën që u hap sezoni turistik, ndryshe nga sa më dërguan konfirmimin, më janë hequr 400 metra katrorë, sipërfaqe në zemrën e plazhit, para hotelit tim cilësor. Kjo sipërfaqe është ndarë në tre copë dhe sipas meje ndarja ka qenë abuzive për të favorizuar dikë tjetër”, u shpreh biznesmeni Sula. Ai sqaroi se iu shmang një përplasje që mund të kishte pasoja të rënda, duke zgjedhur rrugën e ligjit. “Kam zgjedhur rrugën ligjore, rrugën e qytetarisë për zgjidhjen e problemit, pavarësisht se ata që plotësuan aferën korruptive, kanë zgjedhur rrugën e Velipojës me 4 të vrarë”, shprehet ai i indinjuar.

Pra, përtej përcaktimeve të detajuara, situata në terren rezultoi tërësisht më ndryshe se sa ajo që shkruhej në vendimet e njëpasnjëshme të Këshillit të Ministrave. Në këto kushte, eksperti Haxhimali mendon se qeveria duhet të rishikojë këtë vendim. “Mendoj se duhet t’u rikthehet bashkive. Bregdeti shqiptar nga Adriatiku në Jon, gati 320 km, nga pikëpamja territoriale dhe kufitare i përket 11 bashkive shqiptare. Ndaj mendoj që edhe në frymën e decentralizimit dhe fuqizimit të bashkive, edhe për të shuar burokracitë qendrore, për të rritur konkurrencën mes bashkive dhe për të nxitur modele pune dhe konkurrimi, por dhe bazuar në parimin që shërbimet të ofrohen nga institucionet që janë sa më afër qytetarëve dhe bizneseve, kjo përgjegjësi duhet t’i kalojë bashkive. Sigurisht çdo bashkëpunim dhe koordinim me institucionet vertikale dhe horizontale duhet të funksionojë. Ama edhe vetë bashkitë duhet të demonstrojnë një performancë bindëse në menaxhimin e stacioneve dhe vijës bregdetare, jo vetëm për plazhin stinor për përgjatë gjithë vitit”, shprehet Haxhimali.

Por pse e ndryshoi qeveria një vendim të tillë, duke shkaktuar kaos në ndarjen e stacioneve të plazhit dhe cili është modeli më i mirë. “Qeveria s’ka besim se këtë përgjegjësi e bën mirë pushteti vendor, por edhe dëshira e madhe e qeverisë për të pasur nën kontroll çdo gjë. Ka modele menaxhimi të bregdetit nga qendra, sikundër dhe nga niveli vendor, por bindja ime është se më mirë e kryejnë këtë detyrë 11 bashkitë bregdetare se një agjenci me numër dhe kapacitete të kufizuara”, përfundon eksperti Agron Haxhimali.

Vendimi  Nr. 171, datë 27.3.2019 “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, thotë në nenin 4, pika 2 se: “Ndarja e sipërfaqes së plazhit të lejuar si plazh privat/publik do të bëhet proporcionalisht, sipas raportit 80%/20% dhe në mënyrë perpendikulare me vijën bregdetare. Hapësira e çdo plazhi (publik ose privat) kufizohet me vijën bregdetare”, ndërkohë që kjo nuk ndodh sikurse ligji e kërkon. Në të njëjtin vendim shprehet gjithashtu se: “a) për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të respektohet një distancë prej të paktën 7.5 (shtatë pikë pesë) m nga vija e bregut të detit, liqenit, lumit; b) hapësira prej 2.5 (dy pikë pesë) m përpara brezit të parë të çadrave të jetë e lirë për t’u shfrytëzuar nga publiku; c) hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) nuk duhet të jetë më e vogël se 3 (tre) m në linjë horizontale me vijën e ujit, si dhe jo më e vogël se 2.5 (dy pikë pesë) m në linjë vertikale me vijën e ujit”. Por me pandeminë rregullat për bizneset e turizmit thuhej në protokoll se çadrat duhet të jenë 3 metra larg njëra-tjetrës.

Megjithatë, sezoni turistik pritet të përfundojë në muajin tetor dhe nëse kjo detyrë do të vazhdojë të jetë kompetencë e pushtetit qendror apo atij vendor mbetet në vullnetit e qeverisë.