Vëzhgim/Analizë

Mundësi të pakta për zhvillim, 8 qarqe mbahen vetëm me bujqësi

1 shtator 2021/ Aurora Sulce/ Porta Vendore

Pjesa më e madhe e qarqeve të vendit ofrojnë punë kryesisht në bujqësi, një sektor që ka paga të ulëta dhe për të cilin nuk duhen aftësi të mëdha apo kualifikime. Ndërkohë që punësimi në sektorë si shërbimet, industria dhe turizmi, që mundësojnë kushte dhe pagesa më të mira, gjendet në masë vetëm në qytetet e mëdha, si Tirana, Durrësi, Lezha dhe Vlorë.

Të dhënat e Institutit të Statistikave, (që duken qartë edhe në grafikun e mëposhtëm) dëshmojnë se Kukësi, Dibra, Berati dhe Elbasani janë qarqet, ku struktura e punësimit është e orientuar dukshëm nga bujqësia. Më saktësisht, në Kukës 72% e totalit të të punësuarve janë në bujqësi, në Dibër kjo shifër përllogaritet në 65%, në Berat 64% dhe në Elbasan 62%. Punësimi në industri në këto qarqe varion nga 8 deri më 11%, ndërsa në shërbime nga 21% deri më 27%.

Pesha që bujqësia zë në strukturën e punësimit mbetet e lartë edhe në qarqet e tjera të vendit, si Fieri, Korça, Gjirokastra dhe Shkodra, ndërkohë që ajo përmbyset vetëm në rastin e katër qarqeve që janë Tirana, Durrësi, Lezha dhe Vlora. Siç duket edhe nga grafiku, të punësuarit në këto zona janë kryesisht në shërbime dhe industri. Kjo tregon se në këto qarqe janë të përqendruara edhe pjesa dërrmuese e bizneseve dhe kompanive prodhuese, tregtare apo atyre që ofrojnë shërbime të lidhura me sektorë të ndryshëm.

Ekspertët e ekonomisë argumentojnë se struktura e punësimit është e lidhur edhe me nivelin e zhvillimit ekonomik të këtyre zonave. Adrian Civici, ekspert për politikat ekonomike shpjegon për Porta Vendore se qarqet që punësimin e kanë të orientuar nga bujqësia janë më të varfrat dhe e kundërta, me qarqet ku punësimi është i përqendruar në sektorë të tjerë. “Struktura e punësimit sipas qarqeve në Shqipëri reflekton qartë strukturën ekonomike në vend dhe shpërndarjen e aktiviteteve ekonomike nga pikëpamja territoriale. Katër qarqe: Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Vlorë, që janë dhe qarqet që ofrojnë më shumë shërbime, veçanërisht shërbime në sektorin e turizmit, rezultojnë me numrin më të madh të të punësuarve në këtë sektor, i cili kalon ndjeshëm dhe të punësuarit në industri. Ndërsa katër qarqe të tjera ‘bujqësorë e ruralë’, si Kukësi, Dibra, Berati dhe Elbasani dominohen nga të punësuarit në bujqësi dhe agropërpunim. Nëse do ta lidhnim këtë analizë me nivelin e pagave, shkallën e varfërisë, nivelin e produktivitetit të punës, nivelin e konsumit dhe investimeve, qarqet ‘bujqësore’ vazhdojnë të jenë dukshëm më të pazhvilluara dhe më të varfra”, shprehet Civici.

I të njëjtit mendim është edhe eksperti Eduart Gjokutaj, drejtues i qendrës studimore Altax. Ai shpjegon për Porta Vendore se qarqet e orientuara nga bujqësia kanë mundësi të pakta zhvillimi dhe rrjedhimisht, thithin më pak investime publike dhe private. Kjo bën që njerëzit të mos kenë mundësi të tjera punësimi, përveç bujqësisë. Rrjedhimisht, struktura e punësimit futet në një rreth vicioz.

Struktura e tregut të punës midis bashkive të vendit ka ngjashmëri në bashkitë që kryesisht karakterizohen nga tregues zhvillimi të dobët të sektorëve të prodhimit, ndërtimit dhe transportit. Në bashkitë e Kukësit, Dibrës, Beratit, Elbasanit, Fierit, Korçës dhe Gjirokastrës duket se punësimi në sektorit agro-bujqësor është orientimi më i madh i tregut të punës, që në fakt tregon për mundësi të vogla të ekonomisë për të zhvilluar aftësitë e punonjësve përtej sektorit agro-bujqësor. Me nivelin mbi 55% të fuqisë punëtore të angazhuar në bujqësi në Gjirokastër dhe duke arritur deri në 72% në Kukës është edhe ndikues në vlerën e shtuar ekonomike. Në rastin kur kemi një produkt të vlerës së shtuar nga prodhimet bujqësore, kjo ndikon edhe në ecurinë me ritme të ulta të vetë prodhimit të brendshëm. Ndërsa, shikohet një sektor bujqësor që mban më shumë se gjysmën deri në mbi 2/3 e fuqisë punëtore duket se prodhimi industrial dhe sektorët e tjerë, mbajnë një nivel të ulët të fuqisë punëtore, e cila shprehet edhe me nivelin e ulët të jetës sindikale, që kryesisht mbahet gjallë dhe forcohet në sektorët ku ka më shumë prezencë të punonjësve të sektorit industrial (prodhim, ndërtim, transport).

Ndërsa, shihet se fuqia punëtore në bashkitë e Tiranës, Durrësit, Lezhës dhe Vlorës është e akomoduar në sektorin e shërbimeve. Një e përbashkët e tregut të punës rreth shërbimeve në këto Bashki duket se vjen në masë dominuese nga shërbimet turistike, por edhe ato që lidhen me shërbimet fason (call center) si dhe shërbime të tjera që përkojnë me afërsinë e këtyre bashkive me portet dhe transportin detar. Tirana, si bashkia më e madhe dhe kryeqyteti i vendit ka një strukturë të tregut të punës të mbizotëruar në 2/3 e tij nga shërbimet, për arsye të nivelit të lartë të operatorëve të shërbimeve fason, por edhe shërbimeve dhe tregtisë me pakicë, që lidhen me aktivitetet e tjera të ekonomisë si ndërtim dhe transport. Aktiviteti i ndërtimit dhe prodhimi industrial në tërësinë e tij është gjithashtu në nivele mbizotëruese në Tiranë dhe bashkitë e tjera me fuqi punëtore të shtuar në shërbime, si një orientim i ekonomive rajonale drejt zhvillimeve të investimeve publike dhe private të dekadës së fundit drejt infrastrukturës në tërësi, por edhe prodhimeve për eksport”, argumenton Gjokutaj.

Struktura e punësimit, bazuar në të dhënat e INSTAT, tregon se zhvillimi ekonomik i vendit është i përqendruar kryesisht në trekëndëshin Tiranë Durrës Vlorë. Këtu janë vendosur pjesa dërrmuese e bizneseve dhe investimeve. Rrjedhimisht, është ky trekëndësh që kontribuon më shumë në rritjen ekonomike të vendit (Prodhimin e Brendshëm Bruto) dhe që përfiton më shumë prej saj. Zonat e tjera, që janë të orientuara nga bujqësia, mbeten jashtë një konfigurimi të tillë dhe mundësitë e tyre për zhvillim janë të limituara. Kjo bën që rritja ekonomike e Shqipërisë të mos jetë gjithëpërfshirëse, por përjashtuese, pasi lihen jashtë zhvillimit zona të caktuara, ku mundësia e vetme për mirëqenie mbetet emigracioni.

Është e domosdoshme që analiza të trajtojë problemin e mprehtë e domethënës të rritjes ekonomike cilësore dhe rritjes ekonomike gjithë përfshirëse, të cilat kërkojë vizion, vullnet politik e politika konkrete ekonomike e zhvilluese për një “shpërndarje” e zhvillim më harmonik e proporcional të degëve e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, veçanërisht atyre me produktivitet të lartë dhe vlerë të re të shtuar të lartë. Shqipëria duhet ta shohë përparësi problemin e transformimit nga një ekonomi me rritje ekonomike përjashtuese për mjaft qarqe e zona, drejt një rritje ekonomike cilësore e gjithë përfshirëse”, shprehet Adrian Civici për Porta Vendore.

Eksperti Eduart Gjokutaj shpjegon se përballë mungesës së mundësive për tu punësuar në sektorë premtues dhe me paga të larta, banorët në qarqet e orientuar nga bujqësia emigrojnë. Kjo krijon probleme për ekonominë e vendit, ndaj sipas tij, qeveria dhe pushteti vendor duhet të marrin masa për të krijuar një treg pune cilësor. “Megjithatë, për sa kohë që vetë punonjësit e sektorëve të tillë, si bujqësia ndihen të rrezikuar nga mbajtja e pandryshuar e kërkesës së tregut për produkte dhe shërbime, kjo do të ketë ndikim në ekzistencën e një fuqie punëtore të lidhur jo ngushtë me vendin e punës, e cila e sheh vijimësinë e saj duke emigruar/ punuar në vendet përreth apo në vendet e tjera evropiane. Kjo ka ndikim të madh në stabilitetin e fuqizimin e aftësive të punonjësve, pasi i mban të distancuar dhe jo të angazhuar plotësisht ata në disa bashki të vogla (por edhe bashkitë e mëdha) në punë që konsiderohen se paguhen pak dhe nuk kanë një ardhmëri të dukshme që të lerë hapësira për një jetesë më të mirë.

Si rrjedhim, në mënyrë që vetë politikat e bashkive të vogla dhe të mëdha të kenë një produktivitet të qëndrueshëm të përpjekjeve për ndihmë dhe mbështetje të fuqisë punëtore të orientuar drejt sfidave të tregut të punës së denjë dhe cilësor duhet që të konsiderohen veprime të atilla që pakësojnë risqet (p.sh. të fermerëve) për produktet e tyre, por edhe të promovohen lidhje të reja ndryshe nga këto që ekzistojnë drejt orientimit të tregut sipas proceseve industrializuese dhe me kapacitete në rritje të cilësive të vendeve të punës. Kjo vlen kryesisht për mbajtjen e fuqisë punëtore që hyn për herë të parë për çdo vit dhe që kanë një shtytje më ë madhe për tu larguar nga vendi i tyre”, shprehet Gjokutaj për Porta Vendore.

Çdo qeveri që ka ardhur në pushtet në 30 vitet e fundit ka premtuar një model të ri ekonomik, që do të garantonte një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë. Por fakti që edhe sot pas tre dekadash, në pjesën dërrmuese të qarqeve të vendit, qytetarët nuk kanë alternativa të tjera për të siguruar të ardhura përveç tokës, tregon qartësisht se ekonomia nuk po zhvillohet sipas një modeli, por në mënyrë spontane, si gjithmonë.