31 gusht 2021/ Eliza Gjediku/ Porta Vendore
As ndarja e re territoriale, që ndër synimet kryesore kishte rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin e çdo njësie administrative, dhe as tranzicioni ekonomik, nuk kanë arritur të shmangin pabarazinë në të ardhurat për frymë nëpër bashkitë e vendit. Raportet e Institucioneve shtetërore flasin për thellim të pabarazisë në zhvillimin ekonomik të qyteteve në vend. Të ardhurat për frymë në pesë qarqe të vendit arrijnë deri në 2.2 dollarë në ditë. Qarqet e veriut të vendit duken më të varfrat, por nuk mungojnë dhe të tjerat. Në qarqet Kukës, Elbasan, Dibër, Lezhë dhe Shkodër, të ardhurat vjetore për frymë janë poshtë 434 mijë lekëshit, ndërsa e kundërta ndodh në Tiranë aty ku është përqendruar vëmendja, pasi të ardhurat vjetore arrijnë në 802 mijë lekë.
Referuar raportit më të fundit të INSTAT, hendeku në të ardhurat për frymë u thellua më shumë në vitin 2019, ku tre qarqe përjetuan ngadalësim ekonomik, krahasuar me vitin 2018.
“Rritja ekonomike u ngadalësua në Dibër, duke shënuar një rënie në terma realë prej 2,89 %, më tej renditet Qarku Kukës me një rënie në terma realë prej 2,80 % dhe Qarku Berat me një rënie reale prej 2,06 % të PBB-së për vitin 2019, krahasuar me vitin 2018”, thuhet në raportin e INSTAT.
Edhe pse të ardhurat në 10 vitet e fundit janë rritur në të gjitha qarqet e vendit, Kukësi vijon të jetë më i varfëri në Shqipëri, i ndikuar më së shumti sipas ekspertëve nga mungesa e investimeve të deritanishme si dhe emigrimi masiv.
Mesatarisht të ardhurat për frymë në Kukës në vitin 2019 ishin 359.4 mijë lekë, me një rënie krahasuar me vitin 2018 kur ishin 362.8 mijë lekë.
Më pas, ndёr qarqet mё tё varfër është Elbasani me të ardhura për frymë 412.3 mijë lekë, me rritje nga viti paraardhës, ndjekur nga Lezha e Shkodra me të ardhura 427.1 mijë lekë, dhe Dibra me 434 mijë lekë. “Janë rrethe, në të cilat edhe përqendrimi ekonomik është shumë i ulët dhe normalisht edhe të ardhurat janë më të ulëta, por natyrisht një pjesë e mirë e individëve varen nga remitancat dhe të ardhurat nga emigrantët. Natyrisht dhe informaliteti është shumë i lartë dhe për këtë arsye edhe të ardhurat janë të ulta”, shprehet ish-drejtori i Agjencisë së Investimeve në vend Gent Beqiri.
Situata ekonomike nëpër rrethe është dramatike edhe sipas ekspertit të ekonomisë Vjoldi Danaj, sidomos në këto qarqe ku baza janë remitancat. “Të 5 këto qarqe kanë qenë historikisht të varfra dhe me vështirësi ekonomike në Shqipëri, arsyet janë të shumta sidomos në vitet e fundit. Remitancat kanë bërë punën e tyre sepse kanë qenë qarqe që janë mbajtur nga emigracioni. Por ulja ekonomike që kanë pasur vendet e tjera jashtë Shqipërisë, ka ndikuar edhe tek ekonomia e këtyre vendeve, pasi emigrantët nuk sjellin më aq të ardhura sa vitet e kaluara. Duke pasur parasysh që 90% e qytetarëve në vend kanë të ardhura 5.5 dollarë dita, këto 5 qarqe paraqiten me 2.2 dollarë dita. Kjo do të thotë se situata është dramatike”, shprehet Danaj për Porta Vendore.
Ky nivel i ulët i të ardhurave sipas ekspertëve ka marrë goditjen e radhës nga pandemia. “Pandemia mendoj thjesht ka thelluar më tej problemet e mëdha strukturore që karakterizojnë këto qarqe”, thotë Merita Toska eksperte për financat vendore.
Argument ky, i cili mbështetet edhe në raportin për financat vendore të vitit 2020, ku të ardhurat e mbledhura u ulën me më shumë se 5%.
Por në një kohë kur minimumi jetik në Shqipëri mbetet e papërcaktuar dhe për sa kohë nuk do të ketë të dhëna konkrete mbi varfërinë, rreziku që me mijëra qytetarë të kalojnë në varfëri çdo vit është i lartë.
Më shumë se 23% e shqiptarëve në vitin 2019, gjatë një anketimi të kryer nga Instituti i Statistikave, janë shprehur se rrezikojnë të kalojnë në varfëri, si pasojë e të ardhurave të ulëta, papunësisë dhe privimit social.
Konkretisht ¼ e popullsisë thotë se ishte në rrezik varfërie në vitin 2019, që merret si referencë për situatën më pozitive ekonomike deri në momentin e tërmeteve të shtatorit dhe nëntorit të atij viti. Rreth 650 mijë qytetarë nga 2,829,741 banorë që ka në total Shqipëria, janë vlerësuar që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër.
Duke u përqendruar tek 5 qarqet me të ardhurat më të ulëta për frymë, ekspertët e ekonomisë dhe të financave vendore ngrenë si shkakun kryesor ‘polarizimin’ e investimeve. Duke qenë se rajoni qendror ku përfshihet Tirana është kthyer në një ‘monopol’ për investime, për numrin e bizneseve dhe për punësim, rajonet e tjera kanë kaluar në plan të dytë.
Ish presidenti i Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) Gent Beqiri, sqaron për Portën Vendore se investimet nuk duhet të kuptojnë vetëm infrastruktura rrugore, por edhe ato në industri. Kukësi është një nga rajonet që mund të përfitojë shumë nëse ka investitorë në agroturizëm. “Patjetër që mungesa e investimeve është një ndër elementët kryesorë, por jo vetëm investimet publike apo të huaja, por ka lidhje edhe me numrin e popullsisë, edhe me infrastrukturën, pasi kur flitet për një zonë si Kukësi patjetër bëhet fjalë për më gjerë. Sugjerimi është që të ketë një stimul për agroturizmin, apo turizmin 365 ditë, që nuk varet vetëm me detin, këtu mund të ketë disa stimuj të qeverisë”, shprehet Beqiri.
Ndërsa ekspertja e financave vendore Merita Toska, teksa flet për këtë pabarazi të krijuar, përqendrohet te mungesa e koordinimit institucional në vend, që përkthehet në kosto në kurriz të qytetarëve. “Niveli i të ardhurave në nivel qarku është rezultat i shumë faktorëve që veprojnë dhe ndërveprojnë mes tyre. Shpërndarja e investimeve në territor nuk është e balancuar dhe shpesh nuk sjell rezultatet ekonomike të dëshiruara: kjo mbase sepse investimet vendosen në mënyrë të qendërzuar pa marrë mendimin e qeverisjes lokale (bashkive) apo të komuniteteve”, shprehet për Portën Vendore, Merita Toska.
Ndërkohë në rang kombëtar të ardhurat mesatare për frymë në vitin 2019 sipas të dhënave të INSTAT ishin 588.4 mijë lekë, por pësuan një rënie të fortë në vitin e pandemisë me më shumë se 36 mijë lekë.
Turizmi ‘çelësi’ i këtyre qarqeve për të dalë nga varfëria!
Turizmi mund të jetë rruga e shpëtimit nga varfëria për këto qarqe sipas ekspertëve. Edhe pse çdo vit përsëritet e ripërsëritet fraza që Shqipëria do të kthehet në një vend ku bëhet turizëm në 12 muaji të vitit, në terren ndodh e kundërta, pasi e gjithë vëmendja për investime është e përqendruar në vijën bregdetare, ndërsa investimet në zonat malore janë të pakta e kryesisht private.
Jeta Hoxha, eksperte për çështjet e turizmit, thotë për Portën Vendore se nëse investimet në këto qarqe do të shtohen me orientim turizmin, banorët do të fuqizoheshin ekonomikisht dhe do të frenohej emigrimi. “Zhvillimi i turizmit rural do të ndihmonte popullatën në zona të tilla që të diversifikojnë aktivitetet e tyre dhe të fitojnë disa të ardhura shtesë, duke i motivuar banorët të qëndrojnë në zonat e tyre. Në përgjithësi, do të kontribuonte në zhvillimin e balancuar të rajoneve të Shqipërisë, pasi pjesë të veçanta të vendit janë braktisur për shkak të gjendjes së tyre të pazhvilluar”, pohon Jeta Hoxha eksperte për çështjet e turizmit dhe përfaqësuese e një agjencie turistike.
“Potencialet turistike janë të ndryshme, por deri tani Lezha po i shfrytëzon më shumë prej bregdetit”, shprehet për Portën Vendore Kliton Gërxhani, nënkryetar i Shoqatës Shqiptare e Tur-operatorëve & Agjencive Turistike.
Kurse Kliton Gërxhani, nënkryetar i Shoqatës Shqiptare e Tur-operatoreve & Agjencive Turistike shprehet se; “Janë qarqe me potencial të ndryshëm. Po ti rendis nga qarku me potencialin më të madh tek më i vogli renditja është kjo: Shkodër, Lezhe, Elbasan, Dibër, Kukës. Sa i takon shfrytëzimit të kapaciteteve Lezha i ka shfrytëzuar më shumë pastaj Shkodra, të tjerat më pak”.
Ndërtimi i bujtinave, investimi për të pasur infrastrukturë të mirë rrugore, ndërtimi i në një pistë të mirëfilltë skish në dimër, apo edhe krijimi i mundësisë për sporte të ndryshme që mund të zhvillohen në zonat malore, do të rriste të ardhurat në këto rajone. “Duhet të punojmë që individët ti mbajmë më tepër sesa një fundjavë apo më tepër sesa një natë dhe kjo është një mënyrë e mirë”, thotë eksperti Gent Beqiri. “Turizmi sidomos është baza për të gjithë sepse ka vende turistike që mund të zhvillohen. Por jo vetëm infrastruktura madhore, por edhe infrastruktura brenda bashkive të këtyre qarqeve”, shprehet eksperti Vjoldi Danaj.
Por për të arritur tek një turizëm i shtrirë në kohë që rrit mirëqenien dhe të ardhurat për familjet atje, duhet punuar edhe për ngritjen e shkollave profesionale, të cilat trajnojnë të rinjtë për një profesion të caktuar si dhe ndikojnë në frenimin e emigrimit.
“Duhet të flitet edhe për disa sektorë të tjerë dhe të ketë shkolla teknike edhe në IT, sepse individët janë të tërhequr nga inovacioni. Di që Lezha dhe Shkodra kanë shkolla profesionale dhe në Kukës duhet të bëhet diçka e tillë, dhe shkollat profesionale të mos jetë vetë për studentët që i përkasin zonës por të ketë stimuj për bursa, për konvikte, të ketë një kampus të mirë edhe për të tërhequr studentë edhe nga qytetet e tjera. Pra të ketë një lloj elite për shkollat profesionale”, shprehet ish kreu i AIDA-s.
Edhe pse kanë mundësi për të zhvilluar turizmin, duhet të hartohen plane-investimi specifike për secilin rajon, pasi dhe profilet janë të ndryshme thotë eksperti Gërxhani.
“Janë qarqe me profile te ndryshme. Prandaj dhe kanë nevoja jo krejt të njëjta. Mbi te gjitha kanë nevoje për një vizion te qarte se çfarë turizmi duan te zhvillojnë në vendin e tyre, bazuar edhe në potencialin që kanë. Shkodra qe ka potencialin me te madh nga te gjithë te tjerat, duhet te fokusohet ne jetësimin e liqenit te Shkodres, zhvillimin e kontrolluar ne Velipojë dhe Theth qe kane presion nga turizmi masiv, përmirësimin e infrastrukturës se turizmit kulturor dhe zhvillimin e turizmit malor ne zonat me pak te zhvilluara. Bujtinat dhe agriturizmi janë shume te rëndësishme ne qarqet e Dibrës dhe Kukësit, por edhe ne Elbasan, Shkodër dhe Lezhe. Një investim ne ski ne zonën e Dibër ose Kukës do i jepte një hov të madh zhvillimit të turizmit në këto zona dhe jo vetëm”, shprehet Gërxhani.
Jo vetëm mungesa e investimeve por edhe promovimi luan një rol të rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin e turizmit në këto rajone.
“Shqipëria është e një vend shumë atraktiv. Paketat që ofrohen janë nga natyra e paprekur deri në aspektet kulturore, kulinare, malet, lumenjtë, parqet, vendet e skive,apo harmonia fetare. Kombinimi i këtyre aseteve jep një produkt goxha me vlerë të lartë, por që fatkeqësisht nuk promovohet ashtu siç duhet”, pohon Jeta Hoxha.
Kukësi është një nga qarqet që nuk është rrahur shumë mediatikisht, por edhe nga institucionet për destinacionet turistike që ka. “Kukësi ka potenciale për të qenë një vend turistik, pasi posedon të gjithë larminë e elementëve turistikë si: relievin, ujin e bollshëm liqenor-lumor dhe burimor, malet, liqenin, lumenjtë, livadhet alpine, bjeshkët mundësitë për ushtrimin e llojeve të ndryshme të sportit si në futboll, hipizëm, rrëshqitje me ski etj. Rreth brigjeve të liqenit mund të ngrihen pika turistike dhe stacione barkash me vela ose skafe, ndërsa në bjeshkë mund të ngrihen shtëpi pushimi për pushuesit e turistë. Këto investime do të tërhiqnin me mijëra vizitor në të gjitha stinët dhe muajit e vitit, por deri tani është bërë shumë pak”, pohon ekspertja për çështjet e turizmit.
Vetëm në vitin 2019 zonat e mbrojtura të qarkut e Kukësit, të tilla si Lugina e Valbonës, Lumi i Gashit apo Korab-Kortnik janë vizituar nga rreth 150 mijë turistë vendas e të huaj. Por në këtë qark janë me dhjetëra destinacionet turistike të fokusuara në turizmin malor por edhe agroturizëm, për këtë arsye zhvillimi i këtij sektori është domosdoshmëri sipas ekspertit Beqiri, sidomos tanimë që në Kukës është ndërtuar aeroporti i dytë ndërkombëtar dhe është funksional.
“Investimet e reja në këto zona duhet të jenë të ndërlidhura me sektorët më të zhvilluara aty, po përmend Kukësin, meqë do të ketë një aeroport të ri është e rëndësishme që sektorët të zhvillohen edhe me shkolla profesionale”, thotë Gent Beqiri.
Të njëjtin fat mund të ketë edhe Lezha, Shkodra, Dibra apo Elbasani, sipas ekspertëve, pasi kanë marrë një numër të konsiderueshëm vizitorësh në vitin 2019, rreth 1,201,712 turistë vendas e të huaj vetëm për zonat e mbrojtura për të cilat raportohen edhe të dhëna të sakta.
Destinacionet kulturore, natyrore dhe historike të Shkodrës në vitin 2019 tërhoqën 821.7 mijë turistë vendas e të huaj, por mundësitë janë më të mëdha. Sipas ekspertit të ekonomisë Vjoldi Danaj është lënë pas dorë për shkak të konflikteve politike.
“Shkodra në vitet e fundit është lënë pas dore mendoj unë për arsye politike, pasi qeverisja vendore ka ngjyrim të kundërt nga qeverisja vendore dhe ky është një nga faktorët kryesor përse dhe Shkodra nuk ka pasur investime të rëndësishme”, tha Danaj.
Ndërsa Elbasani, për eksperten e turizmit Jeta Hoxha është shumë larg asaj që duhet të jetë. “Në Elbasan ka potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit por investimet mungojnë. ”, pohon Hoxha, teksa shton se opsionet turistike janë të shumëllojshme në këtë qark.
“Elbasani ka një portofol të madh asetesh kulturore, arkeologjike, por që ende nuk kemi arritur t’i shfrytëzojmë këto. Turizmi në Elbasan nuk është vetëm një vizitë në kala, apo në ujërat termale por duhet një politikë që të ndryshojë tërësisht imazhin dhe të zhvillojë turizmin atje” thotë ekspertja Hoxha.
Parqet e kombëtare dhe zonat e mbrojtura të Elbasanit tërhoqën mbi 80 mijë turistë në 2019. Këto të shifra janë premtuese dhe nëse investohet në pikat e lartpërmendura turizmi është shpresa kryesore për ri-ngritjen e këtyre zonave.
“Impakti që ka turizmi në zhvillimin ekonomik është shumë i madh, sidomos ne zonat e thella ku mundësit e zhvillimit te ekonomive te tjera veç turizmit janë te vështira prej kushteve te klimës dhe gjeografisë, turizmi është shpresa kryesore e këtyre zonave”, pohon Gërxhani.
Aeroporti i Kukësit dhe Rruga e Arbrit, investime që japin shpresë!
Dy investimet madhore, koncesioni i Rrugës së Arbrit dhe ai i Aeroportit të Kukësit janë tepër të rëndësishme për zhvillimin e pjesës më të madhe të këtyre qarqeve.
“Investimi i rrugës së Arbrit dhe i aeroportit të Kukësit, ky i fundit nëse do të jetë vërtet funksional dhe nuk e di nëse Shqipëri i ka kapacitete për ti vënë 100% në punë, por duke e marrë të mirëqenë që do e vendosi 100% në punë atëherë po, ky investim do të sjelli shumë të ardhura dhe do të ndikojë në mënyrën e jetesës. Edhe rruga e Arbrit do të ndikojë pozitivisht por gjithsesi varen nga strategjinë tona kombëtare”, shprehet eksperti Danaj.
Të dyja këto investime sipas ish-drejtorit të AIDA-s, Gent Beqiri do sjellin përmirësim të situatës ekonomike më shumë për Kukësin e Dibrën, por edhe për gjithë vendin në tërësi, pasi do të sjellin fluks më të madh turistik, por nga ana tjetër do të rrisin edhe punësimin.
“Janë elementë shumë të rëndësishëm, por aeroporti i Kukësit mund të gjallërohet akoma më shumë edhe nëse ne ngremë një flotë kombëtare, që të mos kemi vetëm fluturime me jashtë por edhe nga Kukësi drejt Tiranës, apo Vlorës. Duhet parë edhe në këtë prizëm. Nga Aeroporti i Kukësit duhet të shikohet mundësia edhe për fluturimet turistike në alpe që bëhen në disa aeroporte si ai i Lubjanës që ka zhvilluar fluturime turistike apo fluturime me avionë të lehtë. Rruga e Arbrit është shumë e rëndësishme, gradualisht aty më pas do të kemi edhe një mënyrë tjetër për të parë vendet e tjera, për të kaluar në Maqedoni, do të jetë një urë lidhëse për shqiptarët me Maqedoninë e Veriut. Kjo rrugë do i japi një zhvillim të rëndësishëm vendit”, shprehet Beqiri.
Rruga e Arbrit që ka një gjatësi prej rreth 75 kilometra, do të shkurtojë distancën mes Tiranës dhe Dibrës, dhe do të lidhë Tiranën me Maqedoninë e Veriut, pritet të hapet në vitin 2022, ndërsa vlera e këtij investimi është 33.6 miliardë lekë.
Ndërsa nga aeroporti i Kukësit fluturimi i parë u bë në 18 prill, ndërsa fluturimet tregtare nisën në muajin korrik. Vlera e investimit për aeroportin e Kukësit, i ndërtuar nga një konsorcium privat, është 7.9 milionë euro.