Ngjarje/Personazhe

Dëmet nga tërmeti, familjet e periferisë së Tiranës sorollaten institucioneve për dëmshpërblim

29 gusht 2021/ Saide Malaj/ Porta Vendore/ Tiranë/ Kamëz/ Vorë

Qё prej goditjes nga tërmeti, qeveria u zotua se do të rindërtonte dhe vinte në ndihmë familjeve të dëmtuara. Por më shumë se një vit e gjysmë nga tërmeti, një pjesë e konsiderueshme nuk kanë marrë pagesën e akorduar. Akoma më e komplekse paraqitet situata për familje të tëra që ende nuk kanë marrë “dritën jeshile” nëse  përfitojnë apo jo, apo një afat konkret se kur do të nisë procesi i rindërtimit .

Familja Nezaj, e cila ndodhet në Bashkinë Kamëz është një prej shumë familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Por pavarësisht se ka kaluar 1 vit e gjysmë, ata janë ende në pritje të shembjes së banesës. Ende nuk ka dalë një shumë e akorduar pas dëmtimit të vilës së tyre me shkallën DS5. Ata nuk dinë se çfarë realisht do të ndodhë me banesën e tyre, pas kaq shumë muajsh sorollatje.

Kolonat mbajtëse të banesës së Jetmir Nezaj ku aktualisht jeton. Foto: S. Malaj

Pavarësisht kërkesave nga ana e familjes, askush nuk i ka dhënë detaje pranë institucionit të bashkisë se kur do fillojë shembja e shtëpisë, nëse do t’i akordohet një fond për ta ndërtuar familja, apo nëse do të përfitojnë nga banesat që janë duke u rindërtuar në këtë zonë, proces i cili është ende shumë i ngadaltë.

Jetmir Nezaj, banor në Kodrën e Kuqe Babrru, u shpreh për Porta Vendore se e gjithë kjo pritje e ka lodhur dhe sfilitur. Edhe pse kanë kaluar 2 vit,e mua ende nuk më kanë kthyer përgjigje a do të më japin lekët për rindërtim. Më datë 08.06.2021 isha tek Instituti i Rindërtimit dhe nuk më priti njeri”, thotë ai i trishtuar. Nezaj shprehet më tej se inxhinierët kanë shkuar për inspektim herë pas here, duke bërë të mundur që në varësi të dëmeve që shtëpia ka marrë të bëhej edhe kalimi nga shkalla DS4 në DS5, por pas kësaj procedure asnjë masë tjetër nuk është marr. Këtë akt-inspektim, sipas kryefamiljarit e kanë dërguar tek Bashkia Kamëz, por ende problemi i tij s’ka marrë zgjidhje. Familja Nezaj merrte bonus qiraje 13 mijë lekë të reja në muaj, por kjo shumë sipas vetë kryefamiljarit, ishte e pamjaftueshme për gjetjen një banesë tjetër.

Kolonat janë përforcuar nga familjarët me shufra hekuri për të mbajtur peshën. Foto: S. Malaj

Për shkak të ndërprerjes së bonusit të qirasë për disa muaj, ata madje u detyruan të rikthehen në shtëpinë e dëmtuar rëndë nga tërmeti duke rrezikuar kështu edhe jetën. Bashkë me nënën e tij 80-vjeçare dhe vëllain e sëmurë, ai jeton në banesën e dëmtuar rëndë, e cila mbahet nga disa kunja hekuri që vetë ai i ka përforcuar që mos rrezikohet të bjerё nga lëkundja e parë.

Jetmiri shprehet i zhgënjyer teksa rrëfen për Portën Vendore pёr menaxhimin e situatës nga ana e institucioneve dhe vëren një hermetizëm të madh në rastet kur i është drejtuar për të marrë informacion.

E pyetur nga Porta Vendore, Bashkia Kamëz tha se procesi i Rindërtimit po ecën me hapa të shpejtë dhe pritet të mbyllet brenda afatit të caktuar. “Për sa i përket dëmshpërblimit në grante, objektetet me nivel dëmtimi DS1-DS3, janë drejt përfundimit. Ndërkohë, objektet në nivel dëmtimi DS4-DS5, po rindërtohen në faza të ndryshme nga autoriteti shtetëror, 124 familje deri tani kanë zgjedhur të trajtohen më grante dhe të ndërtojnë vetë objektin, ndërsa një pjesë do të transferohen në Zonën e Re për Zhvillim në Valias”, u përgjigj shkurtimisht ky institucion interesit tonë për informacion.

Një tjetër histori e ngjashme ndodh edhe në fshatin Bërxullë të Bashkisë Vorë. Familja Allmeti gjithashtu ka hasur me barriera institucionale në këtë proces rindërtimi, teksa duket se ingranazhet kanë ngecur. Shtëpia e tij është vlerësuar nga ana e ekspertëve të bashkisë e dëmtuar në shkallën DS4, por kryefamiljari Sherif Allmeta shprehet se nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim. “Nuk kam marrë absolutisht asgjë, dokumentet janë dërguar disa herë, por për shkak të burokracive, ende pa dëmshpërblim”, thotë ai.

Allmeti sqaron se 6 muaj pas tërmetit i kanë kthyer përgjigje se ai dispononte banesë të dytë dhe për pasojë nuk përfitonte. Pas këtij njoftimi, ka dërguar dokumentin e lëshuar nga hipoteka ku vërtetonte se nuk kishte banesë tjetër në emër të tij. Por e gjithë ngatërresa shpjegon ai, ka ardhur pasi dy djemtë e tij janë të martuar dhe të ndarë nga trungu familjar në shtëpi më vete.

Allmeti shprehet se para zgjedhjeve e kontaktuan përsëri për të plotësuar dosjen me dokumentacion dhe ashtu bëri. “Më thanë që në dosje duhej dhe një dokument tjetër dhe i plotësova. Më pas… asgjë, kanë dashur shpërblim për të më përshpejtuar procesin”, hedh dyshime kryefamiljari.

Aktualisht familja Allmeti po jeton tek familjarët e tjerë, duke mos përfituar as bonusin e qirasë. “Jam strehuar tek shtëpia e djalit. Pak ngushtë jemi por s’kam çfarë të bëj bonus qiraje nuk kam marrë”, tha banori nga Bërxulla Sherif Allmeti për Portën Vendore.

Porta Vendore kërkoi nëpërmjet një kërkese për informacion pranë Bashkisë Vorë informacion lidhur me procesin e rindërtimit dhe dëmshpërblimeve, por nuk mori një përgjigje, ndërsa kërkoi prononcim gjithashtu nga Kryetari i Bashkisë Vorë, Gentian Picari, i cili tha shkurtimisht: Janë 300 familje të dëmtuara DS5, 60% e këtyre familjeve kanë marrë pagesat e akorduara nga shteti”. Për rrjedhojë 40% i familjeve të mbetura vijon që të jetë në pritje se një ditë makthi i tyre do të marrë fund.

Ndërsa për rastin e Sherif Allmeti, Kryetari i Bashkisë Vorë u shpreh se: “Për më shumë se 80% e banesave të dëmtuara në shkallën DS4 nuk është bërë analiza e thelluar”.

Me sa duket inspektimet e kryera nga inxhinierët e huaj asokohe do të rishikohen për ekspertiza të thelluara nga grupet vendase. Por burime konfidenciale i thanë Portës Vendore se procesi i inspektimeve nga Instituti i Ndërtimit ka përfunduar me kohë dhe nuk ka më rikthim në këtë çështje, ndaj për rastet kur bashkia nuk është ende e bindur duhet ta kryejë vetë sërish inspektimin. Por teksa kanë kaluar 1 vit e gjysmë, çështja e inspektimeve të njëpasnjëshme ka mërzitur familjet që presin dëmshpërblimin që të mund të rregullojnë banesën e tyre dhe që të harrojnë sadopak atë ngjarje të tmerrshme, pasojat e së cilës ndjehen ende kudo.

Në njoftimin e publikuar më datë 15 qershor 2021 nga Bashkia Vorë në rrjete sociale shkruhet se banesat e reja po vijojnë të ndërtohen. “Banesa të reja, më të forta e me standardet e duhura po ndërtohen nga kalimi i 60% të fondit, ku pas verifikimit të punimeve nga grupet e punës do i kalohet edhe 40% e vlerës së mbetur për përfundimin e tyre”.

Postim i Datës 15.06.2021

Sa më shumë largohesh drejt periferisë, problematikat shtohen dhe vragat e vuajtjes bëhen edhe më të ashpra. Rreth 6 km larg nga kryeqyteti ndodhet fshati Kodër Prush në njësinë administrative të Vaqarrit.

Banesa e Fidane Allaraj u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit, duke u cilësuar nga ekspertiza, si e dëmtuar në shkallën DS4. Por dëmshpërblimin, ashtu si shumë të tjerë, ende nuk e ka marrë, ndërsa nuk i është dhënë asnjë informacion rreth fatit të familjes dhe banesës së saj.

“Investime janë bërë në njësinë tonë, por kanë qenë sporadike dhe përjashtuese për një pjesë të banorëve. Kushtet në të cilat jetojmë aktualisht janë mjaft të vështira. Nuk di si do të na shkojë halli me punën e tërmetit”, shprehet ajo për Portën Vendore.

Foto nga brenda banesës së familjes Allaraj, gjendje e mjerueshme. Foto: S. Malaj

Jetesa në këto kushte bëhet e papёrballueshme për familjarët. Dy dimra kanë kaluar midis banesës së dëmtuar dhe kushteve mjaft të vështira ekonomike, ku mungojnë edhe orenditë bazë për të jetuar.

Fidane Allaraj me bashkëshortin e sëmurë dhe 2 fëmijë kanë qëndruar për një kohë të gjatë në çadrat që u shpërndanë provizorisht, por tashmë është konsumuar edhe ajo nga koha e gjatë. Fidania e lodhur nga burokracitë dhe sorollatjet e vazhdueshme për finalizimin e procesit të rindërtimit ka vetëm një kërkesë për shtetin: “Një banesë të sigurt”, pasi asnjë nga vendet që qëndron aktualisht si çadra ashtu edhe banesa e dëmtuar në shkallën DS4 nuk përmbushin kushtet minimale të jetesës.

Foto nga çadra ku ka jetuar familja Allaraj këto 2 vite.

Gatimi dhe shumë aktivitete të tjera familja detyrohet t’i kryejë në çadër. Bonusi i qirasë për ta, sikurse për shumë familje të tjera nuk është zgjidhje, pasi familja Allaraj mezi arrin të mbajë frymën nëpërmjet blegtorisë dhe bujqësisë.

Për Portën Vendore, burime nga Njësia administrative Vaqar u shprehën se numri i shtëpive në total të dëmtuara DS4 dhe DS5 është 211 godina, dhe nga këto shumë pak janë rindërtuar deri më tani. Nga totali, rreth 24 banesa janë rindërtuar, aktualisht janë në proces rindërtimi edhe 20 të tjera.

Nëse bëjmë një kalkulim të thjeshtë rezulton se as gjysma e banesave nuk është rindërtuar. Ndërsa aktualisht në pritje janë 167 familje në njësinë Vaqarr. Burime nga njësia pohojnë gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e banesave është në proces për leje ndërtimi. “Të dëmtuara nga tërmeti të Shkallës DS4 dhe DS5 në total janë 211. Përfshirë këtu 20 shtëpi të reja që janë ndërtuar në projektin e fshatit të ri, si edhe 20 banesa të tjera që janë në ndërtim e sipër. 4 banesa janë të përfunduara. Ndërsa pjesa tjetër është në proces për lejet e ndërtimit”, u shprehën burime nga Njësia Vaqarr për Porta Vendore.

Ndërsa burime zyrtare nga Bashkia Tiranë thanë se ende nuk është bërë mbledhja e këshillit të ministrave për të miratuar pjesën e dyte të pagesave, pasi ka përfunduar fondi fillestar. “Presim pagesën e dytë për të vijuar procesin e rindërtimit, pra mbledhjen këshillit të ministrave për qarkullimin e pagesës së radhës”, u shprehën burime nga bashkia.

Lidhur me këtë ngërç institucional, Porta Vendore kontaktoi edhe me ekspertin e ekonomisë, Pano Soko, i cili u shpreh se problemi kryesor në lidhje me ecurinë e ngadaltë të rindërtimit të shtëpive është përqendrimi i gjithë aktivitetit të rindërtimit në duart e 4-5 kompanive, natyrisht për interesa klienteliste. “Nëse gara do të ishte e hapur, e ndershme, do të kishim të angazhuar më shumë kapacitete dhe gjërat do të ecnin më shpejt. Ndërsa pjesa e shpërndarjes së dëmshpërblimeve pastaj, ka qenë e orientuar sipas interesave elektorale në zgjedhjet e 25 Prillit. Kush i shërben Partisë, shpërblehet. Të tjerët të presin radhën. Madje dëmshpërblimet e tërmetit kanë qenë një mekanizëm i jashtëzakonshëm deformues vote, në zonat e prekura nga tërmeti”, u shpreh eksperti Soko.

Ndërsa lidhur me procesin inxhinierik të rindërtimit, Porta Vendore gjithashtu kërkoi mendimin e ekspertit dhe inxhinierit Arben Meçe, i cili tha shkurtimisht se i gjithë procesi i rindërtimit duket i ngadaltë, por nuk donte të futej në detaje.

Bashkia Tiranë ka miratuar shumën prej 7.6 miliardë lekë ose rreth 26% e Fondit të Rindërtimit 2020, të cilat janë alokuar përmes 10 VKM-ve. Këto fonde janë alokuar për inspektimin e dëmeve nga tërmeti; rindërtimin e banesave individuale dhe infrastrukturës së tyre funksionale, rindërtimin e objekteve arsimore; rikonstruksion të infrastrukturës publike etj. Pjesa më e madhe e fondeve janë miratuar për rindërtimin e banesave dhe infrastrukturës së tyre funksionale, konkretisht 72% e fondeve që ka përfituar Tirana ose 5.46 miliardë lekë.

Open Data Albania ka deklaruar se “Fondi i Rindërtimit pas Tërmetit në vitin 2020 u realizua vetëm 52% e Planifikimit. Mosrealizimi për vitit 2020 është 48%”.

Planifikimi për 2020 ishte 32 miliardë lekë, realizimi u krye vetëm 16.59 miliardë lekë. Përmes Vendimeve të Këshillit të Ministrave u alokuan gjatë 2020 për Programin e Rindërtimit vlera 29.55 miliardë lekë. Duke iu referuar VKM-ve, rezulton e miratuar vetëm 92% e fondit të planifikuar për rindërtim për vitin 2020, pra 29.5 nga 32 miliardë që ishin planifikuar. Alokimi i këtyre fondeve është realizuar nëpërmjet pesë VKM-ve”, thuhet në faqen zyrtare të kësaj database lidhur me procesin e rindërtimit në të gjithë vendin.

Nëse në fund të vitit, institucionet përkatëse kanë fonde të pashpenzuara, ato trashëgohen në vitin pasardhës tek Fondi i Rindërtimit në Buxhetin e Shtetit dhe përdoren për të njëjtin qëllim. Ndërkohë, FMN ka kërkuar më shumë transparencë mbi këtë proces. Pak kohë më parë FMN deklaroi se në buxhetin 2021 nuk është detajuar se si do të shpenzohen fondet e parashikuara për tërmetin (rreth 28 miliardë lekë), FMN ka kërkuar qartë që të ketë më shumë transparencë. FMN thekson se “fondet e rindërtimit pas tërmetit duhet të jenë subjekt i kontrolleve të përshtatshme të menaxhimit publik financiar (PFM), përfshirë planifikimin përmes proceseve buxhetore”.