Ngjarje/Personazhe

Masakër mjedisore me mbetjet urbane në fshatrat e Fierit, plehrat nuk hiqen për ditë të tëra

27 gusht 2021/ Xhemil Beharaj/ Porta Vendore/ Fier

Përfundimi i kontratës të firmës private që kryente largimin e mbetjeve urbane në ish komunat e Fierit për afro 10 vjet dhe anulimi i tenderit të radhës nga bashkia ka bërë që mbetjet urbane në fshatrat e Bashkisë Fier të mos largohen për ditë me radhë , çka ka bërë që në disa raste banorët të revoltohen e tu vënë zjarrin.

Situata ka precipituar në këtë gjendje disa ditë para se fusha e mbetjeve urbane në hyrje të Fierit të merrte flakë, zjarr i cili ndenji ndezur për pesë ditë. Kjo fushë, e cila është afro 7 ha dhe afro 50 vjeçare ka bërë që të tejmbushet e bashkia të shpallte emergjencën mjedisore çka u mendua se situata do merrte zgjidhje në mes të gushtit, por mbeti në letër.

Mbetjet në fshatin Baltëz. Foto: Xh. Beharaj

Por pas mosrealizimit të tenderit nga bashkia, mbetjet urbane nuk po largohen rregullisht e banorët të irrituar u vënë zjarrin si në fshatrat Daullas, Levan, Topojë, Baltëz, etj, ndërkohë që në shumë fshatra mbetjet urbane nuk po largohen për të mos thënë që një herë në 10 apo 15 ditë. Banorë të Baltëzës, Hamilit, Seman Sektorit, Seman, Topojë, Grykë, Shënpjetër, Hoxharë e Vjetër, Plyk, Kraps, Peshtan i Vogël, Libofshë e shumë të tjerë janë ata që janë bërë protagonistë të shumë protestave, duke u vënë zjarrin koshave të plehrave në shenjë revolte nga mos largimi i tyre prej ndërmarrjes së pastrimit të bashkisë.

Fusha e mbetjeve urbane Hoxharë e vjetër. Foto: Xh. Beharaj

Banorët e fshatrave Kraps e Plyk pohojnë se po qelben dhe shkaku është nga mos largimi i mbetjeve urbane për afro një javë që nuk janë hequr nga kontejnerët nëpër rrugët e fshatit. Në shenjë revolte banorët po i hedhin në shtratin e lumit Gjanicë që kalon mes Fierit, ndërsa në Levan banorët po i vënë flakën kontejnerëve. Ata pohojnë se pas tejmbushjes së kontejnerëve me mbetje urbane ata po i hedhin me karroca dorë në shtratin e lumit Gjanica që kalon vetëm pak metra më poshtë fshatit të tyre.

Plehrat në fshatin Kraps. Foto: Xh. Beharaj

Ndotja e lumit sjell një tjetër ndotje, atë të qendrës së qytetit Fier ku dhe kalon ky lum. Bashkia nuk ka marrë asnjë masë për largimin e këtyre mbetjeve urbane. Një mënyrë kjo e bërë edhe disa ditë më parë në fshatrat Peshtan i Vogël, Libofshë, Daullas, etj.

Këto foto janë shkrepur teksa një fushë e mbetjeve urbane i kishin vënë zjarrin banorët në shenjë revolte ku tregojnë djegien e mbetjeve urbane në fshatin Hoxharë e Vjetër njësia administrative Ndërmënas të Bashkisë së Fierit.

Prej disa ditësh në disa zona bregdetare të Bashkisë së Fierit, është duke u kryer një masakër mjedisore, pasi pushteti lokal nuk bën pastrimin e plehrave edhe pse këto fshatra janë pranë plazheve Seman dhe Darëzezë.

Situata e mbetjeve urbane në Seman. Foto: Xh. Beharaj

Fshatrat Baltëz, Hamil, Sektor- Seman, Seman janë duke u kthyer në vendgrumbullim mbetjesh, pasi ato nuk pastrohen prej gati një muaj nga bashkia. Edhe pse banorët janë ankuar dhe thonë se taksat i paguajnë rregullisht, bashkia është duke krijuar një katastrofë mjedisore në këto zona.

Sipas një udhëzimi të bashkisë çdo njësi administrative do ketë fushën e saj të mbetjeve urbane dhe që aty ato do largohen për kapsulim dhe më tej në incenerator për përpunim, pohojnë burime konfidenciale nga ndërmarrja e pastrim gjelbërimit të bashkisë. Kjo ndërmarrje ka vetëm 3 automjete që shërbejnë për heqjen e mbeturinave dhe nuk mund të përballojë fluksin.

Topojë
Hamil
Plyk

Në një dalje për mediat, kryebashkiaku Armando Subashi pohoi se gjendja do stabilizohet shumë shpejt.

“Është një ngjarje e rëndë, e shikoni vetë, e konsiderueshme! Situata u mor në kontroll, nesër situata do të merret plotësisht në kontroll maksimumi pasnesër vatrat e zjarrit do jenë të gjitha në kontroll të plotë. Nëse punohet apo jo, ju e shikoni vetë. Jemi duke punuar non-stop me mjetet e bashkisë. E vetmja zgjidhje në këtë rast është mbyllja me dhera. Sjellja e zjarrfikësve nuk jep zgjidhje. Uji e rindez më shpejt, e vetmja zgjidhje është mbulimi me dhe. Nuk mund të themi me siguri nëse është ndezur nga ndonjë dorë, apo mori flakë vetë. Maksimumi nesër deri pasnesër ne do marrim në dorë situatën. Le të themi që deri në 30 gusht do kemi stabilizuar gjithçka dhe do t’i japim fund kësaj situate. Do të mbyllim këtë problem të vjetër të mbetjeve të Fierit,”- tha Subashi ndër të tjera në datën 29 korrik.

Mbetjet urbane do grumbullohen në një pikë në ish azotik, atje do përpunohen e do kapsulohen e më tej me automjete do të dërgohen në inceneratorin e Kallmit ku do të asgjësohen, për këtë fakt ata kryen dhe demonstrim por që në ditët në vijim nuk po zbatohet, sikundër edhe tenderi që u duk se do të kryhej nuk u zhvillua dhe askush nuk jep asnjë përgjigje. Ky ngërç erdhi edhe pas sulmit që kreu i PS në Fier Petro Koçi bëri në media ku tha ndër të tjera se Fieri ka rënë në duar të mafies duke u dhënë tenderë.

Nga Bashkia Fier askush prej zyrtarëve apo drejtorëve të drejtorive nuk të thotë asgjë. Në biseda “off record”, ata pohojnë se është bërë një zgjidhje provizore. “Në çdo njësi administrative kanë punësuar tre apo katër persona dhe një mjet dum-dum ku një herë në javë boshatisen koshat duke i derdhur në rrugë e më pas me lopata i ngarkojnë në karroceri . Në çdo njësi administrative është ndërtuar një mini-fushë mbetjesh e shtruar me beton dhe e rrethuar me mur betoni një metër e lartë, ku aty grumbullohen dhe një herë në 15 ditë kalojnë makinat e bashkisë i marrin e i dërgojnë tek qendra e përpunimit për kapsulim e më tej për në incenerator”.

Nga ana tjetër edhe opozita e ka ngritur alarmin disa here. Kreu i PD dega Fier dhe deputeti i zgjedhur Luan Baçi e deputeti Enkelejd Alibeaj kanë dale disa here në prononcime për median duke pohuar se përballë kësaj katastrofe mjedisore duhet të jenë strukturat e shtetit që të nisin hetimet e të nxjerrin para ligjit personat e krijimit të kësaj situate që me apo pa dashje po vrasin qytetarët.

E kur sinoptikanët thonë se temperaturat e larta pushtojnë krahina të tëra, kur Covid 19 varianti Delta është fare pranë, zjarret nga ana tjetër, banorët e fshatrave të Fierit u duhet të ndeshen me mbetje urbane që nuk hiqen për ditë të tëra duke u bërë shkak për përhapjen e infeksioneve.

Situata vijon të jetë kritike në disa fshatra të Bashkisë së Fierit, ku ndonëse u premtua se masakra mjedisore do të merrte fund me vënien në punë të inceneratorit, duket se deri më tani askush nuk është kujtuar të marrë masa për të pastruar mbetjet nga zonat rurale.

Ambientalisti fierak Besmir Agalliu i pyetur rreth kësaj situate ka pohuar faktin se kjo është një katastrofë mjedisore ku duhet të gjenden shkaktarët dhe duhet të dalin para drejtësisë. “Prej 5 ditësh fusha e mbetjeve urbane u dogj, tymi kanceroz pushtoi jo vetëm banesat e qytetarëve fierakë por edhe të zonave për rreth tij. Askush nuk bëri asgjë, as policia, as prokuroria, as shoqatat, pra kemi të bëjmë me një krim të mirëorganizuar dhe duhet që përgjegjësit të dalin para ligjit dhe të ndëshkohen”, tha ai për Portën Vendore.