Ngjarje/Personazhe

Shijaku mbytet nga plehrat, skenari i njëjtë me Durrësin e Kavajën

24 gusht 2021/ Aldo Mustafa/ Porta Vendore/ Shijak

Bashkia Shijak po kalon prej pesë ditësh në një krizë mjedisore për shkak të mospastrimit të mbetjeve. Kjo mësohet se ka ardhur për shkak të mungesës së një kontratë me inceneratorin e Sharrës, ndërkohë që kryetari i bashkisë, Elton Arbana pretendon se situata do të zgjidhet shumë shpejt, sapo kontrata të kalojë në këshill bashkiak.

Muaji gusht i ka gjetur rrugët e bashkisë së Shijakut të mbuluara nga plehrat. Koshat e mbeturinave janë të tejmbushur dhe shpërndajnë një erë të padurueshme, ndërkohë e njëjta situatë është edhe në zonat periferike të kësaj bashkie dhe jo vetëm.

E njëjta situatë u krijua më herët dhe në qytete të tjera, ndërkohë që skemës së përfshirjes së një tjetër bashkie në kontrata për menaxhimin e mbetjeve urbane, duket se do i bashkohet së fundmi dhe Bashkia Shijak.

Aktualisht, kjo bashki po përballet me një kolaps të menaxhimit të mbetjeve urbane, pasi landfilli i Sharrës, nuk mund të pranojë më tej mbetje pa një kontratë tjetër nga kjo bashki, të cilës kontrata aktuale (në të cilën shërbimi që merrte bashkia ishte pa pagesë) për menaxhimin dhe depozitimin e mbetjeve në këtë landfill, i ka përfunduar më 18 gusht të këtij viti. Në këto kushte Shijakut i është kërkuar të depozitojë mbetjet vetëm kundrejt tarifës prej 29 euro për ton në këtë landfill.

Përfundimi i kësaj marrëveshje ka përsëritur situatën e Bashkisë Durrës, Kavajë, Fier apo Elbasan, të cilat janë hasur muajt e fundit me kosha të tejmbushur mbeturinash kudo nëpër rrugët e qytetit. Pavarësisht se Bashkia Shijak ka një numër relativisht të ulët banorësh, kapacitetet e saj për të përballuar depozitimin e mbetjeve urbane duket se nuk mbulojnë konsumin qytetar. Kjo situatë ka shtyrë persona të paidentifikuar të ndërmarrin veprime të nxituara dhe të dëmshme, duke depozituar mbetjet urbane në zona kullotash dhe duke u vënë më pas flakën.

Kjo mund të cilësohet një situatë “Deja vu” më atë të qyteteve të tjera, që duket se po sjell pasoja jo vetëm nëpërmjet koshave të tejmbushur të mbeturinave, por edhe në cilësinë e ajrit, mjedisit ku banojnë këta qytetarë, ndotjes së tokës nga toksinat e çliruara prej djegies së mbetjeve urbane dhe gjithashtu ndikimit në gjënë e gjallë, e cila kullot pikërisht në territore të tilla ku digjen mbetjet urbane.

Porta Vendore ka udhëtuar drejt fshatit Shilore në skaj të Bashkinë Shijak, duke vëzhguar nga pranë atë se çfarë po ndodh me djegien dhe depozitimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Shijak, ku patëm mundësinë të intervistojmë pikërisht dy prej barinjve, të cilët nxirrnin kullotat në këto zona. Gëzim dhe Petrit Kamberi, barinj të dy të deleve dhe dhive, na treguan se kjo situatë jo vetëm i vështirëson punën për të mbajtur bagëtitë larg zonës së ndotur, por tymi i mbeturinave ka rrezikuar një sërë fshatrash aty pranë. Të dy barinjtë u shprehën se:

“Makinat e mbeturinave i hedhin mbetjet natën, në 11-12 të natës dhe i djegin po vetë, për t’u larguar më pas. Ka dy-tre javë kjo situatë, duhet të caktojnë një vend për t’i hedhur. Ne jemi barinj, duhet të ruajmë bagëtitë, se shkojnë dhe hanë mbeturina. Gjepali, Shahini, Metallaj, Terziu, këtu rrotull janë të gjithë këto zona të banuara”, thanë ata për Portën Vendore.

Sakaq në lidhje me çështjen e përsëritur të mbeturinave, kryebashkiaku, Elton Arban pati deklaruar më herët gjatë muajit qershor se pas mbylljes së fushës së depozitimit të mbetjeve në Porto Romano, mbeturinat do të dërgoheshin në landfillin e Sharrës dhe se kostoja e depozitimit do të mbulohej nga qeveria Rama, sepse me buxhetin vendor ishte e papërballueshme shifra e shpenzimeve. Por mesa duket deri tani strategjia për menaxhimin e mbetjeve ka mbetur vetëm në letër.

Porta Vendore ka kontaktuar më tej me vetë kryetarin e Bashkisë së Shijakut, Z. Elton Arbana, në lidhje me situatën e menaxhimit të mbetjeve në Bashkinë Shijak. Arbana cilëson situatën e mospastrimit të mbetjeve urbane si një pasojë e përfundimit të kontratës që Bashkia e Shijakut ka pasur me landfillin e Sharrës. Kryebashkiaku Arbana shprehet se marrëveshja ka përfunduar më datë 18 gusht dhe tashmë po negociohet për një marrëveshje të re, e cila sipas tij për shkak të procedurave do të nënshkruhet pas datës 22 gusht. “Mbetjet që gjenerohen në bashkinë e Shijakut nuk pastrohen që prej datës 18 gusht. Kjo ka ardhur si pasojë se ne kemi patur një marrëveshje me lanfillin e Sharrës, kjo marrëveshje ka përfunduar. Na kërkohet të lidhim një kontratë, e cila ka anët proceduriale që duhet t’i zbatojmë. Me lidhjen e kontratës lidhen efektet financiare. Janë disa pika të cilat duhet të kalohen në këshill më parë për t’u shqyrtuar, duhet miratimi i Prefektit për të vazhduar më tej me lidhjen e marrëveshjes. Ne kemi patur një marrëveshje me lanfillin e Sharrës, na kanë lënë 10 ditë kohë, ditën e hënë maksimumi ditën e martë, marrëveshja do jetë e kryer. I bëj thirrje landfillit të Sharrës për mirëkuptim dhe bashkëpunim deri në një moment të dytë kur firmosja e marrëveshjes të bëhet e mundur, duke u kërkuar që të na lejojnë të depozitojmë mbetjet falas, pasi aktualisht në bashkinë e Shijakut nuk ka asnjë plan fizibiliteti dhe do të punohet për këtë”, tha ai.  

projekt-buxhetin 2022 – 2024 të Bashkisë Shijak, për vitin 2022, në programin e menaxhimit të mbetjeve urbane parashikohen 41,410 mijë lekë, ose 3.9% ndaj totalit te buxhetit. Gjithashtu në projekt-buxhet thuhet: “Nëse do të kemi kosto të reja për këtë program siç është tarifa e depozitimit të mbetjeve në VG Sharrë Tiranë do të kemi rishikim të PBA së 2022-2024”.

Ndërkohë ditën e martë pritet që Këshilli Bashkiak të mblidhet për të marrë vendime në lidhje me situatën e emergjencës mjedisore të shkaktuar nga mbetjet urbane, duke studiuar dhe opsionet më të lehta për xhepat e qytetarëve, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare menaxhimit të mbetjeve në këtë bashki, por ashtu si në Durrësi zgjidhjen për menaxhimin e mbetjeve Bashkia Shijak ia kërkon qeverisë.