24 gusht 2021/ Aldo Mustafa/ Porta Vendore/ Durrës
Edhe pse qeveria miratoi planin për menaxhimin e mbetjeve të Durrësit, duket se ky plan nuk ka gjetur zbatim në terren. Koshat e Bashkisë së Durrësit janë tejmbushur, ndonëse vetëm pak kohë më parë, Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale investoi me 700 kazanë të rinj. Institucionet vendore justifikohen me faktin e trefishimit të mbetjeve gjatë muajit gusht.
Rreth 20-muaj kanë kaluar nga mbyllja e vend-grumbullimit të mbetjeve urbane në zonën e Porto-Romanos dhe qyteti i Durrësit i cili pret të pastrohej nga kjo ndotje mjedisore, ka vënë re një ndryshim të madh. Një ndryshim i madh… për keq.
Këtu qëndron paradoksi dhe ironia për atë çfarë po ndodh me qytetin bregdetar të Durrësit, pasi kjo mbyllje e vend-grumbullimit të Porto-Romanos, siç edhe Porta Vendore ka raportuar në vazhdimësi synonte largimin e mbetjeve nga qyteti turistik dhe jo shpërndarje e tyre në çdo kosh të mundshëm dhe tejmbushjen e këtyre të fundit.
Gushti i 2021-shit, tregoi se nuk mjaftuan as shpallja e gjendjes së emergjencës mjedisore, as mbledhjet dhe vendimet e këshillit bashkiak, as buxheti i akorduar nga qeveria shqiptare dhe asnjë letër e firmosur dhe vulosur për të zgjidhur problematikën e mbetjeve, pasi ky qytet është i destinuar që ta vuajë këtë situatë edhe për disa kohë të tjera, duke mos ditur dhe kur dhe si do t’i vijë fundi këtij problemi.

Porta Vendore kreu një vëzhgim të detajuar në shumë zona të këtij qyteti gjatë datave 17-19 gusht për të përditësuar informacionin se çfarë është bërë deri më tani me mbetjet urbane. Ajo që zbuluam tregon se krimi mjedisor që është duke ndodhur, teksa pavarësisht raportimeve, ende nuk ka marrë një zgjidhje në një kohë që institucionet si Bashkia Durrës nuk reagojnë për këtë ngërç disa-mujor të krijuar po nga vetë qeveria e cila miratoi mbylljen e vend-grumbullimit të Porto-Romanos, pa ngritur një plan të mirëfilltë afatgjatë se si pritej të menaxhoheshin më tej mbetjet urbane.
Më datë 9 gusht, Bashkia Durrës shpalli një tender për depozitimin e mbetjeve urbane, tender i cili erdhi vetëm pak ditë pas finalizimit të projektit me afat 10-vjeçar për dërgimin e mbetjeve urbane të Durrësit në landfillin e Sharrës në Tiranë. Sakaq qeveria vendosi se në periudhën gusht-dhjetor 2021, Bashkia Durrës nuk do të paguajë tarifat e caktuara për mbetjet urbane.
Më tej në periudhën kohore 2022-2024 shuma që Bashkia Durrës i detyrohet landfillit të Sharrës për menaxhimin e mbetjeve urbane është 34.4 mln lekë të reja, ndërsa në vitet 2025-2027 shuma do të rritet në 51.6 mln lekë të reja dhe në vitet 2028-2030 ajo do të shkojë në 68.9 mln lekë të reja, që do të thotë se taksa-paguesit durrsakë deri në fund të 10-vjeçarit të marrëveshjes, do duhet të paguajnë dyfishin e taksave aktuale të mbeturinave, ndërsa fondi i akorduar nga Buxheti i Shtetit do të ulet.
Këto të dhëna i përkasin të ardhmes ende të paqartë të asaj se çfarë do të ndodhë, pasi e tashmja po tregon se çdo ditë qytetarët e zonave të ndryshme, dëshmojnë që problematika vazhdon të jetë e njëjtë dhe përsëritet. Porta Vendore ka kryer vëzhgim në 18 zona përiferike, konkretisht në atë të Maminasit, Karreçit, Bilalasit, Rubjekës, Radës, Kamaras, Manzës, Kullës, Kuçokut, Shkallës, Armathës, Shkafanës, Domjes, Rrotullas, Fushë-Draçit, Spitallës, Ish-Kënetës, Shkozetit, etj. dhe ka konstatuar se kjo problematikë është ende prezente, sidomos në zona të cilat janë ura lidhëse me vijën bregdetare, duke u servirur pushuesve pamjet e koshave dhe rrugëve të tejmbushura nga mbeturinat.
Sherif Kërçuku banor i fshatit Radë, i pyetur për ndotjen dhe koshat e tejmbushur u shpreh se:
“Në këtë gjendje mbeturinat qëndrojnë nga një herë në dy apo tre javë. Gjendjen e shohin vetë institucionet, nuk është puna të ngrihet problemi se mbeturinat janë në mes të rrugës dhe duken. Këtu të mbulojnë mizat dhe pisllëqet. Është shqetësuese, sepse ndjehet era e keqe”, tha ai për Portën Vendore pa mundur dot të fshehë indinjatën ndaj institucioneve përgjegjëse.
Sakaq një tjetër banor i fshatit Rubjek, Taulant Resuli, teksa u pyet nga Porta Vendore se për sa kohë qëndronin mbeturinat pikërisht përballë biznesit në të cilin ai punonte, u shpreh se: “Tre ditë kanë këto mbeturina këtu. Kanë ardhur refugjatët, shiheni si është bërë këtu. Vijnë njerëz nga Tirana dhe i hedhin këtu mbeturinat se kalojnë për në plazh. Zonë turistike jemi nga këtu deri në Gjirin e Lalzit dhe çfarë nuk hedhin në koshat e mbeturinave. Të hiqen mbeturinat, të mbahet pastër, është turp e faqe e zezë, zonë turistike dhe shohin turistët mbeturinat grumbull këtu. Nuk kanë ku dërgojnë mbeturinat gjithë ky vend. Nuk lihen mbeturinat aty dhe të pastrohen një herë në tre ditë”, shprehet ai.
Një tjetër zonë e cila është ndotur më shumë se të gjithë zonat e tjera të qytetit të Durrësit është ajo e Shkozetit dhe konkretisht streha e kafshëve endacake të këtij qyteti ku Bashkia Durrës, pa asnjë plan dhe studim të terrenit, ka zgjedhur që të depozitojë mbetjet urbane të Durrësit, pikërisht në vendin ku organizata “JETA, kafshët dhe njerëzit”, punojnë tashmë intensivisht prej më shumë se tre vitesh.
Porta Vendore kontaktoi presidenten dhe themeluesen e kësaj organizate në Zvicër, Znj. Jenny Hasanaj-Müller për të mësuar më shumë se çfarë po ndodh brenda një territori të paracaktuar për qendër të rehabilitimit të kafshëve të pastreha, e cila po i grabitet duke u kthyer në një vend-grumbullimi. “Këtë vend nga Bashkia Durrës e kemi marrë me marrëveshjen që organizata Jeta Kafshët dhe Njerëzit, të bëjë rehabilitimin e kafshëve endacake nëpërmjet kastrimit, sterilizimit, vaksinimit dhe menaxhimit të mbajtjes nën kontroll të kafshëve të rrugës duke bërë dhe adoptimin e tyre me çip dhe pasaportë, punë e cila financohet nga organizata JETA Tier und Mensch. Kjo punë ka nisur intensivisht që nga dhjetori i 2018 dhe problematika e mbetjeve urbane në mënyrë të pakontrollueshme ka nisur nga muaji maj i vitit 2020. Më herët kanë hedhur materiale inerte me pretendimin për të mbyllur gropat të cilat mbushen me ujë, pasi është përmbytur disa herë për shkak të reshjeve duke rrezikuar dhe jetën e kafshëve. Sakaq kemi shpenzuar mbi 6000 euro në atë vend dhe i kemi propozuar për një vend-strehim tjetër, por Bashkia Durrës nuk na jep mundësinë që ne të vazhdojmë me investimet tona, jo të bashkisë, për të mbajtur nën kontroll situatën e kafshëve të pastreha në Durrës”, shprehet Jenny Hasanaj-Müller për Portën Vendore.
Gjithashtu ajo shton se e gjitha kjo është një mungesë respekti, pasi bashkia po neglizhon një organizatë që po investon.
“Pra vetë bashkia na e ka caktuar këtë vend, të cilin po e shfrytëzojnë për mbeturinat pa na pyetur, duke na penguar në misionin tonë dhe duke shkaktuar shumë pengesa. Edhe pse herën e fundit erdhën mediat dhe ata i larguan mbetjet urbane prej qendrës, kjo nuk zgjati më shumë se tre apo katër ditë dhe rinisi grumbullimi. Punonjëses dhe vullnetares tonë e cila qëndron dhe përkujdeset në qendër, katër ditë pas heqjes së mbeturinave, iu tha se do të vazhdojë grumbullimi dhe se nuk do t’i largojnë prej atij vendi. Asnjë gjë nuk ka ndryshuar, gjithçka u bë për sy e faqe dhe që prej denoncimit të parë, Bashkia Durrës vazhdon të hedhë mbeturinat pikërisht në këtë strehë. Të gjithë banorët që jetojnë aty nuk kanë probleme nga kafshët e kësaj strehe, por nga mbeturinat e qytetit të cilat po i helmojnë të gjithë aty. Kjo është një dhuratë për Durrësin dhe Bashkia Durrës as nuk na pret, as nuk na përgjigjet dhe vetëm na gënjejnë duke mos ndryshuar asnjë gjë”, rrëfeu ajo lidhur me situatën.

Pavarësisht investimeve që NSHK Durrës ka kryer muajt e fundit, ku janë vendosur 220 kazanë mbeturinash të rinj në zonat A dhe B që përkojnë me qendrën e qytetit, si dhe 100 kazanë të vendosur në zonën e Shkozetit dhe plazhit, tenderi që kapi vlerën prej 12.8 mln lekësh të reja për kazanët e rinj dhe 700 kazanët të cilët kanë qenë në gjendje, duket se nuk e kanë ndihmuar apo zbutur aspak situatën e keqmenaxhimit të mbetjeve urbane. Edhe përsa i përket Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale, Porta Vendore kontaktoi drejtorin e saj, Z. Shpëtim Hidri, i cili deklaron se: “Situata e mbetjeve urbane këto ditë është më e rënduar nga sa jemi mësuar të përballojmë normalisht për arsye të trefishimit të mbetjeve urbane si rrjedhojë e rritjes së numrit të qytetarëve në Durrës, pasi ka pasur numër të lartë turistësh. Kemi shtuar me mundësitë që kemi edhe dy kamionë të tjerë për të ndihmuar në pastrim më të shpejtë dhe situata do të nisë të normalizohet në ditët në vijim. I kërkojmë ndjesë dhe mirëkuptim qytetarëve, për situatën e krijuar”, artikuloi ai.
Ndërkohë, bota dhe vendi vazhdojnë të përballen me një virus i cili duket se ndryshon vazhdimisht duke krijuar variante të reja, e vetmja gjë e pandryshueshme qëndron situata e mbetjeve urbane në qytetin e Durrësit duke ia kaluar dhe virusit më të rrezikshëm për nga dëmi që ato shkaktojnë në mjedis dhe njerëz.