23 gusht 2021/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore/ Tiranë
Në qytetet kryesore të Shqipërisë, zhurmat janë një fenomen shumë shqetësues dhe me ndikime të konsiderueshme në shëndetin e banorëve të zonave më të populluara. Sipas një studimi për matjen e zhurmave në katër qytete, Shkodër, Tiranë, Elbasan dhe Durrës, kryeqyteti që ka dhe përqendrimin më të madh të banorëve, rezulton të ketë nivelin më të lartë të zhurmave sipas matjeve të kryera gjatë viteve 2018-2021.
Zhurmat, njohur ndryshe si ndotja akustike, shkaktohet përgjithësisht nga aktivitetet njerëzore ku krahas veprimtarive industriale, dominojnë kryesisht zhurmat nga mjetet e transportit. Si rrjedhojë, zhurmat përbëjnë shqetësim për shëndetin e vetë njerëzve, ku sipas të dhënave të OBSH-së renditet si shkaktari nr. 2 i sëmundjeve në kategorinë e ndotësve mjedisorë, pas asaj të ndotjes nga grimcat e ngurta të imta. Sëmundjet që lidhen me ekspozimin e gjatë në mjediset me zhurmë janë ato iziologjike dhe psikologjike, si sëmundjet kardiovaskulare dhe metabolike, gjendje stresi si dhe çrregullime të theksuara të regjimit të gjumit.
Monitorimi i zhurmave në 4 qytete kryesore të vendit, u realizua gjatë projektit “Mushkëri të Gjelbra”, me financimin nga Bashkimi Evropian, nga organizata Co- PLAN në bashkëpunim me Mileukontakt dhe partnerë të tjerë lokalë në qytetet e Shkodrës, Durrësit, Elbasanit dhe Tiranës. Sipas raportit të nxjerrë për këtë studim, rezulton se të dhënat janë gjeneruar nga pajisjet bashkëkohore dhe të standardizuara dhe pasqyrojnë nivelet e zhurmës në orare të ndryshme të ditës, duke u përqendruar kryesisht në stacione si vendqëndrimet, akset kryesore të rrugëve, afër zonave me dendësi të madhe banimi ku po ndërtohen vepra të mëdha infrastrukturore, duke krijuar kështu një hartëzim të njollave të nivelit të zhurmës.
Zhurmat në kryeqytet, më të larta në vend
Në raportin “Mushkëri të gjelbra për qytetet tona” deklarohet se gjatë periudhës janar 2020-mars 2021 në qytetin e Tiranës janë kryer matje të nivelit të zhurmës në katër zona të ndryshme. Gjithsej matjet janë kryer në 474 stacione monitorimi gjatë mëngjesit dhe 473 stacione monitorimi gjatë darkës. “Nga të dhënat e dala nga matjet rezulton që niveli i zhurmës arrin nivelet maksimale, në vlerën 132 dB, tek ish-sheshi Shqiponja”, thuhet në raport, ku shtohet se një vlerë tjetër shumë e lartë e matur, është në afërsi të kryqëzimit të rrugës “Teodor Keko” me rrugën “Abedin Rexha” (122 dB), ndërkohë që vlera maksimale e lejuar gjatë ditës është 55 dB. Pra niveli i zhurmës arrin më shumë se dyfishi i normës së lejuar. Në këto zona ka pasur rritje të ndjeshme të nivelit të zhurmave, kryesisht për arsye të punimeve infrastrukturore që po kryhen në Unazën e Re, e për rrjedhojë edhe të trafikut të krijuar nga devijimi i lëvizjes së mjeteve në një rrugë shumë më të ngushtë. Gjithashtu, në afërsi të këtyre rrugëve janë të hapura disa kantiere të tjera ndërtimi, të cilat gjenerojnë zhurma gjatë procesit të punës dhe lëvizjes së mjeteve të rënda. “Një vlerë tjetër e cila kalon më shumë se dyfishin e normës së lejuar dhe arrin në 103 dB, është matur jo shumë larg Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, në afërsi të zonës ‘Ish-Fusha e Aviacionit’”, thuhet në raport, i cili thekson se gjatë darkës ka rënie të vogël, por përsëri është shumë më lart se normat e lejuara (vlera maksimale e lejuar gjatë natës është 45 dB).
“Ndërkohë, disa nga zonat e tjera që tregojnë vlera të larta janë; kryqëzimi i bulevardit “Gjergj Fishta” me “Rrugën e Kavajësë (81 dB), kryqëzimi i rrugës “Jordan Misja” me rrugën “Azem Galica” (69 dB), Bulevardi “Zhan D’Ark” në afërsi të rrugës “Odhise Grillo” (98 dB) dhe Tregu “Dinamo” në rrugën “Xhanize Keko” (79 dB)”, deklarohet në raport. Këto zona janë kryesisht në afërsi të kryqëzimeve të disa rrugëve kryesore, ku ka rritje të ndjeshme të trafikut, por edhe lëvizje më të shpeshta të mjeteve të transportit.
Vlera të larta të zhurmave arrihet dhe në disa zona të tjera të Tiranës, që janë mbi normën e lejuar, por më të ulëta se ato që mund të cilësohen “zona të kuqe” sa i përket ndotjes akustike.
Zona ku është vendosur stacioni për matjen e zhurmave |
Vlera ditën |
Ish-Sheshi Zogu i Zi |
65.7 dB |
Kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja” |
65.9 dB |
Bulevardi “Gjergj Fishta”, në afërsi të kryqëzimit te “Vasil Shanto” |
62.5 dB |
Bulevardi “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit, Zona “Ali Demi” |
65 dB |
Rruga e Kavajës |
78.4dB |
Rruga e Durrësit |
76.5 dB |
Ish-Blloku |
78 dB |
Rruga e Barrikadave |
70 dB |
“Krahasuar me periudhën janar 2019-maj 2020, në disa zona të Tiranës ka një rritje të nivelit të matur të zhurmave, duke renditur si shkaktar kryesor rritjen e aktivitetit të ndërtimit të objekteve private në qendër të qytetit si dhe ka një rënie të lehtë në vlera mesatare të nivelit të zhurmave të matura gjatë orareve të darkës, kjo kryesisht për arsye të rënies së ndjeshme të aktivitetit të bareve dhe restoranteve në këtë zonë”, deklarohet në raport.
Studimi vë në dukje se disa nga shkaqet kryesore të nivelit të zhurmave në qytetin e Tiranës janë shtimi i qarkullimit të automjeteve publike apo private, zgjerimi i aktivitetit të ndërtimit, duke përfshirë dhe ndërtimet infrastrukturore si dhe investime të tjera publike e private. “Prej më shumë se 5 vitesh nga institucionet përkatëse shtetërore nuk kryhen matje të parametrave të zhurmave në asnjë pjesë të qytetit të Tiranës, duke evituar kështu edhe ballafaqimin me realitetin dhe më tej duke neglizhuar plotësisht ndotjen akustike të krijuar, gjë që ka sjellë edhe mungesë të masave shtrënguese për përmirësimin e situatës dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, konstatohet në studimin e kryer.
Nisur nga gjetjet e studimit, Porta Vendore bëri një analizë për të kuptuar se cila është në të vërtetë situata e zhurmave në Tiranë, a kanë institucionet shtetërore një strategji afatgjatë për zbutjen e ndotjes akustike, cilat janë masat që ka marrë Policia e Shtetit dhe plani i punës që ndiqet në vijimësi.
Bashkia e Tiranës pohon se nuk kryen matje të nivelit të zhurmave. “AMK nuk ka qenë dhe nuk është institucion që kryen matje të nivelit të ndotjes akustike apo mjedisore, pasi nuk ka bazë ligjore për te vepruar dhe as aparatura apo strukturë verifikuese”, përgjigjet Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë.
Në muajin janar të këtij viti, mediat online bënë të ditur lajmin se Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin me fond limit 2 milionë e 256 mijë lekë për hartimin e planit të veprimit mbi zhurmat në kryeqytet. Afati kohor për dorëzimin e kërkesës për shprehje interesi ishtë data 11 janar 2021. Afati për realizimin e këtij shërbimi ishte 8 (tetë) muaj, nga data e lidhjes së kontratës. Objekt i këtij plani janë: – Aktivitetet e shërbimit social dhe kulturor (klube nate, bare, restorante, disko). Sektori i transportit (rrugor, ajror, ujor dhe hekurudhor) dhe zhurmat që gjeneron ky sektor. Aktivitetet ekonomike që përdorin pajisje dhe makineritë që gjenerojnë zhurma, si sharra, elektromotorë, gjeneratorë, çekiçë pneumatikë, etj. Ndërsa sipas kërkimit të Portës Vendore në platformën openprocurement.al dhe në Agjencinë e Prokurimeve nuk figurohen të dhëna shtesë lidhur me fatin e këtij tenderi dhe kompaninë fituese.
Porta Vendore iu drejtua me një listë pyetjesh Bashkisë së Tiranës. Konkretisht, a ka bashkia e Tiranës një plan lokal veprimi mbi zhurmat? A ka hapur Bashkia e Tiranës një tender në muajin janar të këtij viti me vlerë 2 milionë e 256 mijë lekë për hartimin e planit të veprimit mbi zhurmat në kryeqytet, dhe cili është fituesi i tenderit? Çfarë synon bashkia përmes hartimit dhe zbatimit të këtij plani? Ku do të përqendrohet dhe si mendon të zvogëlojë ndotjen akustike në Tiranë? Kur pritet të nisë zbatimi i tij? Por pyetjet tona nuk morën asnjë përgjigje nga Bashkia Tiranë.
Të vetmet masa për reduktimin e impaktit të zhurmave gjenden në Strategjinë e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2018-2022, të hartuar nga Bashkia e Tiranës ku shkruhet se duhet një planifikim më i mirë urban që mund të ndihmojë në krijimin e zonave ‘Pa-Zhurma’, ku zhurmat nga boritë dhe ndotjes industriale nuk tolerohen.
“Zbatimi në ndërtimin e godinave dhe të rrugëve i standardeve për reduktimin e zhurmës, si kusht themelor për mbrojtjen e shëndetit të popullatës në zonat e dendura urbane. Investimi në teknologjitë që synojnë uljen e nivelit të zhurmave përgjatë korridoreve kryesore të trafikut. Kontrolli i zbatimit të kufizimit të shpejtësisë brenda qendrave të banuara. Të aplikohen që në planifikim e të zbatohen më tej në ndërtim distancat midis rrugëve (sipas klasifikimit të tyre) dhe godinave. Sigurimi i brezit mbrojtës të gjelbër dhe hapësirave të mbjella me pemë midis zonave të banuara dhe rrugës kryesore, si një nga masat më eko-miqësore për të reduktuar nivelin e ndotjes. Forcimi dhe zbatimi i legjislacionit që rregullon dhe kontrollon ndotjen akustike kërkon një bashkëpunim efektiv të institucioneve në nivel qendror”, shkruhet në këtë strategji.
Referuar nenit 8 të ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007 bashkitë duhet të hartojnë dhe zbatojnë plane vendore për reduktimin e zhurmave si dhe të shpallin zonat e qeta nëpërmjet akteve nënligjore. Por siç duket Bashkia e Tiranës ende nuk e ka një plan të tillë.
Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare e Mjedisit raportin më të fundit për zhurmat e ka botuar në vitin 2019 ndërsa pritet këtë muaj që të publikohen të dhënat për vitin 2020. Porta Vendore iu drejtua edhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit me një listë pyetjesh për të mësuar më shumë për shkakun kryesor të ndotjes akustike në vendin tonë. A ka Agjencia Kombëtare e Mjedisit disa rekomandime se çfarë duhet të bëjnë institucionet vendore dhe ato qendrore për të reduktuar sado pak nivelin e ndotjes akustike? Por njëlloj si Bashkia e Tiranës, edhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk iu përgjigjen pyetjeve tona.
Ndërkohë më 25 maj të këtij viti, në faqen zyrtare në Facebook, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka botuar një informacion të përgjithshëm në formën e këshillave se si të mbrohemi nga zhurmat.
“Ndotja akustike është çdo lloj ndotje e shkaktuar nga zhurma e cila arrin shkallën mbi 85 decibel (dB), mund të këtë̈ pasoja afatgjata tek shëndeti i njeriut dhe rrit mundësinë për të pësuar dëmtime në dëgjim. Ndotja akustike në nivel të lartë mund të shkaktojë humbjen e dëgjimit qoftë për një kohë të shkurtër apo edhe për tërë jetën. Zhurmat e padëshirueshme rritin presionin, shkaktojnë̈ lodhje, ulin gjumin, rritin stresin dhe pengojnë përqëndrimin . Shkaktojnë probleme psikologjike (agresivitet, padurueshmëri ) dhe frenim në shpejtësinë e komunikimit. Sjellin ndryshime në sistemin hormonal dhe imunitar si dhe ndikojnë negativisht në aparatin tretës”, shkruan Agjencia Kombëtare e mjedisit. Ajo veçon si burimet kryesore të zhurmav : trafikun, industrinë, tregtinë, ndërtimin si dhe aktivitetet argëtuese, si diskotekat apo lokalet e natës me muzikë të lartë.
“Një nga masat më eko-miqësore për të reduktuar nivelin e ndotjes është sigurimi i hapësirave të mbjella me pemë midis zonave të banuara dhe rrugës kryesore. Në industri duhet të ketë program mbrojtës ndaj zhurmës, të përdorin tapa veshi, kufje gjatë punës, dhe të përcaktohen vendet e pushimit pa zhurmë. Të bëhet izolimi i makinave që prodhojnë zhurmë dhe ripërtëritja e teknologjisë në vazhdim. Për trafikun duhet që sipërfaqja e rrugës të shtrohet me material që zbut rrugën (asfalt poroz ). Të zbatohen kriteret në ndërtim, larg qendrave të banuara, me amortizim të mirë me orare të përcaktuara”, sugjeron Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Nga ana tjetër, raporti më i fundit për zhurmat urbane i realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik i përket vitit 2014. Midis gjetjeve ISHP rendit disa rekomandime për institucionet shtetërore e kryesisht për pushtetin vendor.
“Të forcohet puna për zbatimin e standardeve të përcaktuara për zhurmat urbane dhe monitorimin e vazhdueshëm të tyre. Të promovohen sigurimi i objekteve dhe masave për zvogëlimin e zhurmës urbane siç janë: Sigurimi i brezit mbrojtës të gjelbër dhe hapësirave të mbjella me pemë midis zonave të banuara dhe rrugës kryesore, si një nga masat më eko-miqësore për të reduktuar nivelin e ndotjes. Të përcaktohen me rregullore distancat midis rrugëve dhe banesave. Të bëhen përpjekje për zvogëlimin e zhurmës, që në projektimin e ndërtimeve te reja, ku orientimi i dhomave të gjumit të jenë në anën e qetë të banesës. Të sigurohet kontrolli periodik i mjeteve të transportit që gjenerojnë zhurmë. Të përmirësohet qeverisja urbane, nëpërmjet rritjes së transparencës dhe llogaridhënies për zbatimin e suksesshëm të të gjitha politikave të menaxhimit dhe planizimit urban”, shkruhet në raportin e ISHP.
Sipas Policisë së Shtetit, ankesat më të shumta të qytetarëve në lidhje me ndotjen akustike lidhen me muzikën e lartë në zonat urbane dhe veçanërisht në zonat turistike gjatë sezonit veror. Megjithatë policia nuk ka statistika se sa është numri i ankesave të qytetarëve përgjatë vitit të fundit dhe nëse ka një trend rritës apo zbritës sa i takon shqetësimit të qytetarëve, për të kuptuar nëse qytetarët janë indiferentë sikurse del në raportin Green Lungs të Co-Plan, apo vërtetë janë të shqetësuar dhe kërkojnë zgjidhje për nivelin e lartë të zhurmave në zonën ku jetojnë.
“Ankesat me të shumta janë në lidhje me zhurmat/ndotjen akustike nga muzika në zona urbane dhe gjatë sezonit turistik ne zona turistike/plazhe, më të rralla ankesat janë edhe për veprimtari ekonomike të ndryshme prodhuese”, bën të ditur policia e shtetit për portavendore.al, e cila më pas shpjegon dhe hapat që ndërmerren prej saj, apo merret një ankesë nga qytetarët.
“Çdo ankese të mbërritur në strukturën vendore të policisë DVP/Komisariat Policie, (kryesisht me telefonat, etj,) për ndotje akustike kryesisht për lokale, muzikë, por jo vetëm ajo, vlerësohet duke bërë verifikimin në vend të ankesës (në adresën e dhëne) nga shërbimet policore të kontrollit të territorit. Në rastet kur konstatohet zhurmë që në vlerësimin e punonjësit të policisë është tej normave të lejuara, punonjësi i policisë i kërkon administratorit të subjektit që të ulë nivelin e ndotjes akustike”, bën të ditur Gent Mullai, koordinatori për të drejtën e informimit në policinë e shtetit.
Më tej policia e shtetit e adreson ankesën tek Task-Forca “Për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe në zonat turistike e bregdetare”. Në rastet kur subjektet kundërshtojnë ndërprerjen e aktivitetit, atëherë policia e shtetit vepron në bazë të procedurave të Kodit Penal dhe rastin e referon në prokurori duke e konsideruar zhurmën vepër penale.
Ndotja akustike/ Rodion Gjoka: Nuk funksionojnë kontrollet nga shteti, por edhe shoqëria nuk ngre zërin
Jo pak por 350 mijë banorë të Tiranës ose 25 % e popullsisë së kryeqytetit është e ekspozuar 24 orë në 24 ndaj ndotjes akustike duke ndikuar negativisht në jetën e tyre të përditshme. Kështu bën të ditur për Portën Vendore një nga hartuesit e studimit Green Lungs, drejtues i Njësisë së Mjedisit dhe Energjisë në Co Plan, Rodion Gjoka, i cili ngre disa shqetësime. Së pari sipas tij rritja mbi dyfishin e normave të nivelit të zhurmave kryesisht në Tiranë vjen si pasojë e mungesës së kontrolleve nga ana e Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit; mungesa e një plani vendor dhe një harte nga Bashkia e Tiranës, si dhe indiferenca e shoqërisë në tërësi.
“Gjetjet tona indikojnë se mund të jenë mbi 350 mijë persona vetëm në Tiranë që janë të ekspozuar në mënyrë kronike gjatë gjithë ditës ndaj këtij fenomeni. Ne i kemi kërkuar ISHP që të bëjë një përllogaritje se cilat janë aspektet nga ana shëndetësore të këtij fenomeni pasi kemi të bëjmë me 25% të popullsisë së Tiranës që është e ekspozuar ndaj zhurmave dhe ndikon në aspektin psikologjik dhe të prishjes së komfortit të tyre apo dhe të uljes së rendimentit. Ne kemi matje edhe në afërsi të institucioneve arsimore dhe është e pamundur për fëmijët apo edhe për studentët që të mbyllen në ambientet shkollës dhe teksa marrin leksione të jenë të ekspozuar edhe ndaj zhurmave çka e bën të vështirë mësimnxënien”, tha ai për Portën Vendore, ndërsa i mëshon faktit se e gjithë kjo ndotje akustike vjen nga individë që ndjehen të lirshëm që të veprojnë kështu ndaj mjedisit dhe komunitet.
“Do diferencoj dy lloj burimesh që e kanë rritur goxha mesatare e gjenerimit të zhurmave në qytet. Janë aktivitete të ndryshme të ndërhyrjes në infrastrukturë, pra punimet, dhe ndërtimi i pallateve sigurisht, dhe burimi i dytë janë automjetet motorrët etj. Të dy këto fenomene janë praktikisht të pamonitoruar në raport me atë çfarë emetojnë si intensitet zhurmash në qytet pavarësisht orarit apo pavarësisht standardeve që aplikohen për të limituar zhurmat. Praktikisht çdo subjekt para nisjes së aktivitetit të tij pajiset edhe me një leje mjedisore ku përcaktohen edhe kushtet ku specifikohen standardet mbi të cilat ai do operojë në termat e gjenerimit të zhurmave, oraret specifike kur ai është i lejuar. Janë pikërisht këto masa që duhen respektuar dhe inspektuar që të sigurohet që jemi brenda standardeve. Por kjo gjë nuk ndodh. Nuk ndodh sepse Inspektorati Mjedisor ka kaluar procese metastaze sa te ministria e mjedisit, pastaj kompetencë e bashkive dhe tani i është bashkëngjitur inspektoratit të mbrojtjes së territorit dhe ende nuk e ushtron detyrën e vet. Pra nuk ka kush i monitoron këta emetues të zhurmës”, shprehet Gjoka. Ai sugjeron që Drejtoria e Përgjithshme e transportit rrugor, në procesin e kolaudimit të automjeteve, duhet të përfshijë dhe procesin e zhurmave që ato gjenerojnë, sepse në shumë raste pjesa e shkarkimit të gazrave është qëllimisht e modifikuar për të gjeneruar më tepër zhurmë.
Porta Vendore i dërgoi një kërkesë për informacion Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit mbi ankesat e mbledhura nga qytetarët dhe masat e marra, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk patëm një përgjigje.
Gjoka thekson se të gjitha bashkitë në vend e kanë detyrim ligjor hartimin e një harte se si është e shpërndarë zhurma në qytet, por me përjashtim të Shkodrës bashkitë e tjera nuk e kanë zbatuar. “Është detyrë edhe e bashkive që si rrjedhojë e ligjit për menaxhimin e zhurmave urbane të hartojnë një plan për menaxhimin e tyre. Minimalisht të hartojnë një hartë se ku është e shpërndarë zhurma në qytet, kush janë pikat kyçe ku gjenerohet kjo zhurmë dhe duke pasur këtë hartë ata duhet të ndërhyjë me politike lokale për eliminimin e zhurmave.
Nga të vetmet bashki që e kanë respektuar këtë detyrim ligjor është Shkodra që e ka hartuar planin dhe e ka një hartë të shpërndarjes së zhurmave. Besoj se është edhe Korça. Por realisht pjesa me e madhe e bashkive nuk e kanë”, shprehet Gjoka.
Ai thotë qytetarët janë të paqartë dhe gabimisht i drejtohen policisë kur kanë shqetësime nga zhurmat, por në të vërtetë duhet të ankohen pranë Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit.
“Ajo që ndodh rëndom është që qytetarët i drejtohen numrit të policisë. Në kuadër të projektit tonë kemi bërë një hulumtim dhe kemi parë se vetëm në Tiranë në momente të caktuara përgjatë vitit 2016-2017 vetëm për zhurmat mund të ketë pasur mbi 3 mijë ankesa në vit. Por problemi është që në shumë raste subjektet që gjenerojnë zhurmën deri diku janë të lejuar nëpërmjet lejes që kanë për gjeneruar zhurmën, dhe policia ndodhet në një situatë ku nuk mund të ofrojë zgjidhje. Ose zgjidhja që jep është që e ndalon zhurmën në ato momente por që do të vijojë prapë nesër. Institucion ku mund të drejtohen qytetarët për zhurmat janë dy. Është agjencia kombëtare e mjedisit dhe Instituti i shëndetit publik. Këto të dyja merren drejtpërdrejtë me shqetësimet që lindin nga aspektet artificiale që shkaktojnë problematike në mjedis. Por i vetmi institucion që do jepte zgjidhjen direkte të çështjes dhe do hartonte një masë të qëndrueshme është Inspektorati Kombëtar i Mjedisit. Ata janë specialistët përkatës që do vinin të bënin matjet e zhurmës, do ta ballafaqonin me lejen që disponon subjekti dhe më pas nëse ka shkelje dhe tejkalime do merrnin masat administrative deri në mbylljen e subjektit gjenerues”, sqaron eksperti Rodion Gjoka. Ai shtoi se nëse ka vullnet të politik, ka edhe zgjidhje për reduktimin e nivelit të zhurmave.
“Zgjidhja fillon duke pranuar problemin që është hapi i parë. Tirana ka ndotjen akustike konstante gjatë gjithë ditës. Si rrjedhim kjo problematike duhet të adresohet përmes politikave të posaçme dhe përmes inspektimeve. Konkretisht çfarë mbetet për tu bërë është që me njohjen e problematikës bashkitë duhet të ndërhyjnë në një mënyrë që kushtet e lejeve të dhëna të përfshijnë edhe pjesën e ndotjes akustike. Faktorët kryesore të gjenerimit të zhurmave të Tiranë, krahas ndërtimit, është e transporti. Në këtë sens unë kam sugjeruar shpeshherë që pjesë e kontrollit teknik të makinave dhe të mjeteve të vogla të bëhet edhe auditimi i emetimit të zhurmave që vijnë prej tyre, që mund të vijnë si pasojë e konsumimit të gomave apo i modifikimit të pjesës së shkarkimit të gazrave. Më tej një politikë akoma më e madhe do të ishte integrimi apo subvencionimi më tej i qasjeve që disa kompani kanë për të futur mjete elektrike në qytet që kanë shumë më pak ndotje akustike”, sugjeron Gjoka.
Niveli i zhurmave në qytetet e tjera
Përsa i takon ndotjes nga zhurmat në Elbasan, vihet re se pikat më të nxehta janë akset kryesore të rrugëve dhe kryqëzimet. “Vlerat mesatare të nivelit të zhurmave janë më të larta se standardi i BE-së dhe Ligji Shqiptar si për periudhën e ditës, ashtu edhe për atë të natës, sidomos në zonën qendrore, nga Sheshi Valmi në Sheshin Elbasan Arena ku gëlojnë automjetet dhe lokalet zhurmuese. Po ashtu situata mbetet shqetësuese në unazën juglindore dhe jugperëndimore. Vlera mesatare shkon 52.2 dB kurse maksimalja 71.2 dB nga 55 dB që është norma e BE”, theksohet në raport.
Ndërsa në Shkodër, situata duket më problematike se në Elbasan. Sipas monitorimit të kryer, në mëngjes vlera maksimale e zhurmës arrin në 76 dB dhe mesatarja 66 dB.
Zonat |
Mëngjes (zhurmat në dB) |
Darkë (zhurmat në dB) |
Bixhisten |
74 |
|
Xhabiej |
72 |
61 |
Sheshi Nënë Tereza |
70 |
|
Sheshi “Isa Boletini” |
69 |
60 |
Sheshi Demokracia |
71 |
62 |
Rektorati |
71 |
62 |
Rus |
68 |
|
Teatri |
72 |
59 |
Bulevardi “Bujar Bishanaku” |
67 |
58 |
Stadiumi |
67 |
58 |
Parrucë |
76 |
63 |
Bashkia e Durrësit duket si qyteti me ndotjen më të ulët akustike në katër qytetet e marra në studim. “Niveli mesatar i zhurmës në Bashkinë Durrës gjate ditës dhe natës arrin rreth 54.6 dB dhe 45.8 dB respektivisht”, thuhet në raport, duke vënë re kështu se shifrat janë më të larta se norma e lejuar, por shumë më të ulëta krahasuar me qytetet e tjera. Megjithatë, edhe qyteti i Durrësit ka pikat e saj të nxehta. Sheshi “Liria” që është edhe sheshi qendror i qytetit, është zona më e ndotur nga zhurmat gjatë ditës në Bashkinë Durrës, me vlerën mesatare të matur 64.8 dB, ndërsa gjatë natës, niveli më i lartë i zhurmave i monitoruar është Sheshi “Pavarësia” me vlerën mesatare të matur 63.5 dB (A). Zona më pak e ndotur nga zhurmat gjatë ditës është zona të shkolla 9-vjecare “Bedrie Bebeziqi” me vlerën mesatare të matur 44.1 dB, ndërsa gjatë natës, vlera mesatare më e ulët e matur është 38.6 dB te Pista e Plazhit “lliria” në Bashkinë Durrës.
“Për sa i përket Zonës D – zona e plazheve, nivelet e zhurmës gjatë ditës shfaqen problematike në Plazhin Teuta, Plazhin Hekurudha e shëtitoren e Vollgës, ku për shkak të zhvillimit kaotik të lëvizshmërisë, infrastrukturës së dobët të rrugëve, mbipopullimit dhe përqendrimit të aktivitetit të biznesit lokal, niveli i zhurmave të matura kap vlerën mesatare 59.3 dB. Ndërsa gjatë natës, pavarësisht uljes së nivelit mesatar të zhurmës, vlera mesatare e matur 46.2 dB është mbi normë, si pasojë e veprimtarisë së bareve dhe restoranteve të përqendruara në zonën e plazheve”, citohet në raport.