21 gusht 2021/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
Pandemia e CIVID 19 ka ndryshuar mënyrën sesi bashkitë i shpenzojnë të ardhurat e tyre. Raporti i konsoliduar për performancën e Financave Vendore në 6 mujorin e parë të këtij viti (janar-qershor 2021), i hartuar nga Ministria e Financave konstaton se pavarësisht riaktivizimit të ekonomive vendore gjatë kësaj periudhe, vendi vazhdon të ndodhet në kushtet e kufizimeve për shkak të pandemisë, që mund të vazhdojnë deri në fund të periudhës së vaksinimit. Kjo situatë pasqyrohet në strukturën e shpenzimeve sipas funksioneve të njësive të vetëqeverisjes vendore, e cila reflekton vazhdimësinë e masave për përballimin e krizës dhe pasojave të saj.
Raporti evidenton se kjo strukturë është e ngjashme me të njëjtën periudhë të vitit 2020, që ishte edhe viti pandemik, por shumë e ndryshme në krahasim me aktivitetin në të njëjtën periudhë të vitit 2019, që ka qenë edhe një vit normal. Krahasimi i të dhënave, sic duket edhe në grafikun e mëposhtëm tregon për një ri-alokim të fondeve nga funksionet “Shërbimet e përgjithshme publike” dhe “Argëtimi, kultura dhe feja” tek funksione të tjera si “Strehimi”, “Rendi dhe siguria publike”, si dhe “Mbrojtja sociale”.

Të dhënat e detajuara të raportit tregojnë se funksioni “Shërbimet e përgjithshme publike” ka rritjen më të madhe të shpenzimeve gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2021, krahasuar me një vit më parë me rreth 741 milion lekë ose 14% më shumë, dhe më pas vjen “Strehimi dhe komoditetet e komunitetit” me rritje me rreth 19%. Kundrejt 6 mujorit 2020, funksionet që paraqiten me financim me ulje janë “Shëndetësia”, me rënie me rreth 30%, si dhe “Rendi dhe siguria publike” me rreth 7%.
PESHA E SHPENZIMEVE VENDORE SIPAS FUNKSIONEVE (6 MUJORI 2021/2019)

Bashkitë kapërcejnë krizën, mbledhin më shumë të ardhurat
Ky vit po rezulton i mbarë për pushtetin vendor në drejtim të mbledhjes së të ardhurave. Të dhënat e raportit të Financave Vendore tregojnë për rritje të të ardhurave gjatë pjesës së parë të këtij viti, jo vetëm në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, që korrespondon edhe me karantinën ku u fut vendi, por edhe kundrejt vitit 2019, që ka qenë një periudhë me aktivitet normal ekonomik.
Kështu, të ardhurat e veta të pushtetit vendor në 6 mujorin e parë të vitit 2021 janë realizuar rreth 15.3 miliard lekë (51% e planit vjetor 2021), ku 91% ose 13.9 miliard e zënë taksat dhe tarifat vendore. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, të ardhurat e veta vendore janë realizuar me rreth 37% më shumë ose në vlerë absolute 4.1 miliard lekë. “Të ardhurat vendore paraqiten me performancë në rritje, jo vetëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 që i përket periudhës së mbylljes totale nga pandemia COVID-19 (36% më shumë), por ato paraqiten me rritje edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, respektivisht në masën 4 % (+ 508 milionë lekë)”, vlerësohet në raport.
RAPORTI I TË ARDHURAVE NË TAKSA DHE TARIFA VENDORE ((6 mujori 2021/2020)

Ndryshe nga 6 mujori i vitit të kaluar, ku efekti i COVID-19 është ndjerë në treguesit e të ardhurave të veta vendore të cilat patën ulje me rreth 24% krahasuar me vitin 2019, në 6 mujorin e parë të vitit 2021 vihet re një përmirësim i performancës së të ardhurave të veta ku me performancën më të mirë paraqitet grupi i taksave të pasurisë me rritje me rreth 59% ose ndryshe me një realizim në vlerë absolute rreth 3.5 miliard lekë, dhe pas tij vjen zëri i taksave dhe tarifave të tjera lokale me rritje prej 32%, ose me një realizim rreth 10 miliard lekë.
PËRBËRJA E GRUPIT TË TAKSAVE MBI PASURINË (6M – 2021/2020)

Në raport me totalin e të ardhurave nga taksat e pasurisë, gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2021, zëri i taksës së transaksioneve të pasurive të paluajtshme të realizuar në masën 337 milionë lekë zë rreth 9% të totalit, ndërsa zëri i taksës mbi tokën bujqësore është realizuar në vlerën e rreth 228 milion lekë dhe zë 6% të totalit të taksës së pasurisë. Zëri i taksës së truallit realizuar me rreth 136 milion lekë është edhe zëri që ka peshën më të vogël në taksën e pasurisë rreth 4%.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë, gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2021, me 4.3 miliard lekë zë 43% të vlerës totale të “taksave të tjera lokale” (prej 10.1 miliard lekë). Nga ky burim i të ardhurave vendore krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë akumuluar rreth 589 milionë lekë më shumë të ardhura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
60% e totalit të të ardhurave vendore (ose 9.2 miliard lekë) është mbledhur nga Bashkia e Tiranës gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2021. Burimi me i madh i të ardhurave për këtë bashki është “Taksa e ndikimit në infrastrukturë” e cila arrin vlerën e 3.4 miliard lekë ose rreth 37% të të ardhurave nga taksat dhe tarifat, ose rreth 22% të totalit të të ardhurave vendore për 61 bashkitë. Bëhet fjalë për taksën që paguajnë firmat e ndërtimit, në momentin që marrin leje ndërtimi nga pushteti vendor.
Të grupuara sipas numrit të popullsisë, bashkitë me mbi 100 mijë banorë (11 bashki përfshi edhe Tiranën) kanë realizuar 82% të totalit të të ardhurave të veta vendore në rang vendi.
Duke përjashtuar Bashkinë Tiranë, 10 bashkitë me mbi 100 mijë banorë kanë mbledhur rreth 3.3 miliard lekë ose rreth 55% të totalit të të ardhurave vendore (për 60 bashkitë e mbetura).
13 bashkitë me popullsi 50-100 mijë banorë kanë mbledhur rreth 1 miliard lekë ose 16% të totalit të të ardhurave vendore (të 60 bashkive pa përfshirë Tiranën).
37 bashkitë me popullsi nën 50 mijë banorë kanë mbledhur 1.7 miliard lekë ose 29% të totalit të të ardhurave të veta vendore (të 60 bashkive pa përfshire Tiranën).

Në rritje dhe shpenzime vendore, ndryshon struktura
Duke pasur më shumë të ardhura në dispozicion, bashkitë kanë rritur shpenzimet. Raporti i Ministrisë së Financave konstaton se totali i shpenzimeve të pushtetit vendor gjatë 6 mujorit të parë të 2021 është rreth 24.3 miliard lekë ose rreth 42% të planit vjetor të miratuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shpenzimet e pushtetit vendor janë realizuar rreth 9.5% më shumë ose në vlerë absolute rreth 2 miliardë lekë.
Në shpenzimet e realizuara në pjesën e parë të këtij viti, peshën më të madhe e zënë shpenzimet e personelit me rreth 48.8% e totalit të shpenzimeve vendore, pas tyre vijnë shpenzimet operative me rreth 27.8%; shpenzime të tjera për subvencione dhe transferta me rreth 3.1%, ndërsa shpenzimet për investime zënë rreth 20.4%.
Të dhënat e detajuara tregojnë se në pjesën e parë të këtij viti shpenzimet për investime kanë pësuar një rritje të lehtë prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa investimet e Bashkisë Tiranë përbëjnë rreth 34% të totalit të investimeve të realizuara nga pushteti vendor gjatë kësaj periudhe.
STRUKTURA E SHPENZIMEVE VENDORE (6 mujori 2021/2020)

Shpenzimeve të tjera korrente (ku përfshihen edhe transfertat familjare, subvencionet) kanë pasur një rënie gjatë 6 mujorit të parë 2021 me rreth 20 milionë lekë ose ndryshe me rreth 20% krahasuar me një vit më parë.
“Gjatë pandemisë COVID-19, pushteti vendor ka ndryshuar strukturën e shpenzimeve sipas burimeve duke rritur peshën e shpenzimeve të financuar nëpërmjet transfertave dhe ulur atë nga të ardhurat e veta”, theksohet në raport. Gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2021, peshën më të madhe e zënë shpenzimet e realizuara nga transfertat nga buxheti i shtetit me rreth 55%, ndërsa ato nga të ardhurat e veta zënë rreth 43%, 1% shpenzimet me burim financimin e huaj dhe 0.2% shpenzimet e realizuara me burim financimi të ardhurat jashtë limitit”. Pavarësisht peshës që zënë shpenzimet sipas burimit të financimit, Ministria e Financave konkludon së këtë vit kemi një kthesë ndryshe nga viti i pandemisë, pasi përqindja që zënë shpenzimet e realizuara nga transfertat ndaj shpenzimeve totale të realizuara është ulur me 2%, ndërsa ajo nga të ardhurat e veta është rritur me 1%.