17 gusht 2021/ Xhesian Shazimani/ Porta Vendore/ Tiranë
Për rreth 400 familje të 6 fshatrave në Njësisë Administrative Zall Bastar, në rrethin e Tiranës, dërgimi i fëmijëve në shkollë dhe kryerja e punëve të përditshme është një sfidë më vete, pasi duhet të kalojnë në një urë me tela, e cila ka dalë jashtë funksionit. Premtimet e shumta të dhëna në kohë fushate nuk kanë mundur ende të përkthehen në investime.
E ndërtuar që në vitin 1997, ura “Maksut Fejza” u shërben fshatrave Fejzaj, Zgura, Gjonaj, Përkolaj, Shyqyr dhe Mal-Gjepalaj për t’u lidhur me qendrën e njësisë administrative të Zall Bastarit. Kjo urë është e aksesueshme vetëm për këmbësorët. Për banorët që kanë makina, si zgjidhje kanë kalimin përmes lumit vetëm gjatë muajve të verës, pasi gjatë dimrit fryrja e lumit e bën të pamundur kalimin me automjet.

Muajt e dimrit bëhen të vështirë edhe për kalimin në këmbë të urës, pasi mungesa e mirëmbajtjes nga instancat shtetërore ka bërë që ura të ketë gërryerje në këmbët mbajtëse të saj, dërrasat janë të kalbura dhe pa mbrojtëse anësore. Mungesa e infrastrukturës në këto tre dekada edhe në rrugët që lidhin këto fshatra, ka bërë që këto zona në periferi të kryeqytetit të braktisen nga banorët.
Për Portën Vendore, Ali Bajrami banor i fshatit Fejzaj, thotë se kjo urë shërben edhe për rreth 80 nxënës që u duhet të kalojnë mbi të për të shkuar në shkollë. Në dimër ata bllokohen dhe ndaj i duhet të lënë mësimin. Ai gjithashtu thotë se ka patur shumë raste ku kanë rënë banorë nga thyerja e dërrasave. “Kjo urë është ndërtuar në vitin 1997, mos gabohem. Është urë për këmbësorët dhe është bërë e pakalueshme se janë kalbur dërrasat. Makinat kalojnë përmes shtratit të lumit. Në dimër bllokohen makinat, nuk kalojnë dot, se nuk të lë lumi është i rëmbyeshëm. Është një zonë shumë e madhe këtu. Janë tek 70-80 nxënës që u shërben kjo urë për të shkur në shkollë, në dimër bllokohen, nuk shkojnë në shkollë, ose e kalojnë me këmbë sipër urës, e cila është rrezik se nuk ke ku mbahesh. Ka patur raste kanë rënë njerëzit, është thy dërrasa dhe kanë rënë në lumë. Është tepër e domosdoshme një urë këtu”, u shpreh Ali Bajrami për Portën Vendore.

Ndërsa banori Petrit Loka tregon vështirësitë që hasin banorët kur duhet të transportojnë një të sëmurë në kohën kur lumi është i pakalueshëm me makinë. “Me këtë urë ne na ka zënë halli. Jemi gjithë këto fshatra që kalojmë nga kjo urë dhe institucionet as kanë vënë dorë ta rregullojnë. Ne më shumë hallin e kemi në dimër kur ka shumë prurje lumi, kur na sëmuret ndonjë njeri duhet dy makina me e transportu, një që e sjell deri te ura dhe një që e pret matanë urës për ta transportuar për në spital. Me frikë kalojmë edhe sipër saj, se dërrasat janë të kalbura dhe thyhen lehtë”, rrëfen ai, teksa shprehet se premtime për rregullimin e urës janë bërë në çdo fushatë, por që deri më tani as mirëmbajtje nuk i është bërë nga ana e institucioneve.

Loka na tregon dhe paradoksin ku janë investuar rreth 400 milionë lekë për restaurimin dhe zbukurimin e sheshit të njësisë administrative Zall Bastar, ndërsa fryma e investimeve nuk ka mbërritur deri në këto fshatra, duke mohuar kështu ekzistencën e një ure që është tepër e nevojshme.
I pyetur nga Porta Vendore, kryeplaku i fshatit Fejzaj ku ndodhet dhe ura, thotë se e ka ngritur si shqetësim dhe sipas tij është në plan ndërtimi një urë e re, por që nuk ka një datë të caktuar se kur mund të fillojnë punimet. “E kemi ngritur si shqetësim dhe unë e di se është hedhur një preventiv për urë betoni. Pra, e kemi ndjekur dhe është konsultu që kur të bëhet do jetë urë betoni. Kështu është thënë. Afat kohor nuk na kanë dhënë, nuk e di, por e di që është në vijë të mbarë”, u shpreh kryeplaku Jemin Fejza.

As administratori i Zall Bastarit, i cili ka në juridiksion këtë urë, nuk ka një afat kohor se kur mund të fillojë ndërtimi i saj. “Është ngritur si shqetësim, edhe është në fazë planifikimi për ndërtimin, për urë për automjete. Afat kohor se kur do të fillojë nuk di të them se e ka drejtoria e planifikimit të investimeve dhe nuk di të them për detajet. Di që është në fazë planifikimi për investim të radhës”, tha aministratori Genc Sita për Portën Vendore.
Për të mësuar më shumë se nëse ka një projekt të tillë dhe në çfarë faze ndodhet, Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë zyrtare dhe Bashkisë Tiranë, por nuk mori asnjë përgjigje. Ndërsa në investimet për vitin 2021, nga kërkimet që Porta Vendore kreu, rezultoi që nuk është parashikuar asnjë investim i tillë. E ndërsa banorët e zonës po presin me shpresë një zgjidhje sa më të shpejtë nga institucionet vendore, ata kanë frikë se vjeshtën dhe dimrin e ardhshëm do u duhet të përdorin këtë urë që mund të shembet dita ditës.