16 gusht 2021/ Franceska Ndoja/ Porta Vendore
Prej më shumë se dy javësh, Shqipëria po lufton me zjarret nga veriu në jug. Mijëra hektarë pyje, shkurre, kullota dhe prona private janë shkrumbuar në mbarë vendin ditët e fundit. Situata problematike përfshiu më shumë se 15 rrethe si: Shkodër, Lezhë, Pukë, Kukës, Elbasan, Fier, Skrapar, Durrës, Tiranë, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë, ku vatrat më kritike ishin në Karaburun të Vlorës dhe në Malin e Rrunës në Kukës. Dëmet e deritanishme janë të mëdha, por ende autoritetet nuk kanë dalë me një bilanc total paraprak, ku janë shënuar dhe dy viktima, ndërsa gjashtë vatra zjarri mbeten ende aktive, ku dy prej tyre janë tejet problematike.
Zjarret në Gjirokastër
Porta Vendore kontaktoi me një sërë bashkish të përfshira nga vatrat masive të zjarrit sidomos gjatë 2 javëve të fundit, për të kuptuar më shumë se si qëndron situata aktualisht.
Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha për Portën Vendore se janë djegur një sasi e konsiderueshme tokë bujqësore dhe se zjarrvëniet janë në pjesën më të madhe të qëllimshme.
“Kemi rreth 800 ha pyje, kullota, ara të djegura. Kemi rreth 10 ha vreshtari, por ajo që është më e rënda është humbja e një jete njerëzore dhe kjo është fatkeqësia më e madhe që kemi pasur. Sa i takon zjarrvënieve, në një rast unë kam qenë prezent, ku një bari donte të shkrumbonte mbeturinat, por zjarri mori përmasa të mëdha, duke rrezikuar një fshat të tërë. Në çdo moment zjarrvënia quhet kriminale”, tha ai në një prononcim për Portën Vendore. Në fakt në Gjirokastër u shënuan dy viktima nga zjarret. Më datë 3 gusht, Andrea Haxhiaj, 64 vjeç, banor në fshatin Asim Zeneli në Njësinë Administrative të Lunxhërisë, në tentativë për të shuar zjarrin që po i afrohej banesës së tij, humbi jetën nga flakët. Bashkëshortja e tij tentoi t’i japë ndihmën e parë, duke u plagosur rëndë dhe fatkeqësisht ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.
Por veç bilancit tragjik me dy viktima, zjarret në Gjirokastër kanë shkrumbuar jo pak sipërfaqe frutore dhe vreshtarie rreth tyre, të cilat kanë dëmtuar më së shumti banorët e këtyre zonave. Vojsava Shena tregon se i është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme ullinjsh ku i biri kishte investuar 12 vite. “Mu dogjën 120 rrënjë ullinj të djalit. Djalin e kam në Greqi. Mezi punoi 12 vite që ullinjtë të bëheshin. U dogjën edhe vreshta të tjera”, shprehet ajo.
Lidhur me zjarret e fundit në Gjirokastër, policia po zhvillon hetime për shkaqet e rënies së tyre. Gjithashtu po hetohet mbi bazë të dëshmive që kanë dhënë vetë banorët në të tre zonat ku u shfaqën pothuajse në të njëjtën kohë pasditen e së martës (3 gusht 2021) tre vatrat e fuqishme të zjarreve: në fshatin “Asim Zeneli”, fshatin Krinë dhe fshatin “Arshi Lengo”. Nënkryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Ylli Muho tha për Portën Vendore se ai kishte bindjen se shkaktarë të zjarreve të fundit janë barinjtë e papërgjegjshëm që kërkojnë të përmirësojnë kullotat duke e kthyer në katastrofë këtë situatë. Ndërkohë, në Gjirokastër janë 4 mjete zjarrfikëse me 30 punonjës, të cilët aktualisht po mbajnë nën kontroll situatën.
Zjarret në Vlorë
Ndërsa në Vlorë, beteja me zjarret vijon prej më shumë se dy javësh. Situata më kritike ka qenë në Gadishullin e Karaburunit, Gjirin e Gramës, te Gropa e Pirit dhe fshati Gorisht. Vatrat aktive në fshatit Dukat i Ri vunë në rrezik Parkun e Llogarasë. Një tjetër vatër zjarri shpërtheu mëngjesin e së enjtes datë 5 gusht 2021 edhe në Nartë, duke rrezikuar ish depot e naftës, ndërsa shtëllunga tymi mbuluan edhe qytetin e Vlorës. Mijëra HA pyje, tokë bujqësore dhe bimësi janë shkrumbuar nga zjarret e rëna. Për ditë të tëra shërbimi zjarrfikës dhe punonjësit e zonave të mbrojtura punuan pa mbështetje nga emergjencat civile, ndonëse në kushte tejet të vështira. Punonjësi i zjarrfikëses, Luan Kapaj, tregoi për mediat kushtet e vështira me të cilat po punojnë, ndërsa prej javësh së bashku me kolegët e tij po lufton me zjarret në këtë qark, teksa këta të fundit ndihen të harruar nga qeveria. Kapaj pohon se përballimi i zjarreve po bëhet me mjete primitive. “Fatkeqësisht edhe nëqoftëse ngremë zërin për mjetet apo pajisje zjarrfikëse, ne nuk kërkojmë luks. Ne kërkojmë thjesht mjete të domosdoshme, apo pajisje minimale apo veshje minimale që ne të kryejmë atë që na kërkon ligji. Jo të rrimë larg zjarrit dhe të kemi frikë. Nëqoftëse unë do të kem mjetet e punës edhe zjarrit do i afrohem dhe ta izoloj”, u shpreh ai. Ndërsa, drejtori i zjarrfikësve Kastriot Bega tregon se terreni dhe mungesa e mjeteve të duhura ka vështirësuar punën e zjarrfikësve. “Këto automjete që kemi ne janë të tonazhit të rëndë, për kullotat dhe lartësisë duhen tonazhe më të lehta, me qëllim të afrohesh tek pika e zjarrit. Unë mendoj që zjarret në kullota janë të qëllimshme dhe këto shkaktuan atë që nga zjarri i vogël kaloi në përmasa të mëdha. Emergjente është pajisja e zjarrfikësve me mjete të reja”, u shpreh ai për mediat. U desh një javë që zjarrfikësit të punojnë pa mjetet e duhura që emergjencat civile të shkojnë në Vlorë. Forcat e ushtrisë mësynë nga toka, ndërsa një helikopter luftoi flakët nga ajri. Më 9 gusht mbërriti dhe një helikopter i BE-së nga Holanda, por fati ishte që shirat të shuajnë vatrat e rrezikshme dhe tashmë situata është më e qetë, por që la pas dëme kolosale.
Prefekti i Qarkut Vlorë, Flamur Mamaj tha për mediat se vatrat e zjarrit kanë shkaktuar një dëm kolosal në Vlorë dhe sidomos në Karaburun. Edhe pse nuk ka ende një bilanc për dëmin, Mamaj tha se vetëm në Gadishullin e Karaburunit dëmi i ka kaluar dëmin e vitit 2020 ku nga 128 vatra zjarri pati një dëm prej 33 milionë lekë. Ai tha se ka pasur vatra në të 7 bashkitë e Qarkut Vlorë dhe në shumicën e rasteve kanë qenë zjarre të qëllimshme. Prefekti i Vlorës nga ana tjetër e cilëson të domosdoshme kompletimin e zjarrfikësve me mjetet e duhura, pasi situata e krijuar ditët e fundit nxori në pah se mungojnë dhe pajisjet elementare.
Zjarret në Korçë
Vatra zjarri janë shfaqur edhe qytetin juglindor të Korçës, ku situata ishte problematike në Vithkuq dhe Voskopojë. Zjarri i rënë ka shkrumbuar rreth 110 ha pisha dhe bredha në zonë, ndërkohë që janë angazhuar më shumë se 100 punonjës për të neutralizuar flakët. Situata shqetësuese mbetet edhe në zonën e Gjonomadhit, ku ka vatra aktive, të cilat nuk janë shuar ende dhe vazhdojnë e djegin bimësi e pyje. Ndërkohë, ndërhyrja nga ajri ka qenë e pamundur për shkak të shtëllungave të tymit që kanë mbuluar gjithë zonën. Sotiraq Fiqo, kryetari i Bashkisë së Korçës pohoi për Portën Vendore se po punohet për të neutralizuar situatën, po mungesa e mjeteve e vështirëson edhe më shumë ndërhyrjen efikase. “Janë duke punuar në terren forca të MNZSH të Bashkisë Korçë, punonjës të njësive administrative dhe forca te ushtrisë. Për shkak të terrenit ndërhyrja po bëhet vetëm me forca njerëzore pa mjete, të cilat janë në gatishmëri”, tha ai në një bisedë telefonike. Ndërsa drejtori i Zjarrfikëses së Korçës, Koço Cicko tha se do të duhet të bëhet inventari nga specialistët për të parë përllogaritjen të dëmeve të shkaktuara gjatë gjithë këtyre ditëve.
Zjarret në Fier
Zjarret masive në Fier kanë djegur mbi 9 mijë rrënjë ullinj dhe 70 hektarë me pyje. Më shumë se 9 000 rrënjë ullinj shekullorë dhe rreth 70 ha pyje me pisha është dëmi i shkaktuar nga zjarret e ditëve të fundit në Bashkinë e Fierit. Drejtori i Mbrojtjes Civile në Bashkinë e Fierit, Maksim Zarka pohoi zyrtarisht se emergjencat civile nuk ishin të përgatitura për këtë situatë. Ai tha gjithashtu se mungesa e infrastrukturës rrugore në zonat pyjore ka sjellë kosto të mëdha të dëmeve të shkaktuara nga vatrat e zjarrit, por edhe mungesa e mjeteve zjarrfikëse. “Ne akoma nuk i kemi me standarde rrugët për në kodrat me ullinj. Rrugët tona lënë për të dëshiruar. Kjo do të jetë një nga masat që do e shikojmë me kujdes në të ardhmen që të përpiqemi të kemi rrugë të gjerë. Ne duhet të bëjmë të mundur që në të ardhmen të hyjmë në çdo cep të ullishteve dhe pyjeve. Në menaxhimin e zjarreve kemi bashkëpunuar me sektorin i zjarrfikëses Rroskovec, Patos dhe Divjakës”, tha ai. Zonat më të dëmtuara janë ajo e Radostinës, Vadhisë, Zhupanit, Cakranit dhe Gjorgozit, ku veç pyjeve me pishë, janë shkrumbuar edhe mijëra rrënjë ullinj.
Zjarret Shkodër
Edhe në qarkun Shkodër janë shfaqur mbi 10 vatra zjarri, ku flakët kanë shkaktuar dëme në pyje, kullota dhe prona private. Më shumë se 1 ha shkurre janë djegur pranë fshatit të Beltojës, ku fillimisht u rrezikonin edhe varrezat e fshatit. Në fshatin Gruemirë në Malësi të Madhe janë shkrumbuar 1 ha tokë bimë medicinale. Mbrëmjen e 4 gushtit një vatër zjarri u shfaq edhe në Bashkinë Shkodër në lagjen Tepe. Vatra po përhapej me shpejtësi, duke rrezikuar banesat dhe xhaminë në këtë lagje. Por ndërhyrja e katër mjeteve zjarrfikëse arriti të neutralizonte flakët në këtë zonë. Flakëve nuk i ka shpëtuar as Mali i Taraboshit, ku një pjesë e konsiderueshme e pyjeve dhe pemëve është shkrumbuar.
Mali i Cukalit në njësinë administrative Temal, ka luftuar me zjarrin për 3 ditë me radhë. Banorët e kësaj zone hera-herës kanë bërë thirrje për ndërhyrje nga ajri, për shkak të terrenit të thyer dhe të vështirë malor por këta thirrje ranë në vesh të shurdhët, duke bërë që flakët të neutralizohen nga punëtorët e zjarrfikësve dhe banorët me bote me ujë.
Në kryeqendrën e Veriut, vatra zjarri u shfaqën edhe në Njësinë Administrative Kelmend, fshati Budac Vermosh, në Njësinë Administrative Qafe Mali, fshati Qafe Mali, në Okol, Theth, Njësia Administrative Shalë, në Pult dhe Postribë në vendin e quajtur Ura e Telit, në Fushë Arrëz dhe në Bogë, njësia administrative Shkrel.
Për shkak të terrenit të thyer malor dhe të vështirë, punonjësve të zjarrfikësve u kanë ardhur në ndihmë edhe banorët e zonës, të cilët me mjete rrethanore neutralizuan flakët, të cilat zgjatën rreth 24 orë. Drejtuesi i zjarrfikësve në Shkodër, Agron Dibra pohoi për Portën Vendore një sërë problematikash, që nga mungesa e punonjësve, amortizimi i mjeteve të punës e deri tek problemet me pagat. “S’janë mjaftueshëm për të përballuar zjarret. Kemi pak punonjës, si rrjedhojë shumë orë pune. Kemi dhe probleme me pagat. Sipas ligjit duhet të jenë minimumi 100 zjarrfikës, por jemi 35. Kemi bërë kërkesa, por nuk ka zgjidhje. Problemi me rrogat nis nga ligji”, u shpreh Dibra.
Zjarret në Kukës
Vatra e zjarrit në Majën e Rrunës, mbi tunelin e Kalimashit është cilësuar si një nga më kritiket pas Karaburunit. Kjo vatër vijon të jetë ende aktive. Flakët janë përparuar ndjeshëm, duke u kthyer dhe në një rrezik për përdoruesit e rrugës. Terreni i thyer vështirëson ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikësve nga toka dhe është kërkuar ndërhyrja nga ajri. Në tunelin e Kalimashit janë nisur Forcat e Armatosura të Shqipërisë, si dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, mjete dhe zjarrfikës nga Lezha dhe Shkodra. Ekipet emergjente janë përqendruar në zonën e tunelit të Kalimashit, ku si pasojë e erërave të forta dhe terrenit, zjarri është përhapur drejt fshatit Shëmri.
Në ndihmë të zjarreve në këtë zonë kanë shkuar edhe zjarrfikëset e Shkodrës e Lezhës. Të gjitha strukturat EC, MZSH të Bashkive përgjatë gjithë kësaj kohe kanë qëndruar në gatishmëri për ndërhyrje nëse përshkallëzon situata në afërsi të qarqeve të tyre. Në këtë rast, sigurisht Bashkitë që janë më në afërsi të Kukësit, që është edhe Shkodra, i është përgjigjur pa asnjë hezitim situatës duke dërguar mjetin dhe duke qëndruar atje në varësi të nevojave deri mesditën e datës 10 gusht që janë shuar një pjesë e mirë e flakëve, duke ndërhyrë në mënyrë të koordinuar nga strukturat operacionale”, thanë në një prononcim për Portën Vendore zyrtarë të Bashkisë Shkodër.
Zjarret në Lezhë dhe Mirditë
Vatrat e zjarrit nuk kanë kursyer as Lezhën dhe Mirditën, ku janë shkrumbuar dhjetëra ha pyje. Zjarri filloi në Qarkun Lezhë, por u përhap pranë Mirditës favorizuar nga era. Zonat që u rrezikonin ishin fshatrat Bulger, Katund i Vjetër dhe Rubik duke vënë në rrezik shtëpitë dhe pronat. Për shkak të mungesës së zjarrfikësve, banorët është dashur të luftojnë me flakët për të neutralizuar situatën.
Megjithatë, Lezha është një nga zonat që ende ka vatra aktive zjarri. Gjatë natës më 13 gusht janë riaktivizuar dy vatra zjarri në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë. Efektivë të FA, të zjarrfikëses, shërbimit pyjor e bashkisë po punojnë për shuarjen e flakëve. Zjarri në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë është riaktivizuar, duke djegur sipërfaqe pyjore me shkurre dhe dushqe. Aktualisht vatra vazhdon me intensitet të ulët dhe strukturat janë në ndjekje të situatës.
Dy vatrat më të rrezikshme aktive mbeten ajo në Majën e Rrunës në Kukës dhe një vatër në Malet e Tërbunit në Pukë, ku për shkak të terrenit të vështirë po ndërhyhet nga ajri. Po ashtu një zjarr aktiv është në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha në fshatin Mbreshtan, bashkia Kolonjë. Zjarri është shumë larg nga zona e banuar dhe nuk paraqet rrezikshmëri, ndërsa situata është në ndjekje. Po ashtu dy vatra aktive zjarri vijojnë të jenë në një sipërfaqe pyjore me dushqe dhe shkurre, por me intensitet të ulët në fshatin Radat, bashkia Dropull.