Vëzhgim/Analizë

Projekti i 100 fshatrave turistik, një propagandë e mbetur në letër në Kavajë e Rrogozhinë

15 gusht  2021/Marinela Dushi/ Porta Vendore/Rrogozhinë/Kavajë

Projekti i 100 fshatrave turistikë vijon të lërë në harresë zonat e përzgjedhura si pika kyçe për tërheqjen e turistëve, duke vënë në dukje se premtimi i qeverisë në fillimin e mandatit të dytë, nuk është mbajtur, për t’i shndërruar këto 100 fshatra jo vetëm në destinacione të rëndësishme turistike por edhe në përthithëse të fondeve për infrastrukturën dhe zhvillimit. Porta Vendore udhëtoi në 3 fshatra në bashkitë Rrogozhinë dhe Kavajë për të parë nga afër se çfarë ka ndryshuar në këto zona.

Në prezantimet e programit turistik të 100 fshatrave në fillim të vitit 2018, sipas të cilit do të investohej për t’i kthyer në pika atraktive turistike, kryeministri Edi Rama tha se: “Nuk bëhet fjalë për investime të natyrës së këtyre 20 e kusur viteve dhe as për investime të përqendruara në 100 ishuj të veçantë, thjesht për të ndryshuar 100 fshatra. Bëhet fjalë për 100 pika graviteti mbi të cilat jemi të bindur se do të krijohen rrathë zhvillimi dhe rrjetëzime të investimeve në agroturizëm”. Më tej ai solli në vëmendje shembuj të sukseseve duke treguar shifrat e para që fitohen nga aktiviteti i bujtinave “500 mijë bujtina dhe hotele në hapësirën rurale ka në 28 vendet e Bashkimit Europian. 150 miliardë euro fitohen nga aktiviteti i këtyre 500 mijë bujtinave dhe hoteleve në hapësirën rurale”, tha Rama, i cili shtoi në atë kohë se përzgjedhja e fshatrave është bërë duke u konsultuar me ekspertët e kryebashkiakët, dhe investimet në këto fshatra do të sillnin një zhvillim të madh ekonomik.

Programi i 100 fshatrave, i cili parashikohej të zbatohej në periudhën 2018-2020, synonte të bënte një koordinim në ndërhyrjet zhvillimore në hapësirën rurale të 100 fshatrave, sipas qasjes ndërsektoriale dhe me shumë aktorë. E gjitha do të fokusohej në investime publike, me potenciale të larta zhvillimi ekonomiko-social, agroturizmit dhe turizmit rural, natyrës dhe mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore.

Për të parë në terren se sa është zbatuar ky projekt dhe çfarë ka ndodhur me investimet e premtuara, Porta Vendore pa nga afër 3 fshatra turistikë, përkatësisht fshatin Gërmenj, pjesë e Bashkisë Rrogozhinë dhe fshatrat Karpen dhe Vilë Bashtovë, pjesë e Bashkisë Kavajë.

Germenj, fshati halleshumë pjesë e 100 fshatrave turistik

Germenj është fshati i vetëm i cili është përzgjedhur si fshat turistik nga qeveria në Bashkinë Rrogozhinë. Të bekuar nga natyra, toka në këtë zonë është mjaft pjellore dhe banorët jetesën e sigurojnë me prodhimet bujqësore dhe tregtimin e tyre. Por ndryshe nga natyra, qeveria nuk është treguar bujare.

Tabela për në brendësi të fshatit. Foto: M. Dushi

Porta Vendore vëzhgoi nga afër fshatin Germenj gjatë muajit qershor. Për të arritur në këtë fshat na u desh të pyesnin disa qytetarë gjatë rrugës, pasi në google maps nuk figuronte asgjëkund. Kjo, një vështirësi për turistët që mund të kenë interes për të vizituar këtë fshat, ku në fakt nga vëzhgimet tona dhe dëshmitë e banorëve nuk ofronte atraksione turistike. Na u desh të kalonim disa fshatra duke përshkruar rrugë të amortizuara dhe me asfalt të segmentuar. Pas disa minutash në kërkim të Germenjt, arritëm. Në fillim të qendrës së fshatit ishte vendosur një tabelë e vjetër, e cila të njoftonte se kishim mbërritur në destinacion. Qendra e fshatit ishte shumë e vogël, ku e vetmja gjë që binte në sy ishte një monument në tentativë në rrethrrotullim, ndërsa trotuaret ishin të zëna nga shitësit ambulantë.

Ishte ora 10 e mëngjesit, por pavarësisht kësaj, dielli kishte dalë dhe rrezet e tij kishin rritur ndjeshëm temperaturat. Dy tregtarë, burrë e grua të cilët shisnin rroba, po nxitonin të mbyllin tezgën, mbase për shkak të vapës apo se punonin vetëm në mëngjes.

“Ne vijmë nga Lushnja për të shitur rroba të ndryshme tregu këtu. Kemi shumë vite, por së fundmi nuk ka më punë. E dimë që është fshat turistik, por ne s’na duket për i tillë, mbase ngaqë s’kemi arritur të depërtojmë deri në brendësi të fshatit, pasi vijmë thjesht për punë”, tha Manushaqja, e cila vijonte të paloste disa rroba fëmijësh për t’i futur në thasët e zinj, e për t’i risjellë sërish ditën tjetër me vete. “E vetmja gjë që mund të këtë bërë që fshati të përzgjidhet si zonë turistike mbase është se këtu kanë rënë disa italianë gjatë luftës, por tjetër gjë nuk dimë të ketë”, ia pret burri tregtar.

Qendra e fshatit Germenj. Foto: M. Dushi

Afër tyre, por edhe ngjitur me shkollën e fshatit, ishte vendosur një makinë kioske, ku Shkëlqim Greca shiste patatina, molto e produkte të tjera, kryesisht për fëmijët e shkollës. Ai na tregon se investime ishin kryer vetëm për pastrimin e kanaleve të ujitjes, por nga vëzhgimi ynë, ende shumë prej tyre ishte të papastruara e të mbushura me barishte. “Këtu siç e shihni vet, investime janë bërë për kanalet ujitëse, kanë filluar t’i pastrojnë, pasi këtu është problem ujitja e tokave”.

Duke marrë parasysh që përmirësimi i infrastrukturës është një ndër pikat kryesore të projektit të 100 fshatrave dhe në zonat e përzgjedhura do investohej edhe në këtë sektor, Greca tregon se rruga është shtruar me asfalt vetëm një herë dhe kjo sipas tij ka ndodhur para shumë vitesh. “Rruga është bërë para 20 vitesh nga komuna”, tregon ai për Portën Vendore.

Ndër të tjera, Greca tregon se ka dijeni se fshati është listuar në 100 fshatrat turistikë, por ai tregon se nuk ka asnjë element turistik në fshat, ndërsa shtoi se në fshat, bujqësia është i vetmi burim të ardhurash ku banorët mund të punojnë në serat e fqinjëve, kryesisht në serat e rrushit, tipik për këtë zonë. Fshati nuk të ofronte as një lokal apo restorant ku mund të shijoje produktet e zonës. “Këtu nuk ka agroturizëm, këtu vetëm ik e pi një birrë të thatë dhe kaq, s’ka as një kafe. Ku ka njerëz këtu”, thotë ai teksa vetë po freskohej me një birrë si për t’i bërë ballë vapës.

Shkëlqim Greca duke folur për Portën Vendore. Foto: M. Dushi

Greca thekson se fshati është boshatisur, të rinjtë janë larguar për në emigrim për shkak se nuk ka vende punë dhe ekonomi në fshat, duke shtuar se edhe ai mendon të braktisë Shqipërisë pavarësisht moshës, sapo të hapen kufijtë e bllokuar nga pandemia.

Qendra e fshatit Germenj është e heshtur, përveç 2-3 shitësve ambulantë, në rrugë nuk duket njëri. Në brendësi të fshatit, pak metra larg qendrës, ndalojmë në një lokal ku shikojmë vetëm burra apo djem të rinj që konsumonin kafen e mëngjesit, përmes të cilës ndanin edhe hallet. Aty flasim me dy djem të rinj, të cilët tregojnë për Porta Vendore se në fshat nuk është bërë asnjë investim për të ndihmuar ekonominë. Gani Hoxha, rreth 30 vjeç tregon se nuk ka punësim dhe e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhura është përmes bujqësisë. “Unë merrem me bujqësi, kam vreshta rrushi dhe merrem me tregtimin e tyre në lëndën e parë ose i përpunoj në verë. Por kemi problem se nuk kemi treg ku t’i shesim, dhe shpesh produkti na mbetet pa shitur dhe shkon dëm. Është e vështirë të jetojmë në këtë zonë, vitin e kaluar nuk arritëm të shisnim produktet tona, i gjithë mundi na shkoi dëm. Në këtë fshat nuk ka pasur asnjë turist dhe investime nuk janë realizuar prej kohësh”, rrëfen i riu për Portën Vendore.

Serat e rrushit në fshat. Foto: M. Dushi

Edhe pronari një i lokali në qendër të fshatit, Fisnik Gixhaj, thotë se ky vit ka qenë i vështirë për të.

Më tej një tjetër banor i fshatit, thotë se punësimi është në bujqësi. “Ky është një fshat i mirë, ne merremi me bujqësi, por nuk ka asgjë për turistët. Problematikë mbetet largimi masiv i banorëve dhe mungesa e tregut për prodhimet e tyre. Fshati ka rreth 800 banorë. Investimi më i mirë për në është një pikë grumbullimi për shitjen e prodhimeve”, shprehet Bajram Hoxha për Portën Vendore.

Gjatë vëzhgimit në fshat, ajo që na ra në sy ishin serat e mëdha duke vërtetuar se bujqësia është e vetmja mënyrë për mbijetesë në fshat.

Serat me produktet e mbjella në fshatin Germenj. Foto: M. Dushi

Gjatë vizitës në këtë fshat vumë re se gratë e fshatit punonin në serat e rrushit, me një pagesë 1000 lekë të reja për ditë pune. Kjo ishte e vetmja periudhë që ato fitonin të ardhura për familjen e tyre. Natasha Koçin dhe Drita Shulin i takojmë në rrugën e fshatit teksa janë nisur për në punë.

“Punojmë në fermat që prodhojnë rrush. Kanë investuar disa banorë dhe kanë krijuar fermat ku punojmë të gjitha gratë e fshatit. 1 mijë lekë dita e punës për 8 orë punë pa pushim dhe zgjat deri në mbledhjen e rrushit, më pas nuk kemi asnjë punë deri vitin e ardhshëm. Burrat nuk kanë mundësi punësimi, shumë janë larguar në emigracion, këto janë mundësitë tona. Për turizëm nuk shoh ndonjë gjë në fshat, këtu nuk ka hotele e bujtina. Deri më sot nuk kam parë asnjë vizitor që të vijë këtu si turist”, thotë Natasha.

Natasha Koci, duke folur për Portën Vendore. Foto: M. Dushi

Ndërkohë Drita shton se: “Prodhime bio, agroturizëm apo diçka tjetër historike nuk ka. Edhe një rezervuar që është, rruga është e keqe dhe nuk ka pasur vizitorë. Këtu turistët mund të vijnë vetëm të mësojnë si punojmë ne arat, se gjë tjetër nuk ka”, thotë ajo ndërsa vijon rrugën për në shtëpi.

Drita Shuli, banorë në fshatin Germenj. Foto: M. Dushi

Banorët e dinin mirë që të gjithë që fshati Germenj ishte pjesë e programit të 100 fshatrave turistik, që vetë pushteti lokal e qendror i ka zgjedhur, por kur i drejtonim pyetjen se çfarë mund të shohë një turist këtu, jo pak ngrinin supet, ndërsa të tjerë ishin më me këmbë në tokë, duke pranuar se fshati s’ka asgjë, përveç bujqësisë. Dhe në fakt përveç një rezervuari i cili nuk aksesohet veçse me makinë 4×4, fshati nuk ofron gjë tjetër për turistët.

Gratë e fshatit duke u kthyer nga puna e serave. Foto: M. Dushi

Ymer Shuli është një tjetër banor i fshatit i cili merret me bujqësi. Ai tregon për vështirësitë që po kalon, pasi tërmeti i dëmtoi shtëpinë më 26 nëntor të vitit 2019.

“Asnjë investim nuk është bërë ndërsa taksat për tokën, pastrimin e shërbimet e kanë bërë akoma më të vështirë jetën në fshat. Tërmeti na dha një goditje të fortë”. Punësimi është problem, jetoj me pensionin tim dhe çfarë gjej ndonjë punë me kohë të pjesshme këtu në fshat”, rrëfen ai.

Ymer Shuli, banor i fshatit Germenj duke folur për Portën Vendore. Foto:M.Dushi

Kjo është panorama e këtij fshati dhe vështirësitë që hasin banorët për të jetuar, ndërsa nga programi 100 fshatrat turistik nuk kanë përfituar asgjë.

Karpen/ Det, turistë dhe investime zero

Porta Vendore udhëtoi edhe në dy fshatra të Bashkisë së Kavajës, të përzgjedhur si zona turistike nga qeveria. Destinacioni i parë është Karpen, 8,2 km nga qyteti. Pasi udhëtuam disa minuta në autostradë, marrim kthesën djathtas në një rrugë dytësore. Pas 20 minutash me makinë, mbërrijmë në fshatin Karpen. Karpën ishte një fshat i vogël, por i mirëinvestuar nga banorët, sa i përket shtëpive dhe vilave që gjenden në këtë zonë.

Tabela informuese për në plazhin e Karpenit. Foto: M. Dushi

Ne qendër të fshatit, tek lokali i vetëm i fshatit, takuam 2 zotërinj në moshë. Biseda më ta ishte e këndshme. Ata na treguan se në fshat vijnë vizitorë pasi kishin interes për detin, por nuk ishte bërë asnjë investim prej vitesh.

Përparimi na rrëfeu se fshati mbahej me paratë e emigracionit, pasi këtu vetëm gjatë verës banorët punojnë disi, me ato turistë ose vizitorë që zgjidhnin shtëpitë e tyre për të fjetur, kundrejt një pagese prej një mijë lekësh të reja në natë.

“Fshati mbahet me emigracion, nuk ka njëri këtu, s’ka kush të punojë tokën këtu, të rinjtë janë larguar. Këtu nuk ka bujtina. Infrastruktura andej nga rruga plazhit është copë-copë. E sikur të mos mjaftonin këto mangësi tani na kanë mësyrë edhe rruspat e IKMT-së për prishjen e ndërtimeve të paligjshme, në mes të sezonit, nuk arrijë ta kuptojë. Këtu kemi probleme edhe me menaxhimin e mbetjeve por edhe me ujin gjithashtu dhe askush nuk kujtohet pavarësisht ankesave dhe kërkesave në bashki, premtime e asnjë realizim”, tha Përparimi për Portën Vendore.

Përparimi duke folur për Portën Vendore. Foto: M. Dushi

Ndërsa shoku i tij i kafes, Naimi ndjente të njëjtat shqetësime, megjithëse na rrëfeu se ka pak ditë që është kthyer nga Italia.

“Unë vetë punoj në sektorin e peshkimit. Së bashku me nja dy djem të tjerë të fshatit me dy peshkarexha bëjnë të mundur furnizimin e lokaleve dhe restoranteve në breg të detit me peshk të freskët. Por ama situata është shumë e keqe, askush s’ka vënë dorë për asgjë. Gjithë çfarë shikoni janë meritë dhe kontribut i vetë banorëve. Këtu s’ka të ardhme. Po ça turistësh të vijnë këtu aman, ça do shohin. Përveç detit, fshati Karpen s’ka asgjë”, shprehet ai.

Naimi duke folur për Portën Vendore. Foto: M. Dushi

Ndërsa pronarja e lokalit, Elisabeta Xhafa, 31 vjeçe thotë se nuk ka hotele dhe bujtina për të akomoduar turistët ndërsa shtoi se nuk ka punë pasi në lokal vijnë shumë pak veta, kurse turistët vendas kur vijnë për plazh zgjedhin lokalet në det. “Drejtoj prej 5 vitesh këtë lokal në qendër të fshatit. Fitimet janë të pakta, ndonëse turistët frekuentojnë lokale të tjera. Pjesa më e madhe e plazhit është private. Nuk ka investime në këtë zonë, që të ketë më shumë zhvillim”, rrëfen e reja për Portën Vendore.

Adriana Xhafaj, nënë e dy fëmijëve, e gjejmë teksa bënte punët në oborrin e shtëpisë. 49-vjeçarja tregon se nuk është bërë asnjë investim, duke shtuar se janë të bekuar me detin, por fshati është i prapambetur. “Asnjë investim nuk është kryer në zonë, dy fëmijët e mi janë larguar dhe jetojnë në Durrës nuk kthehen më këtu. Atje kanë gjetur punë dhe janë mirë, më thonë mami ne nuk kthehemi, se ne fshat nuk ka punë. Ndërsa bashkëshorti punon në ndërtim. Plazhi është privat dhe bizneset vijojnë punën e tyre. Vijnë turistë këtu, shkojnë nga deti, por fshati është i prapambetur”, tha ajo.

Lokali në qendër të fshatit Karpen. Foto: M. Dushi

Rruga për në Karpen dëshmon investimet e pakta ndër vite në këtë zonë, një perlë turistike por një fshat komplet i harruar nga dora e shtetit, pasi edhe kjo rrugë është e shtruar deri në një pikë e më pas është e dëmtuar, pasi nuk ka njohur investime prej vitesh.

Rruga që të çon në detin e Karpenit. Foto: M. Dushi

Besi Krasniqin e gjejmë duke punuar për ndërtimin e një shtëpie. Teksa na rrëfen se problemi infrastrukturor është ai më emergjenti në fshat, ai na tregon se shtëpinë po e bën për vete dhe jo si një investim për turistë, pasi po të kishte të tillë njerëz që frekuentonin fshatin e tyre do ta bënte një investim të tillë, por në këto kushte jo.

Rrugët në fshatin Karpen të pashtruara.Foto: M. Dushi

Pas bisedës me banorët e fshatit, zhvendosemi pranë bregdetit. Plazhi ishte shumë më i pastër se në shumë zonë të tjera të vendit, ndërsa rëra priste vizitorët e saj të parë të zgjidhnin ku do të akomodoheshin. Deti kishte një pamje të mrekullueshme, e uji ishte i pastër e në ngjyrë të kaltër.

Deti në fshatin Karpen, uji dukej i pastër. Foto: M. Dushi

Por turistë nuk kishte, rëra ishte e përpunuar nga bizneset të cilat ofronin shezlonge për pushuesit. Por në fakt shezlonget ishin të mbyllura. Ndërsa rëra me zona ishte e papastër, ku kishte grumbuj me leshterikë.

Bizneset në plazhin e Karpenit të Kavajës. Foto: M. Dushi

Edhe në këtë fshat nuk duken gjurmë të programit për 100 fshatrat turistik, i cili duhej të kthente këtë zonë në atraksion për pushuesit nëpërmjet investimeve por në mënyrë të tërthortë edhe të përmirësonte jetën e banorëve të zonës e të zhvillonte ekonominë në tërësi të këtij fshati.

Vilë Bashtova historike e mbuluar nga pluhuri i harresës

Ndalesa e radhës në vëzhgim të programit të 100 fshatrave turistik që Porta Vendore ndërmorri, ishte fshati Vilë Bashtovë, 16.7 km larg nga qendra e Kavajës. Për të mbërritur na u deshën mbi 30 minuta me makinë. Kureshtja dhe pritshmëritë ishin të larta, por në fakt gjithçka filloi të zbehej kur rrugës shohim se tabela që njoftonte elementë turistikë të fshatit, ishte e vendosur mes shkurreve dhe barishteve.

Tabela që njoftonte elementë turistike në fshatin Vilë Bashtovë. Foto: M. Dushi

Ishte e vështirë të qëndroje pranë saj pak minuta për të analizuar me vëmendje se ku ndodheshin zonat që ofronte hipizëm apo atraksione të tjera turistike. Pasi ecim rrugës shohim një tabelë të vogël me shkronja të zbehta që lajmëronte se duhej të ktheheshim majtas për të shkuar në kalanë e Vilë Bashtovës.

Kalaja e Vilë Bashtovës në Kavajë. Foto: M. Dushi

Teksa mbërrijmë pranë kalasë, në të djathtë të saj ishte një lokal modest. Përballë saj, ciceroni vullnetar i kësaj kalaje, Sinan Alla, kishte realizuar një kafe modeste si dhe kishte ndërtuar tualete për turistët.

Gjatë bisedës më të, ai na rrëfeu se nuk është bërë asnjë investim për mirëmbajtjen e godinës historike. “Këtu nuk është bërë asnjë investim, të gjitha janë përralla, janë vendosur vetëm disa tabela edhe ajo mes plehrave. Edhe barin pranë kalasë shkoj e heq unë. Turistë vijnë këtu, por nuk ka cicëron. E bëj unë këtë rol për t’i shpjeguar turistëve historinë që mbart kjo kala. Është për të ardhur keq, pasi është kala e bukur, është e madhe, por për shkak të përmbytjeve ndër vite, gjysma e saj është nën tokë. Mirëmbajtja është skandaloze. Këtu vijnë kryesisht turistë të huaj dhe ka shumë interes për zonën” tregon ai ndërsa përballë kalasë është duke rregulluar një shesh për të qëndruar turistët që vijnë për kamping.

Vilë Bashtova ka rreth 500 familje dhe banorët që takuam gjatë vëzhgimit tonë në terren për ndryshimet infrastrukturore e jo vetëm, pohojnë thuajse njëzëri që s’ka pasur asnjë investim në vitet e fundit, në asnjë sektor.

Kalaja Vilë Bashtovë në Bashkinë Kavajë. Foto: M. Dushi

Kalaja e Bashtovës ngrihet pranë fshatit të Vilë-Bashtovës, në një distancë prej 3-4 km në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit. Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60 x 90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash, mendohet se kjo Kështjellë ose Kala ka qene 2 katëshe ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë që ju do ta gjeni vetëm disa km jashtë Kavajës, dhe që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit. Kjo Kështjellë është e vetmja Kështjellë në Ballkan e ndërtuar në fushë.

Fshati nuk ka bujtina për turistët, dhe gjatë kësaj kohe nuk ka asnjë gjurmë të investimeve nga banorët vendas për to. Të vetmet restorante që gjen janë në fshatin Ballaj, por edhe ato nuk ofrojnë agroturizëm e produkte bio të zonës.

Institucionet, ping pong përgjigjesh

Porta Vendore lidhur me menaxhimin e projektit të 100 fshatrave turistik, mbi natyrën agroturistike të zonës dhe përmirësimin e ekonomisë vendase, pyeti Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si një nga institucionet e përfshira në këtë proces, nëse në zonat e vëzhguara të Kavajës dhe Rrogozhinës ka pasur zhvillim të kapitalit njerëzor dhe social për krijimin e rrjeteve rurale, grupeve lokale të veprimit si dhe shoqërinë civile në zonat rurale, trajnim profesional për të rinjtë dhe gratë, mbështetje të trashëgimisë kulturore, mbështetje për promovimin e traditave dhe jetesës në fshat, etj. Ministria, nëpërmjet përgjigjes zyrtare tha se vetëm aktualisht pritet të miratohet një ligj i tillë.

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me grupet e interesit dhe kryesisht Rrjetin Shqiptar për Zhvillimin Rural, ka iniciuar hartimin e Ligjit ‘Mbi organizimin dhe funksionimin e Grupeve Vendore të Veprimit’, i cili ka kaluar fazën e konsultimit publik, është dërguar dhe ridërguar për mendim tek ministritë e linjës dhe aktualisht është drejt fazës përfundimtare, drejt miratimit”, tha ky institucion.

Ndërsa Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka asistuar me hartimin e projekt-ideve në kuadër të Programit 100 fshatrat, në bashkëpunim me disa universitete dhe institucione publike, por ky institucion i tha Portës Vendore se projekt idetë i janë dorëzuar institucioneve të linjës.

Këto projekt-ide janë përcjellë në bashkitë përkatëse, Ministritë e Linjës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si institucione që kanë përgjegjësi për buxhetimin dhe zbatimin e tyre, ne kuadër të Programit 100 Fshatrat. Në webfaqen e AKPT-së, butoni PUBLIKIME, si edhe në rrjetet sociale AKPT_Shqipëria2030, mund të gjeni informacion në lidhje me projekt-idetë e prezantuara në përfundim të Akademisë 100+ Fshatrat”, tha ky institucion në përgjigjen zyrtare referuar Portës Vendore, ndërsa sugjeroi që të drejtoheshim për informacion në lidhje me ecurinë e zbatimit të Programit, pranë Fondit Shqiptar te Zhvillimit, si institucioni kryesor për implementimin e tij.

Porta Vendore iu drejtua Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ku ky institucion bëri të ditur se investimet do të fillojnë në infrastrukturën rrugore të dy fshatrave konkretisht të Vilë Bashtovës dhe Germenjit.

Rikonstruksioni i rrugës Vilë Bashtovë- Greth i Mesëm ( Plazhi i Spillesë). Një projekt që është në vlerësim dhe pritet të kushtojë 494 999 367 lekë. Si dhe një tjetër aks i quajtur një rrugë prioritare dhe që është në fazën e garancisë është rikonstruksioni i rrugës Germenj – Okshtun – Zambisht, me një vlerë prej 82 800 000 lekësh”, tha në përgjigjen e saj FSHZH.

Porta Vendore gjithashtu iu referua nëpërmjet një kërkese për informacion Bashkisë Rrogozhinë dhe Kavajë për të ditur më shumë rreth fatit të këtij projekti, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk pati një përgjigje.

Në të tre zonat e vëzhguara, u konstatua se projekti 100 fshatra kishte mbetur vetëm në letër për Germenj, Karpen dhe Vilë Bashtovë. Ndërsa afati për kthimin e këtyre fshatrave në zona turistike për të tërhequr turistë shqiptarë dhe të huaj, ka përfunduar në vitin 2020.