13 gusht 2021/ Albina Hoxha/ Porta Vendore
Punësimi i grave në sektorin publik, e konkretisht në stafet e bashkive në vendin tonë mbetet ende një problematikë, nëse krahasojmë shifrat e të punësuarave gra me të punësuarit burra. Nga ajo që vihet re në stafet e bashkive është se në asnjë rast numri i të punësuarve burra dhe gra nuk është i barabartë. Argumentet që sjellin bashkitë janë më të ndryshme si: mungesa e eksperteve në gra të arsimuara sipas specifikave që kërkohen. Nga ana tjetër programet e punësimit apo trajtimit të grave me qëllim punësimin janë ende të pakta, ku vetëm bashkia Belsh pohon se ka kryer një trajnim në masoneri ku dhe janë punësuar disa gra.

Porta Vendore kërkoi informacion lidhur me punësimet e grave dhe mbi programet e punësimit, në 13 bashki të vogla në vend, por vetëm 5 prej tyre dhanë përgjigje mbi këtë çështje, konkretisht Bashkia Pukë, Krujë, Lushnje, Belsh dhe Gramsh ndërsa bashkitë Bulqizë, Delvinë, Kurbin, Librazhd, Mirditë, Skrapar, Kolonjë nuk dhanë një përgjigje zyrtare pёr Portën Vendore deri në publikimin e këtij artikulli.
Në Bashkinë e Pukës nga 299 të punësuar në total, vetëm 125 (42%) janë gra. Ky raport është larg asaj që synojnë gratë, barazinë gjinore. Këtë rezultat bashkia e argumenton me faktin se nuk ka munguar dëshira për të punësuar gratë në sektorin publik, por kriteret për pozicionet specifike të punëve i plotësojnë kryesisht meshkujt. “Është konsideruar gjithmonë i rëndësishëm punësimi i grave, por duke marrë parasysh se ruajtja e barazisë gjinore në disa raste është e vështirë nisur nga profilet e kërkuara të punës dhe aplikimet përkatëse. Bashkia Pukë në bashkëpunim me organizatat lokale që operojnë po punojnë për mënyra të ndryshme për t’u ardhur në ndihmë grave për vetëpunësim duke ju ofruar asistencë në zhvillimin e bizneseve familjare si bujtina, apo shitjen e prodhimeve vendase në zonat rurale”, thotë bashkia në përgjigje të interesit të Portës Vendore, duke theksuar se pjesa më e madhe e grave në Bashkinë Pukë janë të punësuara pranë institucioneve shtetërore.
Numri i punonjësve në Bashkinë Krujë brenda Strukturës Organizative prej 534 punonjës nga, 249 ( 47%) janë gra. “Në projektet tona të punësimit, gratë dhe vajzat janë preferuar dhe përbëjnë shumicën absolute si në: Sektorin e Arsimit Parashkollor (Kopshte, Çerdhe), Burimet Njerëzore, Sektorin juridik, Shërbimin Social, Sektorin e Taksave dhe Tarifave vendore etj.”, shprehet zyrtarisht bashkia duke mos dhënë një përgjigje mbi ekzistencën e programeve të punësimit.
Në Bashkinë Lushnje janë 286 punonjës, nga të cilët 105 (37%) janë gra. “Bashkia Lushnje është në proces të hartimit të programeve të posaçme për punësimin e grave dhe vajzave të zonës”, shprehet bashkia. Ndërsa pyetjes se cilat janë projektet që iu kanë rezultuar të suksesshme në këtë fushë përgjigjet: “Projektet që kanë rezultuar të suksesshme në bashkinë tonë është projekti i nxitjes se punësimit, i cili është një projekt në bashkëpunim me Zyrën e Punës Lushnje, i cili u jep të sapo diplomuarve mundësinë e punësimit. Në bashkinë tonë kemi vajza dhe gra të angazhuara në rolin drejtuese, drejtore, përgjegjës, si edhe specialiste”, shprehet në përgjigjen e saj ky institucion vendor. Sipas bashkisë në Lushnje, raporti gra/burra për punësim në pushtetin vendor është 40% gra dhe 60% burra.
Bashkia Belsh ka të punësuar në total punonjës 225, nga të cilët janë të punësuar 91 gra (40%) “Ju informojmë se ka programe të posaçme punësimi për gratë dhe vajzat e zonës, e cila ka qenë kurs për rrobaqepësi që është ngritur në bashkëpunim me Qendrën e Formimit Profesional Elbasan. Ku kurs u frekuentua nga 60 gra e vajza, disa prej të cilave punojnë në fasoneri të ndryshme sot”, thotë Bashkia Belsh. Fushat në të cilat janë më të angazhuara gratë dhe vajzat në këtë bashki janë: fasoneria, tregtia, arsimi, mjekësia.
Ndërsa Bashkia Gramsh në strukturën organizative ka 361 punonjës në total nga të cilët 154 janë gra (43%). Në përgjigjen zyrtare Bashkia Gramsh pranon se nuk ka hartuar programe të posaçme punësimi për gratë dhe vajzat. “Bashkia Gramsh ende nuk ka hartuar programe të posaçme punësimi për gra dhe vajza. Gratë dhe vajzat në bashkinë tonë, aktualisht i gjen të angazhuara në fushën ekonomike, sociale, burimeve njerëzore si dhe në arsimin parashkollor (përkatësisht në Drejtorinë e Burimeve njerëzore, drejtoria e arsimit kulturës dhe sportit)”, shkruan bashkia në përgjigjen zyrtare.
Haxhimali: Pushteti vendor duhet të ketë strategji tredimensionale pjesëmarrje – përfaqësim – punësim
Drejtuesi i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali thotë se nuk duhet t’u kushtohet rëndësi statistikave të punësimit gra/burra, por duhen parë programet dhe strategjitë që hartohen nga bashkitë që synojnë barazi gjinore në fushën e punësimit. “Pushteti vendor duhet të ketë vizion dhe strategji të qartë për barazinë gjinore e parë kjo ne tre dimensione PPP – pjesëmarrje – përfaqësim – punësim. Krijimi i mundësive për përfaqësimin e grave në politikë në nivelin e qeverisjes vendore është një nxitës kryesor për fuqizimin e tyre”, thotë ai duke shtuar se krijimi i mundësive të punësimit duke respektuar kriteret ligjore është domosdoshmëri.
Eksperti Muça: Zyrat e punësimit në bashki, nuk funksionojnë
Erion Muça, ekspert punësimi thotë se “Ajo çfarë në fakt mbetet shqetësuese është fakti që përveç Bashkisë Tiranë e cila me mbështetjen e projekteve ka bërë përpjekje për hapjen e zyrave ndihmëse informuese, këshilluese dhe ndihmëse për të papunët, kryesisht në mbështetje të grupeve të margjinalizuara dhe në pamundësi, bashkitë e tjera pavarësisht një zyre për këtë proces kanë qenë nul përsa i përket punësimit apo ndërmjetësimit për punë. Ato shpeshherë janë kthyer në arenë përplasjesh dhe qejf mbetjesh nga punësimet nepotike, politike, me mik apo njohje në qytetet të vogla, ku më tepër zyra ka shërbyer si mjedis arbitrimi dhe moderimi sherresh sesa për të punësuar njerëz”.
Trëndalina Borici: Në 5 vite fuqizuam ekonomikisht 51 gra
Trëndalina Borici është Drejtuese e Shoqatës “Gruaja tek gruaja” e cila është një organizatë jofitimprurëse e themeluar në vitin 2012, në ndihmë të viktimave të dhunës në familje me një gamë të gjerë shtrirjeje në zonat urbane dhe rurale në Bashkinë Shkodër, Bashkinë Malësi e Madhe, Bashkinë Vau Dejës si dhe Bashkinë Pukë duke kontribuar efektivisht në promovimin e barazisë gjinore, në rajonin verior të Shqipërisë. Organizata “Gruaja tek Gruaja” aplikon programe fuqizimi e trajnimi në këshillim për karrierë dhe punësim me pjesëmarrjen e grave dhe vajzave të zonave rurale. “Në harkun kohor të 5 viteve kemi fuqizuar ekonomikisht 51 gra dhe vajza nëpërmjet angazhimit të tyre në marrëdhënie pune në subjekte të ndryshme. Ndërkohë ne kemi mbështetur me 15 grante biznesi gra dhe vajza me probleme sociale duke i dhënë mundësinë të ngrenë dhe krijojnë biznese të reja”, thotë kryetarja e shoqatës për Portën Vendore, e cila tregon se ofron edhe programe të posaçme për të lehtësuar aksesin e grave dhe vajzave në shërbimet publike. “Programet e fuqizimit që në aplikojmë synojnë që krahas mbështetjes së ofruar të mund të lehtësojmë aksesin e vajzave dhe grave në shërbime publike, si dhe të favorizojmë integrimin e tyre në tregun e punës. Programet e trajnimit zhvillohen nga ekspertë të specializuar në fushën e burimeve njerëzore dhe këshillimit për karrierë dhe punësim dhe kanë në fokus informimin dhe edukimin e tyre lidhur me të drejtat në tregun e punës”, thotë ajo.
Fuqizimi ekonomik dhe ri-integrimi social i grave dhe vajzave përmes aksesit në shërbime dhe përfshirje në tregun e punës, mbetet një nga sfidat kryesore të shoqatave që operojnë në vend. “Programet e nxitjes së punësimit janë të domosdoshme, ndërsa gratë me probleme sociale apo viktima të dhunës në familje sot e kanë të pamundur punësimin në zonat nga ato vijnë për shkak të mungesës së bizneseve në këto zona apo mundësive të limituara për vende pune. Krahas kësaj, ato e kanë të pamundur të udhëtojnë çdo ditë nga zonat e tyre në Shkodër, herë për shkak të mungesës së transportit publik e herë për shkak të kostove që ato nuk i përballojnë dot. Po kështu gratë nuk kanë përgatitjen e duhur për t’iu përgjigjur nevojave të tregut të punës. Ato shpesh janë të pa shkolluara ose janë viktima të diskriminimit dhe shfrytëzimit. Mungesa e transportit publik apo edhe mungesa e qendrave ditore që të mund t’u siguronin atyre mbajtjen e fëmijëve në oraret kur ato duhet të punojnë do të ishte një kontribut apo ndihmesë që do t’i vinte ndihmë nga shteti, në mënyrë që ato të mund të kishin më tepër akses në punësim”, përfundon ajo .
Vera Istrefi: Raportime hileqare për punësimin e grave në administratën publike
Për Vera Istrefin, aktiviste dhe drejtuese e qendrës së grave në Kukës ka një qasje pak hileqare në raportimet apo artikulimet publike që bëhen për punësimin e grave dhe vajzave. “Kam dëgjuar drejtues të politikës të shprehen se është rritur numri i grave dhe vajzave të punësuara në administratën shtetërore dhe i referohen sektorit të shëndetësisë, të arsimit dhe deri diku edhe administratës së qeverisjes lokale. Por realiteti është i tillë: Gratë e vajzat janë të punësuara në sektorët e shërbimit, aty ku puna ka më shumë ngarkesë dhe pagat janë më të ulëta, aty ku angazhimi është shumë më tepër se sa pagesa për këtë angazhim dhe ku mundësitë për t’u rritur profesionalisht apo për t’u integruar më tepër në jetën sociale janë të limituara”, thotë ajo.
Istrefi nënvizon se gratë janë ende me të keqpaguara se meshkujt dhe nuk janë në role drejtuese. “90% e punonjësve të shëndetësisë dhe arsimit janë gra e vajza, por drejtohen nga burra dhe djem, rreth 50% e administratës së shërbimeve në bashki janë gra e vajza, por të gjithë titullarët janë burra dhe djem”, shprehet aktivistja për Portën Vendore.
Sa i takon arsimimit të vajzave duket se ka një përmirësim të lehtë pasi prindërit i dërgojnë në shkollë të lartë, por ato studiojnë vetëm tre vite dhe më pas kthehen në shtëpi. E kundërta ndodh me meshkujt tek të cilët investohet më shumë duke i plotësuar profesionalisht me studime të thelluara. “Familjet ende investojnë për djemtë që të ndjekin studimet të thelluara, duke u mundësuar më shumë shanse integrimi, ndërkohë që për vajzat pritet të mbarojnë 3 vite studimi, të kthehen në shtëpi, të martohen. Kjo ndodh në të shumtën e rasteve dhe për pasojë, punësimi i tyre është edhe më i pamundur. Situata është krejt gri për vajzat e zonave rurale, të cilat vetëm sa presin të martohen e të përballojnë një jetë edhe më të vështirë”, thotë aktivistja Vera Istrefi. Ndërsa programe punësimi nuk ka në Kukës, dhe të vetmet mundësi integrimi të grave bëhen nga shoqata të ndryshme. “Janë shumë të pakta këto programe, me arritjen e punësimit të grave e vajzave që numërohen me gishtat e dorës, dhe këto janë nga OJF të mbështetura, kryesisht nga GIZ gjerman. Programet e politikat shtetërore mungojnë, edhe pse baza ligjore me VKM përkatëse ekziston, por vetëm në letër”, përfundon Istrefi.
Ervis Çota: Punësimi i grave rome dhe egjiptiane, Bashkia Elbasan asnjë program
Ervis Çota, Drejtues i Lëvizja Rinore Egjiptiane & Rome sjell një panoramë të punësimit të grave dhe vajzave të këtij komuniteti, situata ekonomike e të cilëve është e dobët dhe mbështetja e institucioneve shtetërore është e pakët. “Kohët e fundit, interesi për punësim nga ana e grave dhe vajzave të minoriteteve Rom dhe Egjiptian ka ardhur duke u rritur si pasojë e punës ndërgjegjësuese të vazhdueshme të bërë nga organizatat e shoqërisë civile. Megjithatë konstatojmë se mungojnë programet konkrete dhe efikase nga ana e bashkive të vendit për t’i mbështetur dhe integruar në tregun e punës”, thotë ai, duke sjellë në vëmendje bashkinë e Elbasanit. “Bashkia Elbasan nuk disponon asnjë program aktiv dhe të buxhetuar për punësimin e tyre. Duke qenë se punësimi nuk është kompetence e baskisë, por e zyrës së punës, siç duket ajo nuk e ka të përfshirë në listën e prioriteteve të saj, e për rrjedhoje nuk angazhohet dhe investohet në këtë drejtim. E njëjta situatë është pothuajse në çdo bashki të vendit, ndaj unë mendoj se nevoja për të mbështetur këtë kategori të shoqërisë përmes aplikimit të programeve apo formave të ndryshme që stimulojnë nxitjen e punësimit është shumë e nevojshme. Bashkitë duhet të rrisin vëmendjen e tyre në këtë drejtim, pasi punësimi i grave dhe vajzave rome dhe egjiptiane do të ndikonte jo vetëm në fuqizimin ekonomik të familjeve të tyre, por edhe në përfshirjen sociale, si një komponent të rëndësishëm për integrimin e tyre në shoqëri”, shprehet ai për Portën Vendore.