9 gusht 2021/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore
Rikualifikimi urban ose ndryshe lyerja dhe rikonstruksioni i fasadave të pallateve, i shesheve e lulishteve në qendër të qytetit ka qenë një ndër prioritet e qeverisë përgjatë mandatit të kaluar, por që vijon ende. Në shumicën e qyteteve është ndryshuar ‘vitrina’. Qendrat e tyre duken ideale për foto kartolinash, duke marrë një pamje krejt të re, më shumë ngjyra, të asfaltuara, me kalldrëm e shëtitore me ndriçim. Duhet thënë që duken bukur dhe që ngjallin kërshëri. Por sa ka kushtuar i gjithë ky investim dhe cilat janë nevojat reale të banorëve? Porta Vendore ka bërë një vëzhgim në 10 bashki të vendit dhe në total vlera e investuar për rikualifikimin urban është jo pak, por rreth 12.7 milionë euro, ndërkohë që vetë bashkitë pranojnë se kanë nevojë për investime në rrugë, ura, shkolla, kopshte e qendra shëndetësore. Synimi jonë ishte të sillnim një panoramë si në qytetet e mëdha si Vlora apo Elbasani, ashtu edhe në qytete më të vogla si Kolonja, Mallakastra etj, ndërkohë që 3 bashki si Berati, Shijaku e Poliçani nuk kthyen një përgjigje zyrtare për investimet gjatë vitit 2020 dhe 2021.
Bashkia Vlorë
Agroni jeton prej shumë vitesh në rrugën Ibrahim Shyti në Vlorë, por pamja që ofron Lungomare dhe zona historike e qytetit sot nuk kanë të krahasuar me këtë rrugë, ku duket se koha ka mbetur shumë vite pas. Gropa të mbushura me ujë, mbeturina të pambledhura, ferra e as që bëhet fjalë për asfalt e trotuar. “Vlora është e bukur atje në Lungomare, por ne shih si na kanë lënë. Nuk e mbaj mend sa vite ka që nuk vënë dorë në këtë lagje. Duhen çizme për të kaluar rrugën. E ta dish që në këmbë është vetëm 3 minuta larg Lungomares”, thotë Agroni. Porta Vendore ka raportuar kohë më parë për infrastrukturën e dobët që gjendet në brendësi të lagjeve, por gjithashtu edhe për mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm që është kthyer në gangrenë për shumë qytetarë vlonjatë gjatë viteve të fundit.
Edhe vetë Bashkia Vlorë e pranon se infrastruktura vijon të mbetet problem kryesor i qytetit, sikurse ka nevojë edhe për rregullimin e qendrave shëndetësore. Por ama përgjatë vitit 2020 kjo bashki ka shpenzuar 83.945.068 lekë për rikualifikimin urban që përfshin restaurimin e fasadave në Bulevardin “Ismail Qemali”, një financim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i realizuar nga firma “Arifaj” shpk.
“Aktualisht janë duke u realizuar dy projekte në zonat periferike, konkretisht rikualifikimi i bllokut të banimit në lagjen ‘Cole’ dhe në lagjen ‘Kume’. Ndër nevojat kryesore janë rikonstruksioni i rrugëve (asfaltim) dhe rregullimi i qendrave shëndetësore të cilat janë prioritet në investimet e vitit 2021 dhe një pjesë janë në fazë zbatimi e një pjesë janë në proces prokurimi”, bën të ditur Klaudio Mehmetaj nga drejtoria e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit në Bashkinë e Vlorës për Portën Vendore.
Bashkia Lezhë
Banorët e Lezhës kanë nevojë emergjente sikurse dhe vetë bashkia e pohon, për rindërtimin e urës së dëmtuar automobilistike mbi lumin Drin. Bëhet fjalë për urën e vjetër tek lagja Skënderbeg. Rindërtimi i saj do të lehtësonte qarkullimin e automjeteve në qytet. Ndërsa vetë kryebashkiaku Pjerin Ndreu njoftoi ndërtimin e saj nëpërmjet një statusi në rrjetin social facebook disa ditë më parë.
Por përgjatë vitit 2020, Bashkia Lezhë në kuadër të rikualifikimit urban ka nisur punimet në dy projekte të financuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, njëra lidhet me rikonstruksionin e fasadave të objekteve përgjatë lumit Drin dhe rikonceptimin e hapësirave të brendshme të bllokut nr.1 të qytetit. me vlerë totale të punimeve 99 736 792 lekë, të cilat po zbatohen nga firma ndërtuese “B93 II” shpk si dhe “B-93”.
Ndërsa projekti i dytë është sistemimi dhe asfaltim i rrugës “Naim Frashëri” dhe lagjes Lalm i Ri, Njësia administrative Kolsh, me vlerë totale të punimeve 180 000 008 lekë.
Sekretari i përgjithshëm i Bashkisë Lezhë, Reinis Çela, pohon për Portën Vendore se problem në këtë bashki mbetet ndriçimi i rrugëve e shesheve, veçanërisht në periferi e fshatra, si dhe zbulon projektet për vitin 2021. “Në vazhdimësi, Bashkia Lezhë po realizon zbatimin e projektit : Përmirësimi i infrastrukturës dhe sigurisë në shëtitoren e lumit Drin Lezhë, me vlerë 37 998 729 lekë si dhe po për vitin 2021 janë parashikuar ndërhyrje rehabilituese të shesheve qendrore në 5 qendra të njësive administrative në Lezhë të cilat janë në fazë projekti. Në lidhje me nevojat kryesore të qytetarëve në Bashkinë Lezhë, si nevojë emergjente është rindërtimi i një ure të dëmtuar automobilistike mbi lum Drin, Ura e vjetër tek lagja Skënderbeg e cila do të mundësonte lehtësimin e qarkullimit në qytet. Nevojë tjetër është edhe rehabilitimi i ndriçimit të rrugëve e shesheve sidomos në qendrat e fshatrave”, shprehet zoti Çela. Në total vlera e të gjitha projekteve në kuadër të rikualifikimit urban në Bashkinë Lezhë kap shifrën e 317 735 529 lekë të rinj.
Bashkia Elbasan
Elbasani ka investuar ndër vite dhe e ka transformuar plotësisht qendrën e qytetit, ndërkohë që projektet e bashkisë tashmë janë fokusuar përgjatë unazës jugore të qytetit por edhe në zonat turistike siç është Gjinari, që shihet me potencial për zhvillimin e turizmit malor.
“Bashkia Elbasan përgjatë vitit 2020 nuk ka pasur ndonjë projekt për rikualifikimin urban për fasadat e pallateve. Projekti i referohet investimit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për një pjesë të bllokut të fasadave përgjatë unazës jugore së qytetit, me procedure prokurimi nga vetë institucioni në fjalë”, thotë në përgjigjen zyrtare referuar Portës Vendore ky institucion, teksa artikulon edhe investimet që ka pasur. “Projekti për Rehabilitimin e lulishtes Qendrore të Qytetit të Elbasanit pjesë e sipërfaqes së lulishtes ‘Aqif Pasha’ me vlerë 37 963 645 lekë me financim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimi. Një tjetër projekt është edhe ai për rivitalizimin e lulishtes së sheshit përpara Pallatit 108/1 midis rrugëve ‘Qemal Stafa’ dhe Unazës Perëndimore me vlerë 3 974 262 lekë me subjekt ndërtues shoqërinë “Nika”shpk”, bën të ditur Bashkia e Elbasanit.
Për vitin 2021 Bashkia e Elbasanit ka parashikuar të rikonstruktojë rrugën “Iljaz Kosova” në lagjen “Skënderbej” si dhe të investojë në disa njësi administrative. Kështu synohet të ndërtohet rruga ;”Labinot Katund – Labinot Mal”, në njësinë Administrative Labinot Mal; rikonstruksioni i rrugës së varrezave në Elbasan dhe ndërtimi i mbikalimit hekurudhor ne kryqëzimin e rrugës nacionale Elbasan-Librazhd me rrugën “Borodin Mitarja”. Në total vlera e projekteve në kuadër të rikualifikimit urban në Bashkinë e Elbasanit kapin shifrën e 41.937.907 lekëve.
Bashkia Kolonjë
68.077.292 lekë të rinj ka shpenzuar Bashkia Kolonjë për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit. Projekti përfshinë rikualifikimin urban të zonës që kufizohet nga rrugët “Ahmet Bektashi”, “Fan Noli”, “Mehmet Pepi” si dhe rivitalizimi i Parkut Rinia Blloku 4 Ersekë. Projekti përfshin Parkun “Rinia”, rrugët lidhëse, rikonstruksionin e pjesshëm të fasadave si dhe sistemimin e rrugëve të brendshme. Bashkia bën të ditur se ky është një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit ndërsa punimet janë kryer nga kompania “Barjami N”. Po kështu bashkia ka planifikuar në vijimësi rikualifikimin e rrugës “Pali Prifti” një investim prej 42.000.000 i ndarë në tre vite. Ndërsa janë rikonstruktuar shkollat në dy qytetet e Bashkisë Kolonjë, Ersekë dhe Kolonjë si dhe janë rikualifikuar dy qendrat sociale në qytetin e Leskovikut dhe të Ersekës me mbështetjen e qeverisë.
Bashkia Mallakastër
177. 985. 249 lekë është parashikuar të kushtojë rikualifikimi urban i qendrës së Ballshit. Merushe Isufaj, Koordinatore për të drejtën e informimit në Bashkinë Mallakastër bën të ditur për Portën Vendore se ka filluar puna për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit, një projekt që synon krijimin e një hapësire rekreative në zonën e liqenit artificial (rezervuarit). “Rikualifikimi i qendrës parashikon punime të plota si sistemimi i tubacioneve, krijim të pedonales, ndriçim, gjelbërim, pistë për biçikleta dhe sistemim total të fasadave. Projekti gjithashtu përfshin pastrimin dhe thellimin e liqenit, krijimin e një këndi me sipërfaqe të konsiderueshme me lodra dhe hapësira aktivitetesh për fëmijë. Projekti është financuar nga qeveria dhe është në proces zhvillimi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa punimet po realizohen nga ‘Glavenica & ED Construksion’ shpk. Punimet kanë nisur në nëntor të vitit të kaluar dhe pritet të përfundojnë sipas afatit, në nëntor të këtij viti”, tha në përgjigjen zyrtare bashkia për Portën Vendore.
Zonja Isufaj bën të ditur se Bashkia e Mallakastrës po investon edhe në zonat periferike. “Konkretisht janë në proces ndërtimi ura në fshatin Kalenjë, ndërsa po rikonstruktohet rruga fshati Rromës-Autostradë; rrugës që lidh fshatin Ninësh-Autostradë dhe rruga Damës-Kremenar. Me financimin e qeverisë aktualisht po punohet për rikonstruksionin e rrjetit shpërndarës të ujësjellësit Ballsh dhe po bëhet përmirësimi i shtresave rrugore të rrugës së fshatit Klos deri në rrugën nacionale Levan-Tepelenë”, tha Isufaj.
Për vitin 2021, Bashkia e Mallakastrës ka planifikuar të investojë me fondet e saj në rikonstruksionin e rrugës “Gani Malasi” dhe rrugën Bejar-digë. Ndërsa me fondet e qeverisë është planifikuar rikonstruksioni i rrugës parku arkeologjik Bylis- autostradë Levan-Tepelenë.
Bashkia Kamëz
Bashkia Kamëz e pranon se nevojat kryesore të qytetarëve të saj janë investimet në ujësjellës, kanalizime, shkolla e kopshte; e megjithatë vetëm rikualifikimi urban i bllokut ndërmjet Bulevardit Blu dhe rrugës së OSBE në qendër të qytetit ka kushtuar me përafërsi 270 milionë lekë të rinj. Ndërsa rikonstruksioni i rrugës “Berisha” dhe rrethrrotullimi i rrugёs OSBE ka kushtuar 45.763.760 lekë. Rrugët në fjalë janë ndërtuar nga shoqëria e ndërtimit Riviera + Kacdedja shpk dhe Klajger Konstruksion shpk.
Në tabelën e mëposhtme janë përmbledhur investimet e bashkisë në zonat periferike.
Bashkia Roskovec
Prej kohësh qytetarët e Bashkisë së Roskovecit kërkojnë ndërtimin e një çerdheje për fëmijë nga 0-3 vjeç, kërkesë kjo që ende pret të realizohet, njëlloj sikurse kërkohet ndërtimi i banesave me kosto të ulët për të pastrehët. Ndonëse edhe vetë Bashkia e Roskovecit e pranon se këto janë kërkesat kryesore të banorëve, kjo s’e ka ndaluar të investojë 232.482.840 lekë për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit dhe konkretisht për rehabilitimin e bllokut nr.2 dhe bulevardit. Ndërkohë që për vitin 2021, sërish në kuadër të rikualifikimit urban është planifikuar rehabilitimi i 3 blloqeve urbane në qendër të qytetit, përfshirë rikonstruksionin e rrugës së shkollës dhe ndërtimin e një parku. I gjithë projekti në fjalë është planifikuar të kushtojë 23.153.880 lekë.
“Përmirësimi i infrastrukturës rrugore është prioritet kryesor i Bashkisë së Roskovecit ndaj dhe investimet vendore janë përqendruar në këtë drejtim. Janë mbi 23 investime në infrastrukturën rrugore që janë ndërmarrë dhe po zbatohen në të gjithë territorin e kësaj bashkie të cilat kanë ndryshuar jetën e banorëve. Përgjatë vitit 2020 janë bërë punime në ujësjellës, punime dhe sistemime me rrjet të ri inxhinierik nëntokësor, investime në kanalizimet e ujërave të zeza, shtrime me gurë dhe pllaka, veshja e fasadave të ndërtesave me pllaka guri, përmirësimet e dukshme në arsim, rikonstruksionet e realizuara në godinat e qendrave shëndetësore dhe ndërhyrjet në rrjetin e vaditjes dhe kullimit”, thotë në përgjigjen e saj ky institucion ndërsa shton se disa nga projektet dhe investimet më të rëndësishme të bashkisë me bashkëfinancim janë rikonstruksioni i qendrës Rinore, rikonstruksion i kopshtit ‘Lulet e Jetës’ në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe. “Rikonstruksion i Kishës së Shën Nikollas në Kurjan me ndihmën e Ministrisë së Turizmit. Investime në qendrën shëndetësore, investime në qendrën PAK, shkollën Strum, rehabilitimin e rrugës Marinës financim i Bankers, etj ”, bën të ditur Bashkia e Roskovecit për Portën Vendore. Ndërsa qendra e qytetit është rehabilituar me financim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit me operator ekonomik “Hastoci SHPK”.
Bashkia gjithashtu pohon se qyteti dhe banorët kanë kërkesa për rehabilitimin e zonës së liqenit të Kurjanit, si një nevojë për ndërtimin e një parku kombëtar dhe krijimit të një ambienti argëtues; sikurse nevojitet edhe ndërtimi i rrugëve të lagjeve. Bashkia e Roskovecit bën të ditur se ka bërë një sërë investimesh edhe në zonat periferike të qytetit si më poshtë.
Bashkia Kukës
362.261.461 lekë ka parashikuar në total Bashkia e Kukësit për rikualifikimin urbane të qendrës së qytetit. Në nëntor të vitit që lamë pas, Bashkia e Kukësit ka nisur rehabilitimin e lagjeve 4, 5 dhe 6 të qytetit dhe puna vijon ende ndërsa pritet të përfundojë brenda vitit. Projekti parashikon rikonstruksionin e fasadave, infrastrukturë inxhinierike, ndërtimin e rrjetit elektronik në bashkëpunim me OSHEE, kanalizimin e ujërave të zeza e të bardha ndërtimin e një lulishteje etj. Sipërmarrës të punimeve janë operatorët ekonomike Mela shpk, Albshpresa shpk dhe Kevin Construction shpk. Vlera e investimit me tvsh është 276.031.718 lekë.
“Një tjetër projekt i financuar nga Bashkia e Kukësit është sistemi dhe asfaltimi i rrugës. Pallati i Kulturës –Turizmi i ri, rikualifikimi dhe zgjatimi i shëtitores. Ky projekt ka nisur të zbatohet dhe vlera e investimi është 49.956.850 lekë. Punimet kanë nisur në muajin maj dhe pritet të përfundojnë në shtator me sipërmarrës të punimeve bashkëpunimin e operatorëve ekonomikë Mela shpk dhe Braka shpk”, thotë ky institucion në përgjigjen zyrtare. Një tjetër projekt i kësaj bashkie është edhe restaurimi i varrezave të Dëshmorëve i ndarë në dy faza. Faza e parë përfshin restaurimin e lapidarit me vlerë investimi 19.658.928 lekë. Dhe faza e dytë është rehabilitimi i rrugës hyrëse për tek varrezat e Dëshmorëve; murit rrethues, muzeut, punimeve grafike ej. Vlera e këtij investimi është 16.613.965 lekë.
Përveç investimeve në qendër të qytetit janë realizuar disa investime në zonat periferike siç është rikonstruksioni i rrugës Rilindja, asfaltimi i rrugës së fshatit Bushat në njësinë administrative Bicaj, rikonstruksion i plotë i gjimnazit ‘Havzi Nela’ etj, sipas edhe tabelës më poshtë.
Dhjetëra projekte për rikualifikimin urban nga FSHZH në mbarë vendin
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përfunduar në mbarë vendin dhjetëra projekte të rikualifikimit urban ndërkohë që ka shumë të tjera në proces. Për Portën Vendore, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka zbuluar listën e projekteve që ka në zbatim dhe ato që janë programuar për vitin në vijim. (Më të detajuara projektet mund t’i shihni në tabelën bashkëlidhur ku është parashikuar edhe fondi përkatës, ndërkohë që ne kemi përzgjedhur të listojmë disa nga projektet kryesore në 11 bashki të vendi).
Kështu në Shkodër ka nisur rikualifikimi i Waterfrontit të Liqenit të Shkodrës, zona Shirokë – Zogaj. Ky projekt mundëson hapësira të reja dhe aktivitete rekreative pranë Liqenit që do të shërbejë si një hapësirë kryesore publike e qytetit, duke tërhequr banorët e zonave përreth dhe turistët. Është në zbatim lidhja ujore midis Zogaj-Shirokë-Shkodër- Mal I Zi dhe Itali. Është programuar ndërhyrja e integruar në hyrje të Bunës në Shirokë e cila konsiston në rikualifikimim e frontit ujor, përmirësimin e peizazhit dhe lidhjes midis qytetit dhe bregut të liqenit perëndimor të Shkodrës. Është programuar ndërhyrja e integruar në kalanë e Rozafës e cila parashikon restaurimin dhe ruajtjen e parkut arkeologjik të Shkodrës.
Në Pukë është lidhur kontrata për ndërtimin e Parkut të Aventurave për sportet e ngjitjes me litar, etj. Është lidhur gjithashtu kontrata për zonën turistike të Alpeve Shqiptare e cila synon përmirësimin e aksesit, përmirësimin e atraksionit turistik natyror duke ndërhyrë në përmirësimin e zonave të caktuara urbane.
Në qytetin e Kukësit FSHZH është në zbatim të rehabilitimit të lagjeve 4, 5 dhe 6, duke synuar
sistemimin e shesheve të pallateve dhe krijimin e disa ambiente rekreative për banorët por edhe të zgjidhë problematikën e parkimit.
Në Lezhë është në zbatim rikonstruksioni i fasadave të objekteve përgjatë lumit Drin, Blloku Nr.1 si dhe rruga Lalm i ri e “Naim Frashëri”. Konkretisht rruga “Naim Frashëri” shërben si aks kryesor dhe për disa rrugë si Qendër Lalm, dhe Gjelbërimi kurse gjatë gjithë gjatësisë së saj lidh sheshet e pallateve. Objektivi i përgjithshëm i projektit është sistemimi i zonës së banimit, për rritjen e cilësisë së jetesës për banorët dhe të gjithë qytetin.
Në Kavajë është në proces kolaudimi ndërhyrja e integruar për rikualifikimin urban të qytetit.
Ndërhyrja parashikon rikonstruksionin e unazës Kavajë, rrugës Skuraj dhe bllokun e rrugëve brenda varrezave. Gjithashtu është parashikuar dhe ndërtimi i trotuareve të reja në të dy kahet e rrugës dhe mbjellja e pemëve.
Në Elbasan është në proces zbatimi rikualifikimi i Lulishtes ne Qendër të qytetit. Projekti konsiston në rehabilitimin e lulishtes qendrore të qytetit të Elbasanit dhe kthimin e saj në një lulishte me cilësi mjedisore, publike e me mjaft rëndësi në pamjen e qytetit.
Në Pogradec është programuar rehabilitimi total i vijës liqenore ne Pogradec; hyrja e qytetit – Tushemisht, Lin. Koncepti i përgatitur nga FSHZH përfshin rehabilitimin e vijës liqenore nga hyrja e qytetit të Pogradecit deri në Tushemisht. Në këtë koncept përfshihet rehabilitimi i hapësirave publike ekzistuese, rikonstruksion objektesh, ndërtim moli, aktivitete sportive dhe rekreative, përmirësim i zonave të plazhit, ndërtim pedonaleje etj.
Në Berat është në zbatim ndërtimi i rrugës së re përgjatë lumit të Osumit dhe ndërhyrje përmirësuese në bypassin e rrugës Antipatrea si dhe rehabilitimi i rrugës lidhëse ndërmjet rrugës Shëtitorja Osumi dhe rrugës Antipatrea. Po kështu është në zbatim edhe rikualifikim Urban i Unazës së re të qytetit, ndërkohë është programuar rehabilitimi urban i sheshit “Iliaz Vrioni”; restaurimi i peizazhit historik urban të Mangalemit si dhe rigjenerim i zonës përreth Muzeut Etnografik dhe rrugës Mihal Komnemo.
Në Fier është në zbatim rikualifikimi dhe sistemimi i lumit Gjanica, Loti II. Projekti është në vijimësi të rikonceptimit të qendrës së qytetit dhe të ndërtimit të Pallatit të Sportit të lojërave me dorë.
Punimet e fazës së parë për rehabilitimin e qendrës së Fierit dhe lumit Gjanica po shkojnë drejt përfundimit. Ky projekt synon të rikthejë lumin Gjanica në një nga asetet natyrore më të rëndësishme të zonës urbane të qytetit të Fierit.
Në Ballsh është në zbatim rikualifikimi urban i qendrës së qytetit dhe krijimi i hapësirës rekreative në zonën e liqenit. Kjo pjesë përfshin ndërtimin e shëtitores në zonën rreth e qark liqenit, ndërtim piste për biçikleta, si dhe ndërtimi i ambienteve çlodhëse dhe argëtuese.
Në Vlorë është në zbatim ndërtimi i shëtitores se Vlorës Segmenti Jugor Uji i Ftohtë – Tunel. Projekti parashikon vazhdimin e Shëtitores së Vlorës nga Fusha e Sportit deri te tuneli.
Në Tepelenë është në zbatim rikonstruksioni i rrugëve të brendshme të kalasë së Ali Pashë Tepelenës, Sheshi “ Selam Musai” dhe hapësirat rreth kalasë. Projekti parashikon ndërtimin e katër rrugëve të brendshme, punime shtresash rrugore, ndriçim, sinjalistikë dhe gjelbërim.
Ndërsa në Gjirokastër është programuar rrjetëzimi i Sheshit të Çerçizit dhe përmirësimi i Integruar Urban i Qytetit. Projekti konsiston në kthimin e zonës historike të qytetit në zonë pedonale, dhe duke i dhënë zgjidhje trafikut njëkohësisht.
Ekspertët : Rikualifikimi urban, shpenzim pa eficiencë i parave publike
Për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi, rikualifikimi urban që ndodh në vendin tonë është i pamonitorueshëm dhe nuk krijon lidhje mes të tashmes dhe të ardhmes pasi nuk ecet me dosje të mirëmenduara apo me bilance të qarta të shpenzimit të parave publike. Më së shumti, thotë ai, është si një shfaqje cirku për qytetarët, thjesht sa për imazh. “Në Romën e lashtë ka ekzistuar një thënie, ne u detyrohemi qytetarëve cirkun se taksat i paguajnë vetë. Rikualifikimi, rijetësimi janë emërtime të krijuara posaçërisht për të fshehur shumat e parave e fondeve buxhetore që investohen; sepse kudo në botë ndërtimet publike, rrugë, shkolla spitale etj, ka dosje. Dosja përcakton vitin e ndërtimit, vendndodhjen etj. Tek ne nuk ndiqet kjo rrugë që është e shkruar në të tëra manualet e botës por i vendoset një emër rikualifikim urban dhe i vendos një çmim po themi 100 euro për metër katror dhe shpenzon paratë e shtetit që janë të pamatshme, të pakontrollueshme dhe nuk krijojnë një lidhje midis të sotmes dhe të ardhmes, pra nuk lejojnë të bëhet e monitorueshme performanca. Para pak kohësh nëse ju kujtohet u shemb një rrugë në Himarë. Askush nuk guxoi të thotë një fjalë se çfarë ndodhi më tej. Sepse në vend që drejtoria e rrugëve ti administrojë rrugët si aset shtetëror, pra të ketë dosje, të ketë inventar të tyre si kudo në botë sepse rrugët janë mjet konsumi. Tek ne nuk bëhet kjo por thuhet rijetësim”, thotë zoti Preçi.
Edhe për Besa Manajn, eksperten e ekonomisë, zhvillimi ekonomik i vendit tonë ka prioritete më të prekshme dhe esenciale. “ Një shpenzim të tillë në gjykimin tim nuk e shoh në raport me objektivat emergjente që ka ekonomia jonë. Një realitet me shumë limite financiare dhe në kapacitete administrative/ humane etj ka nevojë për hierarki indikatorësh të matshëm. Me fjalë të thjeshta dhe pa hyrë në teori strategjike: Ku jemi dhe ku do shkojmë dhe si do shkojmë. Një ekonomi kaq e brishtë dhe e keq-organizuar që nuk arrin të mobilizojë potencialet me buxhete gjithnjë problematike nuk mund të këtë luksin të fokusojë një pjesë kaq të madhe të buxhetit në fasada. Pa nënvlerësuar dhe rëndësinë e vizibilitetit dhe kurimit të imazhit urban , ekonomia jonë lëngon në esencë për keqpërdorim resursesh ekzistuese; potenciale të paorganizuara ekonomike; aktorët private në një krize post-pandemie pa mbështetjen e duhur nga shteti; mungesë planesh rezervë që janë jetike për periudha të tilla mbi menaxhimin e krizave. Mungesa koordinimit të këtyre elementëve që janë shtylla e ekonomisë gjatë krizave prodhon një anarki menaxheriale të financave publike”, shpjegon ajo për Portën Vendore.
Ndërsa Aida Cacaj, eksperte e pushtetit vendor thotë se rikualifikimi urban, sipas konceptit të qeverisë, u hartua si një instrument i zhvillimit ekonomik përmes të cilit bashkitë kryenin ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës.
“Ndërhyrjet e kryera dhe të planifikuara kanë qenë përgjithësisht të mirëpritura nga qytetarët dhe vetë bashkitë. E megjithatë, ka pasur disa shqetësime të ngritura herë pas here. Shqetësimet kryesore lidhen me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, me pakënaqësi në kompensim të pronave ndaj qytetarëve e më tej me cilësinë e punimeve dhe abuzime të pretenduara përmes mbi-buxhetimit apo prokurimet për punime të caktuara. Mendoj se qëllimi për zhvillim lokal ekonomik përmes këtyre ndërhyrjeve është shumë ambicioz dhe duhet plotësuar me mjete dhe ndërhyrje të tjera. Shqetësim tjetër që dua të përmend është menaxhimi i skemës nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Praktikisht, bashkitë konkurrojnë tek ky fond për të ushtruar funksionet e tyre, ku përfshihen dhe projekte të rikualifikimit urban. Një shpërndarje e decentralizuar e këtyre fondeve, në secilën bashki, do të ishte një dëshmi që qeveria e synon dhe e nxit decentralizimin”, tregon ekspertja Cacaj për Portën Vendore.
I gjithë ky proces sipas ekspertëve ka kaluar nëpërmjet një rruge qorre dhe pa trasnparencë, jo vetëm për shkak të mosbërjes publike të projekteve, shifrave e inventarëve që duhet të jenë protokoll i gjithkujt që lejon e bën investime të tilla, por edhe për mungesën e konsultimeve publike me banorët e zonës. Zef Preçi është kritik lidhur me këtë çështje pasi rikualifikimi urban në shumicën e rasteve është bërë në mungesë të plotë të konsultimve me komunitetin e zonës. “Te piramida po harxhohen miliona euro, për të cilat nuk ka as konsultim me komunitetin dhe as me KRRT por përdoren terma rijetësim, rikualifikim, terma që në botë nuk i gjen në manualet e ndërtimit, pasi përdoren për frymorët”, thotë zoti Preçi.
Edhe në këtë rast njëlloj si me bumin e lejeve të ndërtimit, eksperti i ekonomisë sheh një përpjekje për të kënaqur interesat financiare si të politikës ashtu edhe të bizneseve të lidhura me ta. “Unë e shoh si një përpjekje për të retushuar dhënien e sipërfaqeve publike dhe private për ndërtime dhe si një mënyrë për të krijuar një imazh pozitiv të asaj Shqipërisë që po ndryshon , që në thelb justifikojnë shpenzimin e parave publike pa eficiencë, pa sjellë vende pune, por për të kënaqur interesat financiare si të vendimmarrësve ashtu edhe të bizneseve që qëndrojnë pas tyre”, përfundon zoti Preçi.