4 gusht 2021/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
Bashkitë po bëhen të varura nga të ardhurat që mbledhin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. E thënë ndryshe nga taksa që paguajnë firmat e ndërtimit pasi marrin lejet nga pushteti vendor. Të dhënat nga raporti i Financave Vendore, publikuar nga Coplan dhe Ministria e Financave bëjnë të ditur se në nivel mesatar, të ardhurat nga TNI (nga ndërtimet e reja dhe të ardhurat nga legalizimet) kanë rritur në mënyrë progresive kontributin e tyre në buxhetet vendore. Në periudhën 2010-2015, të ardhurat nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë përfaqësuan mesatarisht rreth 25.6% të të ardhurave totale nga taksat vendore dhe në periudhën 2016-2020 pesha e tyre u rrit në rreth 44.6% të të ardhurave nga taksat vendore. Në fund të vitit 2020, të ardhurat totale nga TNI nga 61 bashkitë përfaqësuan rreth 52.5% të të ardhurave nga taksat vendore.
GR: TE ARDHURAT NGA TAKSA E NDIKIMIT NE INFRASTRUKTURE
Për rreth 8% të bashkive ose 5/61 bashki, të ardhurat nga kjo taksë qëndrojnë mbi mesataren kombëtare të raportit TNI/të ardhura nga taksat vendore: bashkitë Himarë (82.6%), Tiranë (64.6%), Malësi e Madhe (59.1%), Kamëz (57.2%) dhe Sarandë (53.2%). Në bashkinë Vlorë, raporti i të ardhurave nga TNI ndaj taksave kombëtare shënon një nivel pranë mesatares kombëtare. Ndërkohë, në rreth 21% të bashkive ose 13/61 bashki të ardhurat nga kjo taksë përfaqësojnë më pak se 10% të të ardhurave nga taksat vendore, duke reflektuar deri diku edhe presione më të ulëta zhvillimi apo mungesë kërkese për zhvillime të reja.
Ndonëse me peshë të madhe në të ardhurat nga taksat vendore, të ardhurat nga TNI nuk realizohen njëtrajtësisht në të gjitha bashkitë. Rreth 80.4% e të ardhurave nga kjo taksë u mblodh në bashkinë Tiranë dhe diferenca në 60 bashkitë e tjera në vend. Në vitin 2020, bashkia Tiranë arkëtoi rreth 6.4 miliardë lekë, në rritje me rreth 2.4% në terma vjetorë. Me diferencë të theksuar nga bashkia Tiranë, bashkia Vlorë mblodhi rreth 2.5% të të ardhurave nga TNI për vitin 2020 ndjekur nga bashkitë Durrës (rreth 2.4%) dhe Himarë (rreth 2.0%).
Bazuar në informacionin për lejet e ndërtimit të dhëna në gjashtë muajt e parë të vitit 2020, në bashkinë Tiranë do të shtohen rreth 520 mijë metër katrorë sipërfaqe ndërtimore të reja apo rreth 79% e sipërfaqes totale ndërtimore të re në Shqipëri. Këto të dhëna, konfirmojnë sërish për karakterin specifik të kësaj bashkie dhe diferencën e të krijuar midis bashkisë Tiranë dhe 60 bashkive të tjera në vend. Taksa e ndikimit në infrastrukturë është shndërruar në një burim të qenësishëm i të ardhurave në buxhetin vendor, veçanërisht në bashkitë e mëdha si Tirana, Durrësi, Himara, Lezha etj.
“Zbatimi i PPV-ve nëpërmjet dhënies së lejeve të ndërtimit ka kontribuar në mënyrë të qenësishme në këtë drejtim.[1] Kjo dinamikë, në njërën anë ndikon pozitivisht në rritjen e të ardhurave nga TNI për bashkitë (të paktën ato që kanë kërkesë për leje ndërtimi), nga ana tjetër i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave publike të nevojshme për një jetesë të denjë (gjë që kërkon njëkohësisht investime fillestare dhe shpenzime për mirëmbajtje të vazhdueshme të tyre). Sigurisht, ekuilibrimi i dy interesave afatshkurtër (të ardhura në buxhet sot) me atë afatgjatë (investime dhe shpenzime sot dhe nesër), duket të mos ndodhë në rastin e bashkive në Shqipëri”, deklaron për Porta Vendore zonja Merita Toska, eksperte për financat publike vendore.
Edhe Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive argumenton se bashkitë më të varura nga taksa e ndikimit në Infrastrukturë janë ato të mëdha, që kanë dhënë edhe numrin më të lartë të lejeve të ndërtimit.
“Që nga viti 2010 deri tani, TNI ka përbërë një protif të mirë financiar për njësitë vendore. Veçanërisht duke filluar nga vitit 2016 kjo taksë shënoi rritje të konsiderueshme në të ardhurat e bashkive. Në 2019-ën, të ardhurat nga kjo taksë shënuan një rritje maksimale ndër vite dhe në 2020-ën pësoi një rënie të lehtë, ndikuar nga pandemia.
Nga kjo taksë thuajse përfitojnë të gjitha bashkitë. Por varësi të madhe nga të ardhurat nga kjo taksë kanë bashkitë e mëdha dhe të mesme dhe më pas ato të vogla. Kjo lidhet me presionin nga industria e ndërtimit në zona urbane dhe turistike, por dhe nga ndërtimet individuale.
Por ajo që vihet re është volumi që zë kjo taksë në bashkinë Tiranë, e cila ka një varësi të madhe. Kjo pasi sot kemi një bum ndërtimesh dhe bum të ardhurash. Por nëse do të kemi një ngopje me ndërtime, atëherë kjo do të krijojë probleme për stabilitetin e të ardhurave bashkiake nga njëra anë, por nga ana tjetër, taksa e ndërtesës do të vazhdojë të sigurojë të ardhura”, shprehet Haxhimali për Porta Vendore.
Rritja e kontributit të Taksës së Ndikimit në Infrastrukturë në buxhetin vendor do të kërkonte njëkohësisht parashikime dhe angazhime afatmesme deri/dhe afatgjata në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike vendore për zhvillimet e reja. Kjo pasi taksa në fjalë është me destinacion dhe ligjërisht duhet të përdoret për rregullimin e infrastrukturës në territorin ku është dhënë leja e ndërtimit. Sipas raportit të Financave Vendore, në total, në gjashtë muajt e parë të vitit 2020 janë shtuar rreth 656 mijë metër katror ndërtime të reja, të cilat do të duhej të shoqëroheshin me infrastruktura publike mbështetëse.
“Çdo vit bashkitë, Këshilli Bashkiak miraton buxhetin vjetor, planin e shpenzimeve dhe investimeve dhe të ardhurat. Bashkitë kanë autoritet që të përcaktojnë shpërndarjen e investimeve nga të ardhurat. TNI si rregull shkon për të përmirësuar infrastrukturën e dëmtuar, por dhe për ta rinovuar atë në zona, ku ndërtohet. Por nga ana tjetër, Këshilli Bashkiak bën dhe një shpërndarje për të balancuar zhvillimin urban, gjelbërimin, kanalizimet, sheshet e parqet në territorin nën juridiksionin e saj. Ajo që është me rëndësi është domosdoshmëria që këto të ardhura të përdoren për qëllimin për të cilin mblidhet. Pra, përmirësim infrastrukture dhe urbanizim dhe jo për shpenzime apo zëra të tjerë buxhetorë”, deklaron Haxhimali.
Ndërkaq një tjetër shqetësim mbetet se duke qenë se të ardhurat nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë janë një burim të ardhurash jo i vazhdueshëm, bashkitë duhet të gjejnë zgjidhje dhe të aftësohen për t’u bërë ballë detyrimeve financiare të sotme dhe atyre të ardhshme, përballë një buxheti të kufizuar. Praktikisht, të ardhurat e realizuara sot nga kjo taksë do të duhej të investoheshin për të siguruar infrastrukturat e nevojshme publike, si dhe operimin e tyre në të ardhmen, pa rënduar në buxhetet e gjeneratave të ardhshme.
Ndërtuesit, “taksë” edhe për Strehimin
Por pagesa e taksës së ndikimit në Infrastrukturë nuk është kontributi i vetëm që ndërtuesit japin për bashkitë. Neni 19 i ligjit “Për strehimin social” detyron të gjitha kompanitë e ndërtimit që aplikojnë për leje, që të japin falas 3% të të gjithë sipërfaqes funksionale për fondin publik të banesave sociale.
Më saktësisht, neni 19 “Kontributi i sektorit privat në krijimin e fondit publik” saktëson:
“1. Çdo subjekt privat që, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, aplikon për leje zhvillimi dhe ndërtimi për ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2 000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim të të paktën 3 për qind të sipërfaqes funksionale, me kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik të banesave sociale. Kjo sipërfaqe, në rast pamundësie për t’u dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, mund të jepet në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi. Kontrata që nënshkruhet mes palëve për kalimin e sipërfaqes ndërtimore në favor të fondit publik të banesave sociale, regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
- Nëse një subjekt që aplikon për leje zhvillimore për ndërtim banese, për efekt përfitimi, kërkon rritje të intensitetit të ndërtimit, në përputhje me standardet e miratuara në planin vendor dhe vetëm atëherë kur bashkia ka miratuar një plan vendor, atij mund t’i akordohet shtesa në intensitet përkundrejt përfitimit të një sipërfaqeje ndërtimi në favor të bashkisë, për strehim social, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Ekspertët vlerësojnë se ky është një detyrim që rëndon ndërtuesit dhe për të cilin nuk ka transparencë.
“Në lidhje me 3% të kontributit privat në fondin e banesave sociale mund të them që është një problematikë, që është ngritur jo pak herë nga bizneset në ndërtim dhe nga Shoqata e Ndërtuesve. Praktikisht, me këtë parashikim po i kërkohet privatit të kontribuojë në ’mënyrë të detyruar’ në atë që është një funksionin publik (strehimi social). Informacion në lidhje me këtë aspekt nuk ka: sa banesa janë përftuar, si janë regjistruar, kush bashki e ka aplikuar dhe mbi çfarë baze janë shpërndarë etj”, shprehet Merita Toska, eksperte për financat publike vendore.
Teorikisht dhe praktikisht, sa më e rëndë të jetë barra që një subjekt privat paguan, aq më është i shtrenjtë është çmimi final i produktit, pasi çdo kosto shtesë i faturohet konsumatorit. Në këtë logjikë, taksat mbi ndërtuesin në finale i paguajnë qytetarët në çmimin e një metri katror.