3 gusht 2021/ Albina Hoxha/ Porta Vendore
Hartimi i planeve vendore është një proces i cili duhet të kishte përfunduar në vitin 2016 në të gjitha bashkitë e vendit sipas ligjit, por rezulton se 6 bashki ende nuk e kanë përfunduar, ndonëse kanë kaluar 5 vite nga përfundimi i afatit ligjor. Bashkitë që enden nuk i kanë miratuar planet vendore janë: Bashkia Tepelenë, Dropull, Memaliaj, Selenicë, Shijak dhe Kamzë. Problemet për mosrealizimin e këtij afati janë të shumta, ku një ndër to është mungesa e fondeve. Ndërkohë Bashkia e Kamzës aktualisht ka marrë përsipër të vetëfinancojë hartimin e planit.
Pika 3 e nenit 58 të ligjit nr. 107/2014 përcakton se “ngarkohen autoritetet vendore të planifikimit të miratojnë dokumentet vendore të planifikimit jo më vonë se 2 vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji” . Por sipas një kërkimi që Porta Vendore kreu, rezultoi se përveç të gjitha vonesave që kanë shoqëruar këtë proces, 6 bashki nuk e kanë përfunduar ende këtë fazë, që të mund vijojnë më pas me zbatimin e këtyre planeve të përgjithshme vendore nëpërmjet projekteve strategjike të zhvillimit, investimeve publike, lejeve të ndërtimit, e të tjera të ngjashme. Bashkia Tepelenë, Dropull , Memaliaj, Selenicë dhe Shijak nuk kanë ende planet vendore duke mos respektuar ligjin.
Çfarë i pengoi të hartonin planin vendor, përgjigjen bashkitë
Porta Vendore lidhur me këtë problematikë, pasi evidentoi bashkitë që kishin mungesa të planeve vendore, iu referua këtyre të fundit nëpërmjet kërkesave zyrtare për të treguar se çfarë e ka penguar pushtetin vendor që të hartojë këto plane të përgjithshme vendore. Sipas bashkive janë hasur një sërë problematikash gjatë procesit.
Porta Vendore kontaktoi me Kryetarin e Bashkisë Shijak, z. Elton Arbana, i cili u shpreh se plani vendor nuk u miratua për probleme teknike dhe financiare. “Bashkia Shijak nuk e ka miratuar Planin e Përgjithshëm Vendor, pasi kemi hasur problem teknike dhe financiare me studion e projektimit e cila ka marrë për detyrë hartimin e PPV-së. Për të kryer këto ndryshime, ato kanë kosto financiare, të cilat ne nuk i përballojmë dot”, argumenton kryebashkiaku. “Operatori ekonomik që ka qenë i kontraktuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit përpara 4-5 vitesh nuk e ka dorëzuar në bashki projektin, përpos kësaj i janë kërkuar dhe disa ndryshime sipas strategjisë së zhvillimit urbanistik. Dhe për këto ndryshime ato s’kanë pranuar, por kanë kërkuar nga AKPT shtesë në kontratë”.
Ndërsa Bashkia Memaliaj nuk ka dhënë detaje për vonesën 5-vjeçare në hartimin e planit të përgjithshëm vendor. “PPV nuk është miratuar për Bashkinë Memaliaj. Nuk kemi hasur problematika financiare, teknike në miratimin e dokumentit nga Bashkia Memaliaj”, përgjigjet shkurtimisht në kërkesën për informacion referuar kësaj bashkie, teksa mbeten të paqarta rrethanat e mos përfundimit të këtij procesi, pasi siç pohon vetë ajo nuk kanë hasur asnjë problematikë.
Ndërsa Bashkia Selenicë thotë se ka ndërmarrë të gjithë hapat dhe është në pritje të miratimit nga institucionet e tjera. “Problematikat e hasura në hartimin dhe miratimin e dokumentit është shtrirja në një terren të madh. Bashkia Selenicë ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm që plani i përgjithshëm vendor të jetë funksional dhe të hyjë në fuqi sa më shpejt. Jemi në pritje nga institucionet e tjera për miratimin e tij”, thotë zyrtarisht bashkia, por pa dhënë detaje se ku ka ngecur ky proces.
Edhe Bashkia Dropull thotë se ende nuk është miratuar plani i përgjithshëm vendor, për shkak se janë bërë disa ndryshime në plan, të cilat duhet të aprovohen nga institucionet përkatëse. “PPV-ja jonë nuk është miratuar, gjithashtu me vendim VKM numër 6 datë 25.02.2021; ‘Për miratimin në parim të ndryshimeve në draftin e PPV-së, që do të paraqitet pranë AKPT-së për marrjen e aktit të përputhshmërisë’, janë bërë ndryshime në draftin e planit të përgjithshëm vendor që janë paraqitur në Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe jemi në pritje të marrjes së aktit të përputhshmërisë”, sqaron ky institucion në përgjigjen zyrtare referuar Portës Vendore.
Ndërsa Bashkia Tepelenë sqaron se Plani i përgjithshëm Vendor në këtë bashki është në fazën e finale. “PPV është në fazën e katërt finale, për dorëzimin dhe miratimin nga ana e këshillit bashkiak Tepelenë . Aktualisht janë duke u zhvilluar verifikimet e fundi nga AKPT dhe presim konfirmim për të vijuar me hapat e mëtejshëm për miratim”, bën me dije Bashkia e Tepelenës.
Çështjen e problemeve financiare që kanë hasur bashkitë e mbetura më mbrapa se të tjerat në të gjithë këtë proces, për hartimin e planeve të përgjithshme vendore, e konfirmon edhe Agjencia Për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. Ky institucion i cili është nën varësinë e Ministrisë së Brendshme konfirmon se këto bashki ende nuk kanë përfunduar këtë proces. “Bashkia Dropull dhe Memaliaj kanë depozituar pranë AKPT dokumentacionin e përfunduar. Bashkia Tepelenë është në fazën e fundit të konsultimeve me AKPT dhe do të dorëzojë për miratim Planin e Përgjithshëm Vendor pranë Këshillit Bashkiak Tepelenë. Bashkia Selenicë ka hasur problematikë teknik për shkak të gjerësisë së territorit, në të cilin kjo njësi shtrihet, por procesi ka përfunduar dhe kjo bashki është në pritje të konfirmimit nga AKPT. Për sa i përket Bashkisë Shijak, janë hasur problematika teknike dhe financiare me studion që është kontraktuar për projektim. Për shkak të ndryshimeve të kryera në draftin e PPV, është kërkuar reflektimi i tyre në Planin përfundimtar. Kostoja financiare e kërkuar prej studios së projektimit aktualisht është e pa përballueshme nga bashkia”, thotë ky institucion qendror, duke specifikuar problematikat e secilës bashki, ndërsa shton se po parashikohet planifikimi i pagesës në buxhetin e vitit pasardhës për bashkitë që kanë hasur probleme financiare.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit: Ja problematikat që hasën bashkitë gjatë këtij procesi
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) ka përgjegjësi ligjore të monitorojë zbatimin e dokumenteve të planifikimit, në bashkëpunim me bashkitë, dhe të raportojë pranë Ministrisë së linjës, Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Këshillit të Ministrave, për rezultatet e monitorimit dhe masave respektive që duhet të ndërmerren sipas rastit ,nga qeverisja qendrore apo ajo vendore. Qeveria Shqiptare në vitin 2015 ka miratuar VKM Nr. 670, datë 29.07.2015 “Për ngarkimin e Ministrisë së Zhvillimit Urban për kryerjen e procedurave të prokurimit për realizimin e konkursit të projektimit për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për 26 bashki”, duke vendosur mbështetjen nga ana financiare dhe teknike për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për 26 bashki. Me Urdhrin e Ministres së Zhvillimit Urban Nr.48, datë 17.02.2016, AKPT është ngarkuar me monitorimin, mbikëqyrjen, ndjekjen dhe zbatimin e kontratave.
Ndaj, nëpërmjet një përgjigjeje zyrtare, ky institucion i tha Portës Vendore se ka bashkërenduar dhe asistuar të 61 bashkitë e vendit në hartimin e dokumenteve të planeve të përgjithshme vendore. “Me mbështetjen financiare të Projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore në vitin 2015, janë hartuar dhe 5 plane të përgjithshme vendore. Më tej, Qeveria Zvicerane, përmes Programit Për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP), jep mbështetjen financiare dhe teknike për 5 bashki në Veri të Shqipërisë, për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor. Në vitin 2017 Qeveria Shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Zhvillimit Urban ka financuar dhe 7 plane të përgjithshme vendore, duke ngarkuar AKPT me monitorimin, mbikëqyrjen, ndjekjen dhe zbatimin e këtij procesi. Gjithashtu, me mbështetjen e Universitetit POLIS është në proces hartimi i Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Dropull. Në vitin 2018, Qeveria Shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka miratuar financimin e 16 planeve të përgjithshme vendore. Në vitin 2021, ka filluar procesi i hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Kamëz me financim nga ana e Bashkisë Kamëz”, sqaron Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për Portën Vendore.
Kjo Agjenci bën me dije se nga 61 bashki gjithsej janë hartuar dhe miratuar në të gjitha organet kompetente 55 plane të përgjithshme vendore në Republikën e Shqipërisë, ndërsa 5 bashki janë në fazën përfundimtare të hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore dhe 1 bashki, në fillim të viti 2021, ka filluar hartim e PPV-së.
Pyetur për problematikat kryesore të hasura gjatë këtij procesi në të gjitha bashkitë në vend Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit liston disa: “Problematika e hasur më shpesh tek njësitë e vetëqeverisjes vendore në raport me hartimin e dokumenteve të planifikimit ka qenë dhe mbeten: luhatjet sa i përket burimeve njerëzore; ndryshimet e shpeshta të stafit të Drejtorive të Planifikimit e të Kontrollit të Zhvillimit; mungesa e një databazë të përditësuar me informacion mbi pronësinë e tokës; Arritja e balancës mes mbrojtjes së territorit, planifikimit sipas një qasje proaktive dhe cilësore dhe përgjigjes ndaj interesave për zhvillim; Mungesa e angazhimit proaktiv dhe cilësor në takime/dëgjesa publike të grupeve të interesit, si edhe intelektualeve të komunitetit, në dhënien e mendimeve/sugjerime/vizionin intelektual, e cila do të kontribuonte në hartimin e një produkt (PPV) më të informuar”.
Edhe ky institucion pohon si problematikën më kryesore në këtë proces kapacitetet ekonomike të bashkive. “Autoritet vendore të planifikimit nuk kanë pasur kapacitetin ekonomik të mjaftueshëm për kontraktimin e eksperteve/konsulentëve të jashtëm për t’i asistuar në procesin e hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor për territorin administrativ të tyre dhe për këtë arsye janë alokuar fonde nga buxheti i shtetit (Ministria përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit), si dhe janë mbështetur financiarisht nga donatorë të jashtëm”, thuhet më tej në përgjigjen e AKPT-së.
Sipas AKPT-se procesi i hartimit të dokumenteve të planeve të përgjithshme vendore nuk ndikon në hartimin e dokumentit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit (PPKT). “Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit përcakton kuadrin/kornizën referuese të detyrueshëm për të gjitha planet që hartohen në Republikën e Shqipërisë dhe qëndron më lart në hierarkinë e dokumenteve të planifikimit të territorit. Gjatë hartimit të PPV janë marrë në konsideratë përcaktimet e PPKT për territoret respektive administrative. PPKT është miratuar me Vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit Nr. 1, datë 14.06.2016 ‘Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit’ si dhe më tej me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 881, datë 14.12.2016 ‘Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit’, sqaron Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
Ekspertët: Plani, thelbësor për zhvillimin urban e ekonomik
Lidhur me këtë problematikë të mbartuar ndër vite të pushtetit vendor, Porta Vendore kontaktoi edhe me një sërë ekspertësh, të cilët e shikojnë nevojshme kryerjen e këtij procesi.
Eksperti i pushtetit vendor Fatlum Nurja nënvizon si problematikë jo vetëm të bashkive që nuk kanë hartuar planin, por edhe të atyre që e kanë hartuar dhe nuk e zbatojnë atë. “Për mendimin tim kjo shkelje e ligjit e afateve ligjore është më pak e dëmshme se 55 bashki që i kanë këto plane, por pak, ose shumë pak i zbatojnë ata. Ose më mirë as nuk ju kujtohet se i kanë. Ligji për planifikimin dhe zhvillimin e territorit nuk ndalet vetëm tek planifikimi, por i kushton vëmendje domethënëse zhvillimit të territorit dhe kontrollit të tij. Instrumentet financiare për të bërë të mundur implementimin e Planit janë PBA (Planet Buxhetor afatmesëm). Shumë pak Bashki e kanë në mendje një lidhje organike të tillë. Pra, planifikohet dhe nuk zbatohet vendimi i marrë më parë për PPV (që është i detyrueshëm për zbatim) sipas nenit 64/139 – 2015”, shprehet eksperti Nurja.
Më tej eksperti thotë se duhen vënë në dijeni institucionet për këtë shkelje të ligjit, duke vënë gishtin edhe tek institucioni i Prefektit. “Nëse janë vetëm 5 bashki që nuk e kanë këtë plan, është një sinjal që këto bashki nuk zbatojnë ligjin, por dhe Prefekturat përkatëse nuk e monitorojnë këtë fakt të mos zbatimit të ligjit për t’i tërhequr vëmendjen këtyre njësive vendore dhe të informojnë Ministritë përkatëse apo edhe vetë KM. Në këtë rast mbështetja dhe nxitja duhet të jetë institucionale, sepse ekspertiza paguhet sipas kontratave të lidhura me studio konsulence për ta bërë këtë dokument. Edhe bashki të mëdha dhe me kapacitete, me studio private i kanë bërë PPV-të. Ajo që ndodh në Shqipëri është e dhimbshme, Strategjitë dhe Planet sektoriale, rajonale apo rregullues dhe jo vetëm, shërbejnë vetëm për të mbledhur pluhur në raftet e zyrave të administratës”, përfundon Nurja për Portën Vendore.
Edhe kreu i shoqatës së bashkive, Agron Haxhimali, thotë se është e rëndësishme që të gjitha bashkitë të përfundojnë planet vendore në përputhje me karakteristikat e zonave. “Këto bashki të mbetura të marrin në konsideratë zhvillimet më të fundit dhe koherencën aktuale nga pikëpamja ligjore, mjedisore dhe institucionale. Bashkitë kur të bëjnë planet duhet të vënë theksin te kapitali natyror dhe elementët inovator” , thotë Haxhimali duke vënë theksin tek ana financiare, pasi sipas tij, bashkitë nuk janë në pozita të mira financiare.
Besmira Manaj, eksperte e specializuar për pushtetin vendor thotë se mungesa e buxhetit mund të jetë argument, por ka hapësira për të rialokuar kostot. “Mungesa e buxhetit nuk mund të jetë argument për mos hartim plani. Sigurisht është argument për reduktim aktivitetesh por gjithmonë ka hapësira për të rialokuar kostot dhe buxhetet. Ky mund të përdoret vetëm si justifikim për të shmangur përgjegjësinë dhe demonstron mungesë vizioni. Nga ana tjetër, bashkitë kanë dhe mundësinë për të realizuar vetëfinancim nëpërmjet projekteve dhe të ardhurave të tyre që mund të gjenerojnë këto projekte”.
Nga ana tjetër ekspertja thotë se hartimi i një plani është gjithmonë i pamjaftueshëm. Aktualisht bashkitë nuk kanë plan rezervë në rast krizash dhe ndryshimesh të papritura. Sipas Manajt, bashkitë kanë nevojë për shumë fleksibilitet dhe minimizim burokracish, ndërsa planet vendore kanë nevojë për rishikim të valorizimit të resurseve dhe mobilizimin e aktorëve ekonomike të territorit.
Porta Vendore kontaktoi gjithashtu edhe me ekspertin e ekonomisë Selami Xhepa, teksa ai i mëshon faktit se nga planet vendore zë vend zhvillimi urban dhe ekonomik. “Planet vendore janë dokumenti bazë i zhvillimit të integruar në nivel lokal. Si i tillë, hartimi i këtij dokumenti nga ana e pushtetit vendor ishte konsideruar si hapi i parë prej nga ku duhet të niste zhvillimi urban dhe paralelisht, zhvillimi ekonomik në tërësi. Fakti që një dokument i tillë nuk është hartuar akoma nga disa bashki, dhe se në shumë prej atyre që e kanë hartuar tashmë, e kanë përmbushur këtë detyrë vetëm në saj të mbështetjes financiare të siguruar përmes donatorëve të huaj, kryesisht të qeverisë zvicerane, është dëshmi e faktit se pak rëndësi i kushton pushteti vendor hartimit të këtij dokumenti themelor. Qeveria qendrore gjithashtu ishte e angazhuar që të mbështeste me financime pushtetin vendor në mënyrë që planet vendore të hartoheshin si një çështje prioritare. Mospërmbushja e këtij detyrimi sigurisht që pengon një zhvillim të ekuilibruar ekonomik, përdorimin e burimeve në mënyrë të qëndrueshme dhe harmonizimin e politikave zhvillimore lokale dhe kombëtare”, shprehet eksperti për Portën Vendore. Sipas tij, kjo situatë lë shkas për të krijuar kaos. “Mungesa e planeve i hap rrugë abuzimit dhe zhvillimit kaotik, si dhe pengon investimet private. Nga ana tjetër, edhe vetë eficienca e investimeve publike lë për të dëshiruar. Shpeshherë po shohim që projektet e rehabilitimit urban dhe të qendrave të qyteteve të sapo-përfunduara, janë zhbërë duke i rikthyer dhe njëherë në kantiere pune të njëjtat qendra të sapo-rehabilituara. Kjo është një dëshmi e keqqeverisjes dhe shpërdorimeve mjaft të parave të taksapaguesve”, përfundon ai.
5 vite pas afateve ligjore të përcaktuara nga ligji, bashkitë janë ende në fazën e hartimit të planeve të përgjithshme vendore, duke krijuar pak shpresa për devizën e tyre drejt të ardhmes, projekteve dhe investimeve, që siç edhe Porta Vendore ka raportuar më herët në të shumtën e rasteve ato bëhen kuturu dhe pa një plan të mirëfilltë.