30 korrik 2021/ Eljona Ballhysa/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore
Bashkitë kanë detyrim ligjor që të përgatisin programet sociale të strehimit dhe këto programe t’ua bëjnë të ditur qytetarëve. Por nga ajo që vihet re, këto bashki nuk e kanë realizuar një detyrë të tillë që e përcakton ligji për “Strehimin Social” që në vitin 2018, ndërkohë që nga një studim i kryer në Elbasan dhe Tiranë nga dy organizata jo fitimprurëse, rezulton se numri i përfitueseve është shumë më i ulët se numri i familjeve në nevojë.
Ligji nr. 22 i vitit 2018 “Për Strehimin Social” përfshin dhe përcakton Programet Sociale të Strehimit. Në nenin 11 të këtij ligji jepen edhe llojet e programeve sociale të strehimit, ku përfshihen. a) programi i banesave sociale me qira, në vijim BSQ; b) programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri; c) programi i banesave me kosto të ulët, në vijim BKU; ç) programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi; d) programi për krijimin e banesave të përkohshme; dh) programi i banesave të specializuara.
Po ashtu ligji përcakton qartësisht se janë njësitë e vetëqeverisjes vendore që kujdesen që familjet dhe individët, të cilët nuk kualifikohen si përfitues në njërin program, të kenë mundësi për të kaluar dhe përfituar në një program tjetër strehimi social, kur plotësojnë kushtet ligjore.
Këto programe shërbejnë për strehimin e familjeve dhe të individëve që nuk kanë banesë dhe banojnë në mjedise që nuk klasifikohen si vende për banim apo në një banesë të përkohshme, në kuptim të këtij ligji, që nuk kanë mundësi ekonomike e financiare për të siguruar një banesë, si dhe ato familje/individë, banesa e të cilëve është nën normën ligjore të strehimit dhe që nuk kanë të ardhura që të sigurojnë pagesën për një qira minimale në tregun e lirë.
Strukturat përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes, në zbatim të ligjit dhe të Strategjisë Sociale të Strehimit (2016 – 2025) duhet të hartojnë programe 5-vjeçare strehimi për popullsinë nën juridiksionin e tyre, duke u mbështetur në analizën e nevojave për strehim dhe në përputhje me strategjinë e strehimit social, sipas parashikimeve të këtij ligji. Ky program miratohet nga këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore. Bashkitë kanë detyrimin për miratimin e programeve 5-vjecare të strehimit dhe detyrimin për t’ia bërë këtë gjë të ditur qytetarëve.
Por sa zbatohet ligji dhe strategjia sociale e strehimit në praktikë nga bashkitë e vendit?
Porta Vendore hulumtoi në 12 bashkitë kryesore, ku kërkoi informacion lidhur me procesin e hartimit të programit 5-vjeçar të strehimit social. Nëpërmjet rrugëve zyrtare iu kërkua informacion përkatësisht bashkive: Vlorë, Lezhë, Durrës, Fier, Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Korçë, ku vetëm 5 bashkitë e fundit kthyen përgjigje.
Bashkia Berat futet tek bashkitë që ende nuk ka një plan 5-vjeçar të miratuar për strehimin social. Në përgjigjen e saj zyrtare, ky institucion shprehet shkurtimisht dhe pa dhënë detaje se: “Drejtoria e Pronave dhe Emergjencave nuk ka në dispozicion një plan pesëvjeçar për strehimin”.
As Bashkia Gjirokastër nuk ka një plan strehimit ashtu sikurse e kërkon ligji dhe strategjia Sociale e Strehimit (2016 – 2025), megjithëse ka bërë një planifikim buxheti për këtë sektor që nga viti 2016 deri në vitin 2021 (përveç vitit 2020) për bonus qiraje.
Ky institucion pranon se në vitin 2019 ka hartuar një udhëzues operacional “Subvencionimi i interesave të kredisë për strehimin social” përmes Buxhetit të Bashkisë Gjirokastër, i cili ka kaluar në Këshillin Bashkiak në parim me vendimin nr. 43.dt.26.03.2019.
“Bashkia nuk ka vazhduar me tej deri në përmbylljen e udhëzuesit operacional të vitit 2019. Por në vitin 2021 Bashkia Gjirokastër ka hapur procedurë të re për të rishikuar dhe përshtatur vendimin e mëparshëm me kushtet aktuale. Ka kaluar gjithë procedurat deri në marrjen e vendimit për subvencionimet e interesave të kredisë nga Buxheti i Bashkisë me Vendimin Nr.22 dt.05.03.2021”, thuhet në përgjigjen referuar Portës Vendore teksa Bashkia Gjirokastër thekson se: “Faza e punës në të cilën ndodhemi është: momenti i lidhjes së kontratës me bankën fituese, nga ku do të merren kreditë për strehimin social”.
Ndërsa Bashkia Korçë duket se është në rrugë të mbarë lidhur me përgatitjen e planit 5-vjeçar të strehimit: “Lidhur me informacionin për planin e strehimit social të Bashkisë Korçë, mund t’u vë në dijeni që hartimi i ti, ka nisur me mbështetjen e PNUD dhe asistencën e CoPlan në muajin Shkurt 2021 dhe aktualisht jemi në fazën e fundit. Besoj që në fillim të Qershorit do të jetë gati”, thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni, ndërsa bëhet gjithashtu me dije se buxheti aktual i 2021 për zërin strehimi social, është rreth 5.000.000 lekë.
Bashkia Tiranë ka aktualisht një draft të planit 5-vjeçar të hartuar mbi strehimin social. “Gjithë aplikimi do të digjitalizohet duke i krijuar më shumë facilitete qytetarëve, ndërsa fokusi i draft-programit të hartuar është rritja e numrit të familjeve përfituese”, tha Bashkia Tiranë lidhur me këtë çështje.
Ndërsa Bashkia Elbasan është ende në fazat e para të përpjekjeve për të krijuar dhe mundësuar diçka të tillë, teksa premton që do ta ketë një të tillë brenda vitit.
Lidhur me strehimin social, organizatat ‘Qendra për Advokim Social’ dhe ‘Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome’ kanë realizuar një studim në Bashkinë Tiranë dhe Bashkinë Elbasan, publikuar në maj 2021 në kuadër të projektit “Aktivizëm qytetar dhe pjesëmarrje në procese vendimmarrjeje në nivel vendor i familjeve të pastreha”, i mbështetur nga Leviz Albania.
Sipas studimit, nga të dhënat e deklaruara nga Bashkia Elbasan rezultojnë në total 1410 aplikantë të regjistruar si të pastrehë. Përgjatë vitit 2020, në programin “subvencionim qiraje” kanë aplikuar 120 familje, ndër të cilët 117 rezultuan përfitues. Ndërsa përgjatë 4-vjeçarit të fundit (kohë në të cilën u miratua dhe vu në zbatim Ligji 22/2018 për strehimin social) kanë përfituar nga programi 221 familje në total, ku pjesa dërmuese e tyre i përkisnin komunitetit rom dhe egjiptian, familjet që përfitonin ndihmë ekonomike dhe persona me aftësi të kufizuar.
Kurse Bashkia Tiranë shprehet se për periudhën kohore 2018-2020 janë regjistruar në zyrat e saj 6708 qytetarë aplikantë të programeve sociale të strehimit, prej të cilëve 1829 janë shpallur fitues. Sipas studimit, Bashkia Tiranë deklaron se ka në pronësi të saj, prona të cilat janë përfituar në bazë të vendimeve të Këshillit të Ministrave nga shpronësimet dhe janë të destinuara për zbatimin e projektit për të cilin është kryer shpronësimi, pra për strehimin social. Po ashtu, Bashkia Tiranë thotë se ka prona të transferuara nga pushteti qendror tek pushteti vendor bazuar në ligjin nr. 8744, datë 22.02.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, si dhe në ligjin nr. 8743, datë 22.02.2001 për “Pronat e paluajtshme të shtetit” (i ndryshuar), për qëllimet që ky ligj përcakton, por nuk informon për detaje në lidhje me kapacitetin dhe zonën ku janë vendosur.
Gjatë këtij studimi, sipas raportit të dy organizatave, ka rezultuar se qytetarët e të dy bashkive kanë mungesë informacioni për shërbimet që ofrojnë strukturat shtetërore në lidhje me strehimin social, ndërsa njësitë vendore nuk kujdesen për të bërë shërbimet e qarta, transparente dhe të njohura për targetin që shënjestrojnë. “Numri i aplikantëve për përfshirje në programet sociale të strehimit nuk tregon në fakt nevojën reale për strehim, pasi shumë prej qytetarëve kanë humbur shpresën dhe besimin te institucionet për zgjidhjen e çështjes dhe as nuk aplikojnë më për përfitimin e shërbimeve. Mungon vëmendja e strukturave shërbim ofruese shtetërore për ta bërë të matshëm problemin e strehimit, ka mungesë të të dhënave sistematike dhe njësitë vendore nuk realizojnë analiza me qëllim identifikimin e nevojës për strehim si dhe identifikimin e burimeve lokale të cilat mund të mobilizohen me qëllim plotësimin e nevojave”, deklarohet në raport, ndërsa theksohet se “bashkitë nuk bëjnë transparente asetet që ata kanë në menaxhim, apo përqindje të hapësirave, apartamenteve që duhet të përdoren për strehim social nga çdo leje e re për ndërtim që ata japin”.
Përballë këtyre gjetjeve pranë bashkive Tiranë dhe Elbasan, dy organizatat kanë rekomanduar që njësitë vendore duhet të japin informacion të plotë, të lehtë për t’u gjetur, të qartë të lexueshëm dhe të kuptueshëm. “Informacioni që i ofrohet qytetarëve duhet të përfshijë: llojin e programit social të strehimit të zbatuar në bashki, kushtet që duhet të përmbushin personat që bëjnë kërkesë, dokumentet e nevojshme, procesin e aplikimit dhe organin ankimor. Bashkitë duhet të informojnë në mënyrë periodike dhe të kuptueshme qytetarët për menaxhimin e të ardhurave të tyre, aseteve që kanë në pronësi dhe ndarjes së tyre për qëllim të strehimit social”, thuhet në raport.
Ndërsa ka qenë pikërisht advokimi i aktivistëve të organizatave Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome dhe Qendrës për Advokaci Sociale që kanë ushtruar presionin e duhur në bashkitë Tiranë dhe Elbasan, që këto të fundi të investoheshin me kapacitete njerëzore dhe financiare në këtë proces kaq të rëndësishëm për mijëra familje që kanë nevojë emergjente çështjen e strehimit.
“Ne kemi kontribuar që para se të ndodhte ndryshimi në ligjin e strehimit. Jemi munduar që të ngremë një proces në bashkitë ku operojmë që të tregohen më serioze në këtë aspekt. Si një proces për tu ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Nuk kemi ende bashki që të kenë të qartë evidentimin e rasteve për programet e strehimit dhe as nevojat social-ekonomike të tyre. Kryesisht funksionojnë vetëm bonusi i qirasë dhe restaurimi. Ndërsa ne jemi përpjekur të marrim një zotim së paku nga dy bashkitë kryesore, ku ishte shtrirë edhe projekti mbi hartimin e planit 5 vjeçar të strehimit social dhe kjo është një gjë pozitive”, thotë Ervis Çota drejtues i Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome.
Ndërsa drejtuesja e qendrës për Advokaci Sociale, Romina Sefa, tha për Portën Vendore se angazhimi i aktivistëve për planet vendore të strehimin social ka qenë ndër vite prioritet i shoqërisë civile.
“QAS dhe LRER së bashku iniciuan një proces advokimi për dy nga bashkitë e mëdha në vend, atë të Tiranës dhe Elbasanit, dhe duke mobilizuar familjet e pastreha për të kërkuar që bashkitë të miratojnë planet vendore të strehimit social, të cilat janë detyrime ligjore nga ligji i strehimit social 2018. Kjo erdhi si pasojë e nevojës së evidentuar në terren e cila vërehet nga të dyja bashkitë, pasi shpesh herë këto bashki i përgjigjen problematikave të strehimit në mënyre sporadike dhe pa një plan të mirëfilltë masash konkrete dhe pse ligji i ri i ka të miratuara”, thotë Sefa, duke vënë theksin tek garancia që do të përçonte hartimi i këtyre programeve strehimi tek familjet e pastreha.
“Hartimi i programeve të strehimit social do të përbënte më garanci për familjet e pastreha në raport me llojin e programeve që bashkitë do të miratonin dhe buxhetin e dedikuar që do të vendosnin në dispozicion për secilin program, duke e kostuar dhe duke përfshirë indikatorët në raport me numrin e familjeve përfituese vit pas viti, duke e bërë që ecuria e strehimit për familjet e pastreha të ishte progresive dhe t’i përgjigjet nevojave”, shpjegon Romina Sefa për Portën Vendore.
Ola Tare, përfaqësuese e Qendrës Treja, e cila merret gjerësisht me çështjen e strehimit, na rrëfen se aktualisht janë fokusuar në tre zona të ndryshme të kryeqytetit, për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, nëpërmjet advokimit dhe ndërmjetësimit mes komunitetit dhe pushtetit vendor mbi zgjidhjen e çështjes së strehimit, përkatësisht: në zonën e Yzberishtit, Selitës e Shkozës, ku i janë adresuar Bashkisë Tiranë si raste të evidentuara, së bashku me rekomandimet përkatëse.
“Nisur nga situata e 23 familjeve të pozicionuara në zonën e Yzberishtit, në rrugën ‘Zef Jubani’ ne kërkojmë që këto familje të vendosen në banesa të përkohshme, që janë banesa të destinuara për strehim të përkohshëm, në kushtet e emergjencës së strehimit të individëve të pastrehë ose që kanë nevojë për strehim të menjëhershëm dhe me afat të shkurtër (si rasti i këtyre familjeve të mësipërme), ashtu siç parashikon dhe ligji nr. 22/2018, datë 03.05.2018 “Për strehimin social”, derisa t’u zgjidhet mundësia për strehim të qëndrueshëm. Më pas, sugjerojmë që familjet të strehohen në banesa sociale me qera, pra banesa që u jepen familjeve me qera, në pronësi publike, nga fondi publik i banesave sociale, si dhe banesat që janë e mbeten në pronësi të subjekteve private, por që vihen në dispozicion të programit të banesave sociale me qira, me pëlqimin e pronarit privat”, kjo është një pjesë nga rekomandimet, dërguar për planin vendor të strehimit në Bashkinë Tiranë.
“Në këndvështrimin tim, ndryshimet në ligjin ‘Për strehimin social’ janë një hap i rëndësishëm në përmirësimin e situatës së familjeve të pastreha në Shqipëri. Megjithatë pavarësisht parashtrimit të disa programeve të reja, mbetet sërish sfidë sigurimi i strehimit të qëndrueshëm. Disa prej programeve ende nuk janë funksionale, siç është programi i pronarit social apo fondi publik i banesave sociale, ndërsa disa të tjerë si psh; subvencionimi i qirasë është i vështirë për tu përfituar për shkak të pamundësisë së sigurimit të kontratës me qiradhënësin. Nisur nga rastet e ndjekura, strehimi mbetet një nga problemet kryesore të familjeve në nevojë. Pamundësia e një strehimi të qëndrueshëm ndikon negativisht në zhvillimin dhe integrimin e familjeve duke u bërë pengesë qoftë edhe në arsimimin e fëmijëve dhe punësimin e të rriturve”, sqaron Tare, ndërsa vë theksin tek bashkëpunimi ndërsektorial që duhet të ekzistojë për mbarëvajtjen e procesit të strehimit.
“Ne i konsiderojmë politikat e strehimit si një mjet për të adresuar nevojat e familjeve dhe të individëve për përmirësimin e kushteve në të cilat ndodhen, ndaj ka lindur nevoja e hartimit të këtyre programeve. Qëllimi është që bashkitë të mobilizohen dhe të kryejnë identifikimin e mënyrave financiare që të kryejnë shërbimet e nevojshme për komunitetin. Në ligjin e vjetër të strehimit parashikohej që të ishin 10 vjeçare ndërsa në ligjin e ri parashikohet që planet të jenë 5 vjeçare. Dhe ne i kemi ndihmuar disa bashki si me ekspertizë ashtu edhe me financa për të kryer këtë proces”, thotë Visiana Shamo, eksperte e çështjeve sociale pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Lidhur me këtë çështje nuk kanë munguar as rekomandimet nga organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Europës i cili është duke ndihmuar një sërë bashkish në vend që të merren me këtë proces, për t’i ardhur sa më në ndihmë target-grupeve vunerabël.
“Këshilli i Europës është përfshirë që në hapat e parë të kësaj çështjeje me ekspertizën e tyre, teksa rekomandimet në raportet e publikuara për t’i ardhur në ndihmë komunitetit rom dhe egjiptian nuk kanë munguar, ku kryefjala mbetet strehimi, duke kaluar tek shëndeti, arsimimi, dhe regjistrimi pranë gjendjeve civile”, thuhet në raportin e publikuar në prill të 2020 nga Këshilli i Europës.
Edhe aktivistët e shoqërisë civile e vënë theksin tek respektimi i kuadrit ligjor mbi hartimin e planeve vendore 5 vjeçare të strehimit, çka do t’i hapnin rrugë përmirësimit të kushteve të strehimit për mijëra familje.
“Hartimi i planeve vendore 5 vjeçare të strehimit janë një detyrim ligjor i bashkive dhe hap shumë i rëndësishëm i zbatimit të programeve sociale. Ndaj të gjitha bashkitë duhet të parashikojnë objektiva të cilat do të ndikojnë në efikasitetin e programeve sociale të strehimit duke i bërë më të prekshme për familjet në nevojë”, përfundon Ola Tare, nga qendra Treja për Portën Vendore.