Ngjarje/Personazhe

Periferia e Durrësit ende në ngërç për menaxhimin e mbetjeve urbane, po pastrohet vetëm qyteti

26 korrik 2021/ Aldo Mustafa/ Porta Vendore/ Durrës

Porta Vendore është kthyer edhe një herë në terrenin e qytetit bregdetar të Durrësit për të kryer vëzhgim në disa nga zonat më problematike përsa i përket grumbullimit dhe pastrimit të mbetjeve urbane. Në këtë vëzhgim rishtas, u konstatua se problematika e mbetjeve urbane duket se ende vazhdon dhe është theksuar në zonat përiferike të qytetit të Durrësit, ku koshat e mbeturinave vazhdojnë të tejmbushen duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e mbetjeve të përfundojnë në rrugë duke ndotur mjedisin rreth koshave të mbeturinave.

Foto Porto-Romano 22 korrik 2021

Pavarësisht projektit të miratuar më herët në muajin Qershor nga Komiteti për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, i cili propozoi tre skenare të studiuara dhe të përshtatura për situatën në të cilën ndodhej Bashkia Durrës, pas shpalljes së emergjencës mjedisore në korrik të vitit 2018 për shkak të vend-grumbullimit në Porto-Romano dhe në qershor të 2020 për shkak keqmenaxhimit të mbetjeve urbane, Bashkia Durrës në 10 qershor miratoi skenarin e menaxhimit të mbetjeve bazuar në vendimin nr. 6datë 20.05.2021 të Komitetit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe vendimin nr. 3 datë 02.06.2021 të Këshillit të qarkut Durrës, por kjo situatë duket se nuk e shpëtuar aspak Durrësin nga problematika gangrene e mbetjeve urbane duke bërë që gjatë gjithë muajit qershor mbetjet urbane në qytet të shkaktonin një situatë të emergjencës mjedisore.

Foto Porto-Romano 22 korrik 2021

Sakaq deri më tani pastrimi i qytetit sipas Bashkisë Durrës bëhet nga Ndërrmarjet në varësi të Bashkisë N.Sh.K. Durrës dhe  Plazh. Bashkia Durrës ka deklaruar për Porta Vendore si mëposhtë:

Foto Bashkia Durrës

Për menaxhimin e mbetjeve të territorit që mbulon Ndërmarrja Komunale Plazh (Plazh, Shkozet, Rrashbull) ka në inventar 4 agregatë, 7 kamiona vetëshkarkues, 3 kamionçina dhe 2 fadroma në gjëndje pune. Të gjithë këto mjete janë të ngarkuara për të bërë evadimin e mbetjeve urbane, përfshirë këtu dhe inerte, leshterike, lëndë drusore etj. Këto mjete bëjnë nga 1 – 2 rrugë çdo ditë. Në sezonin turistik që fillon në muajin Maj sasia e rrugëve që kryejnë mund të shtohet në varësi të mbetjeve deri në mbylljen e sezonit në fund të shtatorit. Fuqia punëtore që mbulon këtë shërbim është 120 punëtorë definitivë dhe 30 punëtorë shtesë gjatë sezonit.

Foto Durrës, Lagjja nr. 15, 22 korrik 2021
Foto Durrës, lagjja nr. 17, 22 korrik 2021

Duke u bazuar në informacionet e dhëna nga Bashkia Durrës dhe numrin e lartë të punëtorëve gjatë sezonit turistik i cili arrin në 260 punonjës të N.Sh.K. të gatshëm për të përballuar shtimin e punës, duket se nga këto të dhëna vetëm për territorin që mbulon Bashkia Durrës, nuk duhet të ketë një situatë të tillë përsa i përket ndotjes së qytetit.

     Porta Vendore ndërkohë ka konstatuar se pavarësisht deklaratës së Bashkisë Durrës, duket se ende koshat e tejmbushur të mbeturinave në qytetin e Durrësit, do të jenë problem për banorët dhe turistët për një kohë edhe më të gjatë.  Kompania Integrated Energy B.V. lejoi Bashkinë Durrës të depozitë mbetjet deri me datë 15 korrik pranë Z.T.M.T. ku në një letër drejtuar bashkisë më herët në qershor, Arjola Kodra, administratorja e Integrated Energy B.V ka shkruar si mëposhtë:

“Mund të vijoni menjëherë me depozitimin pranë Z.T.M.T, për të cilën ju nuk do të paguani tarifën e depozitimit për një periudhë nga data 28.06.2021 deri më 15.07.2021. Pas kësaj date jeni të lutur të ndërmerrni masat e nevojshme për zgjidhjen e problematikës, pasi nuk do të lejoheni të depozitoni në Z.T.M.T, nëse nuk përmbushin kushtet e komunikuara nga ana e shoqërisë Integrated Energy B.V.

Foto, Spitallë, 22 korrik 2021
Foto, Durrës, lagjja nr. 18

Sezoni turistik ka filluar në muajin maj dhe pothuajse më shumë se gjysma e tij ka kaluar duke mos iu dhënë zgjidhje situatës së mbetjeve urbane edhe pse sasia e rrugëve që kryejnë N.Sh.K. mund të shtohet në varësi të mbetjeve deri në mbylljen e sezonit në fund të shtatorit dhe pse fuqia punëtore që mbulon këtë shërbim është 260 punëtorë, duket se problematika e mbetjeve urbane do të kërkojë më shumë kohë për t’u zgjidhur.