Ngjarje/Personazhe

Tragjasi i Vlorës, mes historisë dhe harresës

25 korrik 2021/ Enriko Gabaj/ Porta Vendore/ Vlorë

Tragjasi është një tjetër fshat në projektin e 100 fshatrave turistikë të vendit. Ai gjendet 20 km në jug të qytetit të Vlorës. Fshati i Tragjasit ka në total rreth 1400 banorë, pasi një pjesë e mirë janë larguar në emigrim jashtë vendit, por ka dhe nga ata të cilët kanë shkuar për të jetuar në kryeqytet. Megjithëse pjesë e programit të 100 fshatrave turistik ky fshat nuk ka parë dritën e kuqe të investimeve.

Banorët e fshatit janë mikpritës e punëtorë dhe madje pohojnë se puna e tyre e përditshme lidhet me bujqësinë e blegtorinë. Gjendja në të cilën fshati ndodhet, edhe pse pjesë e projektit të 100 fshatrave turistikë, lë për të dëshiruar. Tragjasi i Vjetër i cili është një qytetërim i vjetër, ka ende gjurmë të asaj kohe.

Rrugët e amortizuara të fshatit Tragjas. Foto: E.Gabaj

Rruga që lidh qendrën e fshatit me aksin kryesor Radhimë-Orikum është e vetmja e asfaltuar, ndërsa gjithë pjesa tjetër e fshatit vuan për infrastrukturë. Rruga e shkatërruar, me pluhur e zhavorr të hedhur kuturu, nuk ka as ndriçim, gjë që vështirëson lëvizjen gjatë natës. Tragjasi sërish, pavarësisht se është lënë pas dore mbetet interesant dhe një destinacion i preferuar për turistët. 5 km larg qendrës së fshatit Tragjas, ndodhet Tragjasi i Vjetër, një vlerë e vërtetë kulturore e historike për vendin. Për të shkuar në Tragjasin e vjetër duhet shumë këmbëngulje, për shkak se rruga që të çon është e shkatërruar e mbahet vetëm me një shtresë zhavorr, gjë që vështirëson ngjitjen e automjeteve. Kështu që e vetmja zgjidhje mbetet të shkohet në këmbë, për shkak edhe të terrenit të vështirë e malor. E gjithë rruga shoqërohet nga pluhuri e mungesa e ndriçimit, gjë që të detyron që fshatin ta vizitosh vetëm gjatë ditës.

Rrugët të cilat ngrenë pluhurin e fshatit historik lart, sa herë që kalon një makinë në to. Foto:E. Gabaj

Në majën e Kodrës ku ngrihet Tragjasi i vjetër ndodhet një biznes i tipit restorant, i cili është i vetmi në fshat. Me të mbërritur në Tragjasin e vjetër, pas rreth 70 minutash udhëtim në këmbë, pamja është e mrekullueshme, ku nga aty larg duken tokat, deti dhe qyteza e Orikut. Tragjasi i vjetër ka gjurmë të shumta arkeologjike që tregojnë se ai daton që prej shek. VII-IV para Krishtit. Ai ka një histori e cila nis që prej lashtësisë, ajo çfarë bie në sy janë ndërtesat e ngritura pranë njëra-tjetrës, të gjitha prej guri.

Mure nga një banesë, Tragjas i vjetër. Foto: E. Gabaj

 

Kroi i fshatit Tragjas i vjetër. Foto: E. Gabaj

Xhamia e fshatit ka një histori interesante, ku shekuj më parë ka shërbyer si kishë, por me sundimin e perandorisë osmane, në rrënojat e kishës u ngrit xhamia. Banorët bënë qëndresë ndaj pushtuesve, ku gjatë saj vdiq Jaup Ferati, e ku sot janë dhe eshtrat e tij.

Por banorët thonë se nuk është bërë asnjë investim. “Nuk janë kryer fare investime në kuadër të 100 fshatrave turistik. Po këtu kanë plot turistët çfarë të shohin por qeveria na ka harruar, ndjehemi të lënë pas dore. Po na ka shkuar mendja të investojmë por çfarë të bëjmë kur s’ka infrastrukturë të mirë e investime nga qeveria. Nëse kjo e fundit do të na kishte mbështetur sadopak normal që do ta kisha hapur një bujtinë dhe pastaj le të shikonim nëse do të vinin apo jo turistë në zonë”, thotë një banor të cilin e takojmë rrugës, teksa shton se promovimi i ka munguar Tragjasit.

Sarajet e Alem Mehmetit. Foto: E. Gabaj

Në Tragjas përveç natyrës shumë të bukur gjen edhe histori e kulturë. Varri i bardhë i Alem Mehmetit, është një nga atraksionet e këtij fshati, pasi ai njihej si më i pasuri i fshatit dhe ka qenë anëtar i qeverisë së Ismail Qemalit. 

Gjithashtu ndodhen dhe shenjat e yllit të Davidit, madje janë shkruar disa lutje në gjuhën arabe, por nuk dihet domethënia e tyre dhe nuk ka asnjë përkthim për vizitorët.

Ylli i Davidit në Tragjas. Foto: E. Gabaj

Në Tragjasin e vjetër ka dhe kulla nga të cilat kontrollohej gjithçka në periudhat e luftës, vende në të cilat më pas janë xhiruar filma të kinematografisë shqiptare.

Shkronjat silabike. Foto: E. Gabaj

Pavarësisht se është një zonë me vlera të jashtëzakonshme dhe një tregues i historisë së vendit, nga ana e ministrisë nuk ka asnjë tabelë të vendosur ku të jepen detaje rreth vendit, siç është bërë traditë tanimë të shohim së paku në fshatrat që janë pjesë e programit të 100 fshatrave turistikë. Për vetë vlerat ajo duhet të ruhet e të shërbejë si muze jo vetëm për turistët e huaj, por edhe ata vendas.

Rrënojat e një historie në Tragjas. Foto: E. Gabaj

Shkolla e fshatit Tragjas, ka një të veçantë, ku mësues i parë ishte Avni Rustemi. Banorët na rrëfejnë se në atë shkollë, e cila duhet të shërbente si muze, mësimi bëhej i gjithi në gjuhën shqipe dhe madje ka qenë godina e parë në vend ku u ngrit vetëm për të funksionuar si shkollë. Nga informacionet kanë qenë 5 klasa, ku një periudhë kohe ka qenë edhe Naim Frashëri si mësues në këtë zonë. Ndërtimi i shkollës ka qenë amanet dhe është ndërtuar nga vajza e Jaup Feratit.

Shkolla e Tragjasit të vjetër. Foto: E. Gabaj

Porta Vendore pyeti pranë Bashkisë Vlorë lidhur me investimet e munguara në Tragjas, pjesë e programit të 100 fshatrave turistikë, por kjo e fundit tha se nuk dispononte asnjë informacion lidhur me procesin.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit bëri të ditur se në Bashkinë Vlorë përkatësisht në fshatin turistik të Tragjasit, puna është në proces konceptimi dhe zbatimi. “Konkretisht në Tragjas është konceptuar projekti i zhvillimit për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe është në proces zbatimi investimi për ujësjellësin”, tha FSHZH.

Porta Vendore i kërkoi informacion zyrtar gjithashtu edhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural lidhur me faktin nëse ka një shtyrje të projektit në kohë, meqë në se i gjithë procesi i investimeve në infrastrukturë, agro-turizëm, ekonomi, promovim të zonave etj, duhet të kishte përfunduar brenda vitit 2020, ndërsa ky institucion tha se: “Nuk ka shtyrje të afatit”.

Përsa i përket monumenteve të kulturës në këto zona, Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë zyrtare për informacion gjithashtu edhe Ministrisë së Kulturës, si një tjetër institucion, i cili është pjesë e procesit, por deri në publikim të kë tij shkrimi nuk mori një përgjigje.