Ngjarje/Personazhe

HEC-i merr “peng” Peshtanin e braktisur të Maliqit

22 korrik 2021/ Ledjona Xheladinaj/ Porta Vendore/ Maliq

Peshtani i Maliqit është braktisur nga pothuajse 90% e banorëve dhe vetëm katër familje kanë mbetur në fshatin e largët. Investimi i një HEC-i në këtë fshat mendohej se do të sillte investime, por duket se kjo vepër më shumë e ka marrë “peng” këtë fshat, duke vendosur një portë në rrugën e vetme të shkatërruar që të çon drejt tij dhe ku nuk lejon të kalojnë njerëz të panjohur. Ndërsa banorët shprehen se fshati nuk njeh investime prej vitesh.

Natyra nuk është kursyer aspak duke i dhuruar gjithçka për ta bërë një vend të jetueshëm, ndërsa dora e njeriut po. Asnjë investim dhe vëmendje nga pushteti nuk ka në Peshtan të Maliqit, duke detyruar dhjetëra banorë të largohen drejt zonave urbane e duke braktisur fshatin e largët.

I ndodhur në zonat malore të Moglicës, fshati Peshtan dikur numëronte rreth 70 banesa ndërsa sot kanë mbetur më pak se 4 të tilla. Rruga e shkatërruar, mungesa e energjisë elektrike për shkak të rrjetit të amortizuar janë arsyet kryesore pse ky fshat është braktisur nga banorët, ndërsa tokat jo pjellore janë një tjetër problem jetësor për ata që kanë mbetur. Një fshat i fshehur mes maleve ku bukuritë natyrore janë me bollëk, aty ku njerëzit ruajnë me fanatizëm traditat dhe zakonet. Një vend me shpirtin plot, por investime bosh. Zona e Moglicës pritej të merrte hov pas ndërtimit të HEC-it më të madh, duke rikthyer gjallërinë dhe agroturizmin për fshatrat që ndodhen aty. Sipas informacioneve që janë edhe në faqen zyrtare HEC Moglicë është hidrocentrali më i madh në kuadër të Projektit Hidroenergjetik të Devollit. Ai është zhvilluar në zonën e bashkive Maliq, Korçë dhe Gramsh, përkatësisht në Qarkun e Korçës dhe të Elbasanit.

HEC Moglicë shfrytëzon një lartësi prej rreth 300 metra ndërmjet lartësive 650 dhe 350 metra mbi nivelin e detit. Ajo përbëhet nga diga me bërthamë asfalti dhe mbushje me material vendi me një lartësi prej rreth 167 metra e lartë, e cila është një nga më të lartat në botë të llojit të vetë. Rezervuari ka një vëllim total prej rreth 380 milion m³ dhe një sipërfaqe prej rreth 7.2 km².

Centrali i Moglicës e merr ujin nëpërmjet një tuneli rreth 10.7 Km të gjatë nga rezervuari i Moglicës. HEC Moglicë përdor dy njësi të mëdha turbinash Francis dhe një turbinë të vogël për rrjedhën ekologjike pranë digës. Kapaciteti i instaluar është prej 197 MW me një prodhim mesatar vjetor prej rreth 450 GWh. Éshtë diga më e madhe që ndodhet në rrugën që lidh Peshtanin dhe Pulahen dy fshatrat e largët të Maliqit.

Në hyrje të fshatit Peshtan në Maliq. Foto: L. Xheladinaj

Por mesa duket asgjë nuk ndryshoi për mirë. Madje nëse duhet të shkosh drejt fshatit Peshtan, përgjatë udhëtimit, do të duhet të përballesh me një portë të madhe ku duhet së pari të tregosh arsyet përse shkon atje, nëse je banor i zonës, etj. Roja i Digës së madhe të HEC-it nuk lejon askënd të kryejë filmime apo të kalojë nëse nuk është banor i zonës. Duket se zona përtej urës së digës është marrë peng. Pavarësisht situatës, ne mundëm të shkojmë në fshatin Peshtan pas një rruge të amortizuar dhe të vështirë.

Sapo mbërrin në kodrën e fshatit, nga lart sheh banesa të rrënuara duke të lënë shijen e hidhur se aty është braktisur gjithçka, prej vitesh, dekadash, shekujsh. Kupton se ka jetë pasi dëgjon gjënë e gjallë nga larg. Teksa zbresim në fshat personi i parë që takojmë është nëna Lumja, e moshuara e fshatit, e cila jeton me djalin e saj. Ata jetojnë në një banesë gati të rrënuar, por vështirësitë ekonomike e bëjnë pothuajse të pamundur të largohen prej aty. E mërzitur dhe në gjendje aspak të mirë shëndetësorë e moshuara rrëfeu për Portën se varfëria ka kapluar gjithë fshatin.

“Jeni munduar që keni ardhur deri këtu. E patë rrugën si ishte? Eh sa herë e kemi kërkuar të na e bënin, por kush pyet për ne. Unë s’mbaj mend asnjëherë të jetë bërë ndonjë gjë këtu. Asnjëherë! Jemi të sëmurë dhe këtu rrimë. Zoti lart na mbron se do kishim vdekur me kohë me gjithë këto probleme dhe halle. Sëmuremi dhe shërohemi vet. Ja ai infermieri që kemi, por çdo bëjë ai i shkreti. S’kemi as rrugë të na çojnë në qytet kur kemi urgjenca. Tani në behar jemi pak më ndryshe, por në dimër këtu është tmerr. Izolohemi dhe nuk lëvizim dot. Unë s’mbaj mënd kur kam dalë jashtë fshatit, ehu, që kur isha e re. Tani nuk lëviz dot”. Këto janë fjalët e të moshuarës Lume Canellari, e cila teksa fliste ndjente lodhje për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. E pashpresë dhe e lodhur me hallet dhe jetën e vështirë, prej fjalëve të saj mësuam se ajo që shihej me sy ndodhte dhe në realitet, aty jeta ishte e papërballueshme dhe mjaft e vështirë.

Lume Canellari duke folur për Portën Vendore. Foto: L. Xheladinaj

Vijojmë të ecim në fshat dhe për të takuar banorët e mbetur, të cilët nuk ia kanë mbathur nga sytë këmbët. Duhet të trokisnim në derë për të siguruar një bisedë. Në qendër të fshatit ndodhej një banesë e cila derën e kishte të hapur. U drejtuam aty për të takuar të zotin e shtëpisë . Pas disa minutash pritje arritëm të takonim zonjën pasi mësuam se burrat udhëtonin në Korçë për të siguruar ushqimet që te mund të kalonin javën. Tokat bujqësore nuk shfrytëzohen pasi nuk japin prodhim. Bagëtitë janë e vetmja e ardhur për ata. Manushaqe Çela është banorja e dytë që mundëm të takojmë, teksa banorët e mbetur në Peshtan numërohen me gishtat e duarve. Çudia e saj e madhe kishte të bënte faktin se asnjëherë nuk ishte interesuar dikush për ata për të parë kushtet ku jetonin dhe problemet që kishin, ndaj falenderon nga zemra.

“Çuditërisht pas kaq vitesh po na pyet dikush çfarë problemesh kemi. Ju e shihni vetë si është këtu. Gjithçka ka mbetur shkretëtirë dhe një vend pa perspektivë. Unë kam dy djem dhe janë larguar sepse këtu s’kishin asnjë të ardhur. Në një vend ku mungojnë investimet elementare siç është rruga apo energjia elektrike normal që do largohen sidomos të rinjtë. Çfarë do bëjnë këtu? Këtu i kanë shpresat e humbura. Kam mbetur vetëm unë me bashkëshortin në shtëpi. S’kemi mundësi të ikim në qytet se duhen shumë lekë. Të gjithë që kishin mundësi u larguan. Na rroftë që kemi liqenin se asnjë të mirë s’na ka sjellë. Në dimër izolohemi dhe s’marrim vesh nga bota. Ne as tokat nuk na prodhojnë dhe ushqimet i marrim në qytetin e Korçës. Udhëtojmë me orë të tëra që të furnizohemi për të mbijetuar. Nuk prodhohet asgjë këtu se janë tokat djerrë”, shprehet ajo e trishtuar dhe e lodhur nga kjo jetë e tillë. Teksa nuk i është ofruar asnjë zgjidhje, ajo rendit si më poshtë: “Problemet këtu janë me thasë. I kemi ngritur shpesh si probleme tek bashkia por asgjë s’kanë bërë. Na dëgjojnë dhe thonë do i bëjmë por kanë mbi 30 vite që këtu nuk është hequr qoftë një gurë. E patë rrugën që ishte skandal. U bë Hec-i dhe ndërtuan rrugën kryesore deri ku kishin interes. Këtej nga ne e kanë shkretëtirë. Këtu as ujku nuk jeton dot. Aq keq jemi por ç’të bëjmë që s’kemi mundësi se do kishim ikur me kohë. Shikojeni dhe vet sa bukur është. Por kur s’ka kushte për çfarë e do këtë bukuri? Jemi mërzitur shumë nga çdo gënjeshtër dhe premtim koti. Kur vijnë për fushatë na e bëjnë fushë me lule gjithçka. Dhe pasi kalojnë zgjedhjet nuk duan t’ia dinë ku bie fshati ynë. E vetmja e ardhur për familjen time është rroga e bashkëshortit pasi punon si infermier. Nuk i shfrytëzojmë tokat sepse nuk prodhojnë. Ja kështu. Këtu është shkretëtirë kaq di të të them” pohoi për Portën Vendore ,Bajame Barjamllari, një tjetër banore e fshatit Peshtan.

Shtëpitë e rrënuara të fshatit. Foto:L. Xheladinaj

Problematikat e shumta dhe të theksuara të fshatit Peshtan i ka pranuar edhe kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu. Në një prononcim për Portën, Topçiu ka pohuar se së shpejti bashkia do të ndërhyjë në rrugën ekzistuese për të riparuar këtë segment rrugor që lidh dy fshatrat e largët Peshtan dhe Pulahë me Lozhanin dhe Moglicën. “Sigurisht që jam në dijeni të situatës ku ndodhet zona e largët e Peshtanit dhe Pulahës. Janë dy fshatra të cilat fatkeqësisht janë braktisur nga pjesa më e madhe e banorëve . Nuk mund të them se është braktisur nga mungesa e investimeve, por banorët kanë zgjedhur të shpërngulen drejt zonave urbane. Kjo sigurisht është zgjedhja e tyre. Përsa i përket investimeve , po do të ketë ndërhyrje në ato zona. Së shpejti do të ndërhyjmë në rrugën që të çon drejt fshatrave që përmenda më lart. Do të ndërhyjmë në riparimin e rrugës ekzistuese për të lehtësuar udhëtimin jo vetëm të banorëve. Në fakt aty janë bërë investime madhore siç është ndërtimi i HEC-it më të madh në vendin tonë. HEC-i i Moglicës dhe di që ndërtimi i rrugës nacionale ka sjellë ndryshime për jetën e banorëve të asaj zone”, tha ai.

Teksa i pyetur për problemet me energjinë elektrike, Topçiu ka pohuar se për çdo problem është një grup punonjësish, të cilët riparojnë çdo defekt që shfaqet. “Rrjeti është i amortizuar por në çdo situata dhe defekte në terren ndodhet një grup i posaçëm elektricistësh të cilët merren me riparimin e defekteve. Edhe në dimër ku në ato zona është i ashpër asnjëherë nuk ka munguar shërbimi ynë”, justifikohet ai, duke harruar që nuk është mandati i parë i tij në krye të Bashkisë Maliq e megjithatë nuk është bërë asnjë investim, duke i humbur banorëve çdo shpresë për rimëkëmbjen e zonës.