Vëzhgim/Analizë

Shkollat e Durrësit mes rindërtimit dhe pritjes së fadromave për shembje, dritë-hijet e procesit

20 korrik 2021/ Aldo Mustafa/ Porta Vendore/ Durrës

Një vit e gjysmë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, shkollat e Durrësit mbeten ende larg rindërtimit. Kjo pranohet dhe nga vetë Bashkia Durrës, e cila e zbut ngadalësinë e këtij procesi, duke pretenduar se janë shembur të gjitha godinat që do të rindërtohen, por nga vëzhgiminë terren rezulton e kundërta. Porta Vendore ka bërë një hulumtim se ku është aktualisht ky proces në terren, në shkollat dhe kopshtet, punimet e të cilave nuk kanë përfunduar ende.

“Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksionit, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm (të vitit 2020). Në sezonin e ri shkollor 2020-2021, fëmijët e shkollave të rrënuara duhet ta nisin shkollën në shkolla të reja e kushte shumë më të mira se sa ato që kishin përpara tërmetit”, u shpreh Kryeministri Edi Rama në dhjetorin e 2019-s. Por afatet ndryshuan shpejt, në prill 2020, Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj tha se në 1 nëntor 2020 do të jenë gati shkollat e dëmtuara nga tërmeti.

“Nuk arrijmë dot që t’i fusim nxënësit në këto shkolla më 1 shtator, por më 1 nëntor do të jetë e garantuar. Më 1 nëntor do jenë gati 40 shkolla të reja, si pjesë e procesit të rindërtimit”, tha ai.

Por këto afate kaluan dhe në Durrës, në një nga zonat më të goditura nga tërmeti për infrastrukturën shkollore nisi të shohë shpresë në fillim të vitit 2021. Konkretisht një nga shkollat e para që përfundoi nga donatorët ishte ajo profesionale “Hysen Çela”, si pjesë e projektit #EU4Schools të Bashkimit Europian në kuadër të procesit të Rindërtimit, në zbatim nga UNDP.

Ndërsa më 21 mars të këtij viti, ashtu sikurse edhe ishte parashikuar në projekt, u inaugurua kopshti “1 qershori”, i cili akomodon 163 fëmijë të ciklit parashkollor. Por shumë godina të tjera të arsimit parashkollor dhe parauniversitar nuk e kanë pasur këtë fat.

Porta Vendore bëri një monitorim në godinat ku procesi i rindërtimit ose rikonstruksionit nuk ka përfunduar ende në Bashkinë Durrës. Shkolla e mesme Sportive “Bernardina Qeraxhia” si dhe Konvikti i shkollës janë në fazë projektimi dhe konsultimi publik më 25/05/2021, teksa do të ishin përfitues të drejtpërdrejtë të këtij investimi 400 nxënës në total.

Gjimnazi “Gjergj Kastrioti”, i cili ka rreth 628 nxënës si dhe “Naim Frashëri” gjithashtu paraqiten në fazë projektimi, por ende nuk ka ndërhyrje në godinat e tyre, madje gjimnazi “Naim Frashëri” i pozicionuar pranë stadiumit të qytetit është kthyer në një vend ku të moshuarit luajnë domino ose lojë “mos u nxeh”.

Gjimnazi “Naim Frashëri” në Durrës, teksa përdoret tanimë nga të moshuarit e lagjes.

Gjimnazi “Olsi Lasko” në zonën e Shkozet paraqitet se ka përfunduar fazën e konsultimit me komunitetin më 4 maj të këtij viti, por fotot tregojnë që godina qëndron ende në këmbë, megjithëse Bashkia Durrës i tha Portës Vendore që të gjitha godinat e përcaktuara për rindërtim janë shembur, por siç duket nga vëzhgimi kjo nuk është e vërtetë.

Gjimnazi “Olsi Lasko” Shkozet.

E njëjta problematikë shoqëron edhe shkollën 9-vjeçare “Eftali Koci”, ku pavarësisht se bashkia thotë që janë shembur godinat, kjo gjë nuk ka ndodhur, duke e zvarritur procesin e rindërtimit edhe më shumë. Deri në këto momente ende fadromat e IMT Durrës nuk kanë mësyrë në godinë, teksa ka mbaruar faza e konsultimit me komunitetin më 15/12/2020. Kjo shkollë ka në brendësi të saj edhe sistemin parashkollor, ku në total janë rreth 582 nxënës.

Shkolla vjeçare “Eftali Koci”, në të cilën procesi i rindërtimit të godinës ende s’ka nisur.

Konvikti i vjetër i shkollës “Beqir Çela” në qytetin e Durrësit është përcaktuar për shembje, ndërsa më herët në shtator 2019, shkolla ka përfituar një rikonstruksion, ndërsa gjatë inspektimit të saj, nga Kryeministri Edi Rama u premtua gjithashtu edhe ndryshime në konvikt, të cilat do t’i faturoheshin rindërtimit, por ky investim është programuar në fazën e fazën e dytë të procesin të rindërtimit, sikurse dhe kopshti Bizë i shkollës 9-vjeçare Draç, në njësinë administrative Ishëm, i cili ka rreth 40 fëmijë.

Konvikti i vjetër i shkollës “Beqir Çela”, Durrës.

Ndërsa në shkollën Rexhep Mezini në njësinë administrative Ishëm, vazhdojnë punimet, thotë bashkia në përgjigjen e saj zyrtare referuar Portës Vendore, por në bazë të vëzhgimit në terren nuk konstatohet kjo gjë. Përveçse është shembur shkolla, puna nuk ka nisur ende për rindërtimin e saj.

Shkolla e mesme e Bashkuar “ Rexhep Mezini” në njësinë administrative Ishëm.

Rindërtimi vijon në shkollën e kopshtin “Ismet Nanushi” në njësinë administrative të Sukthit. Kjo shkollë, e cila ka 810 nxënës është një nga më të mëdhatë në të gjithë territorin e bashkisë, dhe në fakt u fut së fundmi në listën e shkollave për rindërtim, pasi 9 muaj Bashkia Durrës e kishte lënë për rikonstruksion së bashku me kopshtin. Pak ditë më parë ishte për inspektim edhe Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe Kryetarja e Bashkisë Durrës Emirjana Sako.

Shkolla e kopshti “Ismet Nanushi, njësia administrative Ishëm.

Problematikë për procesin e rindërtimit mbeten dhe dy shkolla të njësisë administrative të Manzës, përkatësisht shkolla “Riza Shera” në Radë, e cila sipas vëzhgimit që bëri Porta Vendore nuk ka asnjë fillim pune, madje godinat janë ende në këmbë.

Shkolla 9 vjeçare “Riza Shera”, në Radë njësia administrative Manëz.

Po ashtu, në Njësinë Administrative të Manzës është dhe shkolla 9-vjeçare “Zyber Sallaku” në Kuçok, e cila është zënë prej muajsh tanimë nga kontejnerët e familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Ndërsa holli i godinës përdoret për të tharë rrobat nga familjet dhe banorët që jetojnë prej më shumë se 1 viti e gjysmë aty.

Shkolla “Zyber Sallaku”, në Kuçok në Manzë.

E pyetur mbi statusin e rindërtimit të këtyre dy shkollave të Manzës, të cilat paraqiten me kryqin e kuq, të pabanueshme pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ky institucion tha se për këtë dy objekte ende s’ka asnjë marrëveshje, duke e lënë pezull fatin e tyre, e rrjedhimisht edhe të qindra fëmijëve që ndjekin këto institucione në një nga njësitë administrative tejet të dëmtuara në qytetin e Durrësit, siç ishte ajo e Manzës.

Ndërsa përsa i përket rikonstruksioneve të shkollave , Bashkia Durrës ka vetëm 6 objekte në proces. Përkatësisht bilanci qëndron i tillë: Shkolla e mesme teknologjike “Hysen Cela” dhe shkolla “1 qershori” ka përfunduar dhe është kryer rikonstruksioni me fondet e UNDP-së, ndërsa shkolla 9 vjeçare “14 nëntori” do të kryhet në një fazë të dytë.

Për çerdhen nr.2 ende s’ka një marrëveshje me ndonjë organizatë ndërkombëtare ose institucion shtetëror për marrjen përsipër të investimit, për rikonstruksionin e kësaj strukture arsimore parashkollore.

Çerdhja nr. 2 e cila ende nuk ka një marrëveshje për të nisur rindërtimin.

Ndërsa çerdhen nr.3, njofton Bashkia Durrës, është për rikonstruksion dhe ka mbaruar faza e konsultimit me komunitetin më 21/04/2021 dhe pritet të fillojë punë. Ndërsa shenjat e lëna nga tërmeti duken qartësisht në këtë godinë.

Çerdhja nr.3 në qytetin e Durrësit teksa pritet nisja e punës për rikonstruksion të godinës.

Në gjimnazin “Dhosi Liperi” vijojnë punimet për rikonstruksionin e godinës, teksa ato pritet të përfundojnë në korrik të këtij viti. Ky gjimnaz, i cili ndodhet në njësinë administrative të Sukthit frekuentohet nga 195 nxënës.

Gjimnazi Dhosi Liperi, Sukth në proces rikonstruksioni.

Instituti i Ndërtimit në përgjigjen ndaj Portës Vendore, tha se nuk dispononte një listë të statusit aktual për objektet arsimore të bashkive , të dëmtuara nga tërmeti, që janë përrikonstruksion ose për rindërtim, dhe as të listës së deritanishme të inspektimit kryer nga ky institucion.

Në proces rindërtimi në Bashkinë Durrës definitivisht janë 25 shkolla dhe 6 të tjera për rikonstruksion, ku statusi i tyre aktual sipas vëzhgimit në terren dhe burimeve zyrtare nga institucionet është si më poshtë:

12 shkolla janë financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku kanë përfunduar të gjitha procesin e rindërtimit, shkolla që ndodhen në qytet, dhe në 3 njësi administrative, si:

Shkolla 9 vjeçare “Bedrie Bebeziqi”

Shkolla 9 vjeçare “Shaqe Mazreku”

Shkolla 9 vjeçare “Hasan Koçi”

Shkolla 9 vjeçare “Qemal Mici”

Shkolla 9 vjeçare “Neim Babameto”

Kopshti “Met Hasa”

Shkolla 9 vjeçare “Adem Gjeli” Gjuricaj njësia Administrative Ishëm

Shkolla 9 vjeçare “Xhelal Shtufi” Shkafanaj, njësia administrative Ishëm

Shkolla 9 vjeçare “Vëllezërit Haradinaj”, Shkafanaj, njësia administrative Rrashbull.

Shkolla 9 vjeçare “ Njazi Mastori”, Sukth

Kopshti “Njazi Mastori” Sukth, godinë e veçantë

C.U Perlat

Në shkollat e  financuara nga UNDP , aktualisht vazhdojnë punimet në 3 shkolla, në 2 shkolla punimet kanë përfunduar, 4 janë në fazë projektimi, ndërsa dy shkolla janë në për një afat më të mëvonshëm.

Përkatësisht punimet vazhdojnë në shkollën e Bashkuar dhe kopshtin “Ismet Nanushi”, teksa kjo strukturë ka 810 nxënës dhe 120 fëmijë që ndjekin kopshtin, teksa puna ka nisur më 8/01/2021 dhe pritet të përfundojë me 30/09/2021. Ndërsa në shkollën “Dhosi Liperi” ende nuk kanë nisur punimet zyrtarisht, teksa data e konsultimit është 21/07/2020.

Shkolla “ 1 Qershori” dhe Shkolla e mesme teknologjike “Hysen Cela” kanë përfunduar, ndërsa janë në fazë projektimi 4 shkolla ku janë kryer konsultimet publike por që ende nuk janë shembur, të tilla si:

Shkolla e Mesme dhe konvikti “Bernardina Qeraxhia”, gjimnazet “Gjergj Kastrioti” dhe “Olsi Lasko” Shkozet, si dhe shkolla 9 vjeçare “Eftali Koci” e çerdhja nr. 3, teksa 2 shkolla janë lënë për një afat më të mëvonshëm për rindërtim,  siç është shkolla 9 vjeçare dhe kopshti Bizë, në Drac të Ishmit si dhe për rikonstruksion Shkolla 9 vjeçare “14 nëntori”.

“Në Bashkinë Durrës sipas programit eu4schools nga UNDP përfitojnë rreth 7,511 nxënës dhe fëmijë që të mësojnë në shkolla të ndërtuara me materiale cilësore, ekologjike, në përputhje me Eurocode 8, me eficiencë energjie dhe të pajisura me TIK, rampa dhe ashensorë për fëmijët me nevoja të veçanta”, njofton UNDP në një status në rrjetin social facebook, ndërsa rreshton shkollat që po ndërtohen me fondet e saj.

Projekti me vlerë 65 milionë e 765 mijë euro përfshin rindërtimin e 58 institucioneve arsimore në 11 bashki në vend teksa ka nisur në muajin qershor të 2020 e pritet të përfundojë brenda 2 viteve, teksa do të përfitojnë prej tij 20 mijë nxënës.

Ndërsa 3 shkolla janë në pritje për financim sepse aktualisht nuk kanë një marrëveshje me një donator të mundshëm ndërkombëtarë ose shtetërorë siç janë: Kopshti shkollës “Riza Shera” Radë të Manzës, Kopshti i shkollës “Zyber Sallaku, Kuçok të Manzës, si dhe Çerdhja nr.2 për rikonstruksion.

Sipas Bashkisë Durrës kanë përfunduar procesin e rindërtimit 14 shkolla, ku 12 janë të FSHZH dhe 2 të UNDP-së, fazë projektimi kemi 10 shkolla, vazhdojnë punimet në 4 shkolla dhe pa marrëveshje 3 të tilla.

Ky proces është disi i vonuar, pasi pas ekspertizave të ndryshme ka pasur edhe një lloj kakofonie institucionale lidhur me shifrat.

Durrësi përfshin 56 kopshte, 46 shkolla 9-vjeçare, 14 shkolla të mesme dhe 2 shkolla profesionale, teksa një pjesë e mirë e tyre janë sot kantiere ndërtimi për shkak të dëmeve të mëdha materiale që pësuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Durrësi ka në total rreth 13 000 nxënës, këta të fundit presin me endje të mësojnë në kushte të përshtatshme jo me turne, por pranë shkollave të tyre të reja.