17 korrik 2021/ Sidorela Xhomaqi/ Porta Vendore/ Korçë
Vithkuqi, qyteti i hershëm i mbi 100 krojeve, 3 kalave, 24 kishave dhe 3 manastireve, sot dergjet në harresë nga pushteti vendor e qendror, pa investime. Ndërkohë sot është lënë jashtë listës së programit të 100 fshatrave turistikë, ndërmarrë nga qeveria në fillim të vitit 2018, duke indinjuar edhe më shumë banorët e zonës.
Pak histori…
Vithkuqi shtrihet krenar vetëm 25 km larg nga qendra e qytetit juglindor Korçë. Fshati ndodhet në lartësinë mbi 1200 metra nga niveli i detit, në jugperëndim të qytetit të Korçës dhe është ndoshta një nga vendbanimet më të veçanta, përsa i përket resurseve natyrore, por edhe veçorive kulturore dhe historike që mbart. Disa rrugë dhe banesa ruajnë ende stilin e veçantë arkitekturor me kalldrëme e banesat e ndërtuara prej guri. Në fshat të gjithë të përshëndesin pa u kursyer. Të paktë njerëz që kanë mbetur kanë ende dashurinë dhe mikpritjen për miqtë.

Banorët e Vithkuqit janë fanatikë të historisë, kulturës dhe dijes që u janë transmetuar ndër breza nga të parët e tyre. Nuk gjen asnjë vithkuqar të madh e të vogël që të mos dijë historinë e fshatit, legjendat, gojëdhënat, burrat e dijes dhe patriotët. Ndërsa dokumentet historike flasin për një vendbanim tepër të hershëm, që para lindjes së Krishtit, një trevë e banuar qysh në periudhën Ilire.
Dokumentet historike e evidentojnë këtë qendër të banuar në vitin 1448. Por për të kuptuar dendësinë e popullsisë së tij dhe rëndësinë, Vithkuqi, në shekullin e XV, numëronte 331 shtëpi ose afro 8000 banorë, kurse Peskopje apo e thënë ndryshe Korça e sotme numëronte vetëm 31 shtëpi. E ndërsa në shekullin e XVIII, sipas studiuesit Ilo Mitkë Qafzezi, Vithkuqi kishte 10-15 mijë dyer, por e korrigjuar nga autorë të tjerë fjala ”dyer” është zëvendësuar me banorë.
E veçanta dhe karakteristika e fshatit Vithkuq është se banorët e këtij fshati ruajtën traditën e besimit. Ata në periudha të ndryshme të errëta kur vendi ynë ra pre e pushtimeve barbare, qëndruan të palëkundur ndaj besimit ortodoks, pa e tjetërsuar besimin e Zotit që ata i luteshin e i besonin.
Dhimitraq Dine, njëri prej pasardhësve të folkloristit të njohur të zonës, Spiro Dines, thotë se për shkak të besimit, Vithkuqi është djegur 3 herë dhe përsëri mbeti në këmbë.
“Mjaft e veçantë për banorët e këtij fshati është fakti se në periudha të ndryshme, të errëta të historisë, kur vendi ynë ra pre e pushtimeve barbare, qëndruan të palëkundur ndaj besimit ortodoks, pa e tjetërsuar besimin e Zotit që ata i luteshin e i besonin. Midis dy luftërave botërore, Vithkuqi është djegur tre herë. Përpjekjet greke në luftën e parë botërore për ta joshur popullsinë ortodokse të rrethuar nga një tjetër popullsi e besimit mysliman, dështuan. Si pasojë, prej grekëve fshati u dogj e rrafshua krejt me masakra të rënda. Në luftën e dytë botërore, Vithkuqi u quajt ‘Stalingradi shqiptar’, pasi atje u përqendrua drejtimi i luftës dhe u krijuan disa njësi të mëdha partizane. Fshati u dogj si nga italianët ashtu dhe nga gjermanët”, thotë arsimtari 72-vjeçar për Portën Vendore.

Dikur në Vikthkuq kanë ekzistuar 24 kisha, por sot kanë arritur të qëndrojnë në këmbë vetëm 14 të tilla. Secila kishë në këtë fshat është një muze arti më vete, duke u bërë pjesë e pandashme e peizazhit të Vithkuqit. Këto kisha veç arkitekturës së ndërtimit janë të pasura me ikona, ikonostase dhe afreske të punuara nga mjeshtrit e pikturës e dru skalitjes, nga vëllezërit Zografi e shumë emra të tjerë të njohur.
Kisha e parë e ndërtuar në Vithkuq është ajo e Shën Thanasit e vitit 1682, e më pas u ndërtuan edhe kishat e tjera. Ndërsa kisha me famë është ajo e Shën Mëhillit, të cilët banorët e quajnë, kisha e Mikaelit apo e Kryeëngjëjve e cila është një monument kulture e mbrojtur nga shteti që daton në vitin 1682, por sipas gojëdhënave të fshatit është e vitit “900” . Një objekt kulti tepër i veçantë pranë kishës së Shën Mëhillit është “Varri i Pagëzimit”. Sipas gojëdhënës janë varrosur të gjithë pjesëtarët e familjes Thana nga lagjja Dukat.


Vithkuqi sot, mes braktisjes dhe harresës nga shteti
Ndërsa sot, Vithkuqi është lënë në harresë, është braktisur dhe mjeruar. Fshati numëron rreth 150 shtëpi banimi ose afro 400-500 banorë. Pjesa më e madhe e banorëve kanë emigruar, pasi ata nuk shohin të ardhme në këtë fshat. Trishtues mbetet fakti se edhe nxënësit janë të paktë. Nga klasa parë deri në të nëntën janë vetëm 39 nxënës me gjithë fshatrat përreth.
Megjithëse dikur ka pasur statusin qytet, sot Vithkuqi është lënë nën petkun e harresës dhe premtimeve qeveritare se kjo zonë do të marrë zhvillimin e duhur e do ketë masterplane për zhvillimin e turizmit, të thëna vetëm verbalisht pa vënë në zbatim asnjë plan qoftë edhe në letër.
Siç theksojnë banorët, fshati i tyre nuk ka pasur investime serioze që prej vitit 1990. Investimet kanë qenë sipërfaqësore, ndërsa vuan mungesë të ujit, në një vend kur krojet janë të shumta, por burimet ujore të tij shfrytëzohen për furnizimin me ujë të qytetit të Korçës. Në banesat vithkuqare uji mungon, dhe pavarësisht urbanizimit të hershëm të këtij vendbanimi banorët vijojnë të mbushin ujë te krojet për konsumim të përditshëm.
Një problematikë tjetër shqetësuese për banorët është amortizimi i rrjetit energjetik.
Altin Prifti, administrator i njësisë së Vithkuqit, shprehet se fshati ka një sërë problemesh dhe duhet investuar pasi banorët në pamundësi për të jetuar dhe punuar janë larguar në emigracion.
“Përsa i përket ujit të pijshëm është e vërtetë që kemi probleme, pasi ujësjellësi i cili do ndërtohej u refuzua nga banorët të cilët nuk pranuan vendosjen e matësve, ndërkohë që edhe firma që do ndërtonte nuk dukej serioze. Kjo i ka detyruar familjet të investojnë vetë duke çuar ujin në banesa. Një problematikë evidente dhe më e theksuar është rrjeti i energjisë elektrike i cili ka probleme. Fshati ynë furnizohet nga nënstacioni i Rehovës dhe po punohet për vendosjen e një transformatori. Nuk janë bërë investime por thjesht remontime të vogla. Gjatë stinës së dimrit fshati qëndron deri 1 javë në errësirë”, thotë ai.
I vetmi investim serioz në fshat, nuk është bërë as nga qeveria, as nga pushteti vendor, por nga gazsjellësi TAP, ku banorët përfituan rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugës kryesore që të çon drejt Vithkuqit.
Fshati ynë ka nevojë të promovohet dhe të vijnë turistë. Banorët e këtij fshati jetojnë në kushte mbijetese, pasi bujqësia dhe blegtoria nuk janë shumë të zhvilluara, vetëm emigracioni e mban këtë fshat. Fshati ka pasur probleme dhe me tapitë, por duket se është duke u zgjidhur është marrja e aktit të pronësisë. Pjesa më e madhe e banorëve jetojnë jashtë, ku në 5 banesa vetëm 1 është e banuar dhe duket se ka pasur një neglizhencë nga ana banorëve por duket se po ecën në rrugën e duhur”, shprehet Prifti për Portën Vendore.

Bujtinat dhe hotelet janë të pakta në këtë zonë, edhe pse interesi i banorëve për zhvillimin turistik të zonës ka qenë i madh. Emigrantët janë rikthyer pasi kanë punuar për dy ose tri dekada në emigracion dhe kanë zbrazur gjithë kursimet e një jete të tërë për të investuar në vendlindje. Por kjo gjë nuk ka rezultuar aspak fitimprurëse, pasi të vetmit që interesohen për Vithkuqin janë turistët rastësorë të cilët e gjejnë veten mes mrekullisë dhe parajsës që ky fshat ofron.
“Kam 2 vite që kam hapur bujtinën time, e cila ka 4 dhoma dhe të gjitha kushtet e nevojshme. Të gjitha kursimet familjare të një jete pune e vuajtje në emigracion, në shtetin grek i kam investuar në këtë bujtinë. Turistët janë të paktë, për të mos thënë fare. Ne e duam vendlindjen dhe menduam të investonim, por turizmi nuk po zhvillohet dhe nuk po promovohet aq sa duhet. Ende jam duke investuar për rehabilitimin e oborrit, një pishinë, por jam pesimist. Ndonjëherë mendoj se kam bërë gabim që kam investuar se nuk bëhet fjalë për të nxjerrë fitime. Askush nuk mendon ta promovojë Vithkuqin. Çfarë ka më shumë Voskopoja e Dardha? Asgjë. Ne kërkojmë zhvillim të zonës sonë”, thotë pronari i një prej bujtinave që numërohen me gishtat e njërës dorë.

Qyteti i dikurshëm mesjetar-historik, me zhvillime të rëndësishme tregtarë dhe kulturë në etapa të ndryshme të historisë, sot ka fatin e keq që është zhytur nga autoritetet në harresë. Natyra, peizazhi mahnitës, ajri i pastër, gurgullimat e krojeve me ujin e ftohtë dhe gjelbërimi janë parajsë më vete. Pavarësisht harresës qeveritare e lokale, Vithkuqi promovon vlera të pamatshme, të patjetërsueshme, me njerëz mikpritës, të dashur, dhe një kulinari të veçantë, dhe i vetmi fshat në qarkun e Korçës, i cili numëron vetëm ortodoksë.
