16 korrik 2021/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore/ Durrës/ Kavajë
Qeveria ka vendosur të mbështesë financiarisht bashkitë e qarkut Durrës për menaxhimin e mbetjeve pas krizës mjedisore sidomos në Bashkinë e Durrësit. Një kërkesë e tillë ishte bërë më herët dhe nga Bashkia e Kavajës, por Këshilli i Ministrave ka vendosur të ndihmojë vetëm tre bashkitë e qarkut Durrës. Kjo ka lënë disi të zhgënjyer Bashkinë e Kavajës, ndërkohë që ekspertët thonë se një ndihmë e tillë urgjente u duhet dhënë bashkive të pjesës së bregdetit, por dhe të luginës së Vjosës.
Qeveria, fonde për mbetjet e qarkut Durrës
Në mbledhjen e 15 korrikut 2021, Këshilli i Ministrave mori vendimin që “Bashkitë e Qarkut të Durrësit të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve urbane në këtë qark, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve. “Pas studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të Qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara”, thuhet më tej në vendim, duke treguar kështu mbështetjen financiare nga qeveria për të përballuar menaxhimin e mbetjeve. Sipas VKM-së, pas dërgimit të kërkesës financiare, ministritë propozuese të këtij akti i propozojnë Këshillit të Ministrave miratimin e mbështetjes financiare për bashkitë e përfshira në Qarkun e Durrësit, në përputhje me instrumentet e parashikuara në legjislacionin në fuqi. Për zbatimin e këtij vendimi, qeveria ngarkoi Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë e Qarkut të Durrësit, këshillin e qarkut përkatës dhe prefektin e Qarkut Durrës.
Me këtë vendim, të tria bashkitë e këtij qarku, Durrësi, Shijaku dhe Kruja mund të përfitojnë nga fondet e qeverisë. Bashkia Durrës ka qenë një ndër ato që ka kërkuar ndërhyrjen e qeverisë me anë të një vendimi të këshillit bashkiak më 10 qershor 2021, siç është raportuar më herët nga Porta Vendore, ndërkohë që një vendim i tillë ishte miratuar edhe nga Këshilli i Qarkut Durrës që më 2 qershor 2021.
Pas nxjerrjes së VKM-së më 15 korrik 2021, Porta Vendore kontaktoi sërish me Bashkinë Durrës, burimet zyrtare të së cilës thanë se e prisnin këtë vendim të sotmin nga qeveria, pasi siç e kanë miratuar edhe më herët në këshill bashkiak, kjo bashki ka zgjedhur variantin 2 për menaxhimin e mbetjeve , pra dërgimin e tyre në Landfillin e Sharrës.
Bashkia Kavajë, e zhgënjyer nga vendimi për mbetjet
Por, një situatë emergjente e tillë nuk u vu re gjatë këtij sezoni veror vetëm në Durrës, pasi ajo u përsërit dhe në Bashkinë e Kavajës, një tjetër bashki me vijë të gjerë bregdetare. “Kjo situatë ka një muaj e pak ditë në territorin e bashkisë tonë. Ne i kemi depozituar mbetjet gjatë të gjithë kohës në Sharrë, ku nuk kemi bërë asnjë pagesë, pasi ka qenë kontratë midis qeverisë, ministrisë së linjës dhe inceneratorit. Ndërkohë, më 14 qershor na është mbyllur trau dhe s’na kanë lejuar të depozitojmë mbetje pa na dhënë asnjë sqarim. Të gjendur në këtë situatë, kemi hyrë në bisedime me administratorët e Landfillit të Sharrës dhe na kanë kërkuar 29 euro pa tvsh për ton mbetje dhe transport”, shpjegon për Portën Vendore Adrian Malaj, drejtor ligjor në Bashkinë Kavajë. Përballë kësaj situate, Bashkia Kavajë ka bërë kërkesë pranë qeverisë për ndihmë financiare në menaxhimin e mbetjeve, por duket se ka mbetur disi e zhgënjyer nga ky vendim i 15 korrikut. “Ne i kemi bërë kërkesë për ndihmë financiare qeverisë dhe prisnim, por në vendimin e datë 15 korrik të ndërmarrë nga qeveria shqiptare thuhej vetëm për bashkitë e qarkut Durrës, ndërkohë neve që na kap Tirana mendoj se duhet ta kishim zgjidhur këtë çështje me kohë. Nuk e di nëse në këto kushte do të kemi ndihmë, megjithëse që nga dje Landfilli i Sharrës nëpërmjet një marrëveshje të re të bërë me Bashkinë Kavajë me çmimin e sipërpërmendur i hapi dyert”, shprehet më tej drejtori Malaj. Por pavarësisht kontratës së nënshkruar dhe zhbllokimit të situatës, Bashkinë e Kavajës e shqetëson gjetja e fondeve për të përballuar koston për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. “Nuk e di ku do t’i gjejmë ato lekë për të paguar Sharrën, pasi në buxhetin e 2021 kemi vetëm për menaxhimin e mbetjeve brenda bashkisë dhe jo për depozitimin e mbetjeve në landfill. Nuk do t’i rrisim taksat, por nëse nuk na ndihmon qeveria do të përpiqemi që t’i marrim nga financimet e tjera, pasi në këto kushte qyteti duhet pastruar. Nuk e di nëse do të paguajmë edhe ne edhe qeveria për të njëjtin shërbim. Në periudhën e verës ne gjenerojmë 100 tonë mbetje në ditë”, përfundoi drejtori ligjor i Bashkisë Kavajë, Adrian Malaj.
Ekspertët: Skenar i landfilleve, cilat bashki duhen ndihmuar
Situata kritike me mbetjet pranohet dhe nga ekspertët e mjedisit, të cilët shprehen se janë disa bashki që duhen ndihmuar për shkak të gjenerimit të lartë të mbetjeve dhe fondeve të pamjaftushme për menaxhimin e tyre, por nga ana tjetër, ata hedhin dyshime se ky është një skenar për të vënë në punë inceneratorët e ndërtuar në Elbasan, Fier e Tiranë.
Olsi Nika, biolog dhe njëkohësisht President i Eco-Albania, shprehet se duhen ndihmuar disa bashki në këtë drejtim. “Pjesa e bregdetit dhe jo vetëm , por edhe 7 bashkitë e luginës së Vjosës nuk kanë asnjë mënyrë për menaxhimin e mbetjeve. Problemi i mbetjeve urbane është madhor dhe kur shikojmë ushtrinë duke pastruar na duket groteske, por në fakt është një emergjencë kombëtare, që duhet t’i jepet zgjidhje me ligje, me akte nënligjore. Është një katastrofë kombëtare, pasi në ekosistemin e ujit si në det edhe në lumenj ndikon jashtëzakonisht shumë. Momenti i dublifikimit të taksave nuk është më i miri. Sipas mendimit tim, për aq kohë sa jemi në një situatë kritike menaxhimi duhet bërë nga një strukturë qendrore që të merret me të gjithë këtë dhe jo t’i lihet në dorë bashkive. Nuk është zgjidhje që t’i lënë në dorë të bashkisë këtë. Edhe incenerimi ka problemet e veta dhe nuk i jep zgjidhje problemit të mbetjeve urbane në Shqipëri”, shprehet Olsi Nika.
Ndërsa ambientalisti Sazan Guri se këto kriza të menaxhimit të mbetjeve janë artificiale. “Qeveria shqiptare është duke kryer një projekt incenerimi në Tiranë me anë të të cilit ka shkelur të gjitha rregullat. Nuk e mbushim dot me Tiranën, ndaj krijohen këto kriza të menaxhimit të mbetjeve në qytetet e tjera, si në Durrës, Kavajë, Lezhë, në jug gjithashtu. Sharrën nuk e furnizon dot Tirana as Kamza, se Sharra është aktualisht 200 tonë mbetje mangët, atëherë skema është e qartë dhe e tillë, rëndoni situatën në Durrës dhe Kavajë dhe qeveria jep zgjidhjen me hapjen e thesit”, shprehet ambientalisti Guri. Sipas tij, e gjitha kjo do të shkojë drejt vënies në punë të tre inceneratorëve. “Një ton mbetje me vërtetë kanë thënë ata që kushton 40 euro, por bashkë me transportin shkon shumë më shumë. Thjesht e gjitha kjo bëhet që inceneratori të punojë me kapacitet të plotë, dhe kështu do vijojë. Plehrat e qarkut Durrës e Tiranë do të shkojnë në Sharrë, të Vlorës e jugut në Fier, të bashkive të tjera në Elbasan. Megjithëse kjo është një metodë goxha e agravuar, pasi ka humbur energjinë që vjen nga incenerimi i mbetjeve”, përfundon Guri në prononcimin për Portën Vendore. Redaksia e Portës Vendore i kërkoi një prononcim lidhur më këtë çështje edhe Ministrisë së Mjedisit, por nuk patëm një përgjigje zyrtare lidhur me këtë çështje.
Më herët, Porta Vendore ka ngritur shqetësimin dhe për situatën e menaxhimit të mbetjeve në bashkitë e qarkut të Elbasanit, ku Ministri Blendi Klosi i ka kërkuar gjatë fundit të vitit të kaluar bashkive që të llogarisin buxhet për menaxhimin e mbetjeve dhe depozitimin e tyre, duke i paraprirë në një farë mënyre një krize të tillë. Megjithatë, nëse menaxhimi i mbetjeve do të kalojë në një strukturë qendrore, ashtu siç mendojnë ekspertët, apo do të përballohet nga bashkitë, kjo do të shihet në vijim, ku edhe bashki të tjera kanë nisur shkëndijat e para të problemit të menaxhimit të mbetjeve.