Vëzhgim/Analizë

Investimet për 100 fshatrat turistikë ende nuk kanë mbërritur në Zvërnec të Vlorës

15 korrik 2021/Enriko Gabaj/Porta Vendore/Vlorë

Zvërneci është një nga dy fshatrat e Vlorës, i cili është  përfshirë në programin e “100 fshatrave turistikë”, por edhe pse afati për këtë program ka përfunduar, deri më sot këto fshatra nuk kanë parë dritën e investimit. Banorët shprehen se këtyre fshatrave u kanë mbetur vetëm bukuria e natyrës, kultura dhe historia, pasi dora e shtetit është zhdukur me kohë, ndërkohë që Fondi Shqiptar i Zhvillimit deklaron se projektet janë në letër.

Pjesa e projektit të 100 fshatrave turistikë të përzgjedhur nga ana e qeverisë, Zvërneci ndodhet në gjendje katastrofë dhe aspak gati për të pritur turistët. Fshati ka disa asete, të cilat tërheqin vëmendjen e turistëve vendas e të huaj, por të cilët frenohen për shkak të infrastrukturës e jo vetëm. Manastiri, kisha e fshatit, shkolla e vjetër, Laguna, gatimi tradicional, freskia e pyllit, e Flamingot janë një pjesë e asaj çfarë ky fshat ofron.

Në qendër të fshatit gjendet kisha, prej së cilës shfaqet një pamje magjike e Zvërnecit nga sipër. Ajo qëndron hapur për të gjithë banorët deri në mesditë, ku ka pasur një numër të madh vizitorësh, të cilët kanë shprehur interes rreth saj. Nga pamja, ajo është e vendosur në një zonë malore në një prej lagjeve të fshatit, nga ku pamja është e jashtëzakonshme.

Një tjetër godinë interesante e vendosur në Zvërnec është dhe Manastiri i Kishës së Shën Mërisë. Ajo është pika e preferuar dhe më e vizituar në këtë zonë me rreth 500 turistë në ditë gjatë verës, por dhe nga nxënës e studentë në ekskursionet e ndryshme. Tashmë, ajo është kthyer në një destinacion fundjave edhe për vlonjatët. Ajo mendohet se është ndërtuar rreth shek. XIII-XIV dhe vendi në të cilin është ngritur është i veçantë. Mes lagunës, tokës së fshatit dhe natyrës së gjelbëruar, pozita të cilat e bëjnë atë ndryshe nga godinat e tjera të këtij lloji në vend.

Por për shkak të keqmenaxhimit, mungesës së investimit dhe neglizhencës së institucioneve Zvërneci vetëm është braktisur e asgjë tjetër.

Derë e kyçur,si pasojë e fenomenit të braktisjes. Foto: E.Gabaj

Në një vëzhgim të bërë nga Porta Vendore në fshatin turistik hasen një sërë problematikash, të cilat i përmendin edhe vetë banorët. Që në hyrje të fshatit e deri në qendër të shoqëron një pamje aspak mikpritëse, rruga e shkatërruar, e cila kalohet me shumë vështirësi edhe për automjetet. Pamje e cila është në kontrast me kriteret që përmbush një zonë turistike. Gropa gjithandej, mungesë asfalti, mungesë kanalizimesh, mungesë sinjalistike rrugore e ngado pluhur, i cili është vërtet shqetësues në sezonin veror.

Rruga përgjatë Zvërnecit e amortizuar. Foto: E. Gabaj

Një tjetër problem që vihet re përgjatë rrugës së fshatit është hedhja e mbeturinave, mungesa e kontejnerëve si dhe e shërbimit të pastrimit. Në një pamje tmerruese anës rrugës, pranë një lëndine gjen mbeturina të hedhura, letra, qese plastike, bidonë dhe arka peshku, të cilat shkaktojnë një aromë mbytëse e të padurueshme. Pavarësisht se është fshat i cili përfshihet ndër 100 turistikët në vend, nuk plotëson asnjë kriter të vetëm, teksa dhe ajo çfarë natyra i ka falur shkatërrohet nga papërgjegjshmëria institucionale.

Mbetje urbane të hedhura pa kriter. Foto: E. Gabaj.

Në dimër apo verë nuk ka dallim, banorët e fshatit Zvërnec nuk kanë pikë uji në çezmat e banesave të tyre. Zgjidhje për zonën është blerja e ujit në autobote, apo ka raste edhe kur shkojnë e mbushin në burim me kilometra larg. Shqetësimi për mungesën e ujit të pijshëm në fshatin turistik, i cili ka qenë edhe përpara se të futej në programin e 100 fshatrave turistikë, i frekuentuar nga turistë vendas e të huaj, shpeshherë madje është raportuar edhe në media, por nuk është bërë asgjë nga institucioni i ujësjellës kanalizimeve.

Burim uji i ndotur, Zvërnec. Foto: E. Gabaj
Uji rrjedh në rrugë, por jo në banesa. Foto: E. Gabaj

Për të vijuar më tej tek ndriçimi, ku asnjë llambë nuk është vendosur në shtyllat elektrike. Për ata që jetojnë në këtë fshat nata është e frikshme, pasi nuk kanë munguar dhe rastet ku kanë rënë preh e vjedhjeve në banesat e tyre.

Varkë në pritje të të zotit për tu nisur për peshkim në lagunën e Zvërnecit. Foto: E. Gabaj

Thanas Subashi është banor i lindur në Zvërnec, ku pas disa kohësh në emigrim u rikthye në fshat. 60-vjeçari rrëfen për Portën Vendore se është tejet i pakënaqur me gjithçka nuk është investuar në zonën e tij. “Fshati ynë është ndër më kryesorët, madje jemi përfshirë në 100 fshatrat turistikë të vendit. Çfarë turizmi të them? Turizmin që s’kemi rrugë apo ujë? Ja mu përgjigj ti dhe nëse s’kam të drejtë unë tërhiqem. Këtu përmendet turizmi, por këtu pak kohë më parë erdhi një çift nga Franca me rulotën e tyre, qëndruan vetëm disa orë e më pas u larguan. Gjendja është vërtet alarmante, mungojnë kushtet bazë si rruga, uji, ndriçimi dhe shërbimet ndaj banorëve. Kemi kërkuar disa herë zgjidhje dhe asgjë nuk është bërë. Blej ujin në bote sa herë vjen, nuk kam çfarë bëj, shyqyr që nuk kam dhe makinë se do e kisha shkatërruar në këtë rrugë katastrofë që kemi”, thotë i irrituar ai.

Thanas Subashi,banor i Zvërnecit duke folur për Portën Vendore. Foto: E. Gabaj

Nuk është vetëm Thanasi, i cili flet i revoltuar për situatën, por edhe Pandeli Biba një banor tjetër lindur e rritur në Zvërnec, i cili e ka parë zhvillimin e fshatit brez pas brezi, që nga të parët e tij.

“Nuk dimë se ç’të bëjmë akoma. Ankohemi dhe sërish asgjë, por nuk po kërkojmë asgjë ekstra veç atyre bazë. Si mund të vazhdohet akoma pa ujë, të qëndrosh pa larë sepse s’kemi si të veprojmë ndryshe. Të rinjtë janë detyruar të largohen, madje dhe një numër i madh familjesh kanë emigruar pasi këtu, pasi jeta është e vështirë. Zvërneci të them të vërtetën nuk ofron punë, pavarësisht se është fshat turistik, punë nuk ka, ndaj rinia largohet. Më vjen keq sepse kam që fëmijë në fshat dhe e mbaj mend fare mirë kur ishim aq shumë të rinj e të reja, familje në harmoni. Kalimi i viteve e dobësoi ekonominë, u shtuan vështirësitë dhe secili u largua për një jetë më të mirë”, thotë ai për Portën Vendore, teksa rrëfen se megjithëse sezoni turistik ka nisur sërish nuk ka asnjë këmbë njeriu, që të vijë si turistë. “Të huajt vijnë vetëm për foto në lagunë e për flamingot dhe më pas largohen dhe qëndrojnë në Vlorë. Po tu krijoheshin kushtet fare mirë do qëndronin në fshat, por ja që neglizhenca e shtetit ka ndikuar në këtë pjesë”, shton ai.

Veç zotërinjve të nderuar, Zvërneci ka dhe zonja mikpritëse e punëtore të cilat prej shumë vitesh janë vendosur në fshat. Njëra prej tyre është gjyshe Donika, e cila na mirëpriti në banesën e saj, teksa rrëfen për Portën Vendore se zona ka resurse të mëdha natyrore, kulturore e historike. “Kemi natyrë të bukur, freski, tradita të cilat Zvërnecin e bëjnë pak më të veçantë se të tjerët. Pozitën gjeografike e kemi shumë të mirë, madje dhe qetësinë, pa zhurma vetëm meloditë e shpendëve të lagunës”, tha ajo. E pyetur rreth gjendjes së fshatit Donika pohon se problematikat janë të shumta dhe ky është një peng i banorëve të cilët jetojnë me dëshirën për ta parë Zvërnecin sa më të bukur. “Uji dhe rruga mbeten problemet kryesore, aq duam. Na vijnë miqtë e të afërmit dhe nuk kalojnë dot me makina për shkak të amortizimit. Për të mos folur për ujin që mbetet problem madhor, pasi nuk kemi fare. Marr pensionin, bëj llogaritë dhe shoh që ujë e drita më shkon i gjithi. Jam e sigurt se nëse infrastruktura në fshat do ishte më e plotë, do kishte shumë turistë. Nuk duhet të harrojmë që dhe pandemia ka bërë të ketë kaq pak njerëz, pasi emigrantët nuk kthehen dot për shkak të masave“, rrëfen Donika teksa rrufit kafenë e saj të mëngjesit.

Donika banore e Zvërnecit, duke folur për Portën Vendore. Foto: E. Gabaj

Në vëzhgimin përgjatë Zvërnecit vërehet një qetësi totale ku dhe bizneset duket se janë bosh këtë periudhë, por në pritje të turistëve.

Fshati është i ndarë në tre pjesë të mëdha ku njëra prej tyre është qendra e fshatit, më pas dy lagje të tjera të mëdha.

Në kuadër të 100 fshatrave turistikë, Zverneci s’ka parë dritën e investimeve në këto vite, ndërsa presupozohej që deri më fund të 2020-ës i gjithë investimi në fshatrat e përzgjedhur të kishte përfunduar. Zvërneci ka një sërë lokalesh buzë vijës bregdetare, por nuk ka bujtina dhe aq më pak agroturizëm. Investime s’ka pasur as nga pushteti vendor në këto 8 vite, si në infrastrukturë dhe ujë të pijshëm ashtu edhe në infrastrukturë shkollore e qendra shëndetësore.

Nga vëzhgimi i kryer, vihet re se shkolla e Zvërnecit është degraduar totalisht, madje është duke u shembur edhe pse fare mirë mund të kthehej në një objekt muze i cili të ishte i vizitueshëm për turistët. “Jani Llambro Sunashi” është shkolla e cila ka më tepër se 20 vjet e mbyllur dhe jashtë çdo funksionit. E ndërtuar rreth viteve 75′ ka shërbyer për arsimimin e të gjithë fëmijëve të fshatit.

Shkolla “Jani Llambro Subashi”Zvërnec. Foto: E. Gabaj

Nga bisedat me banorët, kujtojnë se në vitet 95′ shkolla ka patur vetëm 6 nxënës, numri i tyre në rënie vit pas viti. Tani, siç duket dhe nga pamjet është kthyer në një vendgrumbullim mbeturinash e burim infeksioni. Xhama të thyer, dyer të shkatërruara e klasa të tejndotura, ku dhe në njërën prej tyre duket se ka mbirë një pemë fiku brenda klasës. Zgjidhja e duhur do të ishte restaurimi i shkollës dhe kthimi i saj në një pikë informacioni për vizitorët, gjë që do të shtonte interesin e turistëve.

Fiku ka mbirë brenda klasave të shkollës. Foto: E. Gabaj

Qendra shëndetësore që fshati ka është njëkatëshe, me mjetet bazë për dhënien e ndihmës së shpejtë. Aspak e ngjashme me një qendër shëndetësore për shkak se është vetëm një dhomë dhe një tualet i vogël. Çdo ditë brenda saj qëndron një infermier i cili pret pacientët e ndryshëm, kryesisht banorët e fshatit për problemet e vogla shëndetësore. Madje edhe qendra shëndetësore, ashtu si i gjithë Zvërneci vuan për ujë të pijshëm.

Qendra shëndetësore e Fshatit Zvërnec. Foto: E. Gabaj

Sipas FSHZH në Zvërnec ka përfunduar së përgatituri në letër projekti për përmirësimin e infrastrukturës turistike në zonën Zvernec–Nartë . “Një projekt i financuar nga Banka Botërore e që kap shifrën e 68 668 536 lekë”, tha Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Siç duket edhe nga fotot, dëshmitë e banorëve dhe vëzhgimi i Portës Vendore, Zvërneci megjithëse i promovuar ndër vite, ka pak gjasa që të jetë një shembull model fshati turistik, madje edhe shpresat për rimëkëmbje turizmi në zonë janë gjithashtu në “ikje”, ashtu siç shumë banorë të tij kanë zgjedhur ta braktisin, ashtu sikurse edhe pushteti mesa duket e ka harruar. Megjithëse ndodhet vetëm 10 km larg qytetit bregdetar të Vlorës, i cili ka marrë një pamje thuajse të re gjatë viteve të fundit, e njëjta gjë duket se nuk ka ndodhur në Zvërnec.

Pamje nga laguna e Zvërnecit. Foto: E. Gabaj