13 korrik 2021/ Aldo Mustafa/ Porta Vendore/ Durrës
Bashkia Durrës ka vendosur që në plazhet e saj mos të ketë në këtë sezon asnjë tregtar ambulant. Vendimi është marrë që prej 15 majit 2021, ndërkohë që kjo ka sjellë reagimin e tregtarëve, të cilët kërkojnë një zgjidhje nga bashkia. Kryetarja e komanduar e Bashkisë Durrës u ka premtuar një zgjidhje që më 7 qershor, kur tregtarët ambulantë dolën në protestë, por ende nuk ka një vendim, ndërsa tregtarët shprehen se tregtimi në plazh është e vetmja punë që krijon të ardhura për familjet e tyre.
Që prej 15 majit të këtij viti, shitësit ambulantë, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në vijën bregdetare të plazhit të Durrësit, të cilët përgjithësisht janë më të përqendruar në lagjen numër 13, zonë kjo në të cilën kanë ushtruar këtë aktivitet në një kohë prej më shumë se 15 vitesh, janë ndaluar nga Policia Bashkiake, për të vijuar aktivitetin me të cilin ata mbijetojnë, pikërisht sapo ka nisur sezoni turistik në këtë qytet
Sapo janë njoftuar nga Policia Bashkiake se nuk mund të ushtrojnë normalisht këtë aktivitet, ata i janë drejtuar Bashkisë Durrës për t’u informuar. Meqënëse kjo e fundit nuk i është përgjigjur pozitivisht, shitësit ambulantë kanë dalë në protesta disa herë në sheshin “Liria”, pikërisht përballë bashkisë, me datë 7 qershor dhe 14 qershor 2021, duke kërkuar që Bashkia Durrës t’u japë një zgjidhje.
Pavarësisht se koha nuk është në favorin e tyre, pasi sezoni turistik është një sezon mjaft i shkurtër, të cilin këta tregtarë ambulantë duhet ta shfrytëzojnë në maksimum për të përballuar më tej pjesën tjetër të vitit, Bashkia Durrës ende nuk i ka dhënë një zgjidhje këtij problemi.
Pas takimit me disa prej përfaqësuesit e zgjedhur nga shitësit ambulantë, më datë 7 qershor, kryetarja e komanduar e Bashkisë Durrës, Znj. Emirjana Sako, duket se i ka përcjellë shitësit ambulant me premtimin se ky problem i tyre do të zgjidhej dhe se do të merrej një vendim në lidhje me përcaktimin e një zone, e cila duhet të jetë pjesë e plazhit publik, për t’u vendosur në dispozicion të shitësve ambulantë, në mënyrë që të vazhdojnë ushtrimin e aktivitetit të tyre, por ende nuk ka një përcaktim për sa i përket zgjidhjes së problemit të shitësve ambulantë, ndërkohë që ditët kalojnë.
“Ne si përfaqësi e tregtarëve patëm një takim në bashki me kryetaren, e cila deklaroi se jemi duke menduar një zgjidhje për çështjen tuaj. Por sipas saj, shumë shpejt do na bëhet e ditur, ndërkohë që ne të gjithë jemi dakord që të paguajmë taksa për hapësirën publike, ashtu si lokalet, me qëllim që të përfitojmë diçka. Nuk e di çfarë zgjidhje do na propozojnë”, u shpreh një nga tregtarët, kur doli nga takimi me kryetaren e bashkisë më 7 qershor të këtij viti.
Mungesa e një vendimi prej një jave, ka shkaktuar pakënaqësi tek tregtarët ambulantë dhe ka bërë që edhe me datë 14 qershor, një javë pas protestës së parë, t’i drejtohen sërish Bashkisë Durrës për të marrë një përgjigje, duke protestuar përpara saj.
Isuf Danaj është një prej shitësve ambulantë të zonës së plazhit. Ai rrëfen për Portën Vendore se ka 15 vite që punon në këtë zonë së bashku me fëmijët e tij, ndërsa ka treguar se është i gatshëm të paguajë taksa vetëm të mos e ndalojnë të punojë. “Prej 15 vitesh kam punuar bashkë me fëmijët si shitës ambulant. Me karroca dore, ne shesim lodra, veshmbathje, gjësend të sezonit veror. Dy vitet e fundit që prej pandemisë, policia bashkiake vinin na gjobisnin, na largonin, herë na toleronin, ndërsa këtë vit na kanë dhënë ultimatum, nuk na lënë. Gjatë dimrit nuk kemi as punë, as ndihmë, vetëm me sezonin veror mbahemi. Policia Bashkiake zbaton urdhrin dhe na dëbojnë. Ne bashkisë i themi që jemi të gatshëm të paguajmë edhe taksat nëse duhet, çfarëdo që të na kërkojnë. Ne nuk na ndihmon caktimi i një zone për të tregtuar, sepse ne jemi shitës ambulant, në lëvizje. Jetesa për mua është e vështirë se është për copën e bukës. Me sezonin e verës mbijetoj dhe në dimër”, tha Danaj për Portën Vendore.
Ndërkohë që Bashkisë Durrës i duhet t’u sigurojë leje vetëm për 70 shitësve ambulantë, të cilët janë të vetëpunësuar dhe që ushtrojnë aktivitetin e tyre gjatë dy muajve të verës, komform rregullave, ku disa prej tyre tregojnë se vetëm me atë punë kanë rritur dhe shkolluar fëmijët deri në arsimin e lartë, por tashmë nuk u lejohet më të punojnë. Ata kërkojnë nga bashki leje për të ushtruar aktivitetin e tyre por pavarësisht kërkesave kjo gjë ende nuk është zgjidhur, pavarësisht se ditët e sezonit veror po kalojnë.
Më poshtë vjen historia që rrëfen Hate Danaj, familja e së cilës përbëhet nga 5 anëtarë:
“Unë jam shitëse ambulante prej 15 vitesh. I kam rritur fëmijët nga të vegjël e derisa përfunduan shkollën, me atë biznes që punojmë gjatë verës. Unë nuk kam ku të shkoj tjetër, policia më ka bërë terror të paparë, pasi më kanë ardhur tek garazhi dhe më thonin të largoja karrocën, ku ta çoja karrocën unë? Vetëm qepenin që më ka prishur më ka bërë 70 mijë lekë, plus dëmin që më ka bërë në karrocë. Ja çfarë na bëjnë, ku të shkoj më? Garazhi 100 mijë lekë, 100 mijë lekë shtëpia. Jemi 5 anëtarë dhe mbahemi me ato karroca, shesim rroba plazhi, lodra, asnjë gjë tjetër. Nuk kam ushqimore që t’i prish punë lokaleve, ama i kërkojmë qeverisë dhe bashkisë të na caktojë një vend, jam e gatshme t’ia paguaj taksën. Të na japin mundësinë të punojmë në zonat publike. Gjatë dimrit mbijetoj me këto të ardhura që mbledhim, burri punon në ndërtim kur i vjen mundësia. Gocën e kam pa punë, ka mbaruar shkollën e lartë, pa punë fare, i thashë dje policisë, shkoj unë tek bashkia, merrni karrocën, çojani bashkisë dhe unë shkoj në policinë e shtetit, të më mbajë shteti, nuk kam të ardhura të tjera. I lutem për të gjithë tregtarët këtu të na japin një zgjidhje. Bashkia ka tre herë që vijmë këtu që nuk na jep asnjë përgjigje, ndërkohë që sezoni veror ka filluar. Edhe në fundjavë na bllokuan totalisht, asnjë tolerim, na thanë bëj ç’të duash dhe përkundrazi, na qeshën dhe na tallnin. Jemi të gjithë në hall, kjo nuk është zgjidhje, pse në Kavajë punojnë dhe në Golem, a nuk është një qeveri?! Bizneset që punojnë aty na lejojnë, kurse bashkia nuk na lejon”, rrëfen Hatja.
Një tjetër shitës ambulant është edhe Pashk Bardhi, i cili ka rrëfyer se është i papunë dhe pse sërish përpiqet të vetëpunësohet në mënyrën e tij për të përballuar vështirësitë që ka duke shitur kokoshka apo petulla, por policia bashkiake nuk e ka lënë të ushtrojë aktivitetin e tij modest.
“Kam 16-vite që punoj si shitës ambulant. Vjet nuk na ka ngacmuar bashkia, por këtë vit shumë. Që prej datës 15 maj deri më tani 3 herë kam dalë në protestë, unë shes kokoshka dhe petulla, për këtë na kanë bllokuar mos të punojmë. Jam i papunë gjatë gjithë vitit dhe pse vetëpunësohemi, nuk na lënë të punojmë. Thirrja ime është që në rast se ka shtet sot dhe mendon për popullin e vet, të na lënë të punojmë këto 60 ditë, kaq duam. Jam i gatshëm të paguaj taksat vetëm të na lënë të punojmë buzë detit”, thotë Bardhi.
Edhe pse i janë drejtuar për të disatën herë Bashkisë Durrës, tregtarët ambulant nuk kanë gjetur ende një zgjidhje, as nga protestat që kryejnë përpara bashkisë, ku kjo e fundit duket se tashmë ka krijuar imunitet nga revolta qytetare dhe ka një mungesë të reagimeve në kohë.
Pyetur në lidhje me vendimin e kërkimit të pezullimit të aktivitetit ndaj tregtarëve ambulant, burimet pranë Bashkisë Durrës deklarojnë se në fakt e gjithë kjo procedurë ekzekutohet nga Policia Bashkiake dhe Bashkia Durrës, por nuk është një vendim i marrë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, por një aksion i cili kryhet në vazhdën e rehabilitimit të vijës bregdetare të Durrësit për sezonin turistik, ku sipas kërkesave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, përveç lirimit të hapësirave të zaptuara nga ndërtimet e paligjshme, pastrimi dhe rehabilitimi i vijës bregdetare parashikon dhe largimin dhe mos-lejimin e tregtarëve ambulant për të ushtruar aktivitetin e tyre.
Gjithashtu burime nga Bashkia Durrës i thanë Portës Vendore se po merret në konsiderate ndërtimi i një tregu për të bërë të mundur shitjen e produkteve nga këto tregtarë ambulant. Të pyetur për këto skenarë, shitësit ambulant nuk janë dakord pasi ata thonë se në të gjitha plazhet e botës lejohet kjo gjë dhe nuk ka kuptim që plazhisti të vijë në tregun e përcaktuar nga bashkia, por t’i shkojë produkti tek vendi që ai është duke pushuar.
Përsa i përket ankesave dhe protestave të tregtarëve ambulant, burimet pranë Bashkisë Durrës bëjnë me dije se vendimi i pezullimit te ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulant është i formës së prerë, por po merret parasysh shqyrtimi i shqetësimin të tyre dhe në ditët në vijim, do të përgatisë një plan për lejimin e ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulant, vetëm në zonat ekzistuese të cilat njihen për ushtrimin e aktiviteteve të ngjashme, duke mos i lejuar më të ushtrojnë këtë aktivitet të lirë në zona të ndryshme dhe në lëvizje gjatë vijës bregdetare të plazhit të Durrësit, vendim dhe plan i cili nuk dihet ende sesa do t’u kushtojë tregtarëve ambulant qoftë financiarisht, qoftë dhe deri në miratim duke marrë parasysh që tashmë ata kanë humbur rreth një muaj kohë nga ushtrimi normal i këtij aktiviteti.
Teksa ditët i lënë radhën njëra tjetrës, dhe teksa tregtarët i gëzoheshin faktit që ky sezon do të sillte diçka në xhepat e tyre pas paralizimit të ekonomisë dhe turizmit në tërësi nga Covid 19, duket se ata nuk do të gjejnë paqe, së paku deri në një vendim që pritet të merret nga Bashkia Durrës.
Të gjitha historitë duket se kanë një emërues të përbashkët, mbijetesën. Ndërsa shteti po përpiqet që të formalizojë zonën e plazhit, jo vetëm sa i përket shitësve ambulant por edhe prishjes së ndërtimeve pa leje në këtë zonë, i cili ka nisur para pak ditësh në vendin tonë.
“Në kuadër të planit të masave për fillimin e sezonit turistik , Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, IMTV-n, Shërbimet Komunale Plazh, vijojnë lirimin e hapësirave publike në zonën e plazhit. E gjithë vija bregdetare po monitorohet dhe mbahet në kontroll nga patrullat e Policisë Bashkiake. Gjatë gjithë sezonit turistik veror 2021, strukturat tona do të jenë prezente në shërbim të qytetarëve dhe pushuesve. Një vëmendje e veçantë po i kushtohet ndotjes së mjedisit, patrullat tona do të kryejnë kontrolle duke mos lejuar asnjë subjekt të hedhë mbetjet urbane jashtë orarit të përcaktuar nga Bashkia Durrës”, thuhet në një status në rrjetin social facebook të Bashkisë Durrës.
Burimet nga IKMT të pyetura nga Porta Vendore thanë se ende nuk ka një rezultat se sa godina do t’i nënshtrohen prishjes në këtë zonë të plazhit, pasi për çdo biznes dhe godinë po shqyrtohen dokumentet, dhe ende s’ka një rezultat final, pasi është një punë në proces e sipër.