Ngjarje/Personazhe

Tenderi për kanalet vaditëse arreston dhe shkarkon kreun e bashkisë Lushnjë

9 korrik 2021/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore/ Lushnje

Kryetari i Bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe, është shkarkuar me vendim qeverie, pasi një ditë më parë u arrestua bashkë me një sërë zyrtarësh të kësaj bashkie dhe disa biznesmenë për abuzime me një tender prej 226 milionë lekësh të realizuar në vitin 2020. Tenderi që çoi në arrestimin e 11 personave, “për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatin Bishqethem dhe Bitaj të Njësisë Administrative Kolonjë” ishte kundërshtuar më herët dhe nga operatorët e tjerë ekonomikë, por Komisioni i Prokurimeve Publike i kishte rrëzuar këto ankimime.

Arrestimi i Kryetarit të Bashkisë Lushnjë u krye më 6 korrik 2021. Sipas të dhënave zyrtare, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg” për:

  1. Fatos Tushe, me detyrë kryetar i Bashkisë Lushnje
  2. Flamur Peqini, me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnje
  3. Ibrahim Lami, administrator i kompanisë Loti shpk
  4. Bujar Murati, administrator i kompanisë Euro Alb shpk
  5. Gazmend Çela, Nëndrejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës
  6. Bektash Nexha, specialist i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës
  7. Blerta Turku, specialiste e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës

Ndërkohë, e njëjta gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për:

  1. Xhemal Hasko, specialist i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë
  2. Margarita Gjërmeni, specialiste e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë
  3. Andri Musho, specialist i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë
  4. Ani Simoni, specialiste e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë

Sipas Prokurorisë së Posaçme SPAK, zyrtarët e arrestuar akuzohen për veprat penale të korrupsionit pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, “Shpërdorim i detyrës” dhe “Falsifikim dokumenteve.  “Në këtë hetim ka pasur përgjime dhe vëzhgime, kontrolle të financave dhe transaksione të zyrtarëve. Zyrtarët vendorë të bashkisë së Lushnjës, paratë e tenderëve i kalonin në kompani private në mënyrë fiktive”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Sipas të dhënave nga SPAK, rezulton se arrestimi i Kryetarit të Bashkisë Lushnjë dhe disa zyrtarëve të saj është kryer për një tender i zhvilluar më 31 gusht të vitit 2020 “Rehabilitimi i kanalit ujitës U3-27, V-1/1, ne fshatin Bishqethem dhe Bitaj, Nja Kolonje”. Për këtë prokurim, kanë konkurruar tre kompani, ku fituese është shpallur “Euro-Alb”, me administrator Bujar Muratin, e cila kishte paraqitur ofertën më të lartë për këtë prokurim. Dy kompanitë e tjera janë ankuar pranë organeve përkatëse, por ankesat e tyre janë rrëzuar. Madje, Bashkimi i Operatorëve të skualifikuar “Avduli” sh.p.k & “Bahas” sh.p.k kanë paraqitur ankimim pranë Komisionit të Prokurimeve Publike, por kjo ankesë është rrëzuar me vendimin 482 të vitit 2020. “Komisioni i Prokurimit Publik, njëzëri, vendosi të mos pranojë ankesën e paraqitur nga BOE “Avduli” sh.p.k & “Bahas” sh.p.k për procedurën e prokurimit me Nr.REF-66404-07-23-2020, me objekt: “Rehabilitimi i kanalit ujitës U3-27, V-1/1, në fshatin Bishqethem dhe Bitaj, NjA Kolonjë”, me fond limit 23 251 340 lekë pa TVSH, zhvilluar me datë 31.08.2020, nga autoriteti kontraktor, Ndërmarrja e Pasurisë Publike Lushnjë”, thuhet në këtë vendim.

Por ajo që vihet re në këtë vendim është fakti se ankuesi ka paraqitur një sërë pretendimesh për kompaninë fituese, por që Komisioni i Prokurimit Publik nuk ka pranuar t’i marrë në shqyrtim. Kështu, më 7 tetor 2020, Bashkia Lushnjë ka shpallur fituesin e këtij tenderi. Nëntë muaj pas shpalljes së fituesit, Prokuroria e Posaçme SPAK ka zbuluar abuzimin, duke arrestuar 7 persona dhe lënë me masën e sigurimit personal “arrest shtëpie” 4 të tjerë.

Por ky rast ka marrë vëmendjen e publikut për shkak të arrestimit të Kryetarit të Bashkisë Lushnjë, i cili vetëm një ditë pas arrestimit u shkarkua nga funksioni me Vendim të Këshillit të Ministrave. “Me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Lushnjë, z. Fatos Tushe”, thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme SPAK ka siguruar një sërë përgjimesh që vërtetojnë abuzimin e kryetarit të Bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe, bashkë me zyrtarët e tjerë të Bashkisë dhe dy biznesmenë. Në përgjimet e SPAK rezulton se biznesmenët Bujar Murati dhe Ibrahim Lami janë kushërinj mes tyre dhe miq me Fatos Tushen e Flamur Peqinin. Dhe kështu pavarësisht se fituesi i tenderit ka rezultuar Bujar Murati, punimet janë kryer nga firma e Ibrahim Lamit.

Për këtë tender të fituar, sipas përgjimeve të prokurorisë SPAK, biznesmeni Lami dyshohet se ka ndërhyrë që vajza e Fatos Tushes të marrë provimin për mjekësi. Por si në bisedën e përgjuar mes Tushes e Lamit, ashtu dhe në bisedën e këtij të fundit me biznesmenin Murati përmendet një person me inicialin B, që është deputet. Kjo ndodh pikërisht në kohën, kur dy biznesmenët shfaqen të shqetësuar për kompaninë që humbi tenderin, pasi ishte ankuar të Komisioni i Prokurimeve Publike. Ato flasin në telefon për këtë çështje, teksa përmendin edhe një person të tretë, të identifikuar nga SPAK thjesht me shkronjën “B”. Ndërkohë, nga përgjimet ka rezultuar se punonjësit e Bashkisë Lushnjë, sapo janë vënë në dijeni të hetimit të SPAK janë organizuar disa mbledhje për të mësuar se çfarë do të thonë para hetuesve. Në bisedat e tyre shprehen se ka dalë garant Tushe për ta. Nga përgjimet rezulton se Tushe ishte përfshirë në abuzime me detyrën në disa drejtime. Sipas dosjes, janë dy episode, kur ai ka penguar punën për një ndërtim pa leje dhe ka shpërdoruar karburantin e bashkisë për makina private të personave të tjerë.

Lidhur me arrestimin dhe shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë Lushnjë, Porta Vendore kontaktoi dhe me avokatin e tij, Sajmir Visha, por ky i fundit nuk u prononcua lidhur me këtë rast. Ndërkohë, Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi për 11 personat e proceduar penalisht të lejë në fuqi të njëjtën masë sigurie që kishte dhënë ditën e arrestimit.

Megjithatë, kjo goditje e SPAK ka futur në “sitë” edhe tenderët e tjerë të kompanisë “Euro-Alb” me administrator Bujar Muratin, që ka fituar tenderin në fjalë.

Nga një verifikim i kryer nga Porta Vendore rezulton se nga viti 2015 deri në vitin 2021, kompania Euro-Alb, nuk ka pasur kontrata vetëm me Bashkinë e Lushnjës, por me të paktën 20 bashki të tjera. Kompania e tij rezulton se gjatë këtyre viteve, ka përfituar nga fondet publike mbi 1.3 miliardë lekë të reja nga 20 bashki nëpërmjet 33 kontratave publike. Kompania Euro-Alb ka përfituar 920 milionë lekë të reja vetëm gjatë viteve 2019-2020, ndërsa në vitet 2015-2018, kompania ka fituar mbi 400 milionë lekë të reja. Ndërkohë, në këtë operacion është arrestuar dhe biznesmeni Ibrahim Lami, i cili është pronar i kompanisë Loti. Kjo kompani ka fituar dy tenderë me vlerë të vogël po nga Ndërmarrja e Pasurive Publike në Bashkinë e Lushnjës, të cilat kanë lidhje me tenderin e hetuar nga SPAK.