Vëzhgim/Analizë

Plazhet e Golemit dhe të Durrësit të papastër, rrezikojnë braktisjen nga turistët

2 korrik 2021/Marinela Dushi/Porta Vendore/Durrës

Ndotja po çon drejt braktisjes plazhin e Durrësit dhe të Golemit, ndërkohë që të vetmit turistë që e frekuentojnë janë ata me mundësi të ulëta ekonomike. Ndotja, sipas ekspertëve ka ulur ndjeshëm numrin e turistëve, ndërsa bizneset shprehen se mungesa e tyre po i çon drejt falimentimit.

 

Bregu i detit i ndotur në plazhin e Durrësit, pranë zonës së Urës së Dajlanit.

Teksa sezoni turistik ka nisur zyrtarisht, duket se plazhi i Golemit dhe i Durrësit ende nuk janë gati për të pritur turistët. Rëra dhe deti, të cilat janë dy pasuri të dhuruara nga natyra, duket se nuk janë kujdesur nga institucionet dhe ‘keqtrajtuar’ nga njerëzit. Porta Vendore bëri një vëzhgim në plazhin e Golemit më 11 qershor, ndërsa në plazhin pranë Urës së Dajlanit në Durrës më datë 19 qershor. Kudo shikoje pirgje me leshterikë, që dukeshin se ishin mbledhur nga bizneset si një përpjekje për të pastruar vetëm plazhin ku ata kanë vendosur shezlonget e tyre. Por gjatë vijës bregdetare, ku nuk ishin zaptuar akoma nga privatët, leshterikët ishin të përhapura në të gjithë rërën. Ndërsa cilësia dhe pastërtia e ujit të detit linte shumë për të dëshiruar, fakt që e pohojnë edhe vetë pushuesit dhe banorët e zonës.

Grumbuj me leshterik në plazhin e Golemit.

Grumbujt e leshterikëve në Golem duket se ishin në pritje të makinës së bashkisë për t’i larguar nga aty, por që në fakt sipas banorëve të zonës, makina nuk kalonte prej kohësh duke bërë që plazhi të ndotej çdo ditë e më shumë.

Leshterik dhe mbetje në rërën e Golemit.

Mungesa e dorës së institucioneve për pastrimin e hapësirave publike theksohej akoma më shumë kur në vijën bregdetare shikojë çizme të hedhura në rërë, bidonë, shkopinj, apo edhe mbetje të tjera.

Grumbuj mbetjesh në plazhin e Golemit.

Por papastërtia, e cila sipas banorëve është prej vitesh, ua ka mpirë syrin pushuesve të zonës, pasi siç duket edhe nga fotot, ata vendosin çadrën në rërën plot më leshterikë e me mbetje, kjo edhe për shkak të mungesës së plazheve publike, pasi shumë plazhe janë të zëna nga privati.

Pushuesi i rrethuar në leshterikët në Golem në zonën e vetme të plazhit publik.

Ndotja e plazhit ka bërë që pronarët e shtëpive të pendohen pse kanë investuar në Golem. Blerësit e apartamenteve në këtë zonë janë nga Tirana, Shkodra, Kosova etj. Shemsia nga Kosova, tregon se është bërë pishman pse e ka blerë shtëpinë e pushimeve në Golem. “Vij prej disa vitesh këtu, kam blerë shtëpi në Golem, jam bërë pak pishman që e bleva këtu. Vij e bëj plazh 3 muaj çdo verë. Pastërtia siç duket, lë për të dëshiruar”, tregon ajo.

Shemsia, turisja nga Kosova duke folur për Portën Vendore.

Mungesa e plazhit publik ishte një tjetër problem në Golem. Neritan Jezo nga Fieri tregon se plazhi është zënë nga bizneset dhe është bërë privat. “Kam blerë shtëpi këtu, çmimet janë shumë të shtrenjta, plazhi është shumë i pistët. Plazhi më shumë është bërë privat, është zënë nga bizneset”, tha Jezo. Por ai nuk është i vetmi që ndan këtë shqetësim, pasi edhe Vojo, i cili është emigrant prej 20 vitesh në Kanada e vë në dukje këtë problem ndërsa shton se ndotja akustike si pasojë e muzikës së lartë nga lokalet e natës është e madhe në këtë zonë, ndonëse sipas rregullave të vendosura nga Komiteti i Ekspertëve, muzika nuk lejohet pas orës 22.00.

Bizneset që kanë pastruar plazhin

Panorama paraqitet e njëjtë edhe në plazhin e Durrësit. E gjithë vija bregdetare pranë zonës së Urës së Dajlanit është e zezë, e mbushur me leshterikë, duke e bërë jo higjenik për larjen e fëmijëve, të cilët qëndrojnë në breg.

Vija bregdetare në Durrës, pranë zonës Ura e Dajlanit

Teksa vëzhgojmë vijën bregdetare, një pushuese nga Tirana i thotë fëmijës se deti është shumë i pisët dhe e paralajmëron të mos lahet. Ajo shprehet për Portën Vendore se: “Unë tani sa erdha nga Tirana dhe po kërkoj një vend ku të bëj plazh, por uji është me leshterikë”, tha ajo, ndërsa vijoi kërkimin në bregdet.

Bregu plot me leshterikë dhe i papastër, në plazhin e Durrësit

Të njëjtën mendim ka edhe Arjeta, pushuesja nga Mitrovica e cila po shëtiste në breg të detit, teksa shprehet për Portën Vendore se:“S’më pëlqen fare plazhi në Durrës, është i pisët. Unë preferoj Vlorën, por erdha të vizitoja vëllain dhe më pas bëra një ndalesë këtu në Durrës”, tha ajo.

Mungesa e turistëve rëndon bizneset dhe tregtarët

Në bazë të vëzhgimit të kryer nga Porta Vendore vihet re se plazhi i Golemit dhe Durrësit po frekuentohet në këtë periudhë kohe vetëm nga banorët e zonës ose nga ata që kishin shtëpi pushimi, ndërsa turistët e huaj janë të pakët. Çadrat ishin pothuajse të gjitha të boshatisura çfarë tregon se turistët nuk kishin shfaqur interes për të zgjedhur plazhin e Golemit apo Durrësit për të kaluar pushimet e tyre verore.

Çadrat bosh në plazhin e Golemit.
Shezlonget bosh në plazhin e Durrësit.

Kjo gjë theksohet edhe nga punëtorët sezonalë pranë restoranteve apo hoteleve turistike apo shitësit ambulantë, të cilët muajt e verës i presin me padurim, me shpresën për të fituar të ardhura nga turistët, ndonëse sivjet po përndiqen nga policia bashkiake, e cila ka vendosur që mos t’i lejojë të tregtojnë në vijën bregdetare.

Një prej këtyre tregtarëve është edhe Violeta 40-vjeçare, e cila së bashku me bashkëshortin udhëtojnë çdo ditë më tren nga Peqini për në Golem. Ajo e shikon si të vetme mundësi për të nxjerrë të ardhura minimale përmes shitjes së rrobave të banjos në plazh. Atë e takojmë teksa në dorë mbante mallin që tregton, e cila në përpjekje për t’i shitur, përshkon në mes të diellit disa kilometra të vijës bregdetare. Shitësja ambulante tregon se nuk nxjerr shumë fitime në ditë duke veçuar vitin e pandemisë, si vitin më të dobët nga ana ekonomike. “Pandemia na ka dëmtuar sidomos vjet, nuk ka pasur njerëz që të mund të shisja dhe bëja punë. Nuk është se na leverdis shumë, pasi nxjerrim pak fitime, plus edhe shpenzimet e rrugës, por s’kemi çfarë të bëjmë, duhet të nxjerrim bukën e gojës. Më shumëse 10 ose 15 mijë lekë të vjetra çdo ditë nuk fitojmë dot. Unë jam vetë i katërt, nuk më dalin këto që fitojmë as për bukë thatë”, rrëfen Violeta për Portën Vendore.

Edhe për Eduardin, mungesa e turistëve do të thotë më pak shitje të produkteve që tregton e si rrjedhojë më pak të ardhura për familjen e tij. “Kam 20 vite që punoj këtu, kemi blerë shtëpinë këtu, jemi nga Librazhdi. Këtu ka shumë pak turistë dhe kjo nuk vjen për shkak të pandemisë, por kështu është çdo vit, pasi këtu nuk është zonë e mirë, shkak papastërtia dhe derdhja e kanalit të ujërave të zeza në det. Nuk është bërë asnjë lloj investimi, është i vetmi plazh në Shqipëri që nuk është bërë asnjë investim në plazh, të gjitha rrugët brenda Golemit janë copë-copë. Fitoj në ditë 25 mijë lekë, rri këtu nga mëngjesi deri në darkë. Vjet ishte zero fare nga ana e ekonomisë”, tha Eduarti për Portën Vendore, i cili nuk ka dëshirë të identifikohet plotësisht, teksa tregoi se nuk mungon dëshira për të emigruar sërish jashtë vendit.

Shitësi ambulant i plazhit të Golemit

Situata bëhet akoma më alarmante nga ujërat e zeza, pasi kanali kalon përgjatë rërës dhe hidhet në det. Ky problem është ngritur më herët nga mediat, ndërsa situata nuk ka ndryshuar nga viti në vit. Era e keqe kundërmon në të gjithë zonën, dhe përreth nuk shikon turistë, edhe pse ekzistojnë disa subjekte që janë ndërtuar si hotele apo restorante turistike.

Kanali i ujërave të zeza që derdhet në det në zonën e Golemit

Sajmiri, i cili po hiqte leshterikët pranë lokalit ku punonte, tregon për Portën Vendore se era e keqe, e shkaktuar nga kanali i ujërave të zeza i mban larg turistët duke dëmtuar edhe bizneset. “Këtu në Golem kalon kanali i ujërave të zeza që hidhen në det, e prandaj nuk vijnë shumë turistë, mban erë të keqe, edhe pse është përmirësuar situata në krahasim me çfarë ishte. Është viti i pestë që punoj në këtë lokal. Jemi munduar ta mbajmë pastër vet rërën sepse bashkia nuk vjen ta pastrojë ndonjëherë”, tregon ai për Portën Vendore.

Sajmiri duke pastruar leshterikun nga biznesi ku punon në Golem.

E njëjta panoramë dhe me po të njëjta pasoja në ekonomi, situata duket edhe për bizneset apo shitësit në plazhin e Durrësit.

Një shitës ambulant që kishte stacionuar karrocën e tij më produkte plazhi, tregon për Porta Vendore se sezoni turistik çdo vit po përkeqësohet.

“Situata po bëhet më keq çdo vit, nuk kemi fitime fare, turistët janë të paktë në numër, shkak mund të jetë edhe deti i pistët. Këtu bashkia nuk ka investuar fare, çdo gjë e bëjnë bizneset private, të cilët përpiqen të mbajnë pastër ambientin”, tha mesoburri, i cili nuk pranoi të tregonte emrin nga frika e një ‘hakmarrje’ të mundshme nga policia për ta larguar nga vendi ku ishte stacionuar për të shitur.

Ndërsa një tjetër shitës ambulant, i cili po mbante në duar syze plazhi tha se Nuk ka fare të ardhura, mezi pres që t’i shesë këto që kam që të nxjerr lekët e harxhuara dhe mos të dal më sepse nuk ia vlen”, sqaron ai. Por megjithëse Bashkia Durrës ka dhënë një urdhër që të mos dalin më në plazhi shitës ambulantë, ato janë ende aty, gjithnjë me frikë se mos vjen policia bashkiake për t’i sekuestruar mallin e marrë produktet që tregojnë.

Sezoni turistik larg pritshmërive

Sezoni turistik për vitin 2021 kryesisht në Durrës, sipas kryetarit Hoteleri-turizmit, Eduard Xhepa, vazhdon të mbetet me rezervime dobët. Madje ai paralajmëron edhe pasojat me të cilat u duhet të përballen këtë vit gjysmë pandemik, bizneset që kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me turizmin.

“Këtë vit do të kemi akoma probleme me sezonin turistik. Mendoj se do të jetë më mirë se vitin e kaluar, por nuk është se do hyjë në kapacitet të plotë. Sezoni turistik në Durrës vazhdon të mbetet me prenotime dobët, duke bërë të mundur prenotime spontane, javore nga turistë vendas dhe rajonalë. Kishte pritshmëri për turistë nga Bjellorusia, por për arsye të problemeve që kanë atje, janë kanceluar të gjitha rezervimet nga ky vend që pritej që ishte një burim furnizimi. Mendoj që si sezon turistik do të jetë i mirë, por penalizon strukturat me kapacitete të larta të mëdha, që e kanë të vështirë pronontimin me agjenci turistike, pasi organizimi akoma është i vështirë”, tha Xhepa për Portën Vendore.

Sa i përket sezonit turistik në qytetin e Durrësit, më optimist paraqitet eksperti i turizmit Ismail Hoxha, ndërsa tregon se ndër vite ka ndryshuar target grupi i turistëve që e frekuentojnë këtë zonë. “Për sa i përket efektit të pandemisë të këtij vitit, efektet do të jenë më të vogla sesa vjet ku ishin ndërprerë çdo lloj gjëje. Por që do ketë një impakt dhe që duket të ketë një impakt është e sigurt. Nëse e bëjmë krahasimin me vitin e mëparshëm sigurisht që jemi më mirë. Nëse e bëjmë krahasimin me vitet para pandemisë, akoma nuk kemi një ide të qartë si do jetë, por problem është se duhet me qenë shumë dinamik”, thotë eksperti i turizmit Ismail Hoxha për Portën Vendore.

AKM: Uji i ndotur, vetëm në 4.2% të rasteve

Por ndryshe nga sa konstatohet në terren shprehet Agjencia Kombëtare e Mjedisit, sa i përket ndotjes në plazhet e Golemit dhe Durrësit. Agjencia Kombëtare e Mjedisit thotë se është duke përpunuar të dhënat mbledhura për cilësinë ujërave në prag të sezonit turistik. Sipas AKM, nga monitorimi i cilësisë së plazheve rezulton se 95% e stacioneve të monitoruara në 119 stacione janë të një cilësie shumë të mirë. Ndërsa në 4.2% të raste, konkretisht në 5 stacione të monitoruara ujërat janë të një cilësie jo të mirë. “Faktori kryesor i ndotjes në ujërat bregdetare të larjes mbeten shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara në ujërat pritëse bregdetare në mënyrë direkte dhe indirekte, të cilat shkaktojnë ndotje të këtyre ujërave”, sqaron më tej Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Sa i përket Durrësit, AKM shprehet se nga 21 stacione të monitoruara vetëm dy stacione janë problematike. “Durrësi monitorohet në 21 stacione dhe vetëm 2 stacione klasifikohen në cilësi jo të mirë, pasi po kryheshin punimet e Bulevardit të Ri”, deklaron ky institucion.

Për Olsi Nikën, ekspertin mjedisor dhe drejtuesin e Eco Albania, cilësia e ujërave të plazheve është arsye për braktisjen nga pushuesit.

Eksperti Nika thekson se reformimi i inspektorateve ka shkaktuar problem për monitorimin e ndotjes së plazheve. “Një element mjaft i rëndësishëm është edhe inspektimi, i cili në kuadrin institucional ka qenë në një reformim të vazhdueshëm, çfarë ka krijuar një amulli të shtuar dhe një humbje të kontrollit të territorit, duke lejuar burimet e ndotjes së ujërave të vazhdojnë aktivitetin ndotës në vijueshmëri”, përfundon ai.

Kujtojmë se që prej vitit 2018 inspektoratet u tkurrën, duke u shndërruar në një Inspektorat Qendror që synon standardizimin e proceseve të inspektimeve nga inspektoratet e ndryshme, dhe dixhitalizimin e tyre, si dhe kryerjen e inspektimeve të bazuara në rrezik.