Ngjarje/Personazhe

Tregu i Durrësit do t’i nënshtrohet rikonstruksionit, tregtarët ndahen në pro dhe kundra

1 Korrik 2021/ Aldo Mustafa/ Porta Vendore/ Durrës

Ditën e sotme tregtarët e Tregut Agrobujqësor në Durrës janë ngritur në protestë pranë ambienteve të markatës, pasi ndjehen të revoltuar nga një njoftim pa firmë e vulë të Bashkisë Durrës për zhvendosjen e tyre brenda 5 ditësh drejt një tregu tjetër. Tregu aktual do t’i nënshtrohet rikonstruksionit, një investim prej 60 milionë lekësh për ndryshimin e kushteve të tij.

Pas problematikës së shitësve ambulantë, tashmë Bashkia Durrës duket se ka lënë të pakënaqur tregtarët e “Tregut Agrobujqësor”, të cilët janë ngritur në protestë pasi me datë 27/06/2021 janë njoftuar me një letër të formatit A4 të ngjitur në hyrje të tregut, e cila ishte vendosur nga Bashkia Durrës se duhet të lirojnë vendet e punës për shkak të rikonstruksionit të këtij tregu, duke i lënë si afat përfundimtar datën 05/07/2021.

Gjithashtu në këtë njoftim, Bashkia Durrës bën me dije se vendi i ri ku këta tregtarë do të zhvillojnë aktivitetin e tyre deri në përfundim të rikonstruksionit, do të jetë në lagjen nr. 18, Rruga “Bashkim Taga” në vendin e quajtur “Fusha e rërës” duke i falënderuar për mirëkuptim, njoftimi mbyllet pa asnjë vulë apo shënim që të tregojë se kemi të bëjmë me një njoftim zyrtar.

Sakaq 260 tregtarët të cilët punojnë në këtë treg duhet të mendojnë të krijojnë mundësitë për t’u zhvendosur gjatë muajve të rikonstruksionit në zonën e përcaktuar nga Bashkia Durrës, çfarë i vështirëson punën edhe më shumë duke llogaritur që një pjesë e tyre nuk jetojnë në Durrës. Fije Perkola merr çdo ditë dy autobusë për të ardhur dhe për të tregtuar në këtë treg.

Fije Perkola në moshën 72 vjeçare, tregon për Portën Vendore se ka 35 vjet që shet në Durrës, duke i tërhequr trastat zvarrë, ndërsa nga Policia Bashkiakei thonë që hija në vendin ku ajo qëndroj të rrijë bosh ndërsa ajo të dalë në vapë ose tëkthehet nga ka ardhur. “Urbanët na i kanë lënë larg, i them prit biletë për këto (produktet) se nuk na pranojnë. Pse të mos më lej këtu në gjysmë metri vend?”,tregon e moshuara.

Kamber Memolla një tjetër tregtar rrëfen për Portën Vendore se punon në këtë treg prej 20 vitesh dhe se nëse u duhet të shkojnë në zonën e përcaktuar nga bashkia, atëherë puna për të ka mbaruar.

Kamber Memolla tregon se lëvizja e markatës është shqetësimi më i madh i tyre. “Njoftim i cili na bëhet nga policët civil dhe njëletër pa vulë. Arsyeja është rikonstruksioni i markatës. Ne duam të shtyhet dhe dy muaj afati pasi nuk mund të punohet në mes të vapës në zonën e re të caktuar. Punoj këtu prej 20 vitesh. Ne jemi të mbaruar po shkuam atje”tha sakaq tregtari për Portën Vendore.

“Tregu Agrobujqësor” i Durrësit është i vetmi i llojit të tij pasi nuk ka të tjerë të ngjashëm në zona të tjera dhe tregtarët janë përballur me gjendjen ekonomike të rënduar si pasojë e tërmetit dhe më tej me pasojat e pandemisë e cila paralizoi çdo lloj aktiviteti. Ky ishte një vit që ata shpresonin të rimëkëmbeshin, por duket se Bashkia ka plane të tjera. Plani për rikonstruksionin e këtij tregu ka kohë që qarkullon, sikurse e ka raportuar edhe Porta Vendore.

Një tjetër shqetësim që ngre tregtarja Brunilda Mimarbashi është se qytetarët do e kenë të vështirë të shkojnë në tregun e ri të përkohshëm. “Unë u bëra 15 vite në treg dhe punojmë sa për të ngrënë bukë. Vendi i përkohshëm është shumë larg dhe është vend i fshehtë, nuk mund të vijnë dot njerëzit aq larg,”u shprehajo.

Ka edhe nga ata tregtarë të cilët janë shprehur të indinjuar me atë qëkryeministri kishte premtuar dhe me atë që ai nuk po bën. Shpëtim Tabaku tregon për Portën Vendore se ka mbi 25 vjet që punon nëkëtëtreg. “Unë vij nga një familje e varfër nga Sukthi në Durrës, por Durrësi është vend i mallkuar për njeriun e mirë, njeriun e drejtë. Kisha besim shumë tek Edi Rama që do të bëj diçka për këtë shtet, por mesa duket baza po e zhgënjen.Nuk kërkoj asgjë më shumë, një vend pune të punoj. Bashkia të vej dorën në zemër. Distanca ndikon, por duke menduar qëështë provizore për tu bërë diçka e bukur këtu, nuk jemi kundra”, thotë ai.

Naze Lace një tjetër tregtare thotë se pavarësisht konkurrencës, arrijnë të paktën të ushqehen. “Çmimet janë të larta, por ne mundohemi të mbijetojmë. Nuk është normale kjo formë njoftimi. Në periferi nuk vjen kush, sepse nëShqipëri kanë mbetur vetëm pleqtë, rinia kanë ikur. E para jam unë që nuk mund të vete aty”, thotë ajo e indinjuar.

Mendimet e tregtarëve janë të ndryshme, disa prej tyre megjithëse të indinjuar që nuk kanë mjaftueshëm kohë për të kryer zhvendosjen e se pse ky rikonstruksion do të bëhej pikërisht tani, e disa të tjerë me optimist që markata do të marr një pamje komplet të re.

Foto nga projekti i Markatës Durrës.

Mbi 300-350 tezga do të vendosen me projektin e ri në varësi të hapësirës, kjo e fundit duke ndihmuar tregtarët që të shtojnë sasinë e produktit. Bashkia Durrës deklaron për Portën Vendore se përmes këtij projekti, bashkia synon të përmirësojë shërbimin në tregun kryesor të qytetit dhe ta shndërrojë atë në një pikë referimi dhe atraksioni sikundër shumë të tjerë tëngjashëm në rajon. “Tregu i ri do të jetë një ndërtim tërësisht i ri, me mbulesë kapriate metalike dhe panele sanduiç. Pjesa e jashtme e fasadës do të ketë një veshje metalike me vrima, shtrimi në katin përdhe do të bëhet me pllaka grez porcelani, ndërsa do ta vendosen tezga të reja metalike. Do të ketë tre seksione, fruta perime, bulmet dhe peshk”, thanë burime zyrtare nga ky institucion.

Sakaq për protestën e tregtarëve duket se ka ardhur dhe reagimi i kryetares së komanduar të Bashkisë Durrës, Znj. Emirjana Sako e cila ka treguar se nuk do të ketë një shtyrje të afatit të nisjes së punimeve për rikonstruksionin e tregut. “Ne do të fillojmë punën me rehabilitimin e markatës së Durrësit. Kemi marrë masa për të përcaktuar një vend alternativ për ata që duan të tregtojnë ende. Pra vendi i përcaktuar nga ne është që atyre mos t’u pezullohet puna. Nuk do të shtyhet afati, pasi dhe gjatë periudhës së vitit të ri, ata kanë interes që të punojnë në këtë treg. Ky është një investim i nevojshëm dhe duhet të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar Znj. Sako për Portën Vendore.

Në lidhje me projektin e ri Znj. Sako bën me dije se rreth 3500 metra katrorë do të rehabilitohen plotësisht duke rehabilituar dhe kanalizimet e ujërave të bardha dhe ujërave të zeza. Ndërsa do të bëhet rehabilitim i kushteve sanitare dhe gjithashtu një rrethim gjysmë i hapur për të mundësuar ajrosjen në mënyrë sa më natyrale.

Gjithashtu një urdhër i ri është firmosur nga kryetarja e komanduar e Bashkisë Durrës për zbritjen e tarifës prej 3900 lekësh që ata paguajnë çdo muaj për çdo banak që zënë, për aq kohë sa do të zgjasë rikonstruksioni i “Tregut Agrobujqësor”. Ndërkohë, Kryetarja e Bashkisë Durrës ka marrë përsipër edhe impenjimin se me firmën e cila do të bëjë zbatimin e punimeve për këtë rikonstruksion, të ngushtojnë sa më shumë afatin e paracaktuar prej 113 ditësh punime, duke e kaluar nga afërsisht nga 4 muaj punime, në harkun kohor prej 2-3 muajsh në mënyrë që t’i kthehen normalitetit.  Projekti pritet të kushtojë 60 milionë lekë të reja me tvsh, ndërkohë që tregu ishte përcaktuar për ti nënshtruar rikonstruksionit që në vitin 2019 .