30 Qershor 2021/Franceska Ndoja/Porta Vendore/Shkodër
Për vitin e dytë radhazi, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po shkakton një masakër mjedisore në Lagunën e Vilunit, ku ka depozituar inertet nga objektet e shembura në plazhin e Velipojës në Shkodër. Porta Vendore ka zbuluar se një vit më parë, IKMT u gjobit për këtë veprim, por sivjet e ka kryer sërish, ndërkohë që Bashkia Shkodër ka kërkuar ndërhyrjen e Prefektit, ku veç shkatërrimit të sezonit turistik, tashmë po vihet në rrezik dhe mjedisi.

IKMT mësohet se e ka ndërmarrë aksionin për depozitimin e inerteve beton-arme në Lagunën e Vilunit, e cilësuar si perlë e plazhit të Velipojës, menjëherë pas përfundimit të aksionit për shembjen e 15 objekteve pa leje në këtë zonë. Kjo u konstatua nga një vëzhgim i bërë nga Porta Vendore, e cila u interesua se çfarë po ndodhte me objektet e shembura në plazhin e Velipojës. Porta Vendore vuri re se mbetjet mblidheshin nga mjetet e IKMT, dhe më pas transportoheshin me kamionë drejt Lagunës së Vilunit, ku një ekskavator kryente shpërndarjen e tyre në sipërfaqe të lagunës.
Lidhur me këtë fenomen, Porta Vendore pyeti pranë Bashkisë Shkodër nëse është i lejuar një veprim i tillë dhe cilat janë masat e ndërmarra. Bashkia na vuri në dijeni se me të marrë këtë informacion, Bashkia Shkodër ka njoftuar Prefektin. “Bashkia Shkodër, me shqetësim ka konstatuar se në Njësinë Administrative Velipojë, në zonën e Vilunit, në afërsi të Hidrovorit, po hidhen mbetje inerte, të cilat janë krijuar nga aksioni i IKMT-së gjatë ndërhyrjes në zonën e plazhit të Velipojës. Këto mbetje po hidhen të gjitha në zonë të mbrojtur mjedisore, peizazh i mbrojtur ‘Lumi i Bunës-Velipojë’. Duke e vlerësuar si shqetësuese situatën e paraqitur më sipër, kërkojmë nga ana juaj marrjen e masave ligjore dhe administrative për zgjidhjen e kësaj situate”, thuhet në shkresën e dërguar më 15 qershor nga Bashkia Shkodër, për Prefektin e këtij qarku.

Porta Vendore pyeti edhe pranë Prefekturës së Shkodrës në lidhje me këtë problem të rëndë, e cila deklaroi se ka prioritet zbatimin e ligjit për mbrojtjen e mjedisit, por nuk sqaroi se çfarë masash janë marrë në lidhje me këtë rast flagrant. “Prefektura e Qarkut Shkodër do të vijojë të zbatojë legjislacionin në fushën e mjedisit dhe të mbrojtjes së territorit nga ndërtimet e paligjshme. Është prioritet i punës së Ministrisë së Brendshme të bëjë parandalimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje. Ashtu siç jeni në dijeni është hartuar akti nënligjor, urdhri Nr.226, datë 14.05.2021, i Ministrit të Brendshëm ‘Për marrjen dhe zbatimin e masave për mbrojtjen, kontrollin dhe monitorimin e territorit, mjedisit dhe pyjeve nga ndërhyrjet /ndërtimet e kundërligjshme nga policia e shtetit dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe ngritjen e sekretariatit teknik të monitorimit”, tha ky institucion në përgjigjen zyrtare pa dhënë shpjegime të mëtejshme.
Një veprim i tillë i paprecedent u bë edhe vitin e kaluar nga IKMT pas shembjeve të objekteve, por Bashkia Shkodër reagoi menjëherë pas sinjalizimeve të marra dhe gjobiti këtë institucion. Burime pranë Bashkisë Shkodër bënë me dije se më 17 qershor 2020, policia bashkiake ka firmosur 20 gjoba me nga 20 mijë lekë të reja ndaj IKMT për hedhjen e inerteve në vende të pa miratuara.
Por, si një vit më parë, hedhja e inerteve në lagunën e Vilunit u shkaktua pas aksionit “Bregdeti ynë”, i ndërmarrë nga IKMT në disa plazhe të vendit. Ky aksion nisi më 7 qershor, vetëm dy ditë, pasi ishte çelur sezoni turistik në plazhin e Velipojës, ku e pranishme ishte edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi. Aksioni ishte paralajmëruar një javë para nisjes edhe nga kryeministri Rama. Kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes se Territorit pranë Bashkisë Shkodër, Gentian Ibro u shpreh se ky aksion dëmton sezonin turistik të këtij viti në plazhin e Velipojës. “Në Velipojë ka ndërhyrë IKMT, është një aksion i paralajmëruar nga ky inspektorat. Është aksion i nxituar, pasi sezoni turistik sapo është çelur, flasim për një sezon turistik pas pandemisë së Covid 19, ku ekonomia ka pësuar rënie. Ky aksion, në këtë moment mund ta dëmtojë sezonin turistik në plazhin e Velipojës. Janë objekte të proceduara në fillim të vitit dhe mund të ishte ndërhyrë më parë, jo tani në fillim të sezonit, mund të kishin ndërhyrë pas mbylljes së sezonit”, tha ai.
Edhe pse në nisje të sezonit, Velipoja është si një shesh lufte, me forca të shtuara të policisë, me fadromën e IKMT, me zhurmat e prishjes së objekteve, me inerte të pa hequra, nga ana e pronarëve apo banorëve nuk ka pasur rezistencë apo pretendime siç ka ndodhur në vitin e kaluar, ku ka pasur përplasje mes policisë dhe atyre.
Më 14 Maj të këtij viti, kryeministri Rama paralajmëroi prishjen e ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare të vendit, si dhe procedime penale. “Operacion nga Velipoja deri në Ksamil. Duhet të nis tani jo në mesin e verës kur vijnë turistët, por tani pa asnjë tolerancë dhe jo duke shkuar tek ndërtime që janë bërë para 20 vitesh”, është shprehur Rama. Edhe ministri i brendshëm foli me tone të ashpra gjatë paralajmërimit për këtë operacion blitz. “Policia e shtetit duhet të kontrollojë çdo centimetër të territorit të Shqipërisë. Dua t’i kujtoj të gjithë ata dhunues që nga veriu i Shqipërisë dhe deri në skajin më jugor të Shqipërisë që do përballen me forcën e ligjit si asnjëherë tjetër. Ta harrojnë celularin e ministrit të brendshëm. Deri në 15 vite burg për ndërtimet pa leje, nuk do të ketë më tolerim sidomos në sezonin turistik”, është shprehur Bledar Çuçi.
Por, ajo që vihet re është fakti se veç çlirimit nga ndërtimet pa leje, për të dytin vit radhazi, plazhi verior i Velipojës vuan pamjen skandaloze që i ofrohet nga shembja e objekteve pa leje dhe mos ndërgjegjësimi i pronarëve të këtyre subjekteve.