Ngjarje/Personazhe

Zall Herri në pritje të lagjes së re, pronat private bllokojnë rindërtimin

21 qershor 2021/ Porta Vendore/ Tiranë

Zall Herri i Bashkisë Tiranë është një nga zonat ku pritet të ndërtohet një lagje e re me familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, por problemet me pronësinë private kanë bllokuar projektet. Institucionet pretendojnë se kanë dalë VKM për shpronësim, ndërkohë që familjet e prekura nuk janë konsultuar dhe nuk janë njoftuar nga askush. Nga ana tjetër, familjet e dëmtuara mbete në pritje të rindërtimit, ku disa prej tyre nuk pranojnë të ndryshojnë vendbanim.

Pas lëkundjeve të 26 Nëntorit 2019, shumë familje ngelën të pastreha në vendin tonë, banesat e tyre ose u rrënuan totalisht ose rrezikonin të shembeshin nga lëkundja më e vogël. Qeveria u detyrua t’i futej një masterplani për rehabilitimin dhe fillimin e një procesi rindërtimi. 19 muaj më pas, ky proces po ecën me ritëm të ngadaltë, ku një numër i konsiderueshëm familjesh janë ende me sytë nga qielli pasi jetojnë në çadra.

Bashkia e Krujës, Laçit, Shijakut, Kamzës, Durrësit, Lezhës dhe Tiranës ishin territoret që u prekën më së shumti, pasi ishin brenda valës së goditje së tërmetit, ndërsa gjurmët e tërmetit famëkeq janë prezente ende edhe sot.

Familjet në këtë proces po shpërngulen në zona të ndryshme brenda bashkive përkatëse ku jetojnë, proces ky ndër të tjera ka rritur edhe pakënaqësitë e tyre.

Një ndër hapësirat që do të kthehet në shërbim të familjeve të dëmtuara është edhe një pjesë e territorit në fshatin Zall- Herr, i cili ndodhet rreth 15 km nga qendra e Tiranës dhe 9 km nga Kamza, pozicionuar përreth luginës së lumit Tërkuzë.

Sipas projektit, ku investitor është Bashkia e Tiranës dhe sipërmarrës i punimeve është përzgjedhur kompania “Klajger Konstruksion” dhe “Inerti SH.P.K”, me mbikëqyrës të punimeve “Tower” SH.P.K., do të ndërtohen 49 shtëpi njëkatëshe.

Banesat do i vijnë në ndihmë familjeve të dëmtuara në fshatin Herr dhe Priskë, të cilat do të shpërngulen për në Zall Herr. Në ndërtimin e godinave, Bashkia e Tiranës ka vendosur në dispozicion 32.918 metra katrorë tokë sipërfaqe bruto, por ky proces ende nuk ka nisur.

Nga kontakti me firmën Klajger Konstruksion rezulton se Bashkia ende nuk i ka dorëzuar truallin firmës.

“Bashkia na jep afatin, ka një proces dhe grafik, ende nuk na është dorëzuar sheshi”, thanë për Portën Vendore përfaqësuesit e firmës Klajger Konstruksion. “Por ne kurrë nuk kemi për të ndërhyrë pa u zgjidhur çështja mes pronarëve”, përfunduan ata.

Vija normale e investimit të bashkisë merr një pikë kthese, pasi nga sipërfaqja totale e përcaktuar, rreth 20.000 m2 tokë, i takojnë familjes së Shefqet Isuf Lames, të cilët, sipas tyre, as nuk janë dëmshpërblyer dhe as kontaktuar se në pronën e tyre do të ndërhyhej për këtë projekt. Forma që banorët në Zall Herr janë njoftuar është përmes një tabele punimesh të vendosur pak kohë më parë, teksa janë gjendur kështu para një fakti të kryer.

Pjesa e mbetur rreth 2.7 dynymë tokë arë janë në pronësi të familjes së Xhesjan Qarrit. Ndërsa diferenca e mbetur është tokë shtet. Edhe kjo familje shprehet e revoltuar, pasi nuk janë zhvilluar dëgjesa publike lidhur me këtë investim dhe lagje të re që do të ndërtohet në pronat e tyre në kuadër të rindërtimit.

Për këtë arsye, Porta Vendore pyeti dhe pranë Njësisë Administrative Zall Herr. Administratori Arben Maloku pretendon se toka e familjes Lame është shpronësuar me VKM dhe kompensimi i ka kaluar, por nuk jep shpjegime sesi është bërë ky shpronësim, a është konsultuar me familjen dhe pse kanë dalë këto pengesa.

Ndërkohë, një prej përfaqësuesve të familjes Lame, bën të ditur për Portën Vendore se ata nuk janë kontaktuar asnjëherë dhe nuk e dinë për çfarë VKM bëhet fjalë. “Ne nuk jemi kontaktuar apo takuar me asnjeri nga ana e Bashkisë për tu informuar se Bashkia ka këtë projekt që do të kalojë edhe në pronën tonë. Pronën e kemi me certifikatë pronësie dhe për këtë arsye mendojmë se dikush duhet të na shpjegojë, dhe jo të na sjellë tabelën e punimeve mbi tokën tonë” , shprehet Dorian Lame, ndërsa i bashkohet zërit të banorëve të tjerë, që të arrihet një marrëveshje midis tyre për t’u kompensuar hapësirën që do u përvetësohet nga Bashkia.

Pra projekti ka kaluar në këtë fazë pa i kontaktuar fillimisht banorët, për pasojë këta të fundit kanë penguar vijimësinë e punimeve. Procesi i rindërtimit do të zvarritet edhe më tepër, pasi nuk janë kontaktuar të gjitha palët e përfshira në projekt, ku përveç familjes Lame, edhe familja Qarri disponon tokë prej 2.7dynym tokë.

Porta Vendore ka kontaktuar me Ministrinë e Rindërtimit, me në krye Arben Ahmetaj, ku në lidhje me stërzgjatjen e procesit të rindërtimit ka pranuar se ka zvarritje, por që sipas kësaj ministrie, problemi qëndron te prokurimet publike dhe jo pronësia private. “Procesi po zvarritet për shkak të procedurave dhe miratimit të tenderëve”, kanë sqaruar burime zyrtare brenda Ministrisë së Rindërtimit .

Ndërkohë, nga ana tjetër, banorët e dëmtuar nga tërmeti mbeten mes katër rrugëve në pritje të handikapëve të këtij procesi. Në një vështrim të përgjithshëm në zonat e dëmtuara nga tërmeti, ka ende banorë që jetojnë në çadra sidomos në zonat rurale.

Sipas Ministrisë së Rindërtimit, familjet marrin rregullisht bonusin e qerasë, por kanë zgjedhur të qëndrojnë pranë truallit të shtëpisë së prishur në fshat, për arsye të punës me tokën, të kujdesit për gjënë e gjallë apo thjesht për zgjedhjen e tyre.

Ndërsa për banorët problemi është dhe më i thellë, ku prevalon largimi i tyre nga banesat dhe tokat aktuale. Alfred Baja nga fshati Priskë, u shpreh se ka 2 vite që pret për ndërtimin e banesës, ndërkohë që largimi nga zona ku jeton dhe punon do i vështirësonte jetesën “Thanë që do i ndërtonin shtëpitë këtu ku i kemi më pas na thanë do shkoni në lagjen e re. Unë kam kafshë që kujdesem, 2 lopë, tokë, 30 rrënjë ullinj, nuk ka mjet transporti që unë të shkoj nga fshati Priskë në Zall Herr, ka vetëm një furgon që transporton nxënësit”, dëshmon ai për Portën Vendore.

Ndërsa Dashamir Neli nga Priska e Vogël shprehet se nuk pati besim që do të merrte dëmshpërblim nga shteti dhe nuk ka aplikuar. “Fshati jonë ka pasur shumë shtëpi të dëmtuara nga tërmeti, disa nga bashkëfshatarët e mi janë dakord që të largohen nga fshati drejt Zall-Herrit, ndërsa pjesa tjetër ushqehet me tokat në Priskën e Vogël dhe nuk janë pro këtij transferimi. Unë nuk aplikova”, tha shkurtimisht Neli.

Kurse Administratorit i Zall Herrit pretendon se edhe çështja e familjeve me banesa të dëmtuara është zgjidhur privatisht. “150 banesa janë drejt përfundimit, në total janë 300 familje me banesa të dëmtuara rëndë. 125 familjet e mbetura (duke zbritur 25 të akomoduara në kontejnerë) aktualisht po qëndrojnë tek familjarët e tyre”, thotë Maloku i pyetur nga Porta Vendore.

Në një situatë të tillë dhe pa një zgjidhje aktuale janë edhe 2 fëmijët nën 18 vjeç të mbetur jetim, pasi nëna dhe babai i tyre kanë vdekur. “Banesa që u ka lënë babai është dëmtuar dhe aktualisht ata qëndrojnë tek xhaxhai i tyre. Bëhet fjalë për familjen Tusha në fshatin Qenam, njësia Zall Herr”, ka deklaruar Ferrit Dani, banor i zonës.

Deri në fund të këtij muaji, sipas Njësisë Administrative Zall Herr, pritet të mbarojnë 300 banesa individuale në rastin më fatlum, teksa pretendohet se bashkia i ka respektuar të gjitha procedurat e nuk ka lënë jashtë asnjë prej palëve. Por e pyetur nga Porta Vendore lidhur me një prononcim se si do të zgjidhet çështja e pronarëve për tokën ku do të ndërtohet, ajo nuk dha detaje deri në publikimin e këtij artikulli.

Fillimisht u premtua që fundi i vitit 2020 do t’i gjente të gjithë në shtëpi të reja, por me sa duket procesi po ecën mjaft ngadalë duke hasur pengesa, kryesisht në kryeqytet, ku problematika kryesore ka lidhje me çështjet e pronësisë.

Shqetësimet e familjarëve ende janë prezente sa i takon rehabilitimit, vendeve që përcaktohen për tu shpërngulur si edhe bonusit të qerasë. Po ashtu një pjesë e banorëve akoma nuk kanë marrë pagesën për të rikonstruktuar banesat e tyre.