Ndodhi

Këshilli Bashkiak Vlorë përplaset me kryebashkiakun. Kërkojnë ballafaqim, Leli: Mbledhje online

17 qershor 2021/ Porta Vendore/ Vlorë

Këshilli Bashkiak i Bashkisë Vlorë është përplasur me kryebashkiakun Dritan Leli, duke deklaruar se kreu i bashkisë e ka humbur besimin e tyre. Shkak është bërë një mbledhje e kërkuar nga këshilli bashkiak për një mbledhje ballafaquese me Kryetarin e Bashkisë për shërbimet e ofruara nga kjo bashki, por kjo mbledhje nuk është organizuar, pasi Leli, duke pretenduar se duhen ruajtur masat anticovid, kërkoi që mbledhja të bëhet online.

Më datë 1 qershor 2021, anëtarët e këshillit të Bashkisë Vlorë kërkuan një mbledhje jashtë radhe të këshillit të bashkisë. Në kërkesën e depozituar nga 45 anëtarë të këshillit bashkiak kërkohej ballafaqim me Kryetarin e Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, ndërsa ishte kërkuar dhe prezenca e kryeministrit Rama dhe deputetëve të zonës. Ky ballafaqim i kërkuar nga grupi i 45 anëtarëve të këshillit bashkiak argumentohej me mungesën e shërbimeve në Bashkinë e Vlorës. “Situata alarmante me shërbimet bazike të pastrimit, mirëmbajtjes, ndriçimit dhe me trajtimin e ankesave dhe të problemeve të qytetarëve kërkon reagim të menjëhershëm. Ne po e ndeshim çdo ditë në kontaktet me qytetarët dukurinë e rënies së nivelit të shërbimeve dhe ndjejmë përgjegjësi t’i përfaqësojmë shqetësimet e tyre. Aq më tepër sot kur qeveria dhe shteti kanë bërë gjithçka për të lehtësuar sezonin turistik, Bashkia Vlorë nuk mund të kthehet në delen e zezë të turizmit shqiptar për plehra, gropa dhe indiferentizëm fyes nga pushteti vendor”, thuhej në letrën e drejtuar ndaj Migena Ballës, kryetare e Këshillit Bashkiak. Mbledhja ishte kërkuar të realizohej në ambientet e teatrit “Petro Marko” në Vlorë, pikërisht më 10 qershor.

Por kjo kërkesë u refuzua nga kryebashkiaku Leli, i cili kërkoi respektimin e masave kundër pandemisë dhe sugjeroi që mbledhja të realizohet online. “Lidhur me mbledhjen e kërkuar nga një grup këshilltarësh bashkiak, më poshtë do të gjeni të gjithë komunikimin zyrtar që kam zhvilluar me Këshillin Bashkiak, për mbledhjen e kërkuar prej tyre për t’u zhvilluar në teatrin Petro Marko. Referuar ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve, kemi vendosur që mbledhja të zhvillohet online, në aplikacionin Zoom, siç janë zhvilluar të gjitha mbledhjet e deritanishme përgjatë gjithë vitit”, ka deklaruar Leli në një reagim në Facebook vetëm pak minuta para mbledhjes, duke shpjeguar se për këtë arsye nuk janë vënë në dispozicion ambientet e teatrit për një mbledhje të tillë.

Megjithatë, në orën 10.00, këshilltarët nuk u futën për takim online në zoom, por u paraqitën pranë teatrit “Petro Marko”, ku salla ishte e mbyllur. Në një deklaratë për mediat, Anduel Tahiraj, Kryetar i Partisë Socialiste për Vlorën, tha se mbledhja ishte kërkuar që në datën 1 qershor për shkak të problematikave në qytetin e Vlorës dhe iu dha kohë Dritan Lelit që të reflektonte. Tahiraj theksoi se këshilltarët vendosën që mbledhja të zhvillohej, pasi vihet në fuqi edhe vendimi i Komitetit të Ekspertëve për grumbullimet që bëhen nga 10 në 50 persona duke respektuar masat. “Kryetari i Bashkisë, përmes një shkrese refuzoi pjesëmarrjen në këtë mbledhje me pretendimin e masave anti Covid por ky është një pretendim qesharak sepse po i njëjti kryetar, jo pak ditë më parë, u dha leje forcave të tjera politike, PD dhe forcave të tjera të zhvillojnë mbledhje në këtë sallë, jo vetëm të mbushur, por edhe duke mos respektuar masat Covid. Natyrisht që sot ne si këshilltarë kemi ndjekur me përpikmëri udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit të Ekspertëve. Sot në datën 15, hyn në fuqi vendimi që nga 10 numri mund të shkojë në 50. Ne kemi marrë të gjithë masat që të jemi rigorozë në zbatimin e protokollit dhe të masave anti Covid. Ky nuk është një zhvillim i ri për ne. Ne në rrugë partiake dhe institucionale i kemi shprehur shqetësimet tona kryetarit të Bashkisë duke i dhënë mundësinë edhe të reflektojë, gjë që nuk ka ndodhur.  Sot jemi në këtë ballafaqim publik. Qëllimi i kësaj mbledhje është që ne si organ i zgjedhur i përfaqësuesve të qytetarëve të Vlorës, kemi përgjegjësinë morale dhe institucionale të mbështetin qytetarët e Vlorës në zgjidhjen e problematikave të tyre. Shqetësimet tona prej shumë kohësh kanë qenë në vesh të shurdhër. Kryetari i Bashkisë e ka humbur mbështetjen e PS, por edhe besimin e qytetarëve të Vlorës. Kjo na ka bërë dhe ne si këshilltarë bashkiak të marrim në dorë fatin e qytetit duke ushtruar të gjithë të drejtat që na jep ligji si këshilltarë dhe të gjithë detyrën tonë për të ndihmuar dhe ushtrua presion që ato çka në Vlorë nuk po bëhen, sezoni turistik duhet të jetë në nivelin e duhur, punët publike duhet të jenë në nivelin e investimeve të qeverisë, kjo është dhe detyra jonë që ne të bëjmë që puna e pushtetit vendor të jetë në nivelin e duhur”, deklaroi Tahiraj. I pyetur përse insistuan që kjo mbledhje të zhvillohej fizikisht dhe jo online siç kërkoi kryebashkiaku Dritan Leli, Tahiraj tha se ishte për shkak të rëndësisë së mbledhjes. “Ne e gjykuam që ishte e papërshtatshme për tu zhvilluar online dhe vendosëm që të zhvillohej sot në orën 10:00. Mbledhja i është kërkuar kryetarit të Bashkisë që me 1 qershor dhe i është lënë mundësia e reagimit dhe zgjedhjes. Këshilltarët kanë zgjedhur datën 15 duke qenë se sot Komiteti i Ekspertëve ka vendosur që të hyjë në fuqi vendimi që numri i pjesëmarrësve të shkojë në 50. Këshilltarët janë njerëz politikë që përfaqësojnë PS, janë edhe profesionistë të cilët punojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytet. Asnjë nga këshilltarët nuk është detyruar. Arriti në një pikë që nuk mbante më sepse qyteti ishte lënë si stolat e Lungomares që prej vitesh nuk funksionojnë dhe janë ndryshkur”, deklaroi ai.

Megjithatë, kreu i Bashkisë Vlorë, bashkë me drejtorët përkatës vijuan me mbledhjen online që ishte thirrur nga këshilli bashkiak, duke u dhënë përgjigje pyetjeve të ngritura prej tyre në kërkesën e bërë ndaj Bashkisë Vlorë, ndërkohë që këto përgjigje, sipas Lelit, iu dërguan me shkresë edhe këshillit bashkiak. “Dua t’ju bëj me dije se pavarësisht mosparaqitjes së këshilltarëve bashkiakë në mbledhjen online, gjithë çfarë kërkuan të dinin në emër të ankesave të banorëve të Vlorës, u ka shkuar në adresat e tyre elektronike.Të gjitha drejtoritë e Bashkisë Vlorë janë përgjigjur me përgjegjshmëri për punët që kanë kryer, njësoj siç do të veprojnë dhe sigurisht, të përmirësohen, në vazhdim”, theksoi kryebashkiaku Leli.

Por, kjo duket se është vetëm fillimi i një përplasje mes kryetarit të bashkisë dhe këshillit bashkiak, përfaqësuesi i të cilëve deklaroi se Kryetari i Bashkisë e ka humbur besimin e tyre, duke lënë të nënkuptojë se një luftë e tillë do të vijojë mes këtyre dy organeve të zgjedhura të pushtetit vendor në Vlorë.