16 qershor 2021/ Franceska Ndoja/ Porta Vendore/ Shkodër
Të rinjtë e Shkodrës kanë zgjedhur që indinjatën dhe apelin ndaj krimeve mjedisore ta shfaqin nëpërmjet një ekspozitë fotografike, e cila u prezantua për qytetarët dhe aktorët lokalë në kuadër të ditës botërore të mjedisit.
Ekspozita fotografike nën sloganin “Stop krimit mjedisor”, u organizua në datë 4 qershor në qendër të Shirokës në Shkodër. Partnerë të këtij projekti ishin “Fol për ato që heshtin”, organizata të shoqërisë civile dhe autoriteti vendor i Shkodrës, ku të gjithë aktorët ishin të organizuar për të përçuar mesazhin e mbrojtjes së mjedisin.
Përmes këtij projekti të mbështetur nga Leviz Albania, organizatorët zgjodhën këtë aktivitet së bashku me këtë ekspozitë për t’i bërë thirrje qytetarëve të jenë më të kujdesshëm dhe t’i ruajnë këta pasuri natyrore. Djana Bejko, drejtoresha e programit të forumit të liqenit të Shkodrës u shpreh se fotografitë e të rinjve të shkollave të mesme dhe studentët e Universitetit kishin ne fokus lumin Bunë.
“Kjo ekspozitë e organizuar në kuadër të javës së demokracisë ka në fokus monitorimin e shkarkimit të ujërave të zeza të lumit Buna, ku për këtë qëllim janë angazhuar të rinjtë e universitetit dhe të shkollave të mesme”, thotë Beko për Portën Vendore.

Për dy muaj me radhë, këta nxënës kanë monitoruar ndotjen e ekosistemit dhe sot ekspozojnë gjetjet e monitorimit përmes kësaj ekspozite fotografike. “Përmes mbështetjes nga Leviz Albania, forumi i liqenit të Shkodrës ka bërë anketimin e 1000 qytetarëve shkodranë për të vlerësuar shqetësimin e tyre në lidhje me mjedisin dhe ujërat sipërfaqësore. Por nga ana tjetër edhe për të nxitur aktivizmin qytetar, për të qenë pjesë aktive në vendimmarrje dhe për të ndikuar në politikat për rritjen e investimeve në mjedis, parandalimin e krimeve mjedisore dhe zbatimin e parimit ndotësi paguan”, shprehet ajo.
Sipas anketave të realizuara nga ky grupim, rreth 80% e qytetarëve e njohin krimin mjedisor, por në asnjë rast nuk kanë denoncuar një të tillë. Rreth 60% nuk shprehen të gatshëm për të raportuar, teksa niveli i vetëdijes qytetare mbetet akoma i ulët. Në aktivitet, e pranishme ishte edhe prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni, e cila u shpreh se në këtë sezon turistik tematika e një mjedisi të pastër është në fokus të institucioneve. “Prefektura e Shkodrës, në prag të çeljes së sezonit turistik, vlerëson si prioritare garantimin e një mjedisi të pastër dhe të sigurt, duke dënuar me forcë çdo lloj krimi mjedisor në koordinim me të gjithë strukturat shtetërore. Ndërkohë, mbështesim dhe jemi bashkëpunues ndaj çdo iniciativa qytetare që kontribuon në promovimin e vlerave dhe bukurive”, thotë prefektja për Portën Vendore.
Fotografja 17-vjeçare, Ledia Aliku, është nxënëse në një nga gjimnazet e Shkodrës, e cila tregon dhe angazhimin e saj në këtë ekspozitë të veçantë fotografike. “Në fillim kemi vëzhguar derdhjen e ujërave të zeza, kemi bërë foto dhe video por diçka që më bëri përshtypje, përveç erës, pamjes edhe mbetjeve ishte një peshk i ngordhur. Më ra në sy ky peshk, i cili ishte pasqyra e efektit që ka derdhja e ujërave të zeza në krijesat e gjalla”, tha ajo për Portën Vendore.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak në Shkodër, Briselda Kadia, e pranishme në këtë aktivitet i bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë mjedisin dhe të mos ndotin liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna, ku në fokus të këtij projekti janë shkarkimet e ujërave të zeza që derdhen në liqen dhe rrezikojnë ndotjen e liqenit të Shkodrës, ku takohet me lumin Buna.
“Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna janë zona të rëndësisë së veçantë ndërkombëtare që gëzojnë statusin RAMSAR prandaj RESTAURIMI I EKOSISTEMEVE që është edhe tematika e Ditës Botërore të Mjedisit 2021 mund të realizohet vetëm përmes ndërgjegjësimit qytetar, politikave të integruara dhe aksioneve me vendimmarrje të përbashkëta për të parandaluar, mbrojtur dhe ndëshkuar ndotësit e mjedisit”, tha kryetarja e Këshillit Bashkiak Shkodër.
Çështja e ndotjes së lumit Buna ka alarmuar shpesh edhe autoritetet e Malit të Zi. Në tetor të 2019, qeveria e Malit të Zi ka bërë me dije se përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka ngritur alarmin te pala shqiptare për ndotjen mjedisore të lumit Buna, duke theksuar se po prishen destinacionet turistike që ndodhen në këtë shtet.