Ndodhi

Lalmi i Lezhës i investuar, por problemet nuk mbarojnë për banorët

15 qershor 2021/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Lezhë

Shtyllat elektrike janë kthyer në një shqetësim për banorët e Lalmit në Lezhë. Përgjatë rrugëve të këtij fshati ka disa shtylla elektrike, dhe ndonëse projekti i rikualifikimit urban është drejt fundit, ende nuk është gjetur asnjë zgjidhje për zhvendosjen e tyre.

Fshati Lalm i ri është pjesë e Njësisë Administrative të Kolshit dhe ndodhet në anën jugore të Lezhës, 2 km larg qytetit. Kjo zonë është populluar pas viteve 1990 nga banorë të ardhur nga zonat malore të Lezhës dhe aktualisht në këtë fshat jetojnë rreth 1 mijë banorë. Prej disa muajsh ka nisur rikualifikimi urban i kësaj zone i cili konsiston në asfaltimin e rrugëve të brendshme të fshatit, së bashku me pajisjen me trotuare dhe ndriçim. Pjesë e projektit janë rreth 4 km rrugë në këtë fshat, i cili synohet të kthehet si pjesë integrale e qytetit.

Kanë qenë vetë banorët e këtij fshati, të cilët kanë ngritur shqetësimin, duke u shprehur se krahas pamjes së shëmtuar, prezenca e shtyllave në rrugë është burim aksidentesh.

“Shumë e mirë është bërë si rrugë, po shtyllat nuk kanë të drejtë me i lënë. Janë burim aksidentesh detyrimisht. Vijnë shoferët e pijshëm ose të përgjumshëm dhe i bien shtyllave. Është e nevojshme shtyllat me i heq” , thotë një banor.

Ndërsa një tjetër banor tregon se me asfaltimin e rrugëve shtohet mundësia e aksidenteve, pasi mjetet lëvizin me shpejtësi dhe mund të përplasen me shtyllat.

“Shtyllat duhet të lëvizin nga vendi dhe të çohen në vend të vet, dhe tani është duke u bërë dhe rruga drejt e aksidentet janë në të. Është turp të bëhet gjithë ky investim dhe mos të gjendet një zgjidhje për largimin e zhvendosjen e shtyllave nga rruga. I kërkojmë bashkisë dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që të marrin masa të menjëhershme e ti japin zgjidhje këtij problemi”, shprehet ai për Portën Vendore.

Në të njëjtën linjë është dhe një tjetër banore e kësaj zone.

“Puna është duke u bë e mirë, vetëm diçka është shumë keq shtyllat që janë në rrugë. Kjo gjë është burim aksidenti për makinat dhe për njerëzit. Në kërkojmë të hiqen shtyllat dhe të largohen nga rruga”, shprehet banorja.

Zyrtarë të Bashkisë së Lezhës bëjnë me dije se zhvendosja e linjave elektrike është përgjegjësi e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, dhe është ngritur një grup pune për t’i dhënë zgjidhje problematikes, por pa dhënë një afat se kur mund të ndërhyhet.

“Në këtë zonë po zbatohet një projekt mjaft i rëndësishëm për rikualifikimin urban. Po bëhen rrugët, trotuare dhe ndriçim, duke i dhënë në këtë mënyre zgjidhje një problematike shumë vjeçare. Jemi në fund të përfundimit të investimit, pot problem kemi hasur në tek shtyllat elektrike që janë në rrugë. Është detyrë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për ti larguar. Ne i kemi ngritur një grup pune dhe shpresoj që problematika të marrë zgjidhje brenda një kohe të shpejtë, se në të vërtetë këto shtylla në mes të rrugës e sfumojnë investimin që kemi bërë dhe që normalisht bëhen dhe burim aksidentesh” thotë Pjerin Ndreu, Kryetar i Bashkisë Lezhë

Në lidhje me këtë problematike, drejtori rajonal i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Armand Zhuka, thotë se nuk mund të ndërtohet një rrugë pa bërë më parë projektin e zhvendosjes së shtyllave të energjisë elektrike. Sipas tij është detyrë e hartuesve të këtij projekti që ti japin zgjidhje problematikës.

“Jam në dijeni prej disa muajsh dhe e kam ndjekur rastin. Nuk mund të ndërtohet rruga pa bërë më parë projektin e zhvendosjes së shtyllave të energjisë elektrike. Ajo rrugë ka qenë pa projekt për energjinë elektrike dhe për këtë nuk është fajtor Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, por janë fajtor ata që kanë bërë projektin dhe ata duhet ti japin një zgjidhje. Ata kanë bërë kërkese dhe ne i jemi përgjigjur në bazë të ligjit”, thotë Zhuka.

Me investimet në rrugë, trotuare dhe ndriçim, zona e Lalmit të Ri synohet të kthehet pjesë integrale e qytetit të Lezhës. Investimi, i cili po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit pritet të përfundojë brenda muajit qershor, duke i dhënë në këtë mënyrë zgjidhje problemit të infrastrukturës në këtë zonë e cila është populluar pas viteve 1990 nga banorë të ardhur nga zonat malore. Por pavarësisht se ndodhet ngjitur me qytetin, në Lalm të Ri ka nisur të investohet vetëm në vitin 2021.