13 qershor 2021/ Porta Vendore/ Tiranë
Shpërblimi prej 5mijë lekësh të reja për bebet e sapolindura nuk paguhet prej vitesh nga pushteti vendor. Janë të shumta prindërit që ankohen tek Porta Vendore lidhur me këtë problematikë, teksa institucionet qendrore dhe vendore përgjegjëse për mbarëvajtjen e fondit dhe shpërndarjen e shpërblimit të bebes heshtin.
Ligji Nr. 10 129, datë 11.5.2009 PËR GJENDJEN CIVILE thotë qartësisht në pikën 4 dhe 5 se: “Kur regjistrimi i lindjeve kryhet brenda 60 ditëve për lindjen brenda vendit dhe brenda 90 ditëve për lindjen jashtë vendit, nëna përfiton shpërblim në masën 5 000 (pesë mijë) lekë. Fondi për shpërblimin e përmendur në pikën 4 të këtij neni, përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe tërhiqet pranë bashkisë/njësisë bashkiake/komunës përkatëse”. Por kjo praktikë ka kohë që nuk po realizohet nga pushteti vendor nëpërmjet njësive bashkiake, duke krijuar mjaft pakënaqësi të prindërve të rinj që kanë sjellë fëmijën e tyre në jetë, lidhur me këtë proces.
Porta Vendore ka raportuar rreth 1 vit më parë, lidhur me këtë problematikë, ku konstatoi se shqetësimi ishte i njëjtë për një sërë bashkish në vend.
“Ky është një detyrim ligjor prej 2008 në bazë të ligjit 9929, megjithëse në shumë qytete ky bonus nuk ka vijuar të disbursohet që prej 2016”, thonë juristët e Klinikës Ligjore.
Jonuz Durra, një prej atyre që ka raportuar tek Porta Vendore shqetësimin lidhur me çështjen e mosmarrjes së bonusit të bebes, thotë se: “Akoma nuk e kam marrë bonusin e bebes së lindur. U bënë dy muaj dhe asgjë ende”, thotë ai.
Teksa një tjetër ankues që ka raportuar në rubrikën “Raporto” të Portës Vendore thotë se: “Jam prind i një fëmije që s’ka mbushur ende 1 vjeç, dhe se kemi marrë bonusin e bebes që e meritojmë. Dmth 400 mijë lekshin e shtetit për ardhjen në jetë të fëmijës tonë të parë e kemi marrë, por jo atë 50 mijë lekshin që e jep Bashkia Tiranës. Shkon në gjendje civile dhe të thotë regjistruesja që atë s’e merr njeri, dhe nga ana tjetër korrupsioni është në nivele të tmerrshme, saqë atë pagesën ata regjistrueset e marrin për vete”, thotë Visi, një prind i ri.
Në fakt, ashtu siç e parashikon ligji, bashkitë vetëm e shpërndajnë këtë fond, pasi ai vihet në dispozicion nëpërmjet Ministrisë së Brendshme, e cila ka në varësi Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Për këtë arsye, Porta Vendore pyeti nëpërmjet një kërkese për informacion Ministrinë e Brendshme, si institucioni përgjegjës për lëvrimin e fondeve, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori një përgjigje. Ky institucion heshti lidhur me këtë problematikë të konstatuar nga Porta Vendore, edhe një vit më parë.
“Deri në qershor të vitit 2019, qeveria kishte ende rreth 293 milionë lekë, apo rreth 2.3 milionë euro detyrime të pashlyera në zërin e shpërblimeve të lindjes. Ky zë përfshin 5000 lekëshin që duhet të kishin përfituar bebet e lindura në të gjithë vendin, sipas skemës së vjetër dhe që ende nuk iu është dhënë familjarëve, pavarësisht se fëmijët janë regjistruar. Të dhënat zyrtare tregojnë se Ministria e Brendshme ka raportuar një borxh total të sajin prej 713 milionë lekësh, nga të cilat më pak se 1/3 është pikërisht pjesa e shpërblimeve të lindjes të pashpërndara”, raporton revista Monitor.
Kjo është një problematikë e hasur ndër vite, të cilës nuk po i gjendet zgjidhja, ndërsa çështja thellohet në dëm të qytetarëve dhe borxhet e shtetit gjithashtu po thellohen në drejtim të kësaj situate.