11 qershor 2021/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore/ Durrës
Bashkia e Durrësit ka vendosur që për 15 vitet e ardhshme t’i depozitojnë mbetjet në landfillin e Sharrës, me një kosto prej 50 milionë eurosh. Vendimi është kaluar nga Këshilli Bashkiak në një mbledhje jashtë radhe tre ditë pas bllokimit të mbetjeve të Durrësit nga landfilli i Sharrës. Projekti i miratuar ishte skenari i përzgjedhur pak ditë më parë nga Komiteti për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, të cilit i ishte propozuar një studim me tre skenarë nga Bashkia Durrës, pas shpalljes së emergjencës mjedisore në korrik të vitit 2018.
Bashkia e Durrësit që prej datës 7 qershor 2021, u mbyt sërish nga plehrat, ende pa marrë zgjidhje problemi i konstatuar prej kohësh edhe nga Porta Vendore për menaxhimin e mbetjeve në këtë njësi vendore. Kazanët janë tejmbushur, ndërsa makinat e pastrimit të mbetjeve, nuk duken gjëkundi. Shkak mësohet se është bërë bllokimi i mbetjeve nga landfilli i Sharrës, i cili nuk ka lejuar shkarkimin e tyre për shkak të pagesave të prapambetura. Burimet zyrtare nga Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale në Bashkinë e Durrësit, i thanë Portës Vendore se atyre u është komunikuar se nuk është paguar taksa e shërbimit për mbetjet e Durrësit. Menjëherë pas kësaj situate, më 9 qershor 2021, Këshilli Bashkiak ka njoftuar se më 10 qershor do të zhvillohet me mjete të komunikimit elektronik mbledhja jashtë radhe e këshillit bashkiak të Durrësit për miratimin e dy vendimeve të rëndësishme. Një nga këto vendime që u miratua pikërisht më 10 qershor, ishte për miratimin e skenarit të menaxhimit të mbetjeve, bazuar në vendimin nr. 6 datë 20.05.2021 të Komitetit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve (organizëm ndërministror, në nivel zëvendësministrash) dhe vendimin nr. 3 datë 02.06.2021 të këshillit të qarkut Durrës.
Megjithatë, ajo që shikohet si një vendim i këshillit bashkiak në kushtet e një emergjence të momentit, rezulton se ka qenë një studim i mirëfilltë i realizuar kohë më parë, sipas disa skenarëve për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
AKUM, tre skenarë për Durrësin
Sipas relacionit të dorëzuar në Këshillin Bashkiak, i cili është siguruar nga Porta Vendore, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) ka përgatitur një studim me tre skenarë për menaxhimin e integruar të mbetjeve në qarkun Durrës, i cili u ndërmor pas situatës së krijuar me mbylljen e landfillit në Porto Romano.
Skenari i parë flet për një sistem operimi me 3 kosha, ku Qarku Durrës do të qëndrojë si zonë më vete operimi në menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Skenari i dytë është sistemi i dy koshave, ku qarku Durrës i bashkohet Zonës së menaxhimit të mbetjeve Tiranë–Durrës, të përcaktuar në Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit nr.01, datë 13.01.2020.
Ndërsa skenari i tretë është sistemi i dy koshave ku konfirmohet zona e menaxhimit të mbetjeve Tiranë–Durrës, sipas Vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit nr.01, datë 13.01.2020, por me një shtesë që mbetjet e riciklueshme do të trajtohen ne territorin e Bashkisë Durrës dhe lënda e parë e tyre do të ripërdoret, ndërsa mbetjet që gjenerohen nga trajtimi i mbetjeve të riciklueshme dhe mbetjet e tjera bashkiake do të dërgohen në Tiranë.
Pas përgatitjes së studimit, AKUM, me anë të shkresës me Nr. 493, Prot., datë. 12.05.2021 i vuri Komitetit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve në dispozicion studimin “Analizimi i opsioneve për menaxhimin e mbetjeve në Qarkun Durrës”. Më 20 maj 2021, Komiteti për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve doli në vendimin për zgjidhjen e problematikës së mbetjeve në Qarkun Durrës, për skenarin 2. Vendimi në fjalë, me Nr. 6, datë 20.05.2021 përcakton:
- Miratimin e analizës së opsioneve të menaxhimit të mbetjeve në qarkun Durrës sipas Skenarit 2 të dërguar nga AKUMI.
- Zbatimi i skenarit nr. 2 të planifikuar në analizën e opsioneve të menaxhimit të mbetjeve në qarkun Durrës, të kryhet nga AKUMI.
- Komiteti ka në fokus gjithë procesin e politikave mjedisore në vend dhe nuk përcakton, ndjek apo zhvillon procedura tenderimi duke përfshirë kostot financiare dhe procedurat e tjera të kësaj natyre.
- Ky vendim hyn në fuqi pas marrjes së mendimit të Këshillit të Qarkut Durrës.
Këshilli i Qarkut Durrës, në mbledhjen e datës 02 qershor 2021 mori vendimin për miratimin e analizës së opsioneve të menaxhimit të mbetjeve në Qarkun e Durrësit sipas skenarit nr. 2. Ky vendim mësohet se i është përcjellë Bashkisë Durrës më 7 qershor 2021, pikërisht në ditën kur ndaloi pastrimi i kësaj bashkie nga plehrat. Një problem i tillë u vu re nga qytetarët më 8 qershor. “Pamë koshat e mbushur plot e plehrat e derdhura në rrugë pirg. Kjo situatë nuk ishte vetëm në lagje, por kur dolëm vumë re se i gjithë Durrësi ishte njëlloj. Për këtë arsye, ne njoftuam mediat që ta ngrinin si shqetësim”, thotë një pensionist në zonën e Vollgës në Durrës. Pas ngritjes së shqetësimit në media, Këshilli Bashkiak njoftoi për mbledhje jashtë radhe, duke miratuar këtë studim.
|
Skenari 1 Qëndrimi në Durrës si zonë më vete ZMM, sistemi me 3 kosha |
Skenari 2 Dërgimi i plotë në Tiranë, sistemi 2 kosha ZMM Tiranë-Durrës |
Skenari 3 Dërgim në Tiranë, por duke trajtuar më parë mbetjet e riciklueshme, sistemi 2 kosha |
Investimi total |
50,711,166 € |
5,500,000 € |
7,493,540 € |
Tarifa portes |
52.64 €/t |
40.57 €/t |
57.1 €/t |
Afati kohor i investimit |
2021 – 2035 |
2021 – 2035 |
2021 – 2035 |
Skenari 2, çfarë përfshin?
Sipas relacionit të dorëzuar pranë Këshillit Bashkiak, ky skenar kërkon fillimisht një investim 5.5 milionë euro, pasi do të vihet në zbatim sistemi i mbledhjes me dy kosha dhe do të ngrihet një stacion transferimi. Një kosh do të jetë për mbledhjen e materialeve të riciklueshme dhe një tjetër për mbetjet e mbetura. Ato do të dërgohen fillimisht në Stacionin e Transferimit, i cili pritet të ngrihet brenda territorit të qarkut Durrës dhe më pas do të dërgohen pranë landfillit të Sharrës. Sipas kostos të nxjerrë nga Bashkia Durrës, trajtimi i mbetjeve, nga grumbullimi deri te dorëzimi në landfill, do i kushtojë qytetarëve durrsakë 40.57 euro për ton.
Duke përllogaritur shifrat nga tabela e mësipërme dhe të dhënat zyrtare, rezulton se Durrësi prodhon mesatarisht 75 500 tonë mbetje në vit. Kjo do të thotë se shërbimi i grumbullimit të mbetjeve do i kushtojë qytetarëve durrsakë rreth 3 milionë euro në vit. Ky plan i miratuar ka një afat 15-vjeçar, me kosto totale 45 milionë euro për mbetjet e Durrësit deri në vitin 2035. Kësaj vlere i shtohet dhe investimi prej 5.5 milionë euro që do të përdoret si për vendosjen e koshave, ashtu dhe për ngritjen e Stacionit të Transferimit, duke e çuar koston për 15 vite në mbi 50 milionë euro.
Bashkia kërkon nga qeveria: U goditëm nga dy fatkeqësi
Bashkia Durrës ka ngritur pretendimin se për shkak të tërmetit dhe pandemisë, nuk i ka kapacitetet financiare për të përballuar një kosto të tillë. Në këto kushte, Komiteti për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve ka vendosur që “të kërkohet nga Qeveria Shqiptare miratimi e i subvencionimit të plotë të tarifës hyrëse për një afat 10-vjeçar sipas planit afatgjatë të buxhetit, duke qenë se Bashkia Durrës ka kaluar pasoja qoftë prej pandemisë globale ashtu dhe prej gjendjes së jashtëzakonshme shpallur si rrjedhim të goditjes nga tërmeti i 26 nëntorit 2019”.
Tashmë, topi ka kaluar në fushën e qeverisë, e cila ende nuk është shprehur nëse do subvencionojë këtë shërbim për 10 vitet e ardhshme për Bashkinë Durrës, ndërkohë që një plan i tillë për menaxhimin e mbetjeve pritet të miratohet dhe nga 2 bashkitë e tjera të qarkut Durrës, të cilave u ka shkuar vendimi i Këshillit të Qarkut.